BAZIKE MBI ZHVILLIMET NE TERRITOR

Një vizion pa një plan është vetëm një ëndër. Një plan pa vizion është vetëm një punë angari. Por një vizion me një plan mund të ndryshojë botën.- proverb amerikan

Planifikimi dhe planifikuesi asnjëherë nuk janë respektuar, vecanërisht, në Shqipëri. Kjo sepse ajo kaloi një perriudhë të gajtë të planifikimit të centralizuar, deri në detajë, dhe shumë rigjit. Kjo solli një periudhë të re 25 vjecare të paplanifikimit total e cila për vendet e rajonit prodhoi:

-45 % e popullsisë së Tiranës jeton në njësi ilegale të banimit në zonat periferike të qytetit;

-146 mijë ndërtime ilegale të ndërtuara në Beograd apo

-27 qëndra të banuara ilegale në Shkup (UNECE, 2008).

E thënë drejtpërdrejt, shkurt dhe që në fillim, planifikimi është një profesion fisnik por i nënvlerësuar. Planifikimi ndodh në shumë nivele, nga vendimet e përditshme të individëve ose familjeve, te vendimet komplekse bërë nga bisnesi ose qeverisja. Ai i referohet procesit të vendimarrjes, se, cfarë të bëhet dhe si të bëhet, prandaj është shumë i rëndësishëm dhe gjerësisht i nevojshëm.

Planifikuesit janë profesionistë që lehtësojnë vendimmarrjen. Ata nuk marrin vendime vet, por  mbështesin vendimarrësit (menaxherët, zyrtarët, qytetarët), duke koordinuar informimin me veprime. Roli i tyre është të krijojnë një proces logjik dhe sistematik të vendimmarrjes i cili të rezultoj në veprime të mira.

Sipas Profesorit të Universitetit të Hauardit, Daniel Gilbert (2006), aftësia më e madhe dhe më unike e species njerëzore është të imagjinojë dhe parashikojë objekte dhe episode që nuk ekzistojnë aktualisht, ky është, plani për të ardhmen. Kjo është forca jonë individuale e kolektive dhe planifikuesit nuk janë gjë tjetër vecse, trainerët.

Ndërsa Gaston Bardet do të thoshte se urbanistët janë konstruktorët e së ardhmes. Nëse diskutimet politike nuk prodhojnë gjë tjetër veçse shkatërrim, nga aktet e urbanistëve krijohen vatra ku zhvillohet njeriu dhe komuniteti. Planifikimi dhe projektimi i qyteteve nuk është thjeshtë shkencë apo art, por një ripërtëritje e mendimeve që përbëjnë civilizimin tonë.

Shumica e njerëzve preferojnë të injorojnë problemet derisa ato bëhen të pashmangshme. Planifikuesit janë meraklinj profesionis, të cilët  kërkojnë të gjejnë probleme potenciale që ti lehtësojnë apo zgjidhin ato. Shumica e njerëzve i shohin problemet nga një prespektivë e vetme. Planifikuesit janë përgjegjës për konsiderimin nga perspektiva të shumfishta; ata shqetësohen për “cfarë është mirë për secilin, por, sëbashku?”.

Shumica e njerëzve preferojnë probleme, dhe zgjidhje të thjeshta për to. Planifikuesit mësojnë të vlerësojnë kompleksitetin, dhe kërkojnë për kuptime të thella dhe kauza themelore. Shumica e njerëzve e konsiderojnë kompromisin si një shenjë dobësie dhe dështimi. Planifikuesit janë pasionant për kompromisin sepse ai (kompromisi) zgjidh konflikte dhe shpesh drejton në zgjidhje të mira. Shumica e njerëzve preferon ti zgjidhë cështjet njëra pas tjetrës. Planifikuesit aplikojnë analiza të integruara, kështu që vendimet individuale dhe në terma afatshkurtër janë konsistente me synimet e shumëfishta dhe afatgjata.

Edhe pse të bazuar në të zakonshmen, planifikuesit ushqejnë aspiratat më të thella të komunitetit, të tilla si dashuria, shpresa dhe e bukura. Ata përkthejnë synime teorike në veprime specifike. Planifikimi është një art po aq sa është shkencë dhe kërkon gjykim, ndjeshmëri dhe krijimtari.

Roli i tyre, si lehtësuesit e paanshëm, shpesh është keq interpretuar si burokratë të pashpirt. Palët e interesuara shpesh i mbajnë planifikuesit si personalisht përgjegjës kur nuk kënaqen nga produktet. Planifikuesit kanë nevojë për aftësi diplomatike dhe një lëkurë të trashë, sepse, edhe nëse e bëjnë punën e tyre mirë ata do të kritikohen përafërsisht njësoj nga të gjithë palët.

Një mjek i familjes konsiderohet gërnjar i besdisshëm ndërsa një kirurg konsiderohet hero. Njëjtësisht, një planifikim i mirë tenton të nënvlerësohet sepse ai preventivon problemet, kështu që njerëzit që përfitojnë janë të pavetëdishëm për cfarë kanë përfituar nga puna e tyre.



TOKA BUJQËSORE  “ZONË E MBROJTUR” . Koha Jone, 17.01.2011

Kushdo qytetar shqiptar apo vizitor i huaj që shëtit nëpër Shqipëri, vëren me lehtësi zhvillimin e shpejtë të ekonomisë, pra edhe të territorit. Mjafton të përshkosh, pas një periudhe të shkurtër kohe, një zonë të Shqipërisë dhe me një herë mund të dallosh ndryshime të mëdha. Nëse je në shoqërinë e një të huaji, që vjen për herë të parë në Shqipëri, ndihesh krenar se shoqëruesi juaj impresionohet që në kilometrat e para të udhëtimit. Ka dëgjuar shumë për Shqipërinë por shumë pak të vërteta, shumica larg realitetit. Nëse ky i huaj që ka qënë edhe më parë në Shqipëri, apo eshte shqipëtar me banim jashtë, përsëri ndihesh entuziast nga fjalët e tyre pozitive për ndryshimin e shpejtë.

Zhvillimi është i dukshëm dhe në pamje të parë shumë cilësor. Shikon kudo ndërtime të reja, të bukura, të ndërtuara me teknologji dhe materiale moderne. Fantazitë e arkitektëve materializohen në ndërtime shumë moderne, me elementë funksional e dekorativ të shumëllojshëm, vërtet mbreslënëse. Çdo objekt, edhe ai më modesti në nevojat funksinale, trajtohet në detaje thellësisht artistike të personalizuara. Çdo objekt në vetvete më i bukur se tjetri, biles në garë mes tyre. Sheh diku një magazinë apo një objekt të një linje prodhimi dhe menjëherë të kujtohet një kinema apo një teatër. Kuptohet që kërkesat që ka patur projektuesi ndaj vetes dhe investitori ndaj tij kanë qënë maksimale. Nuk ka më bukur të shohësh, biles të mësosh nga tendenca e krijuar dhe nga elementët e këtij zhvillimi.

Po a jemi ne kaq të pasur? Sidoqoftë, nuk është kjo tema e sotme. Vazhdojmë udhëtimin imagjinar. Kudo dallon zhvillim dhe ky me ritme shumë të shpejta. Ndërtohet për banim por mësë shumti ndërtohet për prodhim. Në to punojnë njerëz, këta fitojnë jetesën. Shtohen ndërtimet, shtohen të punësuarit, shtohen të ardhurat për familjet e tyre, ulen nivelet e taksave, shtohen kapitalet e akumuluara të investitorëve, shtohen ndërtimet dhe historia hyn në cikël vetpërsëritës.
Bashkëbiseduesit e mi entuziasmohen. Ja një fabrikë atje në mes të arrës, një benzinatë dyqind metra më tutje, një restorant njëqind metra në veri. E kështu vazhdon, e përsëritet si procedurë. Shumë ndryshim, shumë bukur them por ndërkohëndihem i pezmatuar. Çuditem me veten! Kush është ai shqipëtar që mund të pezmatohet nga zhvillimi i vëndit të vet, bile nga një zhvillim me elementë kaq sasior e cilësor? Por, e kam një përgjigje dhe po e ndaj me ju. Një urbanist, një planifikues i territorit, një planifikues në përgjithësi është përgjigjja.

Në fakt shumë kilometra më parë, pa e kuptuar edhe vet, kisha filluar të mendoja si i tillë. Identiteti im si qytetar i lumtur për zhvillimin e shpejtë të vendit të tij, i përkëdhelur në sedër nga fjalët e mira të bashkëudhëtuesve, ishte zëvendësuar me shpejtësi nga identiteti im si planifikues i territorit. Me mendje kisha filluar ti zhvendosja objektet. Ky objekt duhet të ishte atje, ky tjetri në jug të tij. E kështu në vazhdim kisha filluar ti grupoja objektet sipas funksionit, mundësisë për ti shërbyer njëri- tjetrit dhe më e rëndësishmja duke krijuar hapësira të lira për zhvillimin e së ardhshmes.

Në fakt, zhvillimi i pritshëm do të jetë më i shpejtë, platforma është ndërtuar, shinat janë montuar, treni sa ka dalë nga stacioni. Në këtë logjik, hapsira të tjera edhe më të mëdha territoriale na nevojiten për të ardhmen. Por a kemi ne kaq shumë territor? Kemi qënë një vend tërrësisht agrar, territoret kryesisht i kemi trajtuar për toka bujqësore. Industria ishte e pakët dhe e grupuar, pra dhe territoret që kishim dëmtuar në funksiontë saj ishin minimale.

Ndërsa tani, po shkëpusim nga të mundim për zhvillime industriale nga fondi i tokës bujqësore. Po e minimizojmë e varfërojmë me shpejtësi këtë fond. Shqipëria është një vend i vogël dhe territori i saj është shumë i kufizuar, pak më tepër se 28 000 kilometra katror. Në vitin 1994 ajo zinte vendin e fundit në Europe, përsa i përket tokës buqësore për frymë popullsie. Kishim më pak tokë bujqësore për banor edhe se Egjypti, shtet ky që pjesën dërmuese të territorit të tij e ka në shkretëtire. Më pas, toka bujqësore është dëmtuar në vazhdimësi duke kulmuar me zënien e saj në mënyrë masive për banim (1995- 2005). Ky proces është ndihmuar, fatkeqësisht nga mospërdorimi për shumë vite i tokës bujqësore, në destinacinin e saj si e tillë. Erozioni dhe shkarjet, fenomene këto shumë të përhapura vitet e fundit, kanë ndikuar jo pak në tkurjen e territoreve bujqësore në Shqipëri.
Dikur, në fillim të viteve 80-të, im atë donte të më jepte kuptimin e konceptit “modë” në shpresën që edhe në këtë aspekt të mbillte te unë një mendim ndryshe. Ai mundohej të nënvizonte faktin që “moda” jo vetëm nuk ishte një privilegj i “borgjezisë”, por një domosdoshmëri për “klasën punëtore”. Në atë kohë në moshë shumë të re dhe i flustruar nga teori të rreme, më dukej shumë e vështirë që kjo të ishte e vërtetë. Por, me kalimin e viteve kuptova që ai kishte të drejtë, të pasurit edhe nëse dështonin në zgjedhjen e një veshje të caktuar kishin një garderobë të madhe për ta fshehur këtë gabim. Ndryshonte puna për të varfrit të cilëve u duhej ta planifikonin mirë një shpenzim për një veshje të re, atyre nuk u lejoheshin gabimet. Ata mund të kishin vetëm një veshje. Ata duhet ta planifikonin mirë në mënyrë që kjo veshje të jetonte sa më gjatë, që kjo veshje t’ju rinte sa më bukur, që kjo veshje të kishte prerjen e duhur për ta, që kjo veshje që kishte ngjyrat e duhura për ta.

Në fushën e zhvilimit të territorit ne gjëndemi në të njëjtën situatë, jemi të varfër me territor. Në këtë fushë nuk e kemi lluksin e planifikimit që lejon gabimet. Mungesa e territorit në përgjithësi duhet të na bëjë të ndjeshëm ndaj cdo ndërhyrje pjesore. Në fund të fundit planifikim do të thotë kompromis. Kompromis interesash të aktorëve direkt të prekur dhe atyre që zhvillimi do ti shërbej me të ardhmen. Duhet të analizojmë të gjitha interesat përpara se të vendosim për zhvillim. Ai duhet të jetë i studiuar mirë përpara se të lejohet. Duhet të planifikojmë në afatgjatësi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ndërbrezor duhet të jetë motoja jonë. Zhvillim mbështetur në planifikim të territorit për një periudhë kohe disa dekadash e më shumë. Qeverisja, pushtet qendror apo vendor, duhet të ketë kontroll mbi territorin, duhet të ketë supost mbi planifikimin e territorit, duhet të ketë kontroll mbi mbi cdo zhvillim.

Në këtë konteks, ruajtja e tokës bujqësore nuk është më një akt i nevojshëm por i detyrueshëm. Kjo, duhet dhe është detyra kryesore e institucioneve që ngarkon ligji për planifikimin e territorit. Kjo duhet të jetë “paradigma” e cdo akti planifikues në këtë sektor. Strategjia e mbrojtjes së territorit me destinacion bujqësinë duhet të jetë refreni i cdo programi politik të kujtdo force politike që synon pushtetin në Shqipëri. Kjo ide kryesore duhet të mbështet me shpejtësi dhe intergritet nga ide dytësore. Politika ndërsektoriale dhe sektoriale, akte ligjore e nënligjore duhet ta zbërthejnë dhe mbështesin deri në detaje këtë nismë politike. Si cdo program politik edhe ai i zhvillimit të territorit, duhet të ketë edhe nivelin e tretë të ideve: rregulloret kombëtare; rregulloret vendore; politikat kombëtare; planet kombëtare; politikat vendore si dhe planet rregulluese të cdo qëndre të banuar.

Ruajtja e tokës bujqësore deri në koservatorizëm si ”teori” do të sjelli në vëmëndje të autoriteteve kompetente kërkesën për hartimin e politike dhe teknikave që do ta bënin të mundshme dhe të aplikueshme këtë. Kjo është detyra që koha i shtron institucineve qëndrore për zgjidhje. Në këtë konteks, duhet të hartohet “Plani Kombëtar “. Ky plan, në vështrimin tim, duhet të konceptohet si një gup studimesh të llojit “Masterplan”. Këto studime duhen konceptuar si shtresa të ndryshme të të njëjtit projekt. Shtesa që kur vendosen mbi njëra –tjetrën nuk mbivendosen dhe nuk lënë hapsirë të pa trajtuar. Çdo centimetri katror i territorit duhet ti përgjigjet një destinacion zhvillimi (ose konservimi) dhe ky të jetë i vetëm.

Territori që duhet të merret në studim duhet të përfshijë gjithë territorin kombëtar. I trajtuar me një paraqitje grafike të thjeshtë dhe me një material të shkruar sa më të kuptueshëm ai duhet të ketë përgjigjen për pyetjen e madhe: Kush do të jetë raporti i zhvillimeve të ndryshme ekonomike? Ky plan duhet të ketë përgjigje për pyetje të rëndësis sektoriale dhe ndërsektoriale: kush do të jetë territori në konservim dhe mbrojtje; kush do të jetë territori për zhvillim i ekonomisë bujqësore e blegtorale; kush do të jetë territori për zhvillim i kësaj apo asaj industrie; kush do të jetë territori për zhvillim të industrisë së turizmit; kush do të jetë territori për zhvillimin e qëndrave të banuara ekzistuese apo atyre të reja; etj.

 

 

 

 

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

Sot, Shqipëria është një vend në zhvillim. Ky zhvillim është i shpejtë, dhe si rrjedhim llogjik i kësaj, ndonjëherë i pa organizuar dhe i paorientuar mirë. Si në shumë aspekte të tjera, edhe për sa i përket zhvillimit industrial, na duhet ti referohemi zgjidhjes që i kanë dhënë vendet e zhvilluara, problematikës me të cilën janë ndeshur gjatë procesit të tyre të zhvillimit. Në këtë konteks, shumë eksperienca perëndimore pozitive mund të importohen, të modifikohen për rastin Shqiptar dhe të implementohen me sukses.

Distriktet Industriale do të ishin hapi tjetër drejt ritjes së shkallës së industrializimit. Ato janë një eksperiencë shumë positive perëndimore, për tu ndjekur. Të shumllojshme do të ishin përfitimet ekonomike, sociale dhe mjedisore. Distriktet e para industriale u shfaqën në Mançester të Anglisë, rreth viteve 1890-të dhe më pas në Cikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth viteve 1900-të. Madhësia e distrikteve varion nga 15-20 ha (më të voglat), në 120 ha (mesataret) dhe me madhësi më të madhe se 120 ha (të mëdhatë). Përgjithësisht kjo është një kulturë anglo-saksone e zhvillimit.

Por, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe në vazhdim, shumë vende kanë pasur qasjen e tyre, shumë positive, ndaj kësaj mënyre zhvillimi. Avantazhi i kësaj mënyre të planifikuari dhe të zhvilluari qëndron në faktin parësor se, industritë vendosen të grupuara. Disa nga përfitimet direkte janë mbrojtja e tyre (industrive), mundësia e lidhjes me to (aksesi), paisja me infrastrukturën e nevojshme, madhësia e përshtateshme e parcelës, çlirimi nga konfliktet në përdorimet kufitare, minimizimi i ndikimit në territor dhe ambjent etj. Zhvilluesit e specializuar të pasurive të paluajtshme tashmë organizojnë distrikte të këtij lloji si në vëndet e zhvilluara ashtu edhe në vendet në zhvillim. Distriktet janë një mjet i rëndësishëm publik për inkurajimin e industrializimit.

Për rastin Shqipëtar, në konteksin e sotëm, këto zhvillime janë domosdoshmëri.
Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, në vitin 1991, pati ndikim të madh edhe në nivelin e industrializimit të vendit. Shqipëria e centralizuar e viteve 1944-1991 kishte, edhe një ekonomi të tillë (të centralizuar). Struktura formuese e kësaj ekonomie mbështetej në tre shtylla kryesore (i) bujqësia primitive e grupuar dhe e strukturuar me detyrim në kooperativa, (ii) industria joproduktive dhe (iii) shërbimet që, më së shumti, limitoheshin në disa njësi të shitjes me pakicë. Industria ishte e formuar nga uzina dhe fabrika me teknologji shumë të vjetëruar.

Ndërtimi i një pjese të tyre kishte pasur vetëm një synim, atë të demagogjisë për një zhvillim industrial modern. Të importuara nga vende të tjera socialiste, por me një nivel relativ më të lartë modernizimi teknik, ato kishin vite pa mirëmbajtje dhe si pasojë rendimenti dhe cilësia e produkteve të tyre aspak konkuruese, në një treg të hapur (pas 1991). Një numër i madh i tyre kishin pësuar devijacione teknologjoke si pasojë e largimit të ekipeve teknike të huaja, që kishin ardhur për ti montuar apo për remonte teknike. Jo-produktiviteti i tyre ishte evident që shumë vite para ndryshimit politik, por sitemi kërkonte një përqasje të fortë sociale, që në fund të fundit nuk ishte as e tillë.

Synimi kryesor ishte mbajtja në punë (lexo: nën kontroll fizik dhe mendor) i mijëra vetëve, pa menduar për kuptimin ekonomik të këtyre aseteve dhe investimeve. Pas një vlerësimi të tillë, shumë prej këtyre u mbyllën. Problemi ndryshoi tematikë nga problem ekonomik u kthye në një problem social. Papunësia i zuri vendin jo-produktivitetit. Gjatë 20 viteve të fundit, mes luhatjeve të forta politike (ngjarjet e 1997) shoqëria Shqiptare tranzitoi, nga nevojat emergjente për mbijetesë, në kërkesa konsumatore të një niveli të lartë. Në këtë trend shkoi edhe zhvillimi i ekonomisë në përgjithësi dhe industrisë në vecanti. Rritja e sipërmarrjeve të vogla me karakter tregtar (imort-eksport) mundësoi realitetin e investimeve, edhe, në ndërmarje prodhimi industrial.
Grupime të tilla investimesh (distrikte industriale) kërkojnë fuqi shumë të madhe punëtore. Niveli i papunësisë mund të reduktohet ndjeshëm dhe shumë shpejt. Punësimi i një grupi të madh njërëzish do të sillte jo vetëm rritjen e mirëqenies së familjeve të tyre por do të riste edhe nivelin e likuiditetit në treg e si pasojë edhe të konsumit të produkteve të tjera (bujqësore apo shërbimeve). Një dukuri tjetër negative, shumë e përhapur, sic është fragmentarizimi i interesave të qytetarëve do të merrte një goditje të fuqishme. Grupimi i interesave dhe kërkesave do të ndihmonte direkt në shtresëzimin e shoqërisë dhe kjo është një domosdoshmëri social-politike e kohës për të mundësuar, më pas, adresimin e tyre (kërkesave dhe interesave) nga politik-bërja.

Përsa i përket zhvillimit të territorit, ka dy aspekte shumë të rëndësishme ku mund të përfitohet. Grupimi i zhvillimeve do të sillte së pari, grupim të dëmtimit të territorit që vitet e fundit ka pranuar ndërhyrje kaotike dhe të fragmentuara. Së dyti, ofron mundësinë e mbrojtjes së qyteteve nga migrimi i brendshëm dhe i jashtëm, fenomen ky shumë i përhapur dhe problematik. Aksesi i mirë (lidhja me rrugë) është kërkesa kryesore e distrikteve, si për mallrat ashtu edhe për punonjësit. Disa industri e përdorin shumë pak shërbimin hekurudhor sot, ndërkohë që disa të tjera janë të orientuara tërësisht nga lidhja me hekurudhën. Sidoqoftë, është avantazh pozicionimi i tyre përgjatë një linje hekurudhore për të siguruar mundësi transporti për lëndën e parë dhe produktin e gatshëm.

Para viteve 90-të Shqipëria kishte një rrjet hekurudhor me elementë sasior për tu marrë në konsiderat. Vlerat cilësore të këtij lloj shërbimi lënin shumë për të dëshiruar dhe duke i shtuar përdorimin e kufizuar të 20-të viteve të fundit gjëndja nuk është pozitive. Por, zhvillime të tilla industriale krijojnë premisat dhe kushtet themelore për rivitalizim dhe me pak investime hekurudhat mund të kthehen në një aset kontribues në buxhetin e shtetit dhe një ndihmë e madhe në funksion të distrikteve industriale. Mundësia e lidhjes banim-punë si dhe lidhja me mallrat, shërbimet dhe tregjet përbëjnë një kriter të rëndësishëm për vend-vendosjen e distriktit në territor.

Në këtë drejtim vitet e fundit Shqipëria po arin një performancë maksimale. Procesi i ndërtimit me shpejtësi i akseve të mëdha kombëtare gjatë 5-së viteve të fundit dhe në vazhdim jo vetëm mund ndihmojë mirëfunksionimin e distrikteve por edhe këto të fundit mund të ndikojnë shumë në maksimalizimin e vleshmërisë së këtyre akseve. Distriktet industriale kërkojnë territore të qëndrueshme, jo të shtrenjta për të ulur sa më shumë koston e ndërtimit të tyre.

Shpesh këto lloj distriktesh janë vendosur pranë aeroporteve duke shfrytëzuar transportin ajror të mallrave. Disa fabrika janë të lidhura direkt me rrugët e transportit ajror. Shqipëria sot ka dy aeroporte dhe është duke menduar për të tretin. Aeroporti i Kuksit, tashmë i ndërtuar dhe me akses të plotë në autostradën moderne Durrës-Morinë, mund të përdoret në këtë drejtim. Ky aeroport jo vetëm mund ti shërbej distrikteve industriale por mund të kthehet në një gjenerues zhvillimi për buxhetin e shtetit, për vete dhe për ekonominë lokale të rajonit ku është lokalizuar.

Në këtë llogjik, mund të ndikojë edhe aeroporti i Sarandës në të ardhmen. Ato (distriktet industriale) kërkojnë territore të sheshta dhe të pajisura mirë me shërbime të bollshme të infrastrukturës. Vetë toka duhet të jetë në gjendje të mbaje ngarkesa të mëdha të objekteve të fabrikave. Shqipërisë nuk i mungojnë territore të tilla. Gjatë regjimit komunist izolimi i vet-kërkuar nga bota solli si kërkesë propogandistike kthimin e territoreve pafrut (jo të përshtatshme) në “toka buke”. Por në fakt, ato rezultuan të ktheheshin në tokë bujqësore me rendiment negativ.

Ky fond, që tashmë është lënë në papërdorim prej vitesh dhe ku nuk është i mundur teknikisht rikthimi si tokë bujqësore, mund të ofrohej në këtë sektor. Shumë qytete Shqiptare kanë pasur, në strukturën formuese të tyre, zona industriale të cilat tani shërbejnë në përdorim të kufizuar apo gjënden të abandonuara dhe në rrënim. Një pjesë e tyre mund të shërbenin dhe të vet shërbeheshin në funksion të distrikteve industriale. Përvec të tjerash, në këndvështrimin ekonomik e social, rigjenerimi industrial i këtyre territoreve do të ndihmonte edhe në aspektin urban dhe ambjental.

Disa industri janë përdorues të mëdhenj të ujit ose energjisë elektrike dhe rrjetet inxhinierike duhet të përballojnë shtrirjen dhe rritjen e kërkesës së tyre në perpektivë. Shërbime të tjera si gazi, telefonia, avulli ose ajri i kompresuar mundet gjithashtu të jenë një kërkese. Industritë e “njoma” kërkojnë ujë dhe kanalizime në proçesin e prodhimit. Edhe në këtë konteks, shumë kompani private apo publike (OSSH, UK, ALB-TELEKOM etj. etj) që ofrojnë këto shërbime do ndiheshin të avantazhuara nga grupimi i konsumatorëve që në të njëjtën kohë do të ishin klientë të mëdhenj dhe serioz.





PATRIOTIZMI I RI: ZHVILLIMI I QENDRUESHEM I TERRITORIT.  Koha Jone, 24. 10. 2011
Me 28 nentor 1912 Shqiperia territoriale perbehej nga kater vilajete te banuara me shumice shqiptare (vilajeti i Shkodres, i Kosoves, i Manastirit dhe i Janines). Keto vilajete kishin nje siperfaqe totale prej 92. 000 kilometra katror. Ne vitin 1913, ne Konferencen e Ambasadoreve ne Londer, Shqiperia perfundoi me me pak se 29. 000 kilometra katror. Renia e Perandorise Otomane u shoqerua me terheqje te saj nga Ballkani dhe me krijimin ose zgjerimin e shteteve kombe te rajonit. Ne frymen e idealit te vetevendosjes dhe ne mbeshtetje te ideologjive nacionaliste te tyre Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria u zgjeruan dhe ngushtuan, ne territor, ne kurriz te njera-tjetres, por mbi te gjitha u zgjeruan ne llogari te shqiptareve dhe trojeve te tyre.

Shtetit te sapo krijuar Shqiptar i mbeten jashte 60% e popullsise dhe 2/3 e territorit. Nacionalizmi shqiptar nuk mundesoi kundershtimin e ketij projekti antishqiptar, duke mos organizuar dot potencialin masiv popullor apo argumente bindese diplomatike per bllokim te ketij procesi 'firoje' territoriale. Arsyeja e thjeshte sipas historianeve dhe politologeve, ishte se nacionalizmi shqiptar ishte me feminori ne Ballkan dhe si i tille u balancua nga gabimet elementare te rritjes.

Rilindja kombetare shqiptare ishte nje fenomen shume i vone dhe ligjerimet nacionaliste te kesaj levizje kulturore e politike nuk kishin energjine e duhur per te masivizuar reaksionin popullor ne mbeshtetje te aksioneve per vetevendosje te 1912 apo per te kundershtuar vendimet antishqiptare, te te treteve me te fuqishem, ne 1913. Nderkohe, fqinjet tane e dinin cfare kerkonin, kishin projektuar rrugen qe do te ndiqnin dhe mbi te gjitha nuk kishin humbje energjish si pasoje e percarjeve te elites.
Keto ne fakt (aspirata gjitheperfshirese e percaktuar dhe kohezioni) ishin burimi kryesor i energjise pozitive qe i drejtoji fqinjet tane ne realizimin e asaj cfare kerkonin. Eshte e njohur teoria se, nese e di cfare do dhe e kerkon ate,eshte parakusht thelbesor per te arritur ate qe synon.

Por, per shqiptaret e shekullit te kaluar nuk ishte keshtu. Te lodhur prej roberise se gjate, peseqind vjecare, ata kishin humbur konceptin e bashkimit per te aspiruar liri dhe vetevendosje, ndersa veshtiresite e medha ekonomike dhe sociale si dhe anarkia totale qe perfshiu Shqiperine e pas shpalljes se pavaresise evidentuan edhe nje karakteristike tjeter te nacionalizmit shqiptar, ate te kapaciteteve te kufizuara e te percara, te burime njerezore e intelektuale te elites social-politike. Grindjet, armiqesite, interesat egoiste te lidereve dhe depresioni moral dhe anarkia e shoqerise shqiptare kishin fituar mbi idealin demokratik te vetevendosjes per konservim territorial ne kufijte e kater vilajeteve shqiptare.

Sidoqofte, tanime ngjarja ka ndodhur, Shqiperia eshte copetuar. Realiteti, te pakten ne kontekstin kohor eshte i pakthyeshem dhe ne nuk mund te kthehemi ne shekullin e kaluar te c'bejme ate qe ka ndodhur. Ne nuk mund te projektojme te shkuaren te e sotmja. Por, ne mund te perdorim eksperiencat tona, sidomos ato te dhimbshme qe lene me shume shenje, per te ndertuar realitete te lumtura te te sotmes dhe te projektojme ato te te ardhmes, ne kontekste te reja.
Sot, ne shqiptaret kemi formuar nje shtet me kufij territoriale te percaktuar dhe te kontrolluar dhe jemi anetare te NATO-s. Pervec modernizmit te kohes, si nje vlere e shtuar konsiston fakti se teresine territoriale dhe paprekshmerine e saj ne e sigurojme te perfshire ne nje grup te madh e te fuqishem.

Nje kontekst i ri ekonomik, social dhe politik e vendos nacionalizmin modern ne situata e kerkesa krejt te reja. Kufijte territorial te Republikes 100 vjecare jane te paprekshem dhe ligjerime e 'aksione' ne mbrojtje te saj, ne kete fillim mijevjecari, jane te vonuara 100 vjet.
Te diskurs-osh mbi rrezikun qe i vjen teresise territoriale te Shqiperise nga ca shqiptare'gjakprishur' (qe qenkan me shumice) dhe do deklarokan se nuk qenkan shqiptare por greke, serbe, malazeze apo maqedonas, ne censusin kombetar te shekullit te 21-t,eshte njesoj si pozicionimet e nje pjese te 'elites' Shqiptare te fillim shekullit te kaluar, se Shqiperia nuk mund te zhvillohet e pavarur nga Porta e Larte, se bashkimi i saj nen ombrellen e Greqise eshte e keqja me e vogel, se Shqiperia duhet te sillet si vellai i vogel dhe i bindur ndaj Italise se madhe dhe perqasje te tjera, 'nacionaliste' si keto.
Por, ti leme 'nacionalistet' e fillimshekullit te kaluar ne realitetin qe na ndertuan dhe 'nacionalistet' e ketij fillim mijevjecari te 'konkurrojne' politikisht per te ndertuar nje realitet per te ardhmen. Ne fund te fundit, ne nje shoqeri demokratike respektohet cdo grup ne te drejten e tij per te pasur mendime te ndryshme, per te pasur akses ne media alternative per te artikuluar keto mendime si dhe per te konkurruar per perkrahje publike dhe zgjerim te tij. Te flasim per nje lloj tjeter nacionalizmi, nacionalizmin modern, lidhjen e tij me territorin dhe zhvillimin e tij.

Territori, miqte e mi, nuk njesohet me kufirin e tij. Kjo ne kuptimin gjeometrik, eshte njesoj si te thuash qe rrethi eshte i barabarte me qarkun qe ky rreth kornizon. Sigurisht kufiri eshte nje nga elementet me te rendesishem, ne mos me i rendesishmi i territorialitetit dhe si i tille duhet te respektohet. Duhet te dish, te pranosh dhe te respektosh kufijte e territorit tend pa te fillosh te mendosh per ta zhvilluar ate. Kjo, sepse territori duhet zhvilluar per te perfituar prej tij apo per te perfituar prej burimeve te tij aq te domosdoshme per jetesen. Ne fund te fundit, si cdo gje tjeter edhe territori nuk ka cfare te duhet nese nuk e perdor dhe mund te demtohet pa kthim nese e perdor keq.

Ne kete kuptim, duke i ikur debatit te vjeter per kufijte e territorit Shqiptar dhe duke pranuar me respektin e ekzistences por pa emocion ligjerimet ne kete drejtim, i kthehemi debatit teri. Debatit qe ka nisur prej pak vitesh. Debatit, se si do ta perdorim territorin per te rritur cilesine tone te jeteses, pa e demtuar ate. Debatin, se si do shfrytezojme burimet e shterueshme apo te rigjenerueshme, pa shkaterruar ekuilibrat natyrore. Debatin se cfare do trashegojne brezat e ardhshem, femijet tane, femijet e femijeve te tyre dhe ne vazhdimesi. Jemi te perkohshem perdorues apo perfitues nga ky territor dhe te mirave qe ai ofron, te cilin brezat e ardhshem duhet ta trashegojne gjithashtu, ndersa marrim vendime per zhvillimin e tij qe tejkalojne kohen tone. Vendime qe do kushtezojne jeten e pasardhesve tane.

Teknika e ndertimit ofron mundesine e ngritjes se objekteve qe i rezistojne kohes, me se paku i se paktes, 100 vite. Ndersa 'debatojme' mbi tematika te 100 viteve me pare, jemi duke ndertuar Shqiperine e 100 viteve me pas. E ndersa shqetesohemi per disa shqiptare 'tradhtare' qe do te deklarojne se nuk jane te tille dhe kjo do sjelli rritjen, jo reale, te numrit te minoritareve dhe kjo do sjelli, pas disa rrjedhimeve te tjera, rrezikun potencial te kerkesave per ndryshim kufijsh te territorit, po investojme pa kthim burimet tona financiare per te shkaterruar territorin dhe burimet natyrore te tij.

Po, miqte e mi, sepse te ndertosh banesa ne territore me potenciale turistike eshte te betonosh parà per te 'djegur' mundesine e perfitimit parà nga turistet e huaj qe do te vinin ne resortet moderne, te ndertuara ne po te njejtin territor e me te njejtat parà. Pra, ne te njejtat burime territoriale/natyrore e me te njejtat burime financiare qe ndertuam banesat e dyta apo te treta, per disa prej nesh, fare thjesht mund te ndertonim resorte turistike moderne. Banesat, qe ne rastin me te mire i perdorim pese apo gjashte fundjava ne vit dhe gjate pushimeve verore, ndersa treqind ditet e tjera te vitit i mbajme te mbyllura, ndersa perballojme kosto mujore, shtese per buxhetet e familjeve tona, per mirembajtjen e ketyre banesave. Po ti shtojme ketu fitime te munguara, nga efekti 'domino' ne konsum te prodhimeve bujqesore, prodhimeve industriale, prodhimeve te artizanatit apo sherbime te ndryshme ndaj konsumatoreve shtese (turisteve te huaj), eshte per tu alarmuar.
Te njejten situate kemi edhe per industrine. Ndersa ndryshojme perdorimin e tokes per bujqesi, 'de fakto' dhe duke injoruar 'de jure'-n, ne 'industriale' apo 'ekonomike' ndertojme struktura prodhimi ne menyre kaotike dhe te shperndara pa asnje kuptim ne territor, nderkohe qe mund te projektojme zona te tilla ku cdo detaj te jete i menduar dhe objektet te jene te grupuara. Ne vitin 1994 Shqiperia renditej ne vendin e fundit ne Europe per siperfaqe te tokes bujqesore, me 2300 meter katror per banor, ndersa sot e kemi'firuar', te njejtin tregues, me 1800 meter katror.

Sigurisht ka pasur zhvillim dhe zhvillimi nenkupton edhe ndryshim te perdorimit te tokes apo urbanizim te saj. Por, a ka qene ky tjetersim i perdorimit ne perputhje me nivelin e zhvillimit? A ka qene sasia e tjetersimit ne perputhje me sasine e zhvillimit? Po cilesisht? 'Industria e turizmit' flet per te kunderten. Per te mos folur per territoret natyrore, zonat e mbrojtura, parqet natyrore kombetare etj, etj, sepse atyre i jemi ngjitur, jo vetem me kazme por edhe me sepate ne dore.

Ndersa burime te tjera si dielli, uji, era etj. na mundesojne potenciale pafund e te pakthyeshme, ne i leme te ikin e te 'derdhen' ne det. Risite dhe teknologjite e reja mund ti kthenin keto burime natyrore ne mireqenie per ne, per femijet tane dhe ne vazhdim te riperteritjes se kombit shqiptar.
Per qendrat urbane ka shume per te folur. Menyra sesi i zhvilluam ato, 20 vitet e fundit, eshte nje krim me vete. Shume kilometra katrore te shperndara neper Shqiperi, e te kufizuara nga 'vijat e verdha' e te strukturuara ne njesi banimi (grup, bllok, kompleks dhe lagje banimi), i kemi demtuar thellesisht dhe me raste, pa kthim prapa.

Njesi te tera te banimit nen stresin e ndertimeve te reja qe kane rritur numrin e banoreve per njesi te siperfaqes dhe jane shume prane kthimit ne te pabanueshme. Mungesa e hapesirave te hapura dhe sociale detyrojne, moshen e trete te mbyllet ne shtepi apo te ecin qindra e qindra metra per te arritur ne nje lulishte, qe rastesisht mund ti kete shpetuar bujarise se kryebashkiakeve per dhenie "leje ndertimi". Kjo mungese detyron femijet te "martohen" me kompjuteret apo televizoret aq sa nuk dine as te ecin e jo te vrapojne. Per te mos folur per mjedisin dhe higjienen e qyteteve tona sepse cdo njeri prej nesh e dallon shume lehte realitetin e dhimbshem. Apo per sistemin rrugor te qyteteve tona qe sa nuk po 'plas' nga trafiku i bllokuar.

A eshte ky nje territor i humbur? Te pakten per 100 vite, aq sa objektet e ndertuara te arrijne moshen e 'amortizimit te plote', ne kete territor e kemi humbur. Dy, jane alternativat qe na ngelen. Ose te zhvendosemi ne territore kufitare dhe si viruset ta shkaterrojme edhe ate, dhe keshtu e ne vazhdim. Ose te rigjenerojme, vitalizojme territoret qe tashme i kemi transformuar dhe te konservojme territorin qe akoma e kemi te pa prekur. Nuk e di pergjigjen e secilit prej nesh, por shpresoj qe te jemi aq nacionalist sa te bejme zgjedhjen e pare. Shpresoj te jemi aq nacionalist sa te konservojme territorin, duke mos e tjetersuar perdorimin e tij natyror.

Prandaj miqte e mi, te behemi atdhetar modern dhe te ndertojme 'ideologjine' e re nacionaliste. Perpara se te debatojme per ca shqiptare, qe mund dhe si rrjedhim... mund... e keshtu pa fund, te hartojme politika dhe te planifikojme zhvillimin e qendrueshem dhe nderbrezor te territorit dhe burimeve natyrore qe tashme prej 100 vjetesh i kemi. Te konsumojme burimet me nikoqirllek. Te konsumojme burimet e rigjenerueshme, te shumten, aq sa ato mund te rigjenerohen dhe burimet e parigjenerueshme, se shumti, aq sa ato mund te zevendesohen. Dhe kete ta bejme ne perfitimin sa me te madh, sasior dhe cilesor, ne sherbim te cilesise sa me te larte te jeteses. Ky eshte nacionalizmi i mijevjecarit te ri. PATRIOTIZMI apo zhvillimi i qendrueshem i territorit dhe burimeve te tij.




LUFTA MIDIS TË DREJTËS PRIVATE DHE ASAJ PUBLIKE  NË MENAXHIMIN URBAN. Mapo, 24.09.2012

Dy praktikat Shqiptare dhe synimi për një të tretë.

E drejta e pronës private është një nga të drejtat e patjetërsueshme të individit, në një shoqëri të lirë e demokratike. Duke qënë se, prona ka kuptim përfitimi vetëm kur përdoret (përtej rastit të zakonshëm kur asaj i rritet vlera thjesht si pasojë e kërkesës së rritur dhe ofertës së njëjtë), duhet thënë se, e drejta për të përfituar nga zhvillimi i pronës private, gjithashtu, është një e drejtë e patjetërsueshme e individit. Kjo, normalisht sigurohet nga cdo ‘kontratë sociale’ e një shteti demokratik. Por, po kaq e patjetërsueshme është edhe e drejta e individëve për tu organizuar dhe ushtruar aktivitete sociale-kulturore-arsimore-shëndetsore-rekreative dhe të kohës së lirë etj, etj.

Pra, prona publike, përdorimi dhe përfitimi i publikut nga zhvillimi i saj është gjithashtu një e drejtë njerëzore e shoqërore. Kushtetuta Shqiptare shprehet ‘Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike. Prona private dhe publike mbrohen njësoj me ligj. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike’. Por, nuk ka qënë gjithmon kështu. Para vitit 1991 në Republikën e Shqipërisë (në atë kohë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë) shtetasit gëzonin vetëm një të drejtë Kushtetuese (Kushtetuta e vitit 1976), në respekt të pronësisë dhe zhvillimit të saj, atë të pronësisë kolektive. Ekonomia, që ishte socialiste, mbështetej vetëm në pronën e përbashkët dhe në investime për zhvillim, vetëm shtetërore. Pra, mungonte (në fakt ndalohej me ligj) prona private, ekonomia e tregut dhe liria e veprimtarisë private ekonomike.

E cuditshme sesi me një fjali të vetme- si kjo e fundit- mund të përcaktosh nga shumëcka drejt gjithckaje në jetën e një shoqërie njerëzore!? Të thuash gjithcka, ndoshta nuk je shkencërisht i vërtetë, por një gjë është e sigurt, përcaktoi strukturën urbane të qyteteve tona në diferencë paralele me raportin pronë private – pronë publike, ekonomi socialiste/centralizuar- ekonomi kapitaliste/e tregut, veprimtari vetëm shtetërore- liri e veprimtarisë ekonomike. Marrdhënie kjo në ‘luftë’. Luftë në të cilën, në një periudhë triumfonte plotësisht njëri grup dhe në një periudhë tjetër grupi ‘kundështar’. Le ti përshkruajmë këto periudha me karakteristikat e tyre, me shpresën dhe besimin për të kuptuar më shumë, dhe ndoshta me fatin për të kuptuar si mund ta ekulibrojmë këtë raport. Si mund ‘ta ndalim këtë luftë’?

Periudha para vitit 1991 karakterizohet nga një çentralizim i theksuar politik e ekonomik dhe si rrjellim edhe i planifikimit të territorit. Shoqëria nuk ishte ndarë në grupe interesi por në klasa: klasa punëtore dhe fshatarësia kooperativiste me interesa dhe synime të njëjta ndaj qeverisjes (interesa që në fund të fundit i përcaktonte vet shteti) dhe; klasa e përbysur e cila duhej të limitohej në interesin e vetëm të mbijetesës fizike (për të jetuar edhe një ditë më shumë). Pra, mungonin nga ana e shoqërisë/publikut interesat, nevojat, kërkesat dhe synimet ndaj territorit. Të gjithë grupet e tjera të interesit përfaqësoheshin nga shteti.

Pronari i trojeve ishte vet shteti në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet shtetëzimeve, mënyra e kompensimit të të cilave ishte qesharake. Investitori i vetëm, në mungesë totale të inisiativës së lire, ishte përsëri shteti dhe ‘klientët’ apo ‘konsumatorët’ e këtij zhvillimi ishin gjithashtu klasat, të cilat ‘konsumonin’ apartamentet, infrastrukturat dhe hapsirat publike të ndërtuara nga parimi “ndërtojmë lirë dhe shpejt”. Si pasojë e ekonomisë së drejtuar nga parime socialiste (të njohura gjerësisht nga shqiptarët me moshë mbi 35-së vjecare) mungonin financimet dhe investimet publike për ndërtimin, mirëmbajtjen, pëmirësimin dhe modernizimin e institucioneve publike dhe territoreve të hapura dhe publike. Por sidoqoftë, intensiteti i ulët i ndërtimit, densiteti i ulët i banimit (për shkak edhe të metodave të vjetëruara ndërtimore) dhe hartimi e zbatimi i instrumentëve të planifikimit, projektimit me rigorozitet të plotë dhe në mënyrë hirearkike siguronte hapsira me potencialin për t’u kthyer në infrastrukturë sociale për njësitë e banimit.

Pra, për këtë periudhë mund të konkludohet se ‘lufta’ midis të drejtës private me publiken dominohet absolutisht nga kjo e fundit. Periudha pas vitit 1991 karakterizohet nga dy linja. Ajo zyrtare, që përfaqësohej mësë shumti nga burokracia (administratorët dhe planifikuesit që punojnë në administratë) e ngelur në mentalitetin planifikues të viteve 70-të. Dhe linja e individëve/familjeve, të pasuruar nga marrja e pronave të të parëve, privatizimi i banesave në përdorim të tyre (dikur pronësi shtetërore), pronësia e tokës bujqësore (sipas ligjit 7501), të lirë për të emigruar e imigruar kudo.

Burokracia dhe planifikuesit të ndërtuar si të tillë (si burokratë dhe, sidomos, si planifikues) në shkollën sovjetike të Shqipërisë e kishin pothuajse të pamundur të kuptonin se zhvillimi mund të ishte shumë i shpejtë dhe se ai duhej paraprir, drejtuar dhe kanalizuar nëpërmjet planeve, projekteve dhe investimeve qeverisëse. Këto intrumenta duhet të ishin të frymëzuara nga të tjera parime dhe shumë më elastike, sikurse, të hapura ndaj nevojave, kërkesave dhe mundësive të reja dhe të pafund të krijuara nga një sistem demokratik.

Roli i tyre shumëvjecar si, ‘kalorësit’ e vetëm në këtë sektor, ‘këshilluesit’ e shtetit për të mirën e vetme të qytetit, ‘njohësit’ e vetëm dhe të fundëm të nevojave të qytetarëve, megjithëse i tronditur fortë në kthesën e madhe të vitit 1991, nuk ju lejonte të merrnin një rol të ri. Rolin e një prej aktorëve në një proces gjithëpërfshirës, ku, pronarët e trojeve, investitorët dhe blerësit (që ishin privat) përfaqësonin veten dhe interesat e tyre, në kompromisin e quajtur ‘Plan’. Rezultati i kësaj- plane të pazbatueshme apo mungesë totale e tyre.

Nga ana tjetër, shqiptarët e “cliruar” nga cdo pronësi, e drejtë mbi to, inisativë ekonomike dhe deri në izolim fizik në qytetin apo fshatin ku ishin pashaportizuar, fituan gjithcka. Pronësuan banesat e tyre që i kishin me qera, rimorrën një pjesë të pronave të të parëve, privatizuan një pjesë të ambjenteve apo mjeteve të punës. Fituan të drejtën për të emigruar dhe për të akumuluar kapitale. Fituan të drejtën për të imigruar kudo nëpër Shqipëri. Si rezultat i kësaj shqiptarët u pasuruan dhe si është e kuptueshme, cdo qytetar i pasur në një ekonomi të hapur tenton të përmirësojë jetesën dhe të shtojë pasurinë e tij. Disbalancimi i nivelit të shërbimeve publike (arsimore-shëndetsore etj) në vendbanime të ndryshme, cilësi e ulët e transportit interurban si dhe oportunitete më të mira punësimi i drejtuan në qytetet e mëdha.

Agregimi i këtyre dy linjave, dhe të tjerave në mbështetje dhe përforcim të tyre, solli një zhvillim shumë të shpejtë, të paplanifikuar, totalisht të derregulluar dhe mbi të gjitha të fragmentarizuar. Produkti i kësaj është realiteti urban në të cilin jetojmë. Kështu, ‘lufta’ fitohet totalisht nga e drejta private. Në fakt, vetëm në dukje, sepse indivitët që ‘fituan’ janë pjesë e shoqërores, elementë të publikes. Ato jetojnë në po të njëjtin realitet urban, fëmijët e tyre gjithashtu. Për të ardhmen, kërkohet dicka tjetër, dicka në mes të tyre. Kërkohet ‘Urbanizmi i Ri’. Kërkohen planifikime të balancuara përdorimesh të pronave dhe vlerësim maksimal i pronës në zhvillim, pa kushtëzuar e cunguar zhvillimet publike dhe sociale. Balancimin e tyre, ‘paqen’ midis tyre duhet ta gjejmë te konceptet e teorisë ekonomike (ekonomiks) dhe aplikimet e tyre. Bota e zhvilluar i njeh dhe i përdor.


PLANIFIKIMI NJË PROFESION FISNIK POR I NËNVLERËSUAR. Koha Jone, 10.12.2012


Një vizion pa një plan është vetëm një ëndër. Një plan pa vizion është vetëm një punë angari. Por një vizion me një plan mund të ndryshojë botën.- proverb amerikano-verior 

Gjithmon e kam ditur se në vendet ishsocialiste qytetarët nuk kanë respekt për planifikimin dhe planifikuesit. Kjo, sepse, ata vijnë nga një praktikë ku planifikimi kishte pushtuar cdo qelizë të jetës, dhe planet ishin ato që vendosnin për gjithcka në jetën e tyre. Planet hartoheshin në zyrat publike dhe pasi miratoheshin, nga vet këta, dërgoheshin për zbatim në “bazë”. Baza në fakt ishte populli (popullsia e një territori specific) kurse planet përcaktonin gjithcka dhe përfshinin gjithkënd.

Në këtë kuptim, është normale (në konteksin anormal të kalimit nga një ekstrem në tjetrin) që planifikimi do përbuzej dhe plani do urrehej. Si rrjellim logjik i kësaj mënyre të menduari, nuk planifikuam më asnjë gjë dhe rezultati: 45 % e popullsisë së Tiranës jeton në njësi ilegale të banimit në zonat periferike të qytetit; 146 mijë ndërtime ilegale të ndërtuara në Beograd apo 27 qëndra të banuara ilegale në Shkup (UNECE, 2008). Këtë qëndrim vazhdojmë të mbajmë edhe sot pas 20 vitesh dhe kjo nuk është normale (në konteksin normal të kthimit, pas riformulimit, te disa vlera që nuk simbolizonin të keqen e sistemit socialist).

Në shkrimet e mia të mëparshme jam munduar, nën rreshta, të ndërtoj një “biografi” të re për planifikimin dhe planifikuesit dhe sot kam vendosur, modestisht, të hedh një hap të plotë dhe ekskluziv në këtë drejtim. Sepse nuk mund të pëlqehemi pa u njohur dhe nuk mund të njihemi pa u prezantuar. E thënë drejtpërdrejt, shkurt dhe që në fillim, planifikimi është një profesion fisnik por i nënvlerësuar. Planifikimi ndodh në shumë nivele, nga vendimet e përditshme të individëve ose familjeve, te vendimet komplekse bërë nga bisnesi ose qeverisja.Ai i referohet procesit të vendimarrjes, se, cfarë të bëhet dhe si të bëhet, prandaj është shumë i rëndësishëm dhe gjerësisht i nevojshëm.

Ky shkrim i dedikohet planifikimit të përdorimit të tokës dhe transportit, por shumica e aftësive të planifikuesve dhe oportuniteteve që ofron puna e tyre, të përshkruara në vazhdim, janë të domosdoshme në cdo aktivitet planifikimi. Planifikuesit janë profesionistë që lehtësojnë vendimmarrjen. Ata nuk marrin vendime vet, por mbështesin vendimarrësit (menaxherët, zyrtarët, qytetarët), duke koordinuar informimin me veprime. Roli i tyre është të krijojnë një proces logjik dhe sistematik të vendimmarrjes i cili të rezultoj në veprime të mira. Planifikuesi ndihmon komunitetin të krijojnë të ardhmen e preferuar të tyre- planet e mira bëjnë progres drejt mirëqënies ndërsa plani i keq lë në trashëgimni probleme dhe mosmarrveshje. Planifikuesit i heqin pesha të rënda civilizimit duke parashikuar dhe zgjidhur konfliktet komunitare apo keqfunksionime urbane. Sipas Profesorit të Universitetit të Hauardit, Daniel Gilbert (2006), aftësia më e madhe dhe më unike e species njerëzore është të imagjinojë dhe parashikojë objekte dhe episode që nuk ekzistojnë aktualisht, ky është, plani për të ardhmen. Kjo është forca jonë individuale e kolektive dhe planifikuesit nuk janë gjë tjetër vecse, trainerët.

Ndërsa Gaston Bardet do të thoshte se urbanistët janë konstruktorët e së ardhmes. Nëse diskutimet politike nuk prodhojnë gjë tjetër veçse shkatërrim, nga aktet e urbanistëve krijohen vatra ku zhvillohet njeriu dhe komuniteti. Planifikimi dhe projektimi i qyteteve nuk është thjeshtë shkencë apo art, por një ripërtëritje e mendimeve që përbëjnë civilizimin tonë. Në këtë kuptim, planifikimi i mirë kërkon planifikues me aftësi dhe perspektiva speciale. Si të tillë planifikuesit dallojnë nga njerëzit që ushtrojnë aktivitete të tjera, në disa aspekte e praktika.

Shumica e njerëzve preferojnë të injorojnë problemet derisa ato bëhen të pashmangshme. Planifikuesit janë meraklinj profesionis, të cilët kërkojnë të gjejnë probleme potenciale që ti lehtësojnë apo zgjidhin ato. Shumica e njerëzve i shohin problemet nga një prespektivë e vetme. Planifikuesit janë përgjegjës për konsiderimin nga perspektiva të shumfishta; ata shqetësohen për “cfarë është mirë për secilin, por, sëbashku?”. Shumica e njerëzve preferojnë probleme, dhe zgjidhje të thjeshta për to. Planifikuesit mësojnë të vlerësojnë kompleksitetin, dhe kërkojnë për kuptime të thella dhe kauza themelore.

Shumica e njerëzve e konsiderojnë kompromisin si një shenjë dobësie dhe dështimi. Planifikuesit janë pasionant për kompromisin sepse ai (kompromisi) zgjidh konflikte dhe shpesh drejton në zgjidhje të mira. Shumica e njerëzve preferon ti zgjidhë cështjet njëra pas tjetrës. Planifikuesit aplikojnë analiza të integruara, kështu që vendimet individuale dhe në terma afatshkurtër janë konsistente me synimet e shumëfishta dhe afatgjata. Edhe pse të bazuar në të zakonshmen, planifikuesit ushqejnë aspiratat më të thella të komunitetit, të tilla si dashuria, shpresa dhe e bukura. Ata përkthejnë synime teorike në veprime specifike. Planifikimi është një art po aq sa është shkencë dhe kërkon gjykim, ndjeshmëri dhe krijimtari. Ai shpesh negocion ndërmjet cështjeve dhe kështu që, kërkon perceptim të asaj që artistët e quajnë hapsirë negative (hapsirë midis objekteve). Ata krijojnë lidhje midis agjensive, sektorëve dhe juridiksioneve të ndryshme. Si rezultat, planifikuesit duhet të bashkëpunojnë me grupe të ndryshme interesi dhe duhet ti kënaqin të gjithë.

Komunitetet tradicionale mbështeten në hoxhallarë dhe priftërinj për të mbajtur balancën midis botës humane dhe botës natyrore. Në komunitetet moderne këto përgjegjësi përballohen nga planifikuesit. Por, planifikuesit shpesh i kthehet një nivel i ulët respekti. Sukseset e tyre merren për grant, ndërsa shpesh fajësohen për dështime të gjërave që kanë qenë përtej kontrollit të tyre. Si koordinator të vendimeve publike planifikuesit janë tabela e qitjes për kriticizmin. Roli i tyre, si lehtësuesit e paanshëm, shpesh është keq interpretuar si burokratë të pashpirt.

Palët e interesuara shpesh i mbajnë planifikuesit si personalisht përgjegjës kur nuk kënaqen nga produktet. Planifikuesit kanë nevojë për aftësi diplomatike dhe një lëkurë të trashë, sepse, edhe nëse e bëjnë punën e tyre mirë ata do të kritikohen përafërsisht njësoj nga të gjithë palët. Një mjek i familjes i cili propogandon rolin e strategjive të shëndetit (reduktimin e konsumimit të duhanit, dieta të balancuara të ushqimit, ushtrime fizike të rregullta etj) shpesh siguron për një familje përfitime totale shumë të mëdha me kosto të ulta në krahasim me një kirurg që ndërhyn gjatë një sëmundje, në caste kritike të saj. Por, mjeku i familjes konsiderohet gërnjar i besdisshëm ndërsa një kirurg konsiderohet hero. Njëjtësisht, një planifikim i mirë tenton të nënvlerësohet sepse ai preventivon problemet, kështu që njerëzit që përfitojnë janë të pavetëdishëm për cfarë kanë përfituar nga puna e tyre.

Planifikuesit lehtësojnë ndryshimin duke kapërcyer praktikat dhe interesat e ngulitura në mendjet njerëzore. Ata shpesh ndeshin rezistencën e njerëzve të cilët supozojnë se cfarë ata kosiderojnë normale duhet të jetë e mira, njerëz që shikojnë nga e kaluara në vend që të shohin nga e ardhmja. Në rolin e tyre si negociator objektiv, planifikuesit janë shpesh në mes të konflikteve. Ata kanë njohuri të zgjeruara rreth një projekti dhe impaktet e tij në një vendim specific, dhe kështu që, janë përgjegjës për parashikimin e konseguencave të padëshiruara dhe përfaqësimin e interesave të njerëzve të cilët janë të nënpërfaqësuar në procesin e vendimarrjes, të tillë si fëmijët, të varfërit, dhe brezat e ardhshëm.

Në këtë kuptim, në vitet 1970-të lindi koncepti “anësia në planifikim”, sipas të cilit planifikimi duhet të mbrojë të drejtat e njeriut dhe duhet të jetë në anën e të paprivilegjuarve. Sigurisht, planifikuesit nuk janë të pagabueshëm. Ata mund të bëjmë parashikime të pasakta dhe rekomandime të gabuara. Por dështimet e planifikimit janë shumë të pazakonshme, së paku në krahasim me dështimet e shumicës së njerëzve. Prandaj na duhet ti vlerësojmë dhe respektojmë planifikuesit dhe ti përfshijmë sa më gjerësisht në vendimarrjet tona individuale, familjare, komunitare dhe qeverisëse. Dhe në këtë rast, më e pakta e sigurtë është përfitimi nga aftësitë dhe njohuritë e tyre, drejt vendimarrjeve me përfitime të mëdha.

 

 

 

 


SEPSE NUK MUND TË KETË QYTETARI PA QYTET. Mapo, 10.12.2012
Nën peshën 45 vjecare të shtypjes politike, shqiptarët u strukturuan në një shoqëri të frikës ku jo vetëm veprimet ishin totalisht të kontrolluara nga lart, por edhe mendimet vendoseshin e shtresëzoheshin sikurse ishte përcaktuar nga rregullat. Në një paralele të qartë me ‘luftën e klasave’, ku të ashtuquajtur skllevër/të varfërit u ngritën kundër skllavopronarëve/të pasurve dhe i luftuan këta pa asnjë mëshirë, u synua ndërtimi i ‘njeriut të ri socialist’. Njeriu i ri kishte të programuar cdo gjë në jetën e tij të modeluar nga pushteti dhe të shpallur nga propaganda. Devijimi, sa do i vogël, nga modeli i propoganduar/urdhëruar sillte automatikisht përjashtimin dhe kalimin nga një grup (skllevër) në grupin tjetër (skllavopronar) dhe rezultati dihet, ekspozim i të gjithë farefisit ndaj efikasitetit të diktaturës së ploretariatit/ luftës së klasave.

Civilizimi/qytetaria, nëse mund ta quajmë kështu, ndërtohej në dy kolona të qarta, marrdhënia midis ish-skllevërve dhe ish-skllavopronarëve, dhe, marrdhënia mes ish-skllevërish në vetvete. E para, qartësisht ishte luftë frontale e dhunshme deri në shfarosje. Marrdhënia e dytë ishte totalisht e kundërta, pra paqe, vllazëri dhe barazi mes aktorësh të njëjtë. Tetë orë punë, tetë orë pushim, edukim social-kulturor e ushtarak dhe tetë orë gjumë konstruktonin njeriun e ri. Modeli i individit të ndërtuar nga propaganda ishte i vetmi, dhe duhet të ndiqej nga të gjithë. Ishte ky që përcaktonte interesat, nevojat dhe marrdhëniet, në bazën e të cilave gjithashtu planifikohej, projektohej dhe ndërtohej qyteti. Dhe për sa kohë, qyteti ndërtohej dhe funksiononte në këtë mënyrë, qytetaria konstruktohej në të njëjtën formë.

Në vitin 1991 kriza e legjitimitetit të elitës politike, kriza e thellë dhe progresive ekonomike, ndryshimi i politikave të faktorit të jashtëm dhe efekti domino i ndryshimeve në vëndet e Europës Lindore shkërmoqën rregjimin komunist, i cili ndërtonte këtë lloj qytetërimi/kulture. Rënia e shkakut konseguonte mosegzistencën e pasojës, pra rënien e llojit të qytetërimit, dhe kjo e fundit fragmentarizimin deri në individualizim të interesave, nevojave dhe marrdhënieve. Nga ana tjetër, rënia e modelit të vetëm kërkonte modele të rinj, biles shumë modele sepse të shumtë ishin edhe rolet. Fatkeqësisht, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, modelet u gjetën te e njëjta dije/njohje. Kishim 45 vjet që dëgjonim dhe lexonim për kapitalizmin dhe demokracinë imperialiste, nuk ishin koncepte të reja për ne, por sigurisht ishin koncepte të përkufizuara sipas një konteksi të caktuar, sipas një loje gjuhësore të caktuar. Konteks i cili kërkonte/synonte deformimin e tyre dhe të roleve të individëve në to.

Tregtari duhet të ishte hajdut, ai i riste cmimet sipas qejfit. Borgjezi, gjithashtu, ai duhet t’i pushonte njerëzit nga puna dhe t’i ulte pagat e punëtorëve vetëm në interes të tij. Të mos flasim për drejtësinë, ku gjyqtarë dhe avokatë duhet të ishin bërë bashkë për të favorizuar më të pasurit që paguanin nën dorë. Administrata duhet të ishte injorante. Ajo duhet të vihej vetëm në shërbim të bejlerëv, agallarëve dhe manifakturistëve. Ndërsa punëtorët dhe fshatarët e varfër punonin nga lindja e diellit deri në muzg, të shoqëruar nga skamja totale. Këto ishin modelet e përshkruara nga propaganda, dhe ne këto modele ndoqëm. Dhe, duke ecur drejt këtyre modeleve ndërtuam këto marrdhënie. Marrdhënie, të cilat na ndërtuan këto qytete.

Sepse, banesat ku ne jetojmë i ka ndërtuar një ndërtues që për model kishte borgjezin e librave të diktatorit, në tokën e një pronari që për model kishte feudalin, me lejen e një administrate që sikurse orientonte modeli i propoganduar i shërbente vetëm zarfeve nën dorë. E nëse dikush ankohej, drejtësia e dinte shumë mirë dhe paraprakisht se kush kishte të drejtë. Kështu pra, ndërsa ndërtuam marrdhënie ndërtuam edhe qytetin. Dhe ndërsa ndërtuam qytetin, konstituam edhe civilizimin tonë të ri.

Tashmë marrdhëniet janë të shumta, sepse të shumtë janë edhe aktorët dhe faktorët ndikues. Rolet komplementare, fragmentarizimi dhe individualizimi që shoqëron kohën tonë, shërben gjithashtu në diversifikim dhe shumllojshmëri të tyre. Por kush janë, empirikisht, marrdhëniet tona? Mbi cilin konteks ndërtohen ato? Jetojmë në apartamente të patermoizoluara, të padiellëzuara dhe të paajrosura, megjithëse jetojmë në Shqipërinë e treqind ditëve me diell.

Kush mendoni se do jetë gjendja jonë shëndetsore dhe e humorit? Apartamentet tona vendosen në pallate me 12 kate dhe 6 apartamente në kat. Cila, mendoni se, do jetë marrdhënia me fqinjët që përdorin të vetmin ashensor apo të njëjta shkallë të ngushta? C’marrdhënie do kemi mes vetes, si komunitet, kur nëse dalim nga dera kryesore e pallatit mund të rezikojmë të shtypemi nga një makinë që ecën me shpejtësi në rrugicat e ngushta që rrethojnë objektin? C’marrdhënie dhe komunitet mund të ndërtojmë, kur për gjatëdhjetë automjetet e pallatit ka vetëm tetë vënde parkimi? Për këto vendparkime na duhet të konkurojmë, apo jo, na duhet të debatojmë dhe shpesh grindemi. C’trashëgimni komunitare do kemi, kur cerdhja dhe kopështi më i afërt për fëmijët tanë është dy kilometra larg, apo në katin e fundit të një pallati? Për ti arrituar ato apo vendet tona të punës na duhet të përdorim patjetër automjet, sepse transporti publik është ai që është. Cilat, mendoni se, do jenë marrdhëniet me bashkëqytetarët kur përdorimi i automjeteve për cdo lëvizje nënkupton një betejë të dhimshme në trafikun e mbingarkuar dhe domosdoshmëri për gjetje vendparkimi në cdo ndalesë të detyruar? C’të ardhme komunitare mund të ndërtojmë, kur fëmijët tanë edhe kur kthehen nga shkolla u duhet të mbyllen brenda apartamentit sepse nuk ka një shesh ku të luajnë. C’marrdhënie ndërbrezore do ndërtojmë, kur prindërit tanë bëjnë tre mijë metra me pengesa (në trotuarët e zënë nga makinat e parkuara dhe tavolinat e kafeneve), për të arritur në lulishtet e pakta të qytetit. C’kohezion social mund të ndërtojmë, nëse aktivitetet tona të kohës së lirë do të jenë vetëm kafenetë? Secili nga ne mund ti japi përgjigje këtyre pyetjeve.

Dhe përgjigjet, në mënyrë të pashmangshme, do jenë shumë të ngjashme në mos të njëjta. Janë këto përgjigje që përcaktojnë marrdhëniet tona komunitare dhe janë këto marrdhënie që ndërtojnë qytetarinë tonë. Prandaj, fjetorja jonë e madhe duhet të kthehet në qytet. Vetëm atëherë mund të fillojmë të komunikojmë dhe vetëm duke komunikuar mund të ndërtojmë qytetari moderne, mund të ndërtojmë civilizim.



FRAGMENTARIZIMI I ZHVILLIMIT NË QYTETE KËRCËNON DEMOKRACINË. Mapo, 10.06.2013

Jeta publike dhe demokracia politike janë të lidhura ngusht me hapsirën dhe qytetin. Qyteti është produkt material i kulturës së njerëzve/qytetarëve. Pra, mënyrës sesi ata kuptojnë botën, vlerat e tyre, normat morale dhe sjelljen e përditshme, si dhe produkteve materiale dhe jo-materiale që rezultojnë prej tyre. Në këtë dimension, qyteti është produkti apo shfaqja më e dukshme dhe gjithëpërfshirëse e kulturës së qytetarëve të tij.

Sigurisht, jo vetëm qytetarëve të tij, po të pranojmë faktin se qyteti (sikurse edhe njerëzit nga të cilët dhe për të cilët ndërtohet) nuk është një njësi e izoluar por nyje e rrjeteve të komunikimit me entitete të ngjashme. Sidoqoftë, në interes të këtij shkrimi, do të fokusohemi vetëm te marrdhënia qytet dhe kulturë e qytetarëve të tij. Sepse ka një lidhje ‘shpirtërore’ midis tyre. E thënë ndryshe, ndërsa individët dhe grupet veprojnë apo ndërveprojnë mes vetes krijohet dhe evoluon një ndërhyrje kulturore në natyrë, të cilin ne e quajmë qytet. Sepse qyteti nuk është thjeshtë dhe vetëm një grumbullim ndërtesash, rrjetesh infrastrukturore dhe hapsirash lidhëse, por, edhe një mënyrë karakteristike jetese, set zakonesh dhe mënyrash të shprehuri dhe të komunikuari.

Nga ana tjetër, qyteti (i ndërtuar nga qasjet kulturore e banorëve të tij) ndikon në konstruktimin e kulturës së qytetarëve të vet. Sepse, dimensioni i tij planor dhe volumor kushtëzon mënyrën e tyre të të jetuarit, në të gjithë komponentët e të jetuarit dhe nëpërmjet të gjithë komponentëve të qytetit. Pra qyteti fizik dhe kultura qytetare janë në një marrdhënie të thellë, ku “kur ftohet njëri, teshtin tjetri”. Hapsirat e banimit; hapsirat e punës; hapsirat e mësimit, studimit, trajinimit; hapsirat e kujdesit dhe shërbimit shëndetsor; hapsirat e shlodhjes, rekreacionit, aktivitet sportive, aktivitetet artistike dhe kulturore; hapsirat shoqërore, vendtakimet, sheshet; hapsirat e varrimit (sepse edhe do vdesim një ditë); rrjetet e informimit dhe komunikimit; rrjetet e lëvizjes e transportit dhe hapsirat e parkimit; rrjetet e furnizimit; e të tjera si këto, formojnë atë që ne e quajmë ‘qyteti fizik’.

Cilësia dhe sasia e këtyre elementëve formues, raporti i secilit element me të tërin (qytetin), lokalizimi/vendodhja dhe mënyra shpërndarjes së këtyre elementëve, bëjnë diferencën midis asaj, nëpërmjet të cilës, qytete të ndryshme ndikojnë në formimin e kulturës qytetare.
Në njëzet vitet e fundit, fryma kolektivizuese dominuese e sistemit komunist, u zëvendësuar me ekstremin e saj, fragmentarizimin e zhvillimit dhe atomizimin social. Nuk mendojmë më, “shteti për të gjithë”, por tashmë, mendojmë “secili për veten”. Të dyja mendime të këqia që kalojnë nga ekstremi në ekstrem.

Dikur kishim dy ‘klasa’ sot kemi tre million individë. Ndërkohë ‘grupi’, si njësi strukturuese e shoqërores, u shmang nga shoqëria shqiptare ndërsa tentonte të ri- organizohej. Individualizmi dhe interesi privat triumfuan mbi shoqëroren dhe interesin e grupit. Dhe sikurse populli thotë “ky stan atë bulmet ka”, ne u investuam në “gjëra që na ndajnë” dhe lamë në harresë “gjërat që na grupojnë”. Ndërtuam banesa për të fjetur, blemë perde me shtresa për t’u mosparë, blemë televizor për të parë të tjerët pa na parë ata ne, blemë makina me xham të errët. Biles, bëmë edhe “Big-Brother”, ku të gjithë shohim cfarë bëjnë disa njerëz të izoluar.

Në vazhdim për të përshkruar sesi është realiteti ynë urban, nuk ka nevojë për ekspertizë teknike. Populli thotë “fshati që duket nuk do kallauz”. Cdo qytetar e njeh këtë realitet sepse e përjeton cdo ditë. Përjeton cdo ditë mungesën e shesheve, lulishteve, parqeve, këndeve të lojrave, teatrove, operave, kinemave, bibliotekave, hapsirave për rekreacin, për aktivitete të hapura kulturore, sociale dhe sportive. Por nuk duhet harruar se përvec funksionit specific të tyre, të gjithë këta element të qytetit i lidh një karakteristikë e përbashkët, fryma socializuese, që shoqëron aktivitetet njerëzore që kryhen në to. Në to komunikohet, paraqiten mendime, shkëmbehen opinione dhe vlera intelektuale. Si rrjellim, në to dakortësohet apo krijohen perceptime dhe kuptime të ngjashme. Me një jetë sociale dhe kulturore gjerësisht të munguar, si pasojë e ndërtimit të qytetit në mungesë të frikshme të hapsirave ‘ku flitet’, ne zvogëluam mundësinë tonë të komunikimit, duke ndërtuar jetën tonë të strukturuar sipas modelit arkitekturor të “Panoptikonit”.
Si në kohë mortaje, ne e izoluam veten tone përditë e më shumë, ‘leje pas leje’, nga të njëjtët si ne për të mos transmentuar virusin (lexo mendimin). Dhe, në mungesë të thellë të komunikimit dhe ndërvarësisë (dy komponentët formues të konceptit ‘komunitet’), individualizmi mbizotëroi jetën e qytetarit. Kështu komunitetet u atomizuan duke u kthyer në individë dhe individët, është e kuptueshme që, kanë kërkesa individuale.

Si rrjellim llogjik, jeta e qytetarit u burgos në dy institucione të vetme. Institucionin e familjes dhe mjedisin e saj (banesën dhe pronësinë) dhe institucionin e punës dhe mjedisin e saj. Të dyja këto, institucione shumë hirearkike dhe anti demokratike. Në punë, është e kuptueshme, ndarja e detyrave dhe përgjegjësive kërkon strukturë organizative. Detyron hirearki. Ndërkohë familja patriarkale shqiptare, e trashëguar nga kohë të vështira luftrash (apo është thjesht një justifikim?), qëndron e fortë edhe në kohët “moderne” e bashkohore.

E ndërtuar në një hirarki të fortë ajo mbyt cdo frymë emancipimi apo clirimi dhe nuk lejon të “ardhurit më vonë në familje” të kenë interesa të tjera vec atyre të patriarkut. Qofshin ato stafe apo familje, është njësoj, gjithcka është hirearkike. Dhe kjo frymë ndërton kërkesat politike. Nuk kërkohet më “një shkollë”, “një rrugë”, “një ambulancë”, “një spital”, “një terren sportiv”, “një lulishte” për lagjen apo për qytetin. Nuk kërkohet më një politikë publike që të mundësojë zgjerimin e aktivitetit ekonomik ekzistues në lagje apo qytet (cka do të siguronte krijimin e vëndeve të reja të punës për komunitetin). Jo, nuk ka më kërkesa grupi apo komuniteti.

Por, ka kërkesa individuale, më e shumta kërkesa familjare. I pari i familjes i drejtohet politikanit konkurues në preferencë të tij duke i garantuar x votat e “tij” (që nënkupton votat e familjarëve, dhe jo vetëm të tyre) për y vënde pune. Sinteza e të gjithës sa u tha është se, ndërsa i largohemi planifikimit dhe ndërtimit të qyteteve në prezencë të elementëve urban-shoqëror që na grupojnë në synime dhe veprime të përbashkëta komunitare, i largohemi gjithashtu konceptit ‘qytetit si njësi’ e ndërvarësisë dhe komunikimit njerëzor. Dhe ndërsa i largohemi oportunitetit ‘të qënin një shoqëri me interesa politike të grupuara’ lejojmë politikanët në kërkesë për votë, të komunikojnë vetëm në dy terma. Në terma populistë nëpër mitingje sheshesh dhe në terma individualë në tavolina kafenesh. Prandaj ti kthehemi qytetit dhe të mos harrojmë se jeta demokratike gjithmon, nëpër histori, është mbështetur në eksperiencën urbane, duke nisur nga Agorat e Polisit Grek.


SEPSE TURIZMI ESHTE I PAMUNDUR JASHTE PLANIFIKIMIT HAPSINOR. Mapo, 19.09.2013
Sikurse shumica e familjeve shqiptare, edhe familja ime tentoi të bënte pushime në Shqipëri. Një mik shumë i afërt i familjes na ofroi mundësinë të përdornim apartamentin e tij në Vlorë, dhe ne nxituam të përfitojmë nga bujaria e tij. Kështu, një të premte në mesditë u nisëm drejt Vlorës. Apartamenti ndodhej në dalje të qytetit, në zonën që njihet si “Shkolla e Marinës”.

Ishte një qytet më vete atje. Nuk është se u surprizuam sepse kishim qenë dhe më parë. Në fakt, edhe po të mos kishim qenë, mund ta kishim imagjinuar. Sepse është i njohur modeli. Është i shpërndarë kudo nëpër Shqipëri. E gjen në Durrës, Rrashbull, Golem, Sarandë, Pogradec, Velipojë, Shëngjin. Dhe të më fali ndonjë qytet ‘de jure’ apo qytet ‘de fakto’ që e harrova ta përmend. Mungon infrastruktura inxhinierike dhe sociale-shëndetësore-arsimore për t’i quajtur ‘qytet’ sipas fjalorit shqip-shqip, por punë e madhe.

Ne, me mungesa të tilla kemi qytetet tradicionale qindravjeçare dhe vazhdojmë t’i quajmë qytete, pse të ndryshojmë përkufizim për këto krijesa të reja habitato-turistike? Do t’i ikim çështjes sesi i kaloi pushimet familja ime, duke lënë vend për imagjinatë. E rëndësishme është se ime shoqe nuk ka ankesa ndaj meje që projektova pushimet dhe se fëmijët e mi mendojnë se ishim me pushime. Po. Kështu mendojnë fëmijët e mi.

Sepse kur fëmijët vijnë në jetë nuk dinë asgjë, botën nëpërmjet nesh e njohin. Ata dinë çarë ne u tregojmë. Nëse ne u themi se ‘mbreti lakuriq është me rroba’, të mos na duket çudi që kur të dalin lakuriq të na thonë edhe se kjo është moda e fundit. Nëse ky shkrim do të binte në dorë të ndonjë njeriu që nuk e njeh rastin e turizmit shqiptar, ai do të çuditej. Ç’thotë ky?! – do të thoshte. – Në të gjithë botën ka qytete me njësi strukturore urbane të përdorimeve mikse. Në fakt, nuk mund të gjenden në botë qytete ku vetëm banohet.

Të gjitha qytetet e botës përfshijnë ndërtesa ku punohet. Janë qytete qindra e mijëravjeçare që në historinë e tyre të gjatë si qytete kanë evoluar, përveç të tjerash, edhe në ndikim të raportit më të rëndësishëm për mbijetesën e një qyteti. Raportit punësim –banim. Sepse një qytet nuk zgjerohet apo krijohet kot, por sepse tregu i lirë e ka imponuar me mekanizmat e tij. Duhet të kuptojmë se, në botën perëndimore qytetet konkurrojnë mes tyre. Janë në garë për biznese të reja, nëpërmjet të cilave krijohen vende pune. Janë këto vende pune që sjellin qytetarë të rinj në qytet, përtej shtesës natyrore të popullsisë (diferencës lindje-vdekje). Dhe janë këta qytetarë të rinj, që kanë kërkesa ndaj tregut të pasurive të patundshme, dhe për konsekuencë zgjerohet qyteti. Por pikënisja është punësimi.

Ndërkohë, të shumta janë qytetet që synojnë turizmin për ekonomi të parë të tyre. Shumë qytete përfshijnë brenda njësive të tyre të banimit struktura hoteliere në shërbim të turistëve që vizitojnë qytetin për të njohur historinë e tij, për biznes, për të ndjekur aktivitete të mëdha kulturore apo sportive, për të dhënë apo shkëmbyer ‘know how’. Edhe qytetet shqiptare integrojnë zhvillime të tilla brenda vetes. Por ne nuk po flasim për këtë turizëm që kërkon këto lloje projektimi. Ne po flasim për zona të reja turistike.

Në fakt, ne po flasim për nukle të reja zhvillimesh turistike. Sikurse është territori në jug të qytetit të Vlorës, nga ku ne origjinalizuam bisedën. Apo territore të tjera që kanë pësuar zhvillime të ngjashme dhe lokalizohen pranë qytetit të Sarandës, Pogradecit (Starova), Durrësit, Rrashbullit (Shkëmbi i Kavajës), Golemit, Velipojës e Shëngjinit. Na duhet të kujtojmë se, këto territore, para 1990-ës ishin në përdorime të tjera të tokës apo në konservim të gjendjes natyrore të tyre. Përfshihen në këta shembuj edhe raste të pyllëzimeve artificiale, ndër të cilat mund të përmendim Rashbullin e Golemin.

Me ndonjë përjashtim me ndikim të papërfillshëm, në këto territore nuk kishte ndërtime. Bile edhe vitet e para të pas 1990-ës, ndërtimet ishin të përdorimit turistik. Hotele modeste, të cilat nuk e di nëse mund të quheshin të tilla, restorante apo kafene. Me nivel shumë të ulët të zënies së territoreve dhe dëmtimeve të natyrës, këto zhvillime nuk ishin një parakusht për të tërhequr turistë të huaj dhe për ta kthyer turizmin e tre S-ve në një degë të rëndësishme të ekonomisë, por sidoqoftë nuk e futën në koma të thellë. Sikurse është tani.

Sidoqoftë, kjo situatë ‘purgatoreske’ nuk do të vazhdonte gjatë, sepse pas vitit 2003 këto zona do të tërhiqnin vëmendjen e biznesit të ndërtimit. Biznes ky që zinte vendin e parë në zhvillimin e vendit. Sillte punësim për qytetarët, të ardhura për buxhetet lokale apo kombëtare dhe mbi të gjitha zarfe të fryra për zyrtarët. Ia hoqëm turizmit për t’ia dhënë ndërtimit. Por ndërtimit të çfarë? Sepse ky biznes, kur arriti këto territore solli me vete edhe “ekspertizën” e vet planifikuese, projektuese, zhvilluese dhe ndërtuese. Në përfundim të dekadës së parë të këtij aksioni “zhvillimor”, i cili vazhdon akoma, kemi prodhuar në këto territore krijesa të panjohura në botën e zhvillimit të territorit. Kemi krijuar ‘habitate turistike’.

Të cilat nuk janë qendra të banuara sepse u mungojnë infrastrukturat inxhinierike dhe social-kulturor-arsimor-shëndetësore për të qenë të tilla. Madje frekuentohen vetëm tre muaj të vitit dhe ca fundjava të tjera. Por nuk janë as qendra turistike, sepse iu mungojnë jo vetëm infrastrukturat, por edhe strukturat për të qenë të tilla. Kjo është situata. As banim dhe as turizëm. Dhe kjo situatë është e tillë sepse ekspertiza që vinte nga qyteti ishte e zhvillimit urban. Nuk po vlerësojmë nëse ishte një ekspertizë e mirë apo e keqe, si e tillë. Nuk është kjo tema. Po themi se, edhe sikur të ishte ekspertiza më e mirë e mundshme, prapë nuk mund t’i shërbente një zhvillimi turistik. Zhvillimet turistike kanë kërkesa dhe pyetje të tjera.

Sepse zhvillimet turistike nuk kanë lidhjen më të vogël me kushtëzimet, normat dhe treguesit urbanë. Nuk kanë lidhjen më të vogël me konceptin e intensitetit të ndërtimit, apo të koeficientit të zënies së tokës nga ndërtimi, apo të densitetit të banimit, apo të sipërfaqes së gjelbër, sportive, shoqërore, administrative, tregtare për banor. Dhe e dini pse? Sepse atje nuk do të ketë banorë. Do të ketë pushues e turistë. Në fakt, këta tregues, norma apo kushtëzime nuk i përdorëm as kur zhvilluam qytetet ne shqiptarët. Por përdorëm distancën objekt-objekt apo, akoma më keq, distancën nga kufiri i pronës. Pallat tetëkatësh- largësia nga kufiri i pronës nëntë metra. Të qeshësh dhe të qash. Dhe këtë ekspertizë praktike ne e eksportuam edhe në zhvillimet turistiko-bregdetare. 

Prandaj, ne mund ta gënjejmë veten sa të duam, por nuk kemi turizëm. Dhe do fillojmë të kemi ditën kur të investohemi në këtë sektor nëpërmjet planifikimeve turistike, si pjesë e një planifikimi të integruar të të gjitha fushave ekonomike, qendrave të banuara dhe territoreve në mbrojtje. Sepse edhe për këto zhvillime habitato-turistike ka mundësi dalja nga koma e thellë për t’u kthyer në turistike. Gjithmonë ka një zgjidhje nëse i bën pyetjen e duhur ekspertizës së duhur. Për më tepër, kemi akoma territore natyrore që paraqesin mundësi për zhvillime të ekonomisë turistike të niveleve konkurruese me botën.




CFARË I NEVOJITET SHQIPËRISË SË DIMENSIONIT TERRITORIAL? Mapo, 08. 09. 2015
Rreth dy vjet më parë “Kryeministri i votuar” Rama startoi diskursin e tij me tematikën e zhvillimeve ndërtimore në territor. Një gjë shumë e mirë kjo, në parim, po të kemi parasysht sa keq janë trajtuar burimet natyrore e territoriale të vendit. Vecanërisht për një vend si Shqipëria, që akoma pas 25 vjetësh nuk po kupton rëndësinë që ka për një vend në tranzicion zhvillimi i qëndrueshëm, i zgjuar dhe gjithëpërfshirës i territorit.

Gjë që merr kuptim jo vetëm në aspektin mjedisor, për një dimension të të cilit flasim shpesh, por edhe në aspektin ekonomik, social dhe politik, për të cilët flasim rrallë për të mos thënë asfare. Mirëpo, edhe ligjërimi kryeministror, që më tej u kthye në aksione, masa dhe veprime qeverisëse, nuk na hapi një derë të re. Përkundrazi, e dëmtoi rëndë procesin e ndërtimit të një kulture tjetër të zhvillimit të territorit, duke e kthyer mbrapsht dhe akoma më larg targetit kombëtar që duhet të kishim. Për qasjen e mbrapshtë të qeverisjes Rama ne kemi folur dhe do flasim përsëri, porse e rëndësishme është të përcaktojmë disa nga piketat kryesore që mund të na cojnë në një qasje tjetër ndaj zhvillimeve në territor.

Shqipërisë territoriale i nevojitet një qëndrim i ri politik mbi shpërndarjen e banorëve nëpër territorin kombëtar. Është bazike të kuptohet se, sa më njëtratshmërisht të jenë vendosur banorët nëpër territor, aq më mirë është. Së pari në dimensionin patriotik. Ndërsa flasim pafund për kufinjtë, duket se kemi harruar territoret që kufizon ky kufi. Territore që prej vitesh po i lëshojmë. Së dyti në aspektin urban. Një qasje e tillë pengon një nga problematikat më të mëdha të tranzicionit, sikurse është zhvillimi i qëndrave të banuara në dy tipologji diametrikisht të kundërta: superqytetet e mbipopulluara dhe qëndrat e nënpopulluara urbane.

Të dyja me kosto shumë të larta, publike dhe private, për sigurimin e një cilësie të pranueshme jetese. Së treti në aspektin ekonomik. Ekonomia shqiptare ka nevojë të dëshpëruar të ridimensionohen nga ekonomitë prodhuese, ndërkohë, burimet natyrore dhe territoriale po shpopullohen nga banorët që duhet ti bëjnë ekonomikisht eficente. Pa harruar aspektet mjedisore dhe sociale, Shqipërisë i duhet një set politikash për të rishpërndarë në mënyrë të balacuar popullsinë në territor.

Shqipërisë territoriale i nevojitet një sistem i ri rregullator për zhvillimet në territor. Një sistem të mbështetur në parimet e qeverisë së mirë urbane. Dhe jo për nevojën e “përshtatjes së legjislacionit” me atë të BE, por, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm, të zgjuar dhe gjithëpërfshirës të territorit. Një sistem që detyron cdo zhvillues të pajiset me leje për cdo punim që do të kryej. Leje shumëllojëshe të grupuara sipas ndikimit në mjedis, dhe për secilin grup nga një procedurë të vecantë administrative. Të cilat të konsistojnë në verifikimin nga administrata të përputhshmërisë së kërkesës së zhvilluesit me planet e miratuara më pare, dhe të jenë sa më të shkurta në kohë dhe me kosto sa më të ulët për kërkuesin, në varësi të llojit të punimit. Verifikim që kthehet në përgjigje të nënshkruar nga titullari i institucionit që ka juridiksion atë cështje apo atë territor. Një situatë e tillë lehtësuese do e bënte të pamundur nevojën e ndërtimtarisë paleje dhe do siguronte një zhvillim me dimension të plotë mjedisor, social dhe ekonomik. Por, do të kthente në domosdoshmëri jetike planet territoriale të miratuara më parë.

Shqipërisë territoriale i nevojitet një kaskadë procesesh planifikuese. Procese që sigurojnë hartimin e instrumentave të planifikimit territorial të të gjitha llojeve, niveleve qeverisëse dhe klasifikimesh. Sepse, në fund të fundit, planifikimi territorial është procesi që i jep kuptim gjeografik (territorial) politikave ekonomike, mjedisore dhe sociale, nëpër procese demokratike e gjithëpërfshirëse të palëve të interesuara dhe publikut. Ku burokratët dhe ekspertët kanë detyrën e vetme të furnizojnë takimet me informacione të gjëndjes ekzistuese e praktikave të eksperiencave të mëparshme dhe të përfaqësojnë në këto procese brezat e ardhshëm dhe palët e papërfshira. Kjo i duhet Shqipërisë territoriale, zhvillim mbi planifikim dhe planifikim gjithëpërfshirës! Jo sepse na e thonë të gjithë raportet ndërkombëtare, por sepse vetëm një planifikim gjithëpërfshirës për palët e interesuara, orientues për investimet, ciklik e vetpërsëritës për të lejuar korigjimet nga inovacionet, siguron qëndrueshmërinë e planifikimit. E cila siguron qëndrueshmëri të zhvillimit në termat social, mjedisor e ekonomik, por edhe në termat politik





SHTATË PARIME PLANIFIKUESE PËR NJË ATDHE DREJT PROSPERIMIT TERRITORIAL! Mapo, 30. 11. 2016

Një mënyrë libertariane për të dashur Atdheun.

Zoti/Krijuesi është arkitekti më i madh ndonjëherë! Ai është Arkitekti i natyrores. Vëzhgoni dhe shijoni natyrën; rregullin, harmoninë, bukurinë, thjeshtësinë dhe elegancën e saj. Bota është kaq e bukur dhe mund të mos ishte kështu, mund të ishte kaotike, e shëmtuar, e rrëmujshme. Cdo arkitekt - edhe arkitekti më ë mirë i botës njerëzore në të gjitha kohët - është arkitekt i kulturores. Dhe sado aftësi të këtë një arkitekt i kulturores asnjë ndërhyrje e tij nuk mund të krahasohet me atë të Krijuesit. Puna e tij thjesht dëmton natyroren, prandaj, një arkitekt i mirë i kulturores është ai që ndërhyn sa më pak në arkitekturën e natyrores dhe përdor sa më pak materiale jashtë saj.

Atdheu duhet dashur në cdo centimetër të territorit të tij! Jo vetëm kufiri që na ndan nga fqinjët apo flamuri që na identifikon. Duhet ti dashurojmë të gjitha burimet natyrore të tij, kudo ku ato ndodhen, dhe jo vetëm buzë Lanës apo në qytetet e mëdha. Atdhedashuria e re duhet të jetë zhvillimi i zgjuar, i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës i burimeve natyrore dhe territoriale të Atdheut. Nga njëra anë, ti marrim gjithcka dhe të përfitojmë gjithcka të mirë që Krijuesi krijoi për ne dhe teknologjia na mundëson ti kthejmë në të mira materiale për të përmirësuar jetesën e sotme, nga ana tjetër, ti mirëmbajmë këto burime që t’ia trashëgojmë brezave të ardhshëm.

Toka bujqësore duhet trajtuar si ‘zonë e mbrojtur’! Nuk janë të shumtë që e njohin faktin se, Shqipëria është vendi më i varfër në Europë më tokë bujqësore. Kemi më pak tokë bujqësore edhe se Egjipti, i cili rreth 70% të territorit e ka nën shkretëtirë. Në vitin 1994, sipas statistikave të kohës, ne kishim një fond të tokës bujqësore prej 2300m2/ banor. Ndërsa një statistikë tjetër e mesviteve 2000, na tregon se ky tregues ka arritur në 1700 m2 / banor. Pa shumë impenjim intelektual, është e kuptueshme pse ky rrënim. Prandaj, këtë fond të mbetur duhet ta trajtojmë si nikoqir të vërtetë. Cdo vendim për ndryshim të përdorimit të tij duhet ta peshojmë me mëncuri.

Qeverisja kombëtare, rajonale dhe vendore nuk kanë marrdhënie hirearkike! Asnjë qeverisje nuk është pronari i një niveli tjetër qeverisës. Pas 70 vjetësh shëtitje nëpër populizëm shoqëror e politik, Shqipëria ka domosdoshmëri një formulim të qartë mbi cfarë i delegojmë si fushëveprimi qeverive të tre niveleve që ne kemi. Parimi i zvogëlimit të fushës së veprimtarisë së qeverive duhet ta frymëzojë këtë ushtrim politik. Shqipëria ka domosdoshmëri një ndarje më decentralizuese të fushëveprimtarisë ndërmjet tre niveleve qeverisëse! Sa më afër komunitetit vendimarrja aq më të qenësishme janë zgjidhjet e problemeve dhe balancimi i disbalancave.

Shqipërisë territoriale i duhet një Utopi e Rajoneve Policentrike Urbane dhe një qëndrim politik gjithëpërfshirës për një rishpërndarje të balancuar të popullsisë në territorin kombëtar. Kjo duhet të synoj bërjen bashkë të burimeve natyrore, njerëzore dhe financiare: jo vetëm si një përfitim e mundësi prosperimi ekonomik; por edhe si një tezë patriotike për të mos lejuar shpopullimin e pjesëve kufitare dhe periferike të Atdheut; dhe, për të krijuar kohezion kombëtar e për të mos lejuar atomizimin e komuniteteve. Cdo politikë kombëtare, rajonale dhe vendore, dhe cdo projekt i ndërmarr në kuptim të tyre, duhet ta konsiderojë si prerogativë këtë qëndrim politik.

Shqipëria ka nevojë për një ekuilibrim të qëndrave të banuara të një njësie rajonale apo vendore qeverisëse. Policentrizmi, me dy karakteristikat e tij: specifika dhe komplementariteti; duhet ti identifikojnë këto qendra. Sot Shqipëria Urbane përbëhet nga dy tipologji të kundërta të qëndrave urbane:  të mëdha, të mbipopulluara dhe me densitete të larta; ose, të braktisura, të nënpopulluara dhe me densitete minimale. Të dyja, shumë të vështira e me kosto të lartë për tu administruar. Të parat, sot paraqesin mungesa të mëdha në mundësi punësimi e aktivitete të tjera jetësore; kurse të dytat, të harruara, vuajnë mungesë financimesh e shërbimesh minimale publike.  

Qyteti ndërtohet për njerëzit dhe nga njerëzit’, nuk është një slogan revistash për urbanistikën, por parimi më bazik në ndërtimin e qëndrave të zgjuara, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të jetesës. Territoret e përshtatura për jetesë humane që nuk zhvillohen në përputhje me planifikime që vijnë si produkt i proceseve demokratike që përfshijnë të gjitha palët e interesuara dhe të prekura nga zhvillimet e propozuara, janë të destinuar të dështojnë në cdo aspekt. Rasti Shqiptar është shembulli më klasik i kësaj mënyre. Prandaj, Shqipëria e sotme ka domosdoshmëri jetike të ndërmarri procese planifikuese ku përfshirja e qytetarëve të interesuar të jetë prerogativë.

 


Comments

Popular posts from this blog

+ NDIKIMI I NDRYSHIMEVE KLIMATIKE

QYTETI