QYTETI
SHTATË PROBLEME TË MËDHA URBANE DHE NJË PROPOZIM PËR ZGJIDHJE. Koha Jone, 28.11.11
Planifikimi i qyteteve shqiptare është një teknikë e aplikuar vetëm pas gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Këtu duhet përjashtuar Tirana, ku pas disa inisiativash parciale të vitit 1923, 1926, 1928, 1929, hartoi në vitin 1942 planin e parë të mirëfilltë rregullues të përgjithshëm. Ky plan, jo vetëm konsideronte një territor më të plotë të qytetit por edhe jepte parashikime për një periudhë të gjatë kohore, deri në vitin 2000. Për t’u përmendur janë edhe planet e qyteteve Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Sarandë që i përkasin të njëjtës periudhë kohore. Sidoqoftë, në pjesën dërmuese të tyre, ato u hartuan nga autorë të huaj. Planifikimi i mirëfilltë urbanistik filloi të aplikohej gjerësisht pas viteve ’60-të, kur u përgatitën specialistët e parë në fushën e ndërtimit dhe arkitekturës në shkollat e Europës Lindore. Nën frymën e “arkitekturës si art social” dhe të “qytetit funksional” të “Kartës së Athinës” dhe të parimit socialist “Kombëtare nga forma dhe socialiste nga përmbajtja” u hartuan planet rregulluese të të gjitha qyteteve historike të Shqipërisë dhe veçanërisht të qyteteve të reja industriale. Planet rregulluese kishin detyrën parësore të “ndanin” territorin e qytetit në zona funksionale, sipas përdorimit të tokës, dhe të propozonin sistemin rrugor të tij. Kështu qytetet tona strukturoheshin nga njësi të rregullta dhe të njëtrajtshme banimi për të cilat, më pas, hartoheshin studime pjesore. Studimet pjesore përcaktonin ekzaktësisht volumin e objekteve që do të ndërtoheshin, dimensionet planimetrike dhe lartësinë, që për më tepër ishin të modeluara dhe standartizuara më parë. Zbatimi i këtyre projekteve bëhej në mënyrë të shtrirë në kohë, por sigurisht në përputhje totale me studimin pjesor dhe mbi të gjitha me sistem fazash zhvillimi. Pa u ndërtuar plotësisht të gjithë objektet e një njësie nuk fillonte ndërtimi në një njësi tjetër strukturore të qytetit. Sistemi rrugor projektohej në formën e një rrjeti, mësë shumti kuadratik dhe jo I mbështetur racionalisht në parashikimin e studimeve mbi fluksin e lëvizjes motorike. Akset kryesore rrugore projektoheshin mbi logjikën e krijimit të korridoreve të ajrimit e djellëzimit dhe ndarjen e njësive të banimit nga njëra tjetra. Rrjeti rrugor ndërtohej me faza paralele me fazat e zhvillimit të territoreve sipas përdorimit, që më së shumti ishte për banim. Kjo siguronte zona minimale nën zhvillim e në ndërtim, pra, edhe minimum të ndikimit negativ tranzitor, në mjediset e qyteteve. Për më tepër, këto zona ishin territore periferike të qyteteve, pasi zonat qëndrore ishin trukturuar e ndërtuar më parë.
Këto ishin arësyet, pse, qytetet tona të vitit 1990 ishin aq të strukturuara e harmonike dhe hapsirat e hapura dhe sociale ishin shtrirë në të gjithë territorin e tyre në mënyrë të njëtrajtëshme. Për këtë rezultat ndikoi shumë çentralizimi i vendimmarrjes, mungesa e pronësisë private mbi tokën dhe kontrolli total i lëvizjeve imigruese. Pas vitit 1990-të tranzicioni politik konsistoi edhe në dy reforma të mëdha, atë të pronësis private mbi tokën e banesat dhe deçentralizimi i vendimmarrjes në të gjithë sektorët. Kontrolli mbi lëvizijen e banorëve nga një qëndër e banuar në një tjetër, ‘leja e banimit”, u vlerësua anti demokratike dhe shtesa mekanike e popullsisë në qytetet kryesore solli rritjen e kërkesës për ndërtime të reja. Hapja e proçesit të zhvillimit urban edhe ndaj aktorëve të tjerë të tregut si pronarët e rinj dhe të vjetër të trojeve, apartamenteve të privatizuara dhe investitorëve privat solli si rezultat prishjen e ekuilibrave të mëparshme, nevojën e hartimit të “marrveshjeve” të reja dhe materializimin, e këtyre, në plane rregullues dhe pjesor, koherent.
Administratat lokale të gjendura në presionin e kërkesës për leje ndërtimi dhe në pamundësi për të hartuar planet hirarkike sipas modelit teorik, lejuan ndërtime të reja me leje apo “miratim” në heshtje. Kështu, kërkesat për leje dhe ndërtimet paleje ishin në varësi të “guximit” të investitorëve privat dhe pronarëve të truallit ku realizohej ky zhvillim. Dhe duke qënë se, njerëz të ndryshëm kanë nivel të ndryshëm “guximi”, inisiativat dhe si rrjedhim edhe ndërtimet ishin të shpërndara në mënyrë kaotikë në territor. Objekte të një tipologjie dhe teknologjie ndërtimi të caktuar u zëvendësuan nga ndërtime të reja të një tipologjie dhe teknologjie tjetër, të cilat i tejkalonin me shumë drejtime (sidomos kate) objektet kufitare. Ndërtimet e reja shkatëruan skemën kohore (moshore) të ndërtimit të njësive të banimit. Njësitë e banimit formëzohen nga struktura shumë të diferencuara në vite të ndërtimit, tipologjive dhe volumeve, shumë të ndryshme. Në këto aspekte ato janë shumë heterogjene dhe qytetet tona u përballën me sfidën e parë: 1- Uniformizimi i objekteve që formojnë njësitë e banimit, në konteksin e tipologjisë së ndërtimit, strukturës moshore dhe volumit. Ndërkohë, ndërsa, disa pronarëve të trojeve ju dha mundësia për të zhvilluar pronën e tyre dhe për të përfituar nga ky zhvillim dhe në këto përmasa pronarët e tjerë kufitar janë në pritje të të njëjtës së drejtë të patjetërsueshme dhe kushtetuese. Të drejtës për të përfituar nga zhvillimi i pronës së tyre që është po kaq legjitime.
Por territori, në kuptimin e zhvillimit të tij, ka kufizim në kapacitetin mbajtës. Këtu nuk e kam fjalën për aftësi mekanike të dherave për të mbajtur peshën e ndërtimeve mbi to, sepse teknologjitë moderne të ndërtimit mundësojnë shumë në këtë drejtim. E kam fjalën për aftësinë për të mbajtur densitete njërëzore në njësinë e sipërfaqes, sepse disiplina shkencore dhe teknika e planifikimit urban kushtëzojnë shumë, me synimin për të krijuar një njësi të jetueshme banimi. Por, objektet e ndërtuara tashmë kanë “konsumuar” densitetin edhe për pronat që nuk janë zhvilluar akoma. Të paktën, lehtësisht vihet re se, nëse do të zhvilloheshin edhe pronat e tjera me të njëjtat parametra si pronat e zhvilluara, atherë lagje të tëra qytetesh do të ktheheshin në geto të mbipopulluar e të pabanueshme. Pra, pronat e pazhvilluara, në të shumtën e rasteve nuk mund të zhvillohen në të njëjtin intensitet si më parë. Dhe në këtë kuptim, qytetet tona gjënden përpara sfidës së dytë: 2- Duhet të sigurojnë që përfitimi në vlerë materiale e pronarëve që do ti zhvillojnë pronat e tyre në vazhdim të jetë i krahasueshëm me atë që kanë përfituar kufitarët e tyre më parë, por pa kaluar densitetin e pranuar nga teknika.
Pas proçesit të kthimit të pronës te pronari legjitim shumë territore që shërbenin si hapsira të hapura apo komunitare u lejuan të ndërtoheshin duke prishur kështu raportin e sipërfaqes së ndërtuar me sipërfaqen e lirë dhe sociale. Kostot e transformimit urban të këtyre zonave ishte shumë më e ulët se e territoreve të ndërtuara më parë sepse përjashtoheshin shpenzimet për prishjen e objekteve ekzistuese, shpenzimet dhe koha shumë e gjatë për të realizuar kontrata sipërmarrje me banorët e shumtë të objekteve ekzistuese, etj, etj. Pra, “guximi” i investitorëve u drejtua më parë te këto territore të pambrojtura dhe lehtësisht të arritshme. Si pasojë direkte humbën përfundimisht lulishtet, parqet, oboret, sheshet, këndet e lojrave për fëmijë, territoret sportive. Këto, megjithëse si pasojë e mungesës së investimit paraqiteshin si, lulishte pa lule, parqe pa pemë dhe stola, kënde lojrash për fëmijë pa lodra apo terrene sportive pa vegla e pajisje, prap ekzistonin si hapsira dhe mund të vitalizoheshin në një moment kur administratat lokale të ndiheshin më të fuqishme për të bërë investime. Dhe, kështu qytetet tona gjënden përpara sfidës së tretë: 3- Duhet të sigurojnë territore për të ndërtuar hapsira publike dhe sociale për komunitetet e tyre. Ndërsa, automjeti privat u lejua dhe shumë shtetas përfituan nga kjo liri për të poseiduar dhe përdorur një të tillë, sistemi rrugor ekzistues nuk mund ti përgjigjej pozitivisht një realiteti të tillë. Ai ishte i projektuar dhe ndërtuar për disa qindra makina zyrtarësh dhe institucionesh të shpërndara nëpër gjithë qytetet tona dhe automjetet e transportit të mallrave të cilave, të paktën një pjese të tyre, as nuk u lejohej të hynin në qytet. Dëshira e madhe për të pasur në pronësi dhe për të shëtitur, me apo pa punë, me një automjet i mbushi deri në derdhje rrugët e qyteteve tona me makina të llojit, viteve dhe kostove të ndryshme. Mungesa e planeve rregulluese të përgjithshëm, planifikimit në përgjithësi, dhe mos hapja e rrugëve të reja shtesë në rrjetin rrugor, ishte një nga shkaqet parësore për realitetin e trafikut në qyteteve tona. Dështimi i skemave të vjetra dhe mos projektimi i skemave të reja për transportin publik dhe mungesa e investimeve në këtë sektor ndikoi negativisht në këtë drejtim. Qytetet tona u gjendën përballë sfidës së katërt: 4- Detyrimi për të ndërtuar një rrjet të ri rrugor, për të hapur rrugë të reja dhe për të zgjeruar rrugët ekzistuese.
Sikurse të gjithë e dimë, automjetet kanë dy gjëndje fizike. Ato ose janë në gjëndje lëvizje duke realizuar qëllimin përse janë projektuar dhe ndërtuar ose janë në gjëndje pushimi. Ndërsa janë në lëvizje, është e kuptueshme dhe detyruese që ato të zhvendosen në korsitë e lëvizjes për automjete, të rrugëve që ato përshkojnë, por, nuk është detyrim që ato të pushojnë në po të njëjtin element të strukturës formuese të qytetit, në rrugë. Jo rrallë herë, shohim automjete të parkuara nëpër trotuare apo nëpër territore të cilat mund dhe duhet të shërbenin për qëllime e nevoja të tjera komunitare. Në fakt, këto territore mund të shërbenin fare mirë për lulishte, kënde lojrash, sheshe, kënde sportive, hapsira rekreative etj. Dhe ja ku dolëm te sfida e pestë: 5- Lirimi i karexhatave të rrugëve, apo hapsirave të hapura nga automjetet e parkuara. Për vite me rrallë, industria e ndërtimit lulëzoi duke sjellë jo vetëm të ardhura për buxhetin e shtetit por edhe shumë e shumë vende pune për qytetarët shqiptarë. Në vitet e para të tranzicionit dhe në vazhdim të tyre “urija” e qytetarëve për banesë ishte shumë e madhe, si pasojë e investimeve të ulta nga qeveritë komuniste pararendëse në këtë sector, si në cdo sektor tjetër të ekonomisë. Bumi i kërkesës dhe rregulla të zbatueshme minimale për të ndërtuar banesa, ndikuan zgjerimin pa limit të mundësive për krijimin e kompanive të reja dhe për zgjerim të kompanive ekzistuese gjatë periudhës 1997-2008, pothuajse në të gjithë qytetet kryesore të Shqipërisë. Mekanizimi i bujqësisë, padëshira për të punuar në këtë sektor dhe lëvizjet migratore nga zonat rurale drejt qyteteve për një “jetesë më të mirë” ndikoi shumë në këtë drejtim.
Por, pas vitit 2008 është i dukshëm rënia e thellë e këtij sektori. Hipotezat janë të shumta. Ato synojnë të justifikojnë plotësisht këtë rënie. Disa theksojnë efektet e krizës ekonomike, disa të tjerë spekulojnë me uljen e reminitancave dhe shumë hipoteza të ngjashme. Por, arsyeja parësore është e thjeshtë. Ngopja e tregut me banesa. Sot Shqipëria është përfshirë nga një proces legalizimi për 250 mijë banesa të paligjshme, disa nga të cilat janë disa familjare. Të legalizuara apo jo, ato janë faktike/fizike dhe zgjidhin problemin e strehimit të ri të të paktën 250 mijë familjeve apo 1 milion shqiptarëve. Të njëjtin rendiment ka pasur zhvillimi legal. Vetëm në Tiranë janë dhënë, gjatë dekadës së fundit, rreth 900 leje ndërtimi për objekte kolektive banimi, të cilat përfshinë dhjetëra mijë apartamente dhe strehojnë dhjetëra mijë familje. Pra, ngopja e tregut me banesa kundështon jo vetëm rritjen e këtyre bisneseve, në këtë drejtim, por edhe detyron tkurjen e tyre, nëse nuk gjejnë fusha risi zhvillimi. Dhe kjo është sfida e gjashtë:
6- Identifikimi i rrugëve të reja për të adresuar kërkesat e bisnesit të ndërtimit për mbijetesë dhe për prosperitet ekonomik. Nëse vëzhgon mënyrën e zhvillimit të qyteteve Europiane apo më gjerë, dallon me lehtësi se qytetet kanë edhe një dimension tjetër, atë vertikal. Nëntoka e këtyre qyteteve është shfrytëzuar me shumë efikasitet në shërbim të aktiviteteve të transportit, më së shumti, por edhe të aktiviteteve të tjera për të cilat ndricimi natyror nuk është një kusht i rëndësishëm. Ndërsa, nuk ndodh kështu për qytetet shqiptare kur nëntoka është totalisht e pashfrytëzuar. Ato shtrihen në horizontalitetin e tyre naiv duke të dhënë shijen e fshatrave të mëdhej ku cdo gjë lëviz në të njëjtin plan. Në të njëjtin plan lëvizin automjetet e transportit publik, automjetet private, këmbësoret dhe me raste edhe kafshët e punës apo bagëtitë (e sigurt në përiferi). Sfida e shtatë: 7- Kompozimi i qyteteve me një dimension të tretë dhe me përparësi përdorimi i nëntokës. Këto, në fakt, nuk janë sfidat e vetme të qyteteve tona dhe jo të gjitha qytetet kanë të njëjtën nivel nevoje për ti përballuar ato. Cdo qytetet ka specifikat e veta dhe si koseguencë e kësaj, sfidat dhe nivelet specifike për përballim të tyre, janë të ndryshme. Por duhet theksuar se, gjetja e një rruge për ekuilibrimin e këtyre problemeve dhe realizimin e këtyre synimeve do të ishte një ndihmë e madhe, për to dhe qytetarët e tyre.
Parkingjet nëntokësore do të ishin, një nga, zgjidhjet e këtyre problemeve. Të shpërndara sa më unifomë në territor dhe në të gjithë territoret e banuara, ato mund të ishin një përgjigje për këto pyetje. Të ndërtuara në të gjithë territorin ku është e mundur teknikisht, ato mund të adresonin këto synime. Parkimet nëntokësore në pronat dhe ndërtimet e vjetra mundësojnë prishjen e këtyre objekteve duke rregulluar, për së pari, strukturën moshore, tipologjike dhe volumore të njësive të banimit, në të cilat në shumë raste bashkëjetojnë shtëpi përdhese prej qelpici me objekte 12 katëshe të strukturës beton-arme. Shkatërimi i objekteve me moshë të madhe dhe ndërtimi në vend të tyre i parkimeve nëntokësore, për së dyti, do të mundësonte përfitim nga zhvillimi i pronave të tyre për pronarët legjitim të këtyre objekteve që në shumë raste po kthehen në të pabanueshme, duke u bërë pronar i vetëm apo bashkëpronar në prona të reja të paluajtshme dhe bisnese të parkimit të automjeteve, të cilat vitet e fundit janë bërë shumë fitimprurëse. Hapsirat mbitokësore në këtë rast, për së treti, do të krijonin mundësitë konkrete që të ndërtoheshin hapsira të hapura dhe sociale, sheshe, lulishte, parqe, kënde lojrash, terrene sportive, terrene rekreative, për komunitetet e këtyre njësive të banimit dhe kjo pa një investim të drejtpërdrejt të buxheteve bashkiake. Në këtë kuptim, këto territore mund të shërbenin edhe për hapjen e rrugëve të reja apo zgjerim të atyre ekzistuese, për së katërti, pa barrën fianciare të shpronësimit të truallit privat. Ndërtimi i disa kateve nëntokësore për parkim automjetesh do të largonin nga rruga apo sheshe midis objektesh makinat që do të parkoheshin në to, në momentet e pushimit të tyre. Kjo do sillte më shumë hapsira rrugore në shërbim të automjeteve në gjëndjen e tyre të lëvizjes, për së pesti. Ndërtimi i dhjetëra parkimeve të tilla, në disa qytete edhe qindra, do të hapnin hapsira të reja pune për bisnesin e ndërtimit. Ky, do gjente mundësi të reja për mbijetesë ekonomike dhe për tu përmirësuar teknikisht e specializuar në një fushë të re, për së gjashti, duke siguruar vendin e punës për mijëra dhe mijëra punëtorë, teknikë e inxhinierë ndërtimi dhe mirëqënie ekonomike për familjet e tyre. Shfrytëzimi i nëntokës nëpërmjet këtyre objekteve do ti jepte dimensionin e tretë, vertikalin, qyteteve tona duke i dhënë më tepër fytyrën e një qyteti modern, për së shtati. Kjo do hapte rrugën që qytetet tona ta përdornin nëntokën edhe për aktivitete të tjera urbane, si transport, magazinim etj…etj.
TRANSFERTA E TE DREJTAVE TE PRONESISE, NJE PERVOJE AMERIKANE PER SHQIPERINE. Mapo, 02.11.2012
“Ju ka rënë lulishte, s’kam çfarë të them…ja shikojeni vet … e shikoni këtë të zezën … ka qenë njollë jeshile”, i thoshte një mesoburrë i veshur me kostum (sportiv, adidas, të dalë boje), me barkun e fryrë si një zonjë tetëmuajshe shtatzënë, një grupi pleqsh të cilët me gojën hapur shikojnë një copë letër (të formatit A4) që i valëvitej para syve. Pleqtë, që nuk dihet për çfarë arsye u kishte rënë barra e rëndë, të ndiqnin me sy “fatin” e tyre të materializuar në një fotokopje të shumëfishtë dhe nën panikun, që lehtësisht lexohej në plastikën e fytyrave të tyre, dukej sikur mendonin “… na ra? Po nga na ra? Nga qielli? Të jetë marrë vetë Zoti, ta ketë vendosur Ai?”. E mendonin por nuk e besonin. Kishin 50 vjet që e mohonin dhe tashmë e kishin të pamundur të kuptonin “rrugët e tij të mistershme”. Nuk zgjati shumë dhe njëri prej tyre u zgjua dhe tha “punë e madhe … do na marrin shtëpinë prej qerpiçi dhe do na japin pallat. Na paska rënë plani. Edhe dajës tim i ra plani në ‘64-n dhe Partia i dha shpi te Varri i Bamit.
Parafrabrikat, po punë e madhe. Tri kurora në një shpi, po punë e madhe, djali im edhe kur vjen nga Italia shkon te shpia që ka blerë në Vlorë”. Të tjerët sikur u qetësuan diçka, por jo plotësisht, ata kishin më shumë halle dhe më shumë pritshmëri nga kjo pronë e trashëguar në mes të Tiranës. Mesoburri, që duket sikur iu kthye puna mbrapsht, thithi me forcë bishtin e cigares që i ishte salduar në buzën e poshtme dhe nxitoi të thoshte “ Po ça thu … mor gjysh?! Po ku të japin gjë këta! Po thuj shyqyr që më njofët mua. Do flas unë me atë të Gjatin, lulishten do e kalojmë te kjo prona këtu dhe tek e juaja do ndërtojmë një 9-katësh, biles 12-katësh fare. Por, duhet të më jepni…”. Pleqtë larguan me shpejtësi sytë nga copa e letrës sikur kishin frikë se mos kuptonin se kujt prej fqinjëve u “ra” lulishtja. Kishin 70 vjet që njiheshin, kishin ndarë shumë halle dhe morali nuk i lejonte të paradinin “fatin” e tyre të keq. Sapo më kishte ardhur kafja, por pagova dhe u largova. Nuk kishte asnjë mundësi fizike të konsumoja kafen pa dëgjuar çka thoshin, fqinjët e mi të momentit, në tavolinën ngjitur dhe nuk mund të dëgjoja e të bëja sehir pa ndërhyrë në një bisedë, të cilën nuk e ndaja dot, më përkiste apo isha thjesht i huaj.
Kjo ngjarje ka ndodhur ekzaktësisht kështu, duke përjashtuar ndonjë humbje, si pasojë e kohës tre apo katër vjet më parë. Sidoqoftë, ngjarje të tilla apo të ngjashme, jam i sigurt, ka përjetuar secili nga ne, përtej aftësisë të secilit për t’i dhënë një kuptim të sintetizuar fjalëve, pauzave, frymëmarrjeve, fjalive, mimikave apo fotokopjeve pa ngjyra të “pjesëve të planit”. Fatkeqësisht, kanë qenë këto episode që kanë formëzuar realitetin tonë urban. Kështu nisnin/lindnin projektet tona të zhvillimit. Nuk mund të dëshmoj, por jam i sigurt se 12-katëshi u ndërtua, djali i plakut përveçse në Vlorë ka edhe një apartament në Tiranë, vajza e plakës u martuar dhe së bashku me të shoqin jetojnë në pallatin e ri, mesoburri bleu mercedes, por jo këpucë e çorape, 70 familje të ardhura nga çdo cep i Shqipërisë jetojnë në apartamentet e reja dhe të papunë ecejakin, me vetura apo në këmbë nëpër Tiranë. Sigurisht, synimi im nuk është të trishtoj disa, apo të gajas disa të tjerë me këtë ndodhi, jo, as të përkufizoj dhe përcaktoj fajtor, ruana Zot. Qëllimi im është i thjeshtë, ai është të pozojë një mënyrë tjetër të bërjes së qytetit.
Në këtë kuptim, shpresoj që ky shkrim të lexohet nga sa më shumë njerëz, jo sepse do them gjëra shumë të mençura, por se do them gjëra që na duhen të gjithëve. Sepse qyteti ndërtohet nga të gjithë njerëzit dhe për të gjithë njerëzit. Për mënyrën sesi ai është zhvilluar, jemi të gjithë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës, sikurse mund të jemi edhe bashkëpërfitues në një skenar tjetër nga ky që, më lart, tregova. Qyteti, në vetvete, nuk është një fjetore e madhe. Që ai të funksionojë si i tillë duhet të përfshijë përveç banesave edhe zonat qendrore, terren për spitale, zonat e gjelbra, terrenet sportive, zonat universitare apo institucionet shkencore, zona të shërbimit të varrimit publik, zona industriale, ekonomike apo tregtare grosiste, zona të transportit të jashtëm, zona të parkut zoologjik dhe botanik, zona të pushimit apo të rekreacionit. Nuk duhet harruar rrjeti i sistemit rrugor që i lidh këto elemente.
Qyteti është një organizëm, ai përbëhet nga njësi strukturore të tij. Çdo lagje banimi, ka nevojë për shkollë të mesme, park të lagjes, terrene sportive, shërbime shëndetësore dhe administrative. Çdo kompleks banimi ka nevojë për shkollë tetëvjeçare, shesh lojërash për fëmijë, sipërfaqe për terrene sportive e objekte shoqërore. Çdo bllok banimi ka nevojë për kopsht, çerdhe apo njësi të shërbimit. Çdo grup banimi ka nevojë për sheshe lojërash për fëmijë nga 0 deri në 6 vjeç dhe sipërfaqe të lira. Të paktën njohuritë njerëzore të mbledhura deri tani, thonë kështu. Thonë se, banorët e një qyteti kanë nevojë për të banuar po aq sa për të punuar, për të pushuar, për të ushtruar aktivitete sportive, për të ushtruar aktivitete shoqërore e politike, për t’u arsimuar e për të ushtruar aktivitete shkencore, biles, po aq sa për një banesë të fundme. Dhe të gjitha këto aktivitete kanë nevojë për territor. Territor që duhet përftuar nga kontributi ynë, nga kontributi i të gjithëve. Të gjithë duhet të kontribuojmë (mbulojmë kostot me burime financiare, natyrore-territoriale apo njerëzore) në procesin e transformimit të qytetit. Sepse të gjithë përfitojmë prej tij dhe konsumojmë aktivitete në të. Por njohuritë na tregojnë edhe një gjë tjetër. Na tregojnë se jo vetëm këto aktivitete/ territore duhet të ekzistojnë, porse ato duhet të jenë të shpërndara në mënyrë të njëtrajtshme në qytet, sepse vetëm kështu mund të jenë lehtësisht të arritshme e me kosto të ulët nga të gjithë. Në ndjekje strikte të dijes së grumbulluar për nevojat njerëzore ndaj qytetit, çka do ishte shkencërisht e drejtë, gjendemi në kundërshti e konflikt të hapur me nevojën e pronarëve të trojeve për të përfituar nga prona e tyre, çka është kushtetutshmërisht e drejtë.
Në pamje të parë duket sikur jemi në paradoks, duket sikur jemi në situatë pa zgjidhje. Por, në fakt, sapo na ka lindur një nevojë e re, e cila kërkon zgjidhje. Dhe zgjidhja është e thjeshtë, ndarja e dy të drejtave nga njëra-tjetra, ndarja e procesit të zhvillimit urban, i cili duhet të jetë shkencor, nga zhvillimi i të drejtave të pronësisë, i cili duhet të jetë ligjor. Në përgjigje të kësaj, ishin avokatët e pronave të paluajtshme, në Shtetet e Bashkuara, që sollën një instrument të veçantë të shkëmbimit ekonomik si zgjidhje për këtë kontradiktë të madhe midis zhvillimit të qëndrueshëm (social, mjedisor dhe ekonomik) dhe barazisë legjitime të pronarëve. Ky instrument u quajt Transferta e të Drejtës për Zhvillim dhe nëpërmjet tij mund të realizohen shumë objektiva. Mjafton kushti themelor, sipas të cilit individët që posedojnë prona të paluajtshme të dëshirojnë t’i shesin këto të drejta dhe individë të tjerë që duan t’i blejnë ato dhe mbi këtë bazë të krijohet mundësia tregtare e shit-blerjes së tyre. Në këtë kuptim, përderisa pronësia e një prone mund të ndryshojë atëherë edhe të drejtat e zhvillimit të kësaj prone mund të ndryshojnë pronësi. Pra, mund të shiten e blihen, mund të shkëmbehen, biles të rialokohen dhe transferohen. Kjo është zgjidhja, shoqërimi i planeve urbane që mbështeten në njohuri shkencore dhe sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm, nga programe të transfertës së të drejtës për zhvillim që përcaktojnë mënyrën e transferimit të të drejtave të zhvillimit të një prone nga territoret të planifikuara për zhvillime të rrjeteve dhe hapësirave të hapura (me përfitim të ulët) drejt territoreve të përcaktuara për ndërtesa (me përfitim të lartë).
NJË PRAKTIK PËR TË CLIRUAR QËNDRAT E QYTETEVE NGA MAKINAT. Mapo, 06.08.2014
Më pak se një muaj më parë, gazeta britanike The Guardian, botoi një shkrim dedikuar Tiranës urbane dhe posacërisht ajrit të ndotur të saj. Autori (Paul Brown) e vlerësonte Tiranën si ‘kryeqytetin Europin të ndotjes’. Si argumete, në mbrojtje të këtij konsiderimi, pozoheshin matje të ndotjes së ajrit të vitit 2004, të cilat tregonin për një nivel 10 herë më të lartë se limiti i pranuar nga Organizata Botërore e Shëndetit. Më tej vlerësohej se, në vitet e fundit niveli i ndotjes së ajrit të Tiranës ishte ulur duke arritur në masën tre herë më të lartë se niveli mesatar i Europës. Gjithë fryma e shkrimit shkonte në shqetësimin ‘si mund t’i largojmë automjetet nga qëndrat e qyteteve?’. Nëse e shikojmë këtë shqetësim si pyetje që kërkon përgjigje dhe si një target konkret për tu synuar, mund të themi se ka dy rrugë për ta arritur këtë synim. Gjithmon, nëse biem dakort se jemi një vend demokratik dhe ndryshe nga diktaturat synimet nuk tentojmë t’i arrijmë nëpërmjet detyrimit me forcë të qytetarëve drejt një mënyre të përcaktuar nga shteti.
Njëra rrugë është kulturore. Që do të thotë, t’i lëmë gjërat të vijnë vet. Të shpresojmë që me kalimin e kohës lidhja dashurore e shqiptarëve me makinat e tyre të dobësohet, dhe paralelisht të lindi dhe forcohet një dashuri tjetër. Dashuria e vjetër me bicikletat dhe transportin publik. Mirëpo, t’i lësh gjërat të vijnë vet nuk është shumë praktike, ndërkohë që ka edhe një rrugë të dytë. Rruga e veprimit. Rruga e ndërmarrjes, nga administrata, të programeve konkrete të menaxhimit urban që do të produktonin në zbehjen e dashurisë për makinat dhe rilindjen e dashurisë së vjetër. Praktika më e mirë, për këtë synim, na vjen nga Londra. Ajo quhet “taksa e trafikut” dhe konsiston në vendosjen e një takse për kalimin apo parkimin në një zonë të caktuar, për të cilën synohet ulja e përdorimit të automjeteve. Është e kuptueshme se nëse dashuria fillon dhe kushton, ajo fillon edhe zbehet. Kështu që njerëzit, në padëshirë apo në pamundësi për të paguar këtë taksë e lënë makinën në shtëpi dhe përdorin transportin public apo bicikletat.
Këtë ide dhe praktika të mëparshme në vende të tjera, kishte në mëndje z. Ken Livingston (Kryebashkiaku i Londrës), kur në shkurt të vitit 2003 ndërmorri një program të tillë për një zonë me sipërfaqe 22 kilometra katror në qendër të Londrës. Përdoruesit e automjeteve duhet të paguanin një shumë prej 5 paund për të kaluar apo parkuar nëpër rrugët e kësaj zone, në fashën orare 7-18.30 dhe nga e hëna në të premte. Një program i ngjashëm u tentua edhe në Stokholm. Në një zonë qëndrore të qytetit prej 30 kilometrash katror, me rreth 300 000 banor dhe 23 000 bisnese, u aplikua e njëjta skemë taksimi. Në fashën orare 6.30-18.30 në ditët e punës, cdo automjet paguante për të hyrë dhe për të dalë nga kjo zonë një taksë që varionte nga 1.1 deri në 2.2 euro. Në 22 prill (dita e tokës) të vitit 2007 Kryebashkiaku i New York (z. Maikëll Bloomberg) propozoi për Manhatanin një taksë prej 8 dollarësh nga ora 6.00 deri në 18.00 në ditët e punës. Është e kuptueshme se, në të treja projektet, u përcaktuan lehtësira për grupet dhe komunitetet në nevojë.
Megjithëse skemat, në dukje, ishin të ngjashme, rezultati i tyre nuk ishte i njëjtë në të tre qytetet. Ndërsa në Londër u verifikuan përmirësime të mëdha të gjendjes së trafikut urban dhe në Stokholm rezultatet ishin të pëlqyeshme, në Neë York ky project nuk dha rezultate të prekshme. Ironik ishte fakti se, kryebashkiaku majtist i Londrës dhe Gurvenatori i qëndrës së majtë i Stokholmit suksesuan në imlementimin e kësaj politike neoliberale urbane, ndërsa kryebashkiaku neoliberal i Neë York-ut dështoi. Të tilla politika neoliberale mund dhe duhet të ndërmerren edhe nga administrata e bashkisë së Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë. Të ndërmerren duke u mbështetur në këto praktika të mira. Sepse cdo praktike është e mirë, edhe ajo që ka dështuar. Nga ajo mund të mësosh se cfarë gabimi nuk duhet bërë. Dhe dështimi i administratës Bloomberg nuk erdhi rastësisht. Ajo ishte e destinuar të dështonte sepse projekti nuk u mbështet gjerësisht nga qytetarët dhe sepse nuk u ndërmorrën investime paraprake në përmirësimin e transportit publik.
PSE CUDITENI ME VARREZAT? Mapo, 07.02.2014
Marrdhënien e parë me varrezat e kam pasur nëpërmjet letrës. Po, nëpërmjet letrës ku arkitekti po formulonte një plan për të përmirësuar gjëndjen ekzistuese dhe për një shtrirje në perspektivë të tyre. Kjo ngjarje duhet të jetë e vitit 1984 dhe unë isha një fëmijë që kuriozohesha për shumc’ka kishte të bënte me vizatimin. Më pëlqente të vizatoja dhe kjo duhet të ketë qënë ngjarja që nguliti në mëndjen time dëshirën për tu bërë arkitekt. Plani ishte shumë i thjeshtë dhe mjetet akoma më shumë, sigurisht tani më duket kështu, sepse deri në atë kohë nuk kisha parë një fletë aq të madhe letre mbi të cilën mund të vizatoje. Nuk kisha parë as tavolinë projektimi dhe as mjete të atilla vizatimi. Vizatimi mbi letër ishte shumë modest. Katrorët gjeometrikisht të ngjashëm ndaheshin nga njëri-tjetri nga disa fasha gjatësore. Ndërsa brenda tyre ishin vendosur drejtkendësha të njëjtë dhe të baraslarguar nga njëri-tjetri. Në vende të caktura drejtkëndëshit e njëjtë mungonin dhe në vend të tyre kishte disa forma të cuditshme. Më vonë, projektuesi më sqaroi se katrorët quheshin ‘parcela’ dhe fashat ndarëse ishin ‘rrugicat këmbësore’. Dretkëndëshit e njëjtë ishin varre, kurse ato format e cuditshme nuk ishin gjë tjetër vecse kurorat e pemëve të para nga sipër. Më tha gjithashtu se, ato drejtkëndëshat (varret) ishin të përbëra nga elementë të parafabrikuara më parë dhe të njëtë për të gjithë varret. Të gjithë varret ishin njësoj.
Qetësi absolute, pastërti, rrugica të shtruara me gurë lumi; breza të gjelbërt ndarës dhe shumë pemë të larta; vetëm tre-katër ngjyra dhe tre-katër materiale. Ky imazh, do të ngelet në mëndjen time derisa një fillim të ftohtë e të lagësht marsi mu desh të shkoja prap atje. Pas një lufte të stërgjatë dhe të pa besë në spital, i dërmuar mendërisht e shpirtërish, mu desh të coja atje një nga miqtë e mi më të afërt. Sikur të mos mjaftonte ky tmerr me përmasa të biblike, gjëndja e varrezës ishte katastrofike. Pasi u zhytëm deri në gjunjë në baltë e duke kapërcyer me frikë e turp mbi varre të tjera, me arkivol në krahë, i lutesha zotit të mos rrëzoheshim mbi një mal me gurrë themelesh që na ndante nga vendi i paracaktuar për mikun tim. Që nga ajo ditë kam qënë me dhjetëra herë në atë varrezë. Por nuk do t’ju tregoj cfarë kam parë. Secili prej nesh shkon atje dhe nuk ka nevoj për tregimtarë. I ka parë vet. Ka parë shtëpitë që rrethojnë kufinjtë e varrezave dhe që duken sikur do të hyjnë brenda. Ka parë varret me kate e me catira. Ka parë rrugicat këmbësore të zëna nga varre të reja. Ka parë varre të ngjitura brinj më brinj me njëri- tjetrin. Ka parë pirgje me bishta lulesh të prera nga frika se mos i vjellin e rishesin. Ka parë fëmijë që të kërkojnë të pastrojnë varrin e të afërmit tënd, në këmbim të pak parave. Ka parë qindra lloje ngjyrash e qindra lloje materialesh. Shumë e shumë gjëra ka parë. Një rrëmujë e pamasë, shumë larg qetësisë, pastërtisë dhe paqes.
Ri e vras mendjen. Pse kështu? Mos vallë nuk kemi tokë? Jo, megjithëse shtiremi si atdhetarë, po tallemi me tokën si “në mall të armikut”. Nuk kemi para? Jo, përderisa asnjë nuk përdor varret standarte që të ofron, përfshirë në cmim, shërbimi funeral. Nuk kemi materiale ndërtimore? Jo, përderisa sot në varreza mund të gjesh më qindra lloje të përdorura. Nuk kemi projektues? Jo, kemi dhjetëra universitete private e shtetërore. Prodhojmë cdo vit me qindra. Nuk kemi letër të madhe? Jo, përderisa prodhojmë me mijëra postera politikanësh cdo dy vjet. Nuk kemi vegla apo tavolina vizatimi? Edhe nëse nuk kemi të tilla, kemi kompiuter. Po, atherë? Përgjigjja është shumë e thjeshtë, miqtë e mi. Ashtu si ndërtuam qytetet tona pa plan dhe na dolën të zhurmshme, të pista, johigjenike, kaotike, të shtrembërta, të kithta, të ngushta, të errta, pa ajër dhe pa dritë. Ashtu ndërtuam edhe varrezat për të afërmit tanë që ikin më shpejt. Them më shpejt, sepse të gjithë do ikim një ditë dhe të gjithë në të njëjtin vend do shkojmë. Në shtëpinë tonë të fundme. Prandaj, mos u cudisni me varrezat tona. Ato janë kështu dhe do të mbeten të tilla, për aq kohë sa ne nuk do t’i kthehemi zhvillimit të planifikuar të qyteteve, ku zonat e shërbimit të varrimit publik të planifikohen në perspektivë kohore afatgjatë sa dhe plani. Deri atherë ato do ti shërbejnë elitës politike të debatojnë se kush e ka fajin për mungesën e vend-varrimeve.
POPULIZMI QË PO GRYEN KOCKAT E BLLOQEVE TË BANIMIT. Mapo, 17.12.2014
Nëse dikush do të organizonte ndonjë intervistë të strukturuar dhe gjithë shqiptarëve do tu drejtohej pyetja se, kush ishte për ta sëmundja më e madhe e shoqërisë në tranzicion, përgjigjja që do të merrej në shumicë absolute do të ishte ‘korrupsioni’. Jam gjithashtu i sigurtë se, nëse e njëjta pyetje i drejtohet një të huaji që thjesht ka dëgjuar për ekzistencën e një shteti me emrin Shqipëri, përgjigjja do të ishte e njëjtë. Të dytët e thonë sepse është fjala që gjendet më shpesh afër fjalës Shqipëri, në shumëcka që mund të kenë lexuar apo dëgjuar për vendin tonë. Ndërsa të parët e thonë sepse tashmë kjo është njësia matëse dhe orientuese për cdo gjë që ka lidhje më qeverisjen. I gjithë ligjërimi politik, ekonomik, shoqëror, mjedisor, historic, biles kam frikë edhe artistik e sportiv ka për fjalë kyc këtë term të frikshëm.
Mirëpo, unë mendoj se fenomeni i korrupsionit, në cdo kuptim që i japim ne shqiptarët, nuk është plaga më e madhe e shoqërisë tonë. Unë mendoj se e keqja më e madhe është populizmi, demagogjia, fasadizmi. Quheni si të doni. Sepse, megjithëse këto terma mund të vijnë e të shkojnë në drejtime të ndryshme, ato kanë të njëjtën valencë në proceset e ndërtimit kulturor të një shoqërie. E kam fjalën për kulturën e të jetuarit në dy gjëndje, diametrikisht të kundërta, në të njëjtën kohë. Dhe shëmbuj konkretizues mund të përmendim plotë. Megjithëse jemi një nga vendet më të varfëra në Europë, për vitin 2004 ne zumë vendin e parë në blerjen e Tuaregëve. Një makinë luksi që njihet gjerësisht. Por edhe më gjerë se kaq. Shikoni flotën shqiptarëve të automjeteve. Ndër më të shtrenjtat në rajon.
Sillni në kujtesën tuaj vizive të gjitha banesat që keni vizituar. Do të arrini në përfundimin se në pak prej tyre nuk keni parë një televizor të sheshtë me ekran të egzagjeruar. Kënde kolltuqesh e divanesh të luksit apo orendi të tjera të shtrenjta. Mund të bënim një listë të gjatë, nga kafenetë e deri të veshjet, por në cdo rast diferenca midis fasadave të objekteve dhe funksionit apo brendësisë së tyre, ngelet ekstravagante. Mirëpo, ky nuk është problemi më i madh. I tillë bëhet kur këtë qasje e pranojmë nga politika në përgjithësi dhe qeverisja në vecanti. Vëzhgoni si shkon diskursi politik në zgjedhje. Në fushatën e zgjedhjeve të 2007 në Bashkisë Tiranë dikush premtoi rritjen e pensioneve! Pa asnjë kuptim dhe pa lidhjen më të vogël. Shikoni zgjedhjet e fundit parlamentare. Në to na u premtua shëndetsi dhe legalizime falas.
Vijmë në aktualitetin e ditës. Bashkia Tiranë, në konkurencë dinjitoze të projektit të qeverisë qëndrore të mbjedhjes së pemëve anës rrugëve kombëtare, na njofton se po vendos 150 kosha të rinj në rrugët e qytetit dhe se brenda dy muash qytetarëve do tu vihet në dispozicion 18 mijë metra katror hapsirë e gjelbërt. Përsa i besojmë këtij diskursi, atherë problemi i njësive urbane qënka identifikuar dhe po shkon drejt zgjidhjes! Qënka mungesa e pemëve. Po le të mbjedhim më shumë që ta zgjidhim përfundimisht. Të mbjedhim në trotuaret që mungojnë, nëpër oboret e cerdheve, kopshteve e shkollave pa oborr, në tarracat e pallateve 12 katëshe. Ndërsa mbytemi nga populizmi, demagogjia dhe fasadizmi, koha kalon dhe problemet reale urbane bëhen më të pamundura për tu përballuar.
Sepse problemet reale urbane janë krejt të tjera dhe ne duhet të planifikojmë që të prioritizojmë investimet publike dhe të drejtojmë investime private. Kjo është ‘A’ja e gjësë. Pasi të kemi hartuar planin e përgjithshëm vendor ky është hapi tjetër. Projektimi urban i blloqeve të banimit, që do të na tregojë jo vetëm sesi komuniteti e pëlqen të jetë ‘lagjia e tyre’, por edhe se kush janë investimet më imediate për tu kryer. Biles më shumë se kaq. Cfarë punësh publike do mbulohen me investime publike dhe të tjerat që mund të investohen privatisht. Me synimin e qartë që blloku i banimit të evolojë nga gjëndja konkrete në atë që komuniteti parapëlqen të jetë. Kështu duhet të jetë. Jo se blerja e tuaregëve e mbjedhja e pemëve nuk është një gjë e mirë në vetvete, porse prioritizimi duhet të jetë sipas përmbajtjes dhe jo formës.
NJË RISTART I DOMOSDOSHËM PËR QYTETET SHQIPTARE! Mapo, 16.09.2015
Prishja e balancave të vendosura për 45 vjet nga rregjimi komunist, në fillim vitet ’90-të, provokoi një sërë ngjarjesh në Shqipërinë e tranzicionit. Më e dhimbshmja ndër to ishte eksodi masiv i shqiptarëve. Eksod, që kishte dy kahe. Shqiptarë që i largoheshin Shqipërisë drejt vendeve të perëndimit demokratik dhe me standarte jetese, dhe, shqiptarë që i largoheshin lokaliteteve të tyre drejt qyteteve të mëdha shqiptare që premtonin një jetesë më njerëzore. Parimi i qënësishëm i mbijetesës i kishte detyruar shqiptarët të lëshonin trojet e të parëve, dhe bashkë me to, edhe një mënyrë specifike jetese. C’ka e justifikon plotësisht nga pikëpamja morale dhe humane ngjarjen, porse prodhoi gjithashtu dy realitete shumë të shëmtuara demografike dhe territoriale. Sot Shqipëria ka më pak banor se një cerek shekulli më parë, dhe, c’ka është më e rëndësishmja për këtë shkrim, prishi balancën e shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar. Duhet thënë se, regjimi i një mijë e një të këqiave, kishte arritur të mbante një qasje shumë patriotike ndaj raportit të balancuar ‘shtetas’-‘territor i njësive vendore’.
Për interesa të veta e të ngushta, në kufizim të lirive të shtetasve dhe me mjete të diktatit dhe të dhunës shtetërore, rregjimi kishte prodhuar një Shqipëri të balancuar të rajoneve policentrike urbane. Rajone që tentonin të komplementonin njëra-tjetrën për të ardhur në një Shqipëri policentrike e të njëtrajtshme. Sigurisht, që kjo ishte një utopi për tu arritur dhe jo një realitet i plotësuar, porse nuk duhet mohuar se trendi ishte i qartë. Sot, përgjatë 25 vjet udhëtimi me një trend të kundërt, Shqipëria urbane përshfaqet si një shumatore e dy tipologjish qëndrash të banuara, krejtësisht të kundërta me njëra tjetrën. Njëra përfshin shumicën dërmuese të fshatrave dhe qytezave që shpopullohen, tkuren dhe shkretohen, dhe, nga ana tjetër një pakicë qytetesh të mëdha që mbipopullohen, tejshtrihen dhe densifikohen prej 25 vjetësh. Të dyja, modele që dëmtojnë rëndë Shqipërinë urbane nga pikëpamja mjedisore, sociale dhe ekonomike dhe nuk lejojnë prosperim të familjeve shqiptare. Sepse, ka një lidhje të pandashme midis mënyrës sesi është zhvilluar qyteti dhe ekonomive të familjeve që jetojnë në atë qendër të banuar.
Duke e nisur nga kjo e fundit, është e kuptueshme që në qëndra të mëdha urbane konkurueshmëria për një vend pune apo për të inovuar ndonjë sipërmarrje të re është aq e lartë sa bëhet e pamundur për të suksesuar. E njëjta gjë ndodh në qëndrat e origjinës së imigracionit. Largimi i krahut potencial të punës mjeron edhe ato sipërmarrje që ekzistonin, dhe si rrjellim logjik humbin punën edhe ata që nuk i dorëzohen largimit. Nga pikëpamja sociale, qëndrat urbane humbën homogjenitetin komunitar të ndërtuar në shekuj. Heterogjeniteti i krijuar prodhoi segregacion social e vecim deri në harresë së interesave të të ardhurve me qasje të ndryshme kulturore. Por edhe në dëm të interesave të qytetarëve ekzistuese, të cilëve ju desh të ndanin perspektivën e tyre mbi qytetin, me të ardhurit e rinj. Për të ardhur te cështjet mjedisore, largimi i banorëve boshatisi banesa dhe ndërtesa të ndërtuara më parë, territoret e të cilave nuk mund të kthehen në gjëndje natyrore. Ndërkohë që ardhja në qëndrat pritëse shtroi kërkesën për ndërtime të reja për banim, duke konvertuar në troje të ndërtueshme hapsirat në gjëndje natyrore.
Mirëpo, ky realitet urban nuk vlen të qahet. Ai duhet ndryshuar sa më shpejt dhe sa më qëndrueshëm. Qeveritë kombëtare duhet ta kuptojnë se detyrat e tyre në cështjet territoriale nuk janë investimet për projekte të fragmentarizuara dhe të atomizuara nëpër qëndrat vendore. Ato thjeshtë mund të kënaqin sedrën e sëmurë të kryeministrit të radhës, që po bën “gjëra të mëdha dhe të bukura si asnjëherë në këto 25 vjet”, porse në asnjë rast nuk i vijnë në ndihmë zgjidhjes së problemeve dhe disekuilibrave urbanë të qëndrave të banuara shqipëtare. Shqipëria e dimensionit urban ka nevoja të tjera. Ajo ka nevojë që elita e politikës shqiptare të dakortësojnë një qasje politike gjithëpërfshirëse për domosdoshmërinë e një rishpërndarje të balancuar të banorëve në territorin kombëtar. Qasje, nga ku të origjinalizojnë të gjitha politikat, projektet dhe programet që qeveria drafton dhe kuvendi miraton. Që kjo të ndodhi, për së pari, elitat akademike, politike dhe ekonomike duhet ta pranojnë si projektin strategjik kombëtar. Me synimin praktik, që superqytetet të mos rriten më, dhe, nënqytetet të startojnë ringritjen urbane.
LEKSIONI QË PD DUHET TA MARRI NGA VETJA E DY DEKADAVE MË PARË. Mapo, 04. 02. 2016
Pas 25 viteve tranzicion nga ekonomia e centralizuar drejt ekonomisë së tregut një shoqëri, si shoqëria shqiptare, ka nevojë të ulet dhe të mendojë se kush janë arritjet. Ku jemi pas një udhëtimi kaq të gjatë? Pas 25 vjetësh, nëse krahasohemi me veten, nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe. Kemi të njëjtin model ekonomik të 25 viteve më parë: modelin pamodel! Një rëmujë ekonomike nga e cila fitojnë vetëm një kastë e vendosur dhe e konsoliduar mirë pranë politikës. Këta shqyejnë koncensionet dhe tenderat publikë. Me një fjalë: paratë e pjesës tjetër të shqiptarëve të sotëm (taksat) dhe të shqiptarëve të nesërm (borxhin publik). Shtresa e mesme, më së shumti, janë burokratët dhe nëpunësit e shtetit. Vetëm ata kanë një rrogë të përtypshme dhe të sigurtë, të paktën për katër vjet. E keni parë se kjo është një nga betejat më të rëndësishme politike. Partitë janë shumë të ndjeshme ndaj vëndeve të punës në administrate, sepse janë të vetmet që mund të shpërndajnë si favore për mbështetësit e tyre. Të varfërit, shumica të papunë. Fatlumët, prej tyre, punojnë ose në fasone ose në kollsentër (callcenter), me pagesa minimale.
Në këtë kënetë të madhe, të vetmet që lulëzojnë janë dyqanet e bukës dhe klinikat e dentistëve. Dilni në një pikë cfarëdo të Tiranës dhe ju garantoj se në një reze prej 100 metrash do gjeni të paktën tre njësi të prodhimit dhe të tregtimit të bukës dhe një klinikë dentare. Hyni në të treja njësitë dhe do shikoni një larmishmëri të tillë prodhimesh nga brumërat që vështirë se do ti gjeni edhe në vendet e zhvilluara. Hyni në një klinikë dentare dhe ndoshta do të gjeni edhe ndonjë shqiptar të emigracionit që është kthyer në atdhe vetëm për të mjekuar dhëmbët me të njëjtën cilësi por me cmime shumë më të ulta. Ndërsa pjesa tjetër, materia bazike e kësaj kënete, është populizmi dhe etatizmi vrastar. Ishte kjo materie që vrau, që në fazat foshnjore, shumë reforma liberale që u ndërmorën vitet e para të këtij tranzicioni të tejlodhshëm. Vitet e papërsërishme të qeverisjes reformatore të PD (92-’96), nga ku origjinalizojnë edhe reformat e liberalizimit të cmimit të bukës dhe të cmimeve të shërbimit të mjekimit të dhëmbëve. Të vetmet që suksesuan dhe mbijetuan deri sot, për arsyen e vetme sepse mbajtën populizmin dhe etatizmin, larg.
Mirëpo, kjo ishte Pd e dy dekadave më parë, sepse Pd e sotme është tërrësisht e kapur nga populizmi dhe etatizmi bllokues. Pd e sotme i ka ikur logjikës së tregut dhe kërkon, që megjithëse kanë kaluar tetë vjet nga përcaktimi i cmimit të biletave të shërbimit të urban, ai të mos ndryshojë! Po ka populizëm më të madh se ky? Kush përfiton nga kjo? Askush! Të gjithë humbin, me falimentimin apo qoftë edhe me dobësimin e këtij shërbimi. Të varfërit e punësuar mund të humbin edhe atë punë që kanë, nëse nuk do munden të arrijnë në vendin e punës si pasojë e mungesës së këtij shërbimi. Shtresa e mesme rrezikon më pak në lidhje me vendin e punës. Ata mund ti lejojnë vetes të përdorin autmjetet private për të arritur në punë, porse kostot e larta të lëvizjes individuale nuk do i lejojnë të mbledhin ca para’mënjanë. Humbasin edhe të pasurit, të cilët vështirë të pranojnë të lëvizin me transportin urban në cdo rast, porse në rastin kur edhe shtresa e mesme lëviz me mjete private, atyre u duhet të kalojnë orë në trafikun e mbingarkuar. Dhe së fundi, humbet gjithë qyteti nga mbindotja për shkak të trafikut të shtuar.
Në fakt, fiton populizmi që për partitë është mbledhësi real i votave të corientuara. Pas 25 vjet “politike” pa ideologji, mendjet që votojnë vetëm kundër, gjenden me shumicë. Fiton gjithashtu edhe etatizmi, që partitë e kanë shumë qejf se ju rrit vlerën dhe forcën në shoqëri, në rastin kur cmimi mbetet i pandryshuar për përdoruesit e këtij shërbimi dhe rimbursohet nga taksat publike. Në këtë rast, të varfërit e papunë, shtresa e mesme dhe të pasurit (për aq pak sa ata janë), duhet të paguajnë për të kompensuar diferencat midis cmimit të fiksuar nga populizmi dhe etatizmi dhe vlerës reale të një shërbimi që as e përdorin! Po ku është morali këtu? Përsa, të gjithë e pranojnë se kosto reale e këtij shërbimi është më e lartë sa paguhet (edhe ata që duan të ngrenë cmimin edhe ata që duan ta rimbursojnë), atherë morali shoqëror kërkon që konsumatori ta paguaj shërbimin dhe jo bashkëqytetarët e tjerë. Për ta është thjesht një padrejtësi. Këtë duhet të kuptojë Pd e sotme dhe shembujt e praktikat i gjen te Pd e para dy dekadave. Te reformat e guximshme, antipopuliste e antietatiste të saj në startin e këtij rrugëtimi të lodhshëm që nuk po përfundon.
KEQKUPTIMET QË KEMI TOLERUAR PËR CËSHTJET E QYTETIT. Mapo, 06. 09. 2017

‘Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë’, thoshte Platoni. Ai fliste për Athinën e 2400 viteve më parë, por duket se ky pohim është universal. Profesionistët e bërjes së qytetit mund të nxjerrin me qindra arsye kontekstuale, por duket se kjo sentencë platoniane i përmbledh të gjitha. Qyteti fizik zhvillohet në përputhje me kulturën e qytetarëve të tij. Me kuptimet e tyre, me stilin e tyre të jetesës, me mënyrën e tyre të ndërveprimit njerëzor dhe gjithcka tjetër që formojnë atë që ne e quajmë kulturë qytetare. Në këtë shkrim do të fokusohemi te disa kuptime të gabuara (keqkuptime) tonat që po ndikojnë për keq në cështjet e qytetit.
Ta nisim me keqkuptimin se qytetet shqiptare kanë nevojë për projekte zbukuruese. Ngatërojmë konceptin e ‘bërjes me estetikë (bukur) të gjërave që duhen bërë’ me konceptin ‘bërjes së gjërave të bukura’, duke injoruar totalisht të nevojshmen për qytetin. Cdo projekt urban i qeverisë së sotme është një shembull praktik i këtij keqkuptimi. Edhe nëse pranojmë për një moment se këto projekte i kanë zbukuruar këto qytete, kurrësesi nuk mund të pretendojmë se i kanë bërë këto qytete më mirë të jetueshme! Sot qytetarët shqiptarë vuajnë mungesa bazike jetësore, të njëjta me qytetarët perëndimor të kohës së fillim-bumit të Revolucionit Industrial.
Një keqkuptim tjetër që kemi pranuar është njësimi i plotë i ndërtimtarisë me sektorin e ndërtimit të banesave. Kurdo kur ne flasim për industrinë e ndërtimit në mendjen tonë shfaqet imazhi i vetëm i godinave të banimit (pallatet). Nëse këtij kuptimi i shtrojmë edhe ndikimin psikologjik të këtyre godinave, imazhi merr formën e një vargmali betoni që na bllokon frymëmarrjen. Mirëpo, praktikat ndërtimore përmbledhin edhe infrastrukturat inxhinierike dhe sociale që i kthejnë grumbujt e ndërtesave të banimit nga fjetore kolektive në qytet funksional. Këtu gjëja bëhet problematike, sepse atje ku duhet të gjejmë zgjidhjen ne shohim vetëm problemin.
Kjo na drejton në një keqkuptim tjetër. Atë të përgjigjes së gabuar që i japim si zgjidhje situatës së keqe urbane duke bllokuar industrinë e ndërtimit. Kjo ishte zgjidhja që qeveria e sotme i dha problemeve të shumta urbane. Rezultati është evident. Situata u agravua akoma më tej, sepse ndërtimtaria e pallateve është një sektor që nuk mund të bllokohet përsa prodhon para’, kurse sektorët e ndërtimit të infrastrukturave mbeten në vend përsa ato janë monopol i qeverisë dhe vet qeveria vendosi ti bllokojë. Duke i shtuar këtu edhe ndikimin e keqkuptimit të parë, përsa infrastrukturat nuk janë elemente zbukurimi, qytetet tona do vijojnë të mbeten fjetore kolektive.
Një keqkuptim tjetër që kemi toleruar është se sa me e madhe ndërtesa aq më shumë fitohet prej saj! Në fakt ky është një keqkuptim konteksual, dhe ka ndikim vecanërisht në këtë fazë të zhvillimit të qyteteve shqiptare. Është e kuptueshme që urisë, në vitet e para të tranzicionit, për sipërfaqe të banueshme dhe hapsira të shërbimeve e të shitjes me pakicë i duhej dhënë një ushqim i bollshëm. Mirëpo sot kemi një tejngopje të tregut me banesa dhe njësi tregtare, aq sa mijëra prej tyre mbeten të pashitura në të gjithë Shqipërinë. Ndryshimi i tipologjisë së banesave në ndërtim, duke i diversifikuar me ndërtesa në volume më të vogla, është një domosdoshmëri.
Keqkuptimi se ndërtimet paleje qënkan e keqja e vetme e qëndrave të banuara shqiptare, duket sikur na vjen jashtë sistemit legal të zhvillimit ndërtimor. Në fakt ishte paaftësia e sistemit për ti përthithurt brenda vetes që lejoi daljen e tyre më vete. Përvec kësaj, në të gjitha aspektet: urban; mjedisor; estetik; higjenik; bile edhe ligjor nuk ka asnjë ndryshim midis ndërtimeve paleje dhe ndërtimeve me leje! Ndryshimi i vetëm është një copë letër që e quajmë ‘leje ndërtimi’. Ndryshe nga praktikat tona të deri tanishme, këto aspekte duhet të jenë synimi për të pasur qytete të jetueshme, kurse lejimi burokratik është thjeshtë mjeti për ti arritur ato synime dhe atë rezultat.
Janë këto, dhe të tjera keqkuptime, që na drejtojnë në përgjigje të gabuara ndaj problemeve të shumta urbane, mjedisore, estetike, higjenike, por edhe shoqërore, të qëndrave tona të banimit. Keqkuptime që shoqëria shqiptare i ka pranuar përgjatë udhëtimit të deritanishëm, por në të njëjtën kohë ndërtojnë realitet urbane të së ardhmes. Prandaj është një domosdoshmëri të ndalojmë, të identifikojmë problemet e vërteta të qyteteve tona, dhe në mirëkuptim të tyre të gjejmë përgjigjet më racionale e më pak të kushtueshme. Burokratët, teknikët dhe politikanët kanë vendin e tyre bazik, por fjalën e parë dhe të fundit në bërjen dhe ribërjen e qytetit e kemi ne.
CFARË DUHET TË KUPTOJ ADMINISTRATA LOKALE! Mapo, 04. 10. 2017

(Me referencë të vecantë Tiranën urbane)
‘Dëshironi qese?’, ishte pyetja shumë e cuditshme që ma bëri kashierja e një hipermarketi në Tiranë, ndërsa midis meje e saj qëndronte një mal me ushqime për tu transportuar. ‘Po’ - ju përgjigja me gjysëm zëri, sepse përgjigjen me zë të plotë nuk e meritonte ajo por drejtuesit e bashkisë Tiranë. Ata që “po na e bëjnë Tiranën si Parisi”, por që nuk kuptojnë se praktikat e mira perëndimore kanë vlerë kur implementohen vetëm pasi futen nën ‘lëkurën’ shqiptare. Kjo sepse është e vërtetë që në disa qytete perëndimore qeset plastike janë me pagesë dhe kjo ka ndikimin e vet në nivelin e ndotjes mjedisore, porse kjo praktikë nuk ka asnjë ndikim në rastin shqiptar.
Ndryshe kulturës perëndimore ku për mbetjet përdoret ambalazh i dedikuar, qeset e blerjeve në Shqipëri përdoren edhe për largimin e mbetjeve familjare në vendgrumbullimin e tyre. Është ky ndryshim i vogël që bën diferencën e madhe të impaktit mjedisor të të njëjtës praktikë por të ndërmarrë në dy kultura të ndryshme. C’ka na drejton në pyetjen legjitime: sa ndikojnë kuptime apo moskuptime të nivelit teknik dhe politik të administratës vendore në “përshtatjen” e qëndrave urbane për një jetesë më humane? Unë këmbëngul se është bazike që vendimarrësit të kuptojnë disa gjëra thelbësore në trajtimin e cështjeve urbane, nëse duam që ato të ndryshojnë.
E parë gjë që duhet të kuptojnë është se, problematikat dhe disekuilibrat urbane nuk mund përballohen pa përfshirë qytetarët dhe komunitetet në planifikim, projektim dhe menaxhim të zgjidhjeve. Koha kur urbanistët ishin mbrojtësit e vetëm të cilësisë urbane dhe dimensionit human të qyteteve ka vdekur gjysëm shekulli më parë. Jo vetëm se ‘përfshirja qytetare’ është një parim i qeverisjes së mirë, por edhe për arsyen praktike se askush më mirë se të prekurit nuk mund ta njohi problematikën apo disekulibrin urban për të cilën po kërkohet zgjidhja. Askush më mirë se qytetarët dhe palët e interesuara nuk mund të dijë se ‘ku pikon catia e lagjes së tyre’.
Një gjë tjetër, po kaq e rëndësishme për ‘përfshirjen qytetare’ që duhet të kuptojnë është se ajo nuk mund të synohet nëpërmjet thirrjeve mediatike, por duke rritur ndjenjën e përkatësisë së qytetarëve për pronësitë e përbashkëta dhe publike. Në fakt, është një marrdhënie ndërvarësie. Sa më të përfshirë ta ndjejnë veten qytetarët aq më të tyret do ju duken këto hapsira, dhe sa më të tyret tju duken këto hapsira aq më shumë përfshihen në proceset përmirësuese. Sepse, këtu nuk e kam fjalën vetëm për njohjen nga zyrtarët të praktikave qytetare, por për përfshirje intelektuale të tyre përgjatë të gjithë procesit të hartimit dhe implementimit të politikës, programit apo projektit.
Cështjet urbane nuk mund të trajtohen të fragmentarizuara, por si një agregat ku cdo cështje është një komponent që ndikon jo vetëm te e gjitha por edhe te komponentët e tjerë. Një ndërhyrje e fragmentarizuar provokon një reaksion zinxhir ndryshimesh që duket sikur përmirësojnë një problematikë, por në fakt prodhojnë një rrjet disekulibrash të tjerë. Nëse i bëjmë një vlerësim thelbësisht teknik do arrinim në përfundimin se fragmentarizimi i zhvillimit (lejedhënia), është arsyeja pse qytetet tona janë kaq keq të jetueshme. Dhe kjo është një gjë që ekspertiza lokale duhet ta kuptojë sa më shpejt, nëse e ka marrë seriozisht nevojën për ndryshim.
Në fund të fundit, kjo ishte nevoja e “shpikjes” së shkecës së urbanistikës. Vëzhgimi i një situate apo hapsire urbane si një e tërrë, duke përfshirë të gjithë elementët përbërës të tij. Për urbanistikën, të thuash se te ky sheshi do ndërtoj ‘një pallat’ apo ‘një lulishte’ është e njëjta gjë e gabuar. Urbanistika njeh si objekt të vetin shkencor njësinë urbane, e cila përfshin në vetvete edhe pallatin edhe lulishten, sikurse cdo element tjetër formues të saj. Për të njëjtën vlefshmëri shkencore, përtej demagogjisë e populizmit, disekuilibrat urbanë nuk ekuilibrohen me aksione “me goditje të përqëndruar”, por me punë të përditshme sistematike të kudoshtrirë dhe afatgjatë.
Por ajo që duhet ta ngulisin në vetdijen e tyre teknike dhe politike vendimarrësit lokal është domosdoshmëria e planifikimit. Kthesa reale për qytetin nis nga proceset gjithëpërfshirëse dhe shumënivelëshe planifikuese. Janë këto procese që do na prodhojnë instrumenta planifikimi që do na thonë për cfarë ka nevojë qyteti në përgjithësi, qëndrat urbane të tij dhe njësitë strukturore që i formojnë këto qëndra. Nëse këto plane na përcaktojnë strategjikisht apo teknikisht rrugën që duhet të ndjekim nga njëra anë, dhe lejojnë ndryshime për tju përgjigjur risive nga ana tjetër, atherë mund të themi se jemi në rrugën e duhur drejt një qyteti human e më mirë të jetueshëm.
Comments
Post a Comment