+ NDIKIMI I NDRYSHIMEVE KLIMATIKE

ABSTRAKT
Dy janë aspektet kryesore vlerësuese mbi vulnerabilitetin e një vendi ndaj ndryshimeve klamatike: impaktet potenciale dhe kapacitetet adoptuese.  Ja disa vlerësime mbi karakteristikat e Shqipërisë;
-vend i 300 ditëve me diell është shumë negativ; -shtrirja e gjatë bregdetare është shumë negativ; -rritja e densitetit të banimit në disa qytete është pozitiv, por ai kthehet në një pikë shumë negative kur ky densitet kalon masën e pranueshme;-tejshtrirja urbane në disa qytetete dhe qëndra të reja të zhvilluar së fundmi është negativ; -densiteti i ulët i banimit në zonat e shumta rurale është negativ;- deindustrializimi i vendit është pozitiv; -prodhimi i energjisë nëpërmjet burimeve hidro është pozitiv; -relievi gjeografik me 70 % male është pozitiv; -ndërtesa të vjetra që konsumojnë sasi të mëdha energjie (pa termoizolim apo mënyra të tjera të eficensës së energjisë) është shumë negativ. 
Ndryshimet klimatike janë një realitet që nuk mund të injorohet apo anashkalohet. Ndikimi i tyre në cilësinë e jetesës së qytetarëve ëshë bazik, prandaj duhet vepruar me shpejtësi dhe në mënyrë të zgjuar. Strategjia e Zhvillimit të Bashkimit Europian EU 2020 vendosi tre synime konkrete: -uljen në masën 20-30% në krahasim me vitin 1990 të gazit të efektit serë në atmosferë; -konvertimin në masën 20% të energjisë në të rinovueshme; -rritjen e eficensës së energjisë në masën 20%.
Sipas Letrës së Bardhë BE 2009 dhe Axhendës Territoriale 2020 të BE, planifikimi dhe zhvillim,i territorial dhe urban kanë një lidhje eksplicite me ndryshimet klimaterike. Këtu po rreshtojmë disa receta urbanistike për ti përballuar sa më mirë këto zhvillime: -Receta e parë: Shqipërisë i nevojitet një rishpërndarje e popullsisë nëpër territor, nëpërmjet një lëvizje të kundërt nga ajo aktuale. Pra, nga zonat fushore e bregdetare, drejt zonave malore. -Receta e dytë ka të bëj me ekuilibrimin demografik të qyteteve. Në rivers me gjëndjen ekzistuese, qytetet duhet të jenë kompakte dhe të njëtratshme. Pra, as të mbipopulluara dhe as  nënpopulluara, sepse tejshtrirrja dhe densiteti i ulët dëmtojnë. -Receta e tretë i referohet sistemit rrugor kombëtar. Cdo investim i rëndësishëm për lidhje të shpejtë mes rajoneve, qyteteve dhe qëndrave të banuara është një investim shumë produktiv. -Receta e katër na kalon nga Shqipëria territoriale në atë urbane. Qytetet duhet të planifikohen me korridore të gjera ajrore. Të përcaktuara në respekt të tredafilit të erërave, ato ndihmojnë qytetet të ajrosen. Ajrimi natyror i njësive të banimit dhe përdorimeve të tjera ul nevojën e ndërtesave për klimatizim artificial.

NDRYSHIMET KLIMATERIKE DHE SHQIPERIA. Mapo, 05.08.2013

Thonë se, Mark Twain ka pasur një shprehje “të gjithë ankohen për klimën, por asnjë njeri nuk bën gjë për ta kontrolluar atë”. Ndoshta ka qenë kështu deri në kohën kur z. Twain e tha këtë, sepse gjërat nuk janë më kështu. Duket se shumë qeveri dhe autoritete kanë tentuar të kontrollojnë klimën (motin), por përpjekjet e tyre kanë dështuar me sukses të plotë. Dikush thotë se edhe CIA tentoi gjatë luftës së Vietnamit të stimulonte një stinë shirash artificialë në mënyrë që t’i bllokonte ushtarët vietnamezë në kurthin e vet. Në kurthin e xhunglave ku ata ishin zotër dhe ku përpiqeshin të tërhiqnin forcat amerikane. Sidoqoftë, nuk është dhe kaq e lehtë të kontrollosh klimën. Të kontrollosh klimën duhet të kesh hiper-energji. Sepse, një stuhi e thjeshtë ka më shumë energji sesa një bombë hidrogjeni. Të paktën kështu thonë. Shumë njerëz të shkencës mendojnë se kontrolli i klimës mund të arrihet vetëm si pasojë e një shkalle më të lartë të dijes njerëzore. Në çdo rast, jo më parë se njëqind a më shumë vjet. Pra, gjendemi përpara dy mundësish. Ose të presim që të arrijmë këtë nivel intelektual dhe të ndryshojmë klimën dhe kështu të minimizojmë ndikimet negative që ajo ka në jetën tonë. Ose të ndërhyjmë që sot. Sigurisht, jo për të ndryshuar klimën, por për të përballur ndikimin e lartë që ajo ka në jetët tona. Për të ndërmarrë veprime konkrete që klima, veçanërisht në ditët e sotme kur ndryshimet e saj janë shumë të shpejta, të mos rrënojë cilësinë tonë të jetesës. Duket se Bashkimi Europian, unioni që ne tentojmë t’i bashkohemi, ka zgjedhur rrugën e dytë. Për të (BE-në), ndryshimet klimaterike janë një çështje e profilit të lartë dhe se ngrohja globale është një risk autentik për mjedisin dhe jetën në tokë dhe se përballja me to nuk mund të jetë një çështje për t’u trashëguar te brezat e ardhshëm. Të fuqishme dhe të shumta janë impaktet negative të ngrohjes globale dhe të tilla synojnë të jenë edhe përgjigjet e Bashkimit Europian ndaj tyre. Të paktën në dimensionin e strategjive dhe të politikave të zhvillimit.
  Në Strategjinë Europiane (EU 2020) ‘Për Rritje të Zgjuar, të Qëndrueshme dhe Gjithëpërfshirëse”, BE vendosi pesë synime kryesore për t’u arritur deri në vitin 2020. Një nga këto synime lidhet me ndryshimet klimaterike dhe energjinë. Më specifikisht: me lëshimin e gazit të efektit serë, që duhej të ulej në masën 20-30% në krahasim me vitin 1990; me energjinë, e cila duhej të konvertohej në masën 20% në energji të rinovueshme dhe; me eficencën e energjisë, e cila duhej të rritej në masën 20%. Në 2009, BE nëpërmjet Letrës së Bardhë, në mënyrë eksplicite lidhi ndryshimet klimaterike me zhvillimin e territorit në Europë. Axhenda Territoriale e BE (TA 2020) gjithashtu, i vlerësoi ndryshimet klimaterike dhe risqet ambientale si sfida që nuk duhet të anashkalohen. Sidoqoftë, vulnerabiliteti ndaj ndryshimeve klimaterike i rajoneve të ndryshme të BE-së është i ndryshëm dhe në përputhje me impaktet potenciale të ndryshme dhe mundësitë e ndryshme të vet rajoneve, për t’u adoptuar ndaj tyre. Po le të kalojmë tek ajo që na shqetëson më tepër, te vulnerabiliteti i Shqipërisë ndaj ndryshimeve të forta klimaterike. Sepse është një fakt i pamohueshëm që klima në Shqipëri ka pësuar ndryshime. Për çdo vit kemi “verën më të nxehtë të njëqind viteve të fundit” dhe i ftohti i dimrit, veçanërisht në zonat malore, duket se nuk na shqetëson më si më parë. Pasi kalohen muaj të tërë në thatësirë të thellë, veçse kur nis një shi që nuk di të ndalojë për ditë të tëra, në periudhat më të papritura të vitit. Vjeshta dhe pranvera janë tretur çdo vit e më shumë dhe nuk duket e largët dita kur do të harrojmë se klima në Shqipëri karakterizohej nga katër stinë të barasshtrira secila në tre muaj të vitit.
Tashmë, ka vetëm verë të nxehtë dhe dimër të butë. Ndërsa veshjet, që formojnë garderobat tona, janë homogjenizuar aq shumë sa mund të diferencohen vetëm në dy grupe. Kalojmë pa asnjë tranzicion, nga e veshura me bluzë me mëngë të shkurtra dhe pantallonat e holla, te kostumet dhe pardesytë. Shqipëria është ‘vendi i treqind ditëve me diell’. Sjellë në ditët tona nga një tentativë serioze e mbretit Zog për të promovuar zhvillimin e turizmit rreth 80 vjet më parë, kjo shprehje zhvlerësohet shumë në realitetin e ri të ndryshimeve klimaterike. Është e kuptueshme, shumë ditë me diell do të thotë shumë ditë me temperatura të larta. Do të thotë më shumë konsum energjie për klimatizimin e ndërtesave. E njëjta gjë mund të thuhet për bregdetin tonë të gjatë. Studime serioze thonë se rajonet më negativisht të prekura nga këto impakte gjenden në Europën Lindore dhe vendet e Mesdheut. Veçanërisht në ato vende ku ekonomia është në varësi të thellë nga industria e turizmit veror. Ekzaktësisht, sikurse ne po tentojmë ta drejtojmë ekonominë tonë, dhe pa marrë asnjë masë balancuese. Të njëjtat studime theksojnë se rajonet veriore dhe malore, jo vetëm nuk po impaktohen negativisht, por po përfitojnë nga këto ndryshime klimaterike. Ndërkohë, trendi i emigracionit shqiptar është në kah të kundërt. Ndërkohë që për impaktet potenciale nga ndryshimet klimaterike punët i paskemi keq, përsa i përket kapacitetit adaptues ndaj tyre duket se kemi ecur në drejtim jo të gabuar. Konvertimi i popullsisë nga rurale në urbane dhe densifikimi (relativ) i qendrave urbane duket se përputhen me gjetjet e këtyre studimeve empirike europiane, sipas të cilave, rajonet me koncentrim urban kanë kapacitete më të larta adoptuese se rajonet e tejshtrira rurale. Sidoqoftë, duhet bërë kujdes me densifikimin e thellë. Ai sjell rritje të konsumit të energjisë në këto koncentrime për klimatizim dhe transport. Që kthehet në një gjë të keqe. Një hap tjetër pozitiv është fokusimi i investimeve të prodhimit të energjisë nga burime miqësore me mjedisin. Është i njohur fakti se janë akorduar dhjetëra koncesione për prodhim të energjisë nga burimet hidrike dhe të erës. Çka është një gjë e mirë. De-industrializimi i vendit, çka është një gjë e keqe për rritjen ekonomike dhe punësimin, duket se është një gjë e mirë për uljen e lëshimit të gazrave të efektit serë.
  Kështu, Shqipëria paraqitet si një vend me nivel të lartë të impakteve potenciale nga ndryshimet klimaterike, por me një kapacitet adoptues (megjithëse pothuaj rastësor) të pranueshëm. Çka na tregon që, nëse duam të bëhemi një vend me nivel të ulët vulnerabiliteti, duhet të formulojmë strategjinë tonë lokale të përgjigjes ndaj ndryshimeve klimaterike. Duhet të hartojmë politika për një shpërndarje më të mirë të popullsisë nëpër territor, për një ekonomi me karbon të ulët, për një ristrukturim dhe prioritizim të elementëve të rritjes ekonomike në këtë drejtim, për një transport publik sa më cilësor e gjithëpërfshirës.



SHTATË RECETA NGA URBANISTIKA PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE. Mapo, 20. 05. 2016

Ndryshimet klimatike janë një realitet që po e mohove të kap nga mënga e xhaketës. Përditë dhe më evidente bëhen ndryshimet e motit edhe në këtë vendin tonë. Duket se të jesh një vend territorialisht i vogël nuk të imunizoka as nga sëmundjet e dimensioneve të mëdha. Kurse të jesh i varfër, përvecse i vogël, të vështirëson shërimin nga sëmundje të tilla globale por me simptoma lokale. Sepse, megjithëse kontributorët për ndryshime klimatike janë vëndet më të mëdha dhe më të pasura, ndikimi i tyre në cilësinë e jetesës së gjallesave është pothuajse i njëjtë në të gjithë globin. Prandaj ato nuk duhen injoruar, as edhe nga një vend si Shqipëria, e cila duhet të veprojë me shpejtësi dhe zgjuarsi për të minimizuar dëmet e pariparueshme të ndryshimeve klimatike. Ndoshta është herët të flasim për Konferencën ‘Mbi Ndryshimet Klimatike’ të Kombeve të Bashkuara (COP 21), e cila u mbajt në Paris dhjetorin e kaluar dhe vendosi synime që pritet të konsiderohen pas vitit 2020. Trajtimet afatgjata janë shumë të rëndësishme për sëmundje të këtij niveli, por më e rëndësishme është të mos injorojmë terapitë e përditshme. Të tilla identifikohen nga Strategjia e Zhvillimit e BE (EU 2020) ‘Për një Zhvillim të Zgjuar, të Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës’. Ishte kjo Strategji që përcaktoi tre synime konkrete, deri në vitin 2020: së pari, uljen në masën 20-30% të lëshimit të gazit të efektit serë; së dyti, konvertimin në masën 20% të energjisë në të rinovueshme; dhe së treti, rritjen e eficensës së energjisë në masën 20%.
Janë këto synime konkrete, te të cilat duhet të fokusohemi edhe ne shqiptarët për të përcaktuar lokalisht dhe specifikisht protokollet dhe barrnat konkrete. Cdo disiplinë shkencore e aplikuar duhet të japi ndihmesën e vet, por , referuar ‘Letrës së Bardhë’ (BE, 2009) dhe ‘Axhendës Territoriale ‘ (TA 2020), planifikimet territoriale dhe urbane kanë një rol vendimtar për të luajtur për shkak të lidhjes eksplicite që kanë. Nëse bëjmë një vlerësim krahasues Shqipëria shfaqet me nivel të lartë vulnerabiliteti ndaj ndryshimeve klimatike. Sikurse impaktet potenciale, edhe kapacitetet adoptuese (dy aspektet vlerësuese), nuk na privilegjojnë. Fatit të keq, që jemi një vend me 300 ditë me diell në vit dhe me një shtrirje të gjatë bregdetare, nuk kemi cfarë ti bëjmë. E cuditshme por e vërtetë! Në planifikim, komponentë që kanë valencë pozitive në një aspekt mund të ndikojnë negativisht në një aspekt tjetër. Në të kundërt me fatin, mund të bëjmë shumëcka me gjërat që kemi në dorë, nisur nga planifikimi i zhvillimeve në territorin kombëtar dhe në qytetet tona. Dhe këtu erdhëm te receta e parë: Shqipërisë i nevojitet një rishpërndarje e popullsisë nëpër territor, nëpërmjet një lëvizje të kundërt nga ajo aktuale. Pra, nga zonat fushore e bregdetare, drejt zonave malore. Receta e dytë ka të bëj me ekuilibrimin demografik të qyteteve. Në rivers me gjëndjen ekzistuese, qytetet duhet të jenë kompakte dhe të njëtratshme. Pra, as të mbipopulluara dhe as nënpopulluara, sepse tejshtrirrja dhe densiteti i ulët dëmtojnë.
Receta e tretë i referohet sistemit rrugor kombëtar. Cdo investim i rëndësishëm për lidhje të shpejtë mes rajoneve, qyteteve dhe qëndrave të banuara është një investim shumë produktiv. Receta e katër na kalon nga Shqipëria territoriale në atë urbane. Qytetet duhet të planifikohen me korridore të gjera ajrore. Të përcaktuara në respekt të tredafilit të erërave, ato ndihmojnë qytetet të ajrosen. Ajrimi natyror i njësive të banimit dhe përdorimeve të tjera ul nevojën e ndërtesave për klimatizim artificial. Planifikimi i një transporti të gjerë e të shumëllojshëm urban është receta e pestë. Ai minimizon varësinë e qytetit ndaj transportit me autovetura. Cka është një kontribut pozitiv në uljen e konsumin të energjisë nga hidrokarburet, dhe ndotjes së ajrit. Receta e parafundit i drejtohet përmirësimeve në njësitë urbane. Ato duhet të jenë të përdorimit miks, dhe jo vetëm për banim. Projektimi urban mund të bëj mrekullira për të krijuar lagje të sigurta për të gjitha grupmoshat e rezidentëve dhe për të gjitha aktivitet ditore të tyre. Kjo ul nevojën e qytetit për tranzit urban dhe shtrin hapsirat e hapura dhe të gjelbërta. Për të ardhur te banesa dhe receta e shtatë. Banesat e të ardhmes duhet të projektohen me koeficent të lartë të eficensës dhe autonomisë energjitike. Kurse stoku i banesave ekzistuese duhet të rikonstruktohen me synim modernizimin dhe rritjen e eficensës së energjisë për tu përshtatur, aq sa kushtet lejojnë, me risitë teknologjike dhe burimet e furnizimit me energji alternative nga ekzistueset.



PËR TË BËRË AVOKATIN E DJALLIT QË PO NA NGROH GLOBIN! Liberale, 05. 10. 2019

Një nga fabulat që ndikoi shumë rininë time quhet ‘udhëtari dhe Djalli’, dhe flet për një udhëtar që po rrugëtonte në një mot shumë të keq, natën dhe përgjatë një pylli shumë të rrezikshëm.
Ndërsa ecte nëpër pyll, udhëtari ndjeu praninë e një qënie që e ndiqte nga pas, dhe pak e nga pak krijoi bindjen se ishte Djalli. Në nxitim e sipër udhëtari rrëshkiti në një lum të thellë e të rrëmbyer ku humbi ndjenjat, të cilat i rimori pranë një zjarri të madh dhe qënies së frikshme që po e ushqente me dicka të ngrohtë. Heshtja, që mbretëroi për disa minuta, u prish nga udhëtari: ‘më falni zotëri, ju më shpëtuat jetën, ndërsa unë besoja se ju ishit Djalli’! ‘Nuk ka arsye për ndjesë, Djalli jam’- ju përgjigj qënia e frikshme. Përgjigjja e shokoi udhëtarin, i cili vijoi: -‘po si shpjegohet që ju nuk po më bëni keq, sikurse thonë shkrimet, por po kujdeseni për mua?!’. Përgjigja që morri ishte nga ato që edhe mendja më e përgatitur nuk i pret –‘epo, historitë tregohen sipas atij që ka lapsin, po ti tregoja unë ndryshe do ti kishe dëgjuar, miku im!’.
Sigurisht, morali i fabulës nuk është të vëri në diskutim fjalën e Zotit. Në fund të fundit, gjithcka interpretohet ndryshe nëse pranojmë se projekti më i madh i Djallit ishte ti mbushte mendjen njeriut se nuk ekzistonte. Ajo na mëson se cdo informacion  i njëanshëm, kurdoherë, mund dhe duhet vënë në pikëpyetje. Tezë vecanërisht e vlefshme kjo ku flasim në terrenin e shkencës, që është krijuar pikërisht nga vënia në dyshim e saktësisë së dijes shkencore të mëparshme!
Në të njëjtin pozicion gjendemi edhe për një nga cështjet më të rëndësishme që i është shtruar për zgjidhje njeriut të kohëve të sotme, ngrohja globale. Këtë e kanë marrë në dorë alarmistët dhe po e profilizojnë ashtu si ju vjen më mirë: njeriu po shkatërron mjedisin duke u fokusuar te paraja! Në këtë theks shkoi edhe fjalimi, shumë i diskutuar në publik, i 16 vjecares Greta Thunberg në Pallatin e Qelqtë të OKB. Fatkeqësisht ambjentalistët alarmist nuk po kursejnë as një ëngjëll të plagosur nga fati, si Greta, për të arritur synimet e tyre shumë të diskutueshme moralisht dhe shkencërisht. Te këto të fundit do fokusohet edhe ky shkrim i shkurtër i opinionit.  
Ndryshimet klimatike janë një fakt i padiskutueshëm që ndikojnë thelbësisht jetën e njeriut. Tre janë grupet bazike që e trajtojnë këtë cështje: grupi i parë dhe i dytë janë më së shumti shkencëtarë, kurse grupi i tretë përfshin politikanë, ambjetalistë dhe njerëz së medias. Grupi i parë janë shkencëtarë që bëjnë pjesë në Grupin e Punës së Panelit Ndërkombëtar të Ndryshimeve Klimatike (IPCC) të UN. Këta besojnë se ndryshimet klimatike vijnë, për së pari, prej faktit që njerëzit djegin karburante fosile: naftë, gaz natyror dhe qymyr; gjë që cliron dioksid karboni në atmosphere, c’ka rrit temperaturën e planetit. Grupi i dytë janë shkencëtarë që nuk e shohin kështu problemin e ngrohjes globale. Ata quhen ndryshe edhe skeptikë, dhe besojnë se janë të shumta arsyet për të cilat klima po ndryshon, si dielli, retë, oqeanët, orbita e tokës, si dhe një pafundësi arsyesh të tjera, dhe se nuk ka prova që lëshimi i CO2 është faktori dominant.
Megjithëse ka diferenca kuptimore mes dy grupeve të shkencëtarëve, ata kanë edhe dakortësi. Dy më të rëndësishmet prej tyre janë: dioksidi i karbonit është një gaz i efektit serë pa të cilin jeta në tokë nuk mund të ekzistoj, por kur lëshohet në atmosferë prodhon një farë ngrohje; dhe se djegja e karburanteve fosile nuk do ta shkatërroj njerëzimin apo akoma më pak Tokën, sikurse na thonë ambjentalistët alarmistë me gojën e një fëmije si Greta. Atherë, pse njerëzimi është në panik në lidhje me këtë cështje? Dhe këtu prezantohet grupi i tretë; politikanët, ambientalistat dhe media. Alarmizmi mbi ngrohjen globale ju siguron atyre, më shumë se cdo gjë tjetër, ato gjëra që ata duan më shumë: për politikanët, para’ dhe pushtet; për ambjentalistët, para’ për organizatat e tyre dhe konfirmin e idesë se njeriu është një forcë shkatëruese për natyrën; dhe për median, para’ dhe tituj kryesorë me ‘fundin e botës që po vjen’, që shiten shumë dhe shtrenjt.
Thënë këto, duket sikur po themi se njerëzimi duhet ti harroj ndryshimet klimatike dhe tja fusi një gjumi të thellë. Jo dhe prap jo! Njerëzimi duhet ti marri shumë seriozish, sepse ngrohja globale është një fakt dhe me shumë risqe, vecanërisht për vende si Shqipëria; por ti largohet alarmizmit që jo vetëm nuk prodhon dot asgjë, përvecse shpërdorimin e triliarda dollarëve nga paratë e taksapaguesve të botës dhe shfaqjeve artistike si këto që na dhuroi Greta, për tu fokusuar në zgjidhje të zgjuara, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, që vijnë nga cdo fushë e shkencës.



Comments

Popular posts from this blog

BAZIKE MBI ZHVILLIMET NE TERRITOR

QYTETI