SHPERNDARJA E BALANCUAR E POPULLSISE NE TERRITORIN KOMBETAR
RISHPËRNDARJA E POPULLSISË NË TERRITOR, NJË MODEL I RI ZHVILIMI HAPSINOR. Mapo, 05.09.2013.
Një nga debatet e rëndësisë së vecantë të botës moderne është debati mbi origjinën e krijimit të qyteteve. Pyetjes se “si dhe kush origjinalizoi veprime për stabilizimin e njerëzve në territore të caktuara?”, i janë përgjigjur shumë kërkues. Përgjigjet kanë qënë të shumëllojshme, por ato mund të grupohen në dy rryma kryesore mendimi. Rryma e parë, që është edhe rryma që mbështetet gjerësisht, është “Dominanca e bujqësisë”. Kjo rrymë thekson se ishte zhvillimi i bujqësisë që nxiti intalimet fillestare të përhershme të popullsisë dhe pak e nga pak krijimin e qëndrave të mëdha të banuara. Dhe në vazhdim krijimin e qyteteve. Ndërkohë rryma tjetër kundështon këtë “skenar” dhe formulon tezë se, ishin gjuetarët ata që iniciuan grupimin në qëndra të ndryshme me qëllimin e shkëmbimit dhe tregëtimit të produkteve të gjuetisë me mallra të tjera të nevojshme. Apo se ishte, nevoja e njerëzve për organizim të mbrojtjes kolektive nga sulmuesit e ndryshëm, nxitësi për krijimin e qëndrave të para me banime të përhershme. Kjo rrymë u quajt “Dominanca urbane”. Përtej këtyre kundështive apo të tjera sikëto, ka një gjë që i bashkon këto rryma, praktika logjike për tu instaluar në ato territore që ishin të pasura me burime natyrore. Për rrymën e parë në troje të sheshta e productive për kultivime të bimëve bujqësore dhe pranë lumenjve apo bazenëve ujorë. Ndryshe, për rrymen e dytë pranë kryqëzimeve të rrugëkalimeve, ku mundësoheshin takimet me udhëtarë, pra edhe shkëmbimet e produkteve. Pra me një fjalë të vetme, paraardhësit tanë disa mijëra vjet më parë janë vendosur pranë burimeve. Në ato territore ku mund të siguronin jetesën por edhe t’ju mbetej dicka, nga prodhimet e tyre, për ti shkëmbyer me të tjerë.
Duket se, të njëjtat parime ndoqi edhe Shqipëria e pas Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht të kontekstualizuara. Zhvillimi i qëndrave të banuara u ndikua nga politikat e urbanizimit dhe industrializimit të vendit, të cilat u zbatuan në kushtet e pronës shtetërore dhe planifikimit të çentralizuar. Si rrjellim, gjatë viteve 1950-1960 urbanizimi i vendit u rrit me ritme më të larta. Politikat e industrializimit dhe urbanizimit të vendit u mbështet në parimin e zhvillimit të barabart dhe përpjestimor të territoreve dhe degëve të ekonomisë. Dhe jo kot. Porse, cuditërisht edhe në kushtet e deformimit socialist, ekonomia tentoi të përfshinte të gjitha burimet natyrore. Tentoi dhe megjithëse në anemi burimesh financimi dhe teknologji prodhimi të prapambetura, duket se ja doli. Si rrjellim ndryshoi hirearkia e qyteteve. Qytetet që kishin lulëzuar para Luftës së Dytë Botërore, tashmë filluan të bini, si p.sh. Shkodra, Korça, Gjirokastra. Qytete të tjera si Durrësi, Tirana, Fieri, Vlora, Elbasani filluan të ngrihen në hirarki. Synimi i urbanizimit dhe i zhvillimit rajonal ishte rritja e numrit të qyteteve të vegjël (5 000- 20 000 banorë) dhe si produkt i këtij qëndrimi u krijuan 39 qytete të reja. Por sistemi socialist, sikurse ishte e pritshme në mungesë të vazhdimësisë së kreditimeve Sovjetike dështoi në dimensionin ekonomik. Në fakt, në dimesionin ekonomik, vet sistemi socialist e ka karakteristikë të vetme dështimin. Dhe dështimi ekonomik paraprin dështimet e gjithë fushave të tjera. Për konseguencë, pas viteve 1960 ritmet e urbanizimit pësuan rënie. Ndërkohë, politikat ndryshuan kahun e imigrimit në, nga qyteti në fshat. Jam i sigurt se shumicës nga ne i kujtohen parrullat dhe slloganet e propogandës por edhe veprimet shtrëguese dhe detyruese që “frymëzonin kuadrin e arsimuar” të kontribuonin në “kthimin e fshatit në qytet”.
Por, nuk ndodhi kështu pas viteve 1990. Të cliruar nga një barrierë shumë e madhe, e njohur me emërtimin ‘leje banimi’, pjesa më e guximshme e shqiptarëve të pas rrëzimit të diktaturës komuniste, u larguan nga trojet e të parëve dhe u vendosën në periferitë e Tiranës dhe qyteteve të tjera. Shumica e imigrantëve vinin nga zona të thella malore ku vështirësitë e jetës ishin të një shkalle të papërballueshme. Rrëzimi i diktaturës kishte eleminuar detyrimin për t’u pajisur me një leje të posacme për të ndryshuar vendbanimin, c’ka ishte një gjë e mirë në dimensionin e lirisë së shqiptarëve. Por, gjithashtu, edhe detyrimin e të emëruarve në zonat e thella dhe fshatare për të punuar “atje ku ka nevojë atdheu”. Gjë e cila ishte e mirë për të rinjtë që detyroheshin pas diplomimit të shërbenin në këto zona të izoluara dhe vinin nga Tirana apo nga qytete të tjera, por jo për banorët e këtyre trevave të Shqipërisë. Të cilët pas shformimit të kooperativave apo ndërmarrjeve të tjera shtetërore ku me vështirësi siguronin pagesë për mbijetesë fizike, u gjendën edhe në mungesë të shërbimeve minimale shëndetësore apo arsimore, që shteti i siguronte nëpërmjet “të shkolluarve të ardhur nga qyteti”. Jam i sigurt, askush prej tyre nuk i braktisi me qejf varret e prindërve apo të afërmve. Askujt prej tyre nuk i pëlqente rrëmuja e qyteteve të mëdha. Apo stili i jetesës së qytetarëve, që për shumicën e tyre nuk ishte gjë tjetër vecse ‘shthurje e familjes’. Por erdhën. Erdhën se kishin nevoja bazike për mbijetesës. Të mos harrojmë, të vije nga Kuksi në Tiranë u duhej 7 orë. Dhe u duhej të vinin vetëm për një mjek.
Por, të paktën në një dimension, gjërat kanë ndryshuar pas njëzetë vjetësh. Në emigracion apo si pasojë e tregut të lirë, shqiptarët nuk e janë më në nevojë mbijetese. Shqiptarët janë më të pasur. Por eksodi vazhdon. Dikush ka 50 mijë euro dhe shkon në qytetin qëndror të qarkut dhe blen një shtëpi. Të vjetrën e lë atje në fshat, bosh. Dikush tjetër bën 100 mijë euro dhe shkon në Tiranë e bën të njëjtën gjë. Dhe pasi kemi blerë shtëpi dhe kemi mbaruar paratë, relaksohemi. Pastaj rrimë se nuk kemi cfarë bëjmë. Nuk kemi punë. Normale, kur nuk ke punë cfarë të bësh, vecse të rrish kot dhe të qahesh se nuk ka punë. Ndërkohë, gjërat kanë ndryshuar edhe në një aspekt tjetër. Nuk na nevojiten më 7 orë për të ardhur nga Saranda apo 4 orë nga Korca. Po kështu nuk duhet të ecësh nëpër monopate për të shkuar nga fshati ku ke shtëpinë në qytetin më të afërt. Rrjeti kryesor kombëtar është ndërtuar ose në ndërtim. Rrugë rajonale apo lokale, gjithashtu. Janë ndërtuar, janë në ndërtim apo planifikohet të ndërtohen. Tregu i lirë ka ndryshuar edhe një aspekt tjetër. Arsimi i lartë, privat apo shtetëror, s’ka më limite. Të pranon ashtu si je. Pranon paratë e tua dhe mbështet dëshirat e tua. Po me c’para? Me një pjesë të atyre që bleve shtëpi kur e kishe një. Pra mund të bëhesh mjek, arsimtar dhe të shërbesh në fashatin apo qytesën tënde. Shumë gjëra paskan ndryshuar por jo praktika jonë e urbanizimit. Në vazhdojmë me këmbëngulje ti largohemi burimeve natyrore. Ti largohemi vendeve të punës që këto burime ofrojnë, po të shfrytëzohen, sigurisht. Dhe së fundi, një propozim. Nëse na duhet një model i ri zhvillimi, atherë jemi ekzaktësisht në kohë për ta ndërtuar një. Rishpërndarje e popullsisë dhe burimeve të tyre financiare nëpër territor. Rishpërndarje e cila duhet të jetë sa më e njëtrashme dhe e balancuar. Të bëjmë bashkë burimet natyrore, burimet financiare dhe burimet njerëzore. Sepse këto të treja janë “aksionerët” e vetëm të rritjes së zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Shëmbuj që ky model funksionon i kemi. Na i jep historia. Vecse kujdes, modelet dhe vecanërisht mjetet e mënyrat duhen kontekstualizuar.
NGA ‘SHTATË MILION NË PESË SHTETE’ TE DURASANA! Mapo, 29. 11. 2017
Në vitin 1989, televizioni i vetëm shqiptar, RTVSH-ë, transmetoi një cikël emisionesh me titull ‘Shtatë milion në pesë shtete’. Duhet të ketë qenë i fundit nga emisionet e shumta me peshë patriotiko-nacionaliste, temë kjo shumë e pëlqyer nga regjimi stalinist i asaj kohe. Përmbajtja e ciklit më kujtohet pak, por tema e tij është ngulitur thellë në memorien time. Cikli laboronte tezën se, sa të lirë jetojnë shqiptarët në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë duke i vënë përball mungesën e lirisë së shqiptarëve të tjerë që jetonin në katër shtetet kufitare me të. Gjetje artistike, kjo, shumë inteligjente e propogandës bolshevike për të thënë një gjysëm të vërtete me synimin për të fshehur gjysmën tjetër të së vërtetës. E gjithë propaganda e realizmit socialist mbështetej te trajtimi i lirisë së shqiptarit si clirim nga pushtimi i Atdheut nga forca ushtarake të huaja, për të fshehur skllavërimin e shqiptarit nga shqiptari përshkak të sistemit politik në vend.
Nuk do zgjatem për të riprodhuar përshkrimin e situatës së shtatë milion shqiptarëve në pesë shtete, sipas këtij cikli, sepse shumëkujt mund ti kujtohet më mirë se unë. Por do vijmë në ditët e sotme. Sot, pas tridhjetë vitesh situata ka ndryshuar shumë. Cështja e shqiptarëve në Greqi po njihet për ditë e më tepër. Shqiptarët e Malit të Zi dhe Maqedonisë tentojnë të evidentohen si të tillë (shqiptar) në dimension sasior, për tu pranuar si faktor bazik politik në këto vende. Por, edhe në dimensionin cilësor për të marrë në kontroll administrimin e territoreve vendore ku ata janë shumicë. Më të realizuarit janë shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë formuar ‘de jure’ shtetin e tyre dhe po punojnë që këtë synim ta realizojnë edhe ‘de fakto’, duke zvogëluar pushtetin ndërkombëtar dhe zgjeruar pushtetin e tyre në institucionet e vendit. Por, edhe për të mbajtur territore historikisht të tyre, të cilat konjukturat ndërkombëtare kërkojnë t’ja dhurojnë Malit të Zi.
Për të vijuar më tej na duhet që, për së pari, ti kërkojmë ndjesë historianëve dhe njohësve nga fusha të tjera të cështjes kombëtare për këtë vlerësim amatoresk të një urbanisti. Dhe për së dyti, të sintetizojmë atë që kemi thënë në një fjali të vetme: shqiptarët që banojnë në territore shqiptare por në shtete të tjera po punojnë për të mbajtur territore historikisht të tyre, dhe për të shtrirë e zgjeruar legjitimitetin e tyre në to. Përball kësaj të vërtete, fatkeqësisht, qëndron e vërteta tjetër. E vërteta e marrdhënies të shqiptarëve të Shqipërisë me territorin historikisht të banuar prej tyre dhe asnjëherë të diskutuar nga ndërkombëtarët që prej 1913-ës. Shqiptarët e Shqipërisë kanë bërë ekzaktësisht të kundërtën në këto tridhjetë vjet. Ata kanë lëshuar territoret e tyre historike për tu grumbulluar në Durasanë. Qytet- shtetin e së ardhmes së Shqipërisë që po shkon mbrapsht, sikurse në shumcka, edhe në marrdhënien midis qytetarit (kombit) dhe territorialitetit (shtetit)!
Ky është destinacioni final i kësaj rruge që kemi marrë ne shqiptarët e Shqipërisë. Troje kufitare e periferike të braktisuara dhe mbipopullim të territoreve të bashkive Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Sigurisht sot jemi në mes të këtij udhëtimi, dhe në hartën e territoreve të Shqipërisë të banuara nga shqiptarë mund të gjenden edhe qëndra të tjera, por sidoqoftë duke vëzhguar trendin destinacioni i së ardhmes kuptohet lehtësisht. Pas braktisjes së fshatrave për të banuar në qyteza, dhe pas braktisjeve të qytezave për të banuar në qytete, faza e tretë e imigrimit të shqiptarëve është grumbullimi në këto tre qytete të mëdha të vendit. Të cilat duke u tejshtrirë do bashkohen për të formësuar, një ditë në të ardhmen afatmesme, Durasan-in. Përvec trendit kemi edhe studimet. Sipas një të tilli të Kombeve të Bashkura (OKB) ‘Projeksionet globale mbi popullsinë nga viti 1950 deri në vitin 2100’, Shqipëria e vitit 2100 do të popullohet nga 1,7 milion banorë.
Nëse këto dy produkte të parashikimit i bëjmë bashkë, përfundimi do ishte katastrofik. Shqipëria e 28 mijë e 800 kilometrave katror e populluar nga 3. 2 milion shqiptarë, pas një shekulli do katandiset në Durasanin e 2 mijë e 200 kilometra katrorë e të populluar nga 1.7 milion banorë. Projeksion i tmerrshëm, i frikshëm, por me mundësi të madhe që të vërtetohet në të ardhmen. Sepse që sot jemi në gjysëm të rrugës. Që sot jemi 2.8 milion banorë, nga të cilët 1.4 milionë vetëm në këto tre qytete të vendit. Emigracioni, imigracioni dhe ulja e nivelit të rritjes natyrore të popullsisë, tre murtajat që vijnë nga injorimi i shkencës dhe mungesa e shpresës, do të plotësojnë pjesën e mbetur të rrugëtimit në këtë trend. Prandaj, ajo që na mbetet dhe është domosdoshmëri patriotike, është të ulemi dhe ta mendojmë gjatë dhe urtë këtë fatkeqësi që ka prekur vendin. Ta mendojmë dhe ti japim zgjidhje të zgjuar, të qëndrueshme, ndërbrezore dhe gjithëpërfshirëse.
DURASANA PËRFORCON MODELIN TONË SHOQËROR DHE POLITIK! Mapo, 05. 01. 2018
Një nga të pavërtetat që na është servirur këto kohë, është teza se qytetet tona janë të pajetueshme si pasojë e ‘betonizimit’. Kjo zëvendësoi tezën e ‘kjoskëzimit’, sipas së cilës fajin për gjendjen urbane e kishin kjoskat. Rënia e kësaj teze dhe niveli i lartë i partishmërisë bi-partizane në gjykimin shoqëror, solli dhe konsolidoi tezën e ‘betonizimit’ të qyteteve apo ndryshe ‘pallatet e shumta dhe voluminoze që u lejuan të ndërtoheshin’. Mirëpo, ndryshe nga teza e ‘kioskëzimit’, këtë të dytën nuk mund ta testojmë dot në praktikë! Ajo që na mbetet është teoria, dhe teoria na thotë se nëse do të kishim ndjekur rrugën shkencore të lejimit të zhvillimit sipas një seti hirearkik planifikimesh, pallatet nuk do e kishin prodhuar gjithë këtë dëm urban. Në fakt ne lejuam zhvillimin e fragmentarizuar, ku vendimarrësit lejonin ndërtimin e një pallati në oborret e 2-3 pronarëve pa e vrarë mëndjen për cfarë do ndodhte me gjithë bllokun e banimit.
Kështu u ndërtua marrdhënia e përfaqësuesit me të përfaqësuarit përgjatë proceseve të kalimit të legjitimitetit politik, dhe ishte kjo që ndërtoi modelin tonë social e politik. Legjitimitet që kalohej bazuar në vënde pune në administratë, tendera dhe koncesione për ata që dijnë të bëjnë “bisnes” me përfaqësuesit e tyre dhe anekdoda populiste për naivët idealistë që besojnë qorrazi te partia e “tyre” dhe te uniteti i celiktë rreth kryetarit të saj. Rreth këtij modeli politik u zhvillua gjithë organizimi dhe funksionimi i shtetit dhe shoqërisë. Shteti përbëhet nga: administratorë të lartë dhe politikanë që mundohen të fitojnë sa më shumë nga vendet e punës në administratë, tenderat e koncensionet; dhe zyrtarë injorantë që mundohen të mbrojnë rrogën që kanë duke përmbushur cdo kërkesë të ‘shefit’. Kurse, shoqëria segregohet në: oligarkë që tentojnë të gllabërojnë sa më shumë nga pasuria kombëtare; dhe mjeranë e të papunë që synojnë mbijetesën për të nesërmen.
Nga na tjetër vepron e kaluara politike e vendit. Regjimi komunist në Shqipëri kishte tipare dhe karakteristika më të theksuara se vendet e tjera të bllokut socialist si: mungesë totale të mendimit pluralist; ideologjizim dhe mobilizim të gjerë të popullsisë; dhe udhëheqës të gjithëpushtetshëm pa kufij sundues të përcaktuar. Ishin këto karakteristika dhe tipare që ndikuan në formësimin e modelit politik të Shqipërisë post komuniste. Megjithëse synuam një demokraci, ajo që kemi mbërritur është vecse një liderokraci. Dhe liderokracia kërkon lidera të mbifuqishëm partiak të cilët prodhojnë gjithcka politike: idetë, diskursin, veprimin, luftën apo konsensusin me kundështarin. Ky lloj lideri nuk ka nevojë për bashkëpuntorë politik të cilët gjithashtu prodhojnë produkte politike. Ai ka nevojë për mbështetësa dhe dishepuj, të cilët edhe kur tolerohen apo delegohen të dalin në media apo tribuna të tjera publike, përsërisin qëndrimin politik të liderit.
Ndërsa liderat partiak kthehen në udhëheqës të gjithëpushtetshëm dhe dishepujt e tyre marrin në dorë fatet politike, sociale dhe ekonomike të vendit, shoqëria nuk ka shpresë tjetër vecse të konkuroj në këtë model të vetëm shoqëror me strukturë të vetëm partitokracinë. Kështu të gjithë i afrohen qëndrave më të mëdha urbane ku ka dicka për të ndarë nga vendet e punës në shtet, paratë, pronat, tenderat dhe koncensionet publike. Nga ana tjetër, është ky koncentrim popullsie që shton konkurencën e individit për tu kthyer në dishepuj të udhëheqësit. Këtu kemi hyrë në një cikël vetpërsëritës dhe vetstimulues që përforcon modelin tonë shoqëror prej katër “klasash”, dhe modelin tonë politik të oligarkisë sunduese. Produkti i gjithë kësaj është realiteti i sotëm: kryetarë partish që tejshtrijnë pushtetin; oligarkë që shtojnë pasurinë; dishepuj apo zyrtarë që kapërcejnë nga një parti në tjetrën; dhe masa që shkojnë nga varfëria drejt mjerimit të skajshëm.
ANIJA QË LARGON SHQIPTARËT E SOTËM E KA EMRIN
DURASANË! Liberale, 11. 04. 2019
DURASANA PËRFORCON MODELIN TONË SHOQËROR DHE POLITIK! Mapo, 05. 01. 2018
Kjo metodë zhvillimi udhëheq, përvecse në mjerim urban, edhe në dy kosenguenca logjike e praktike: mungesë të hapsirave shoqërore; dhe atomizim të shoqërisë. Mungesa e hapsirave të përbashkëta e limiton aktivitetin njerëzor vetëm në dy marrdhënie hirearkike: atë të punës; dhe atë të familjes, duke penguar krijimin e grupeve shoqërore me interesa të ngjashme. Kurse, atomizimi social copëton deri në individuale interesat shoqërore dhe kërkesat që i drejtohen politikës. Kështu shoqëria konvertohet nga një rrjet grupesh e interesash në një kope individësh e familjesh, secili me interesa individuale dhe familjare ndaj vendimarrjes administrative dhe asaj politike. Në përgjigje të kësaj strukture, klasa politike e orientoi diskursin në dy lojëra gjuhësore: individuale në kafene (premtime për vënde pune, tendera dhe koncensione); dhe populiste nëpër mitingje (premtime larg nevojave reale shoqërore dhe mundësive konkrete të buxheteve publike).
KONCENTRIMI I POPULLSISË NA MBAN NË VARFËRI! Mapo, 15. 01. 2018
Edhe pas 27 vjetësh në tranzicion politik e ekonomik shoqëria shqiptare vijon ti mbështesi synimet për prosperitet ekonomik te investimet e huaja. Në fakt, dy ndërmarjet që kanë shërbyer si një serum për ekonominë kombëtare në qeverisjen e fundit, TAB dhe kaskada e Devollit, janë investime të huaja. Mirëpo edhe këto trashëgohen nga qeverisje të mëparshme, cka e pozon këtë pritshmëri shoqërore në pikëpyetje për të ardhmen. Në 5 vitet e fundit nuk është tërhequr asnjë investim i huaj i qënënsishëm, dhe ky fakt duhet ta shkundi elitën drejtuese të vendit. Ndërkohë, burimet potenciale për investime zvogëlohen dhe investitorët po orientohen në përzgjedhjen për të investuar ato vende që ofrojnë kombinimin më të favorshëm të potencialit, stabilitetit dhe klimës së bisnesit. Të paktën kështu na thonë ekonomistët, ndërsa na shpjegojnë se asgjë nuk do ndryshoj në ekonomi po nuk u rrit niveli i stabilitetit politik dhe përmirësua qasja ndaj bisnesit.
Nga ana tjetër, serumi i vërtetë i mbijetesës të shoqërisë shqiptare në këto vite kanë qenë remitancat. Të larguarit nga vendi për një jetë më të mirë në emigracion, për 27 vjet, janë angazhuar t’ju dërgojnë para’ të afërmve dhe familjarëve të tyre në Shqipëri. Në ndryshim nga investimet e huaja që kanë qenë zero në këto pesë vitet e fundit, remitancat kanë sjellë pothuajse 3 miliard euro për ekonomitë familjare shqiptare. Shumë e konsiderueshme kjo për ekonominë kombëtare, por gjithësesi në rënie evidente krahasimisht me vitet e para të këtij tranzicioni. Emigrantët tashmë janë stabilizuar dhe integruar në vendet ku kanë emigruar, dhe në këtë kuptim kostot e tyre të jetesës janë rritur duke zvogëluar edhe dërgesat për të afërmit. Mirëpo, edhe këto para’ që kanë hyrë në Shqipëri në këto 27 vjet janë përdorur, përgjithësisht, për konsum (ushqime e ilace) dhe për banesa dhe shumë pak kanë ndikuar në zhvillimin afatgjatë të vendit.
Aspekti i tretë që do të doja të prekja është edhe cudia më e madhe që ndodh në ekonominë shqiptare. Ndërsa pritshmëritë i vendosim te investimet e huaja ekonomia shqiptare gjendet në një paradoks me të cilin nuk përballen vendet e tjera në zhvillim të ngjashme me të. Referuar ekonomistëve më të mirë të vendit, nëse në këto vende mungon likuiditeti, Shqipëria vetëm në sistemin bankar ka 3.5 miliard euro të fjetura! Sot raporti midis kredisë dhe depozitave është 47%, në një kohë kur në këto vende tejkalon 100% (Kroacia e ka 152%). Për të mos folur për paratë që largohen cdo vit drejt vendeve që dinë ti investojnë, dhe që nuk janë pak. Vetëm në vitin 2016 janë larguar 700 milion euro (6% të GDPs), ndër to edhe 400 milion dollar remitanca që shqiptarët nuk kanë zgjedhur ti konsumojnë por ti kursejnë, apo 221 milionë euro në formën e pagesave të dividendëve dhe interesash të investitorëve të huaj përgjatë 9 muajve të parë të 2017.
Variabla e fundit na vjen nga dijet shkencore të grumbulluara për ekonominë e vendeve në zhvillim sikurse është Shqipëria. Ekonomistët po na paralajmërojnë se niveli i remitancave do të zvogëlohet ndjeshëm, bile ka filluar të zvogëlohet prej disa vjetësh. Ato nuk do të shterojnë si pasojë e integrimit të emigrantëve, sikurse logjika e thjeshtë na bën të besojmë, por do të përgjysmohen dhe do të ndryshojnë tipologji. Studimet në vendet të tjera tregojnë se remitancat kalojnë në dy cikle. Nëse në ciklin e parë (20-22 vitet e para të tranzicionit) ato shfaqen masive dhe shkojnë kryesisht për konsum dhe banim, në ciklin e dytë (20-35 vitet e dyta) ato përgjysmohen dhe shkojnë për investime. Mirëpo, të njëjtat njohuri teorike na tregojnë se kjo nuk mund të ndodhi rastësisht dhe që ky kapërcim pozitiv të ndodhi duhet që edhe ekonomia e vendit pritës të ketë efektiv modelin ekonomik që do ti konvertojë këto kapitale në investime.
Në të kundërt, ne jo vetëm jemi shfaqur të paaftë të tërheqim investime të huaja apo të investojmë kursimet tona, porse edhe pas 27 vjetësh nuk kemi akoma gati modelin për ciklin investues të remitancave (përfshirë investime të huaja potenciale). Për këtë hipotezë të faktuar, padyshim ndikojnë arsyet që na japin ekonomistët, por shkaktari dominues është modeli i shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar. Ne kemi braktisur burimeve natyrore për të imigruar në pak qytete të zonës qëndrore dhe perëndimore të Shqipërisë, pa kuptuar se ekonomia rritet nëpërmjet prodhimit, dhe kjo ndodh kur bashkohen tre burimet bazike të rritjes: burimet natyrore e territoriale; burimet njerëzore; dhe burimet financiare! Prandaj, përsa kohë do ngujohemi në koncentrimin urban Durasanë, burimet natyrore e territoriale do vegjetojnë dhe ato financiare do shkojnë atje ku dinë ti respektojnë, ndërsa varfëria jonë do marrshoj drejt mjerimit.
BALANCIMI I POPULLSISË NËPËR TERRITORIN KOMBËTAR ËSHTË DOMOSDOSHMERI! Mapo, 31. 01. 2018
Tre tumoret që kanë shtrirë metakstazat në trupin social dhe territorial të Atdheut: imigracioni nga territoret periferike dhe kufitare drejt Durasanës; emigracioni masiv drejt vendeve të zhvilluara perëndimore; dhe ulja e rritjes natyrore të popullsisë po e shkatërrojnë Shqipërinë e sotme. Cdo simptomë që konstatohet në mënyrën tonë të jetesës, dhe që mëndjet e pastërvitura ja faturojnë sistemit kapitalist, ka komponent shkaktues të paktën një nga këto tre tumore. Të treja kërkojnë ndërhyrje radikale dhe të menjëheshme, por ne do fokusohemi te balancimi i shpërdarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar, sepse ky është kurimi ku rezultatet mund të jenë më të shpejta dhe politika ka kompetenca dominuese. Sepse politikat publike jo vetëm mund të stimulojnë një qasje patriotike të shoqërisë për të mos u larguar më nga trojet e të parëve apo për të rikontruktuar modelin e saj politik dhe ekonomik, por edhe për synime të tjera kombëtare.
Në këtë shkrim modest të opinionit do fokusohemi vetëm te disa prej tyre, duke e nisur me problematikën akute të dëmeve nga përmbytjet. Tashmë ato janë të konsiderueshme dhe dimensioni periodik i tyre na shtron përgjegjesinë shoqërore për ti dhënë një zgjidhje reformatore dhe të guximshme. Kjo na hap dyert për ta trajtuar cështjen e dëmshpërblimeve për përmbytjet si një komponent të agregatit të cështjeve territoriale. Nga njëra anë përmbytjet shkaktojnë dëme në banesa dhe mjete prodhimi (dëmshpërblimi apo zëvendësimi i të cilave ka kosto, pavarësisht kush i përballon), dhe nga ana tjetër koncentrimi i popullsisë ka krijuar banesa apo mjete prodhimi të papërdoruara, që gjenden në treg me cmim të ulët. Vlerësuar rast pas rasti, atje ku është e mundshme dhe zgjidhje më e mirë, ne nuk duhet të dëmshpërblejmë por të zhvendosim banorët e dëmtuar në zonat e përshtatura për zhvillim por të braktisura për shkak të imigracionit.
Një problem i madh global, me të cilin shoqëria shqiptare gjithashtu duhet të përballet, janë impaktet nga ndryshimet klimatike. Studime serioze europiane (programi ESPON) thonë se rajonet më të prekura nga këto impakte gjenden në Europën Lindore dhe vendet e Mesdheut, veçanërisht në ato vende ku ekonomia është në varësi të thellë nga industria e turizmit veror. Ekzaktësisht, sikurse ne po tentojmë (ëndërojmë) ta drejtojmë ekonominë tonë, dhe pa marrë asnjë masë balancuese. Të njëjtat studime theksojnë se rajonet veriore dhe malore jo vetëm nuk po impaktohen negativisht, por po përfitojnë nga këto ndryshime klimatike. Ndërkohë, trendi i imigracionit shqiptar është në kah të kundërt, nga zonat malore e veriore drejt zonave bregdetare dhe të ultësirës perëndimore. Për këto arsye, duhet të orientojmë politika publike që synojnë, së pari, frenimin e këtij fenomeni imigrues, dhe më tej, ripopullimin e zonave veriore e malore.
Nëse bëjmë një analizë mbi vëzhgime të situatës urbane në vend do të identifikojmë me lehtësi se qytetet shqiptare, në këto 27 vjet, janë zhvilluar të diferencuara në dy tipologji diametrikisht të kundërta: në qytete me shtrirje të gjerë (të tejshtrira), të mbipopulluara dhe me densitete të larta banimi (banor për njësi të sipërfaqes); dhe në qëndra të vogla banimi, të nënpopulluara dhe me densitete të ulta banimi. Dhe kjo është një mënyrë shumë e keqe zhvillimi, jo vetëm se impaktet nga ndryshimet klimatike janë të larta, por cka është më e rëndësishme edhe se kostot për administrim dhe menazhim publik janë të papërballueshme. Qyteteve të mëdha ju mungojnë hapsirat e hapura apo korridoret rrugore për të zhvilluar infrastrukturën inxhinierike apo sociale, edhe në rastin kur paratë publike nuk mungojnë. Kurse qëndrave të vogla urbane ju mungojnë paratë (sepse mungojnë taksapaguesit) për këto investime, megjithëse nuk ju mungojnë territoret.
Shoqëria shqiptare duhet të kuptoj sa më shpejt se ky shteg që kemi marrë na drejton e mban asgjëkundi tjetër vecse në një Atdhe territorialisht të përdhosur, të braktisur dhe të disbalancuar në popullim; në një sistem politik të centralizuar dhe të dominuar vetëm nga tre-katër njerëz; në një model ekonomik oligarkik të mbështetur vetëm në konsum; në një model urban të mbështetur vetëm në dy tipologji qëndrash të banuara të cilat prodhojnë varfëri urbane, keqjetuarje dhe shëndet public të rrezikuar. Është dhe mbetet detyrë patriotike e elitës politike të marri një qëndrim të qartë politik për një rishpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar. Është dhe mbetet detyrë deontologjike e elitës teknike dhe intelektuale që këtë qëndrim politik ta përkthejnë në teza teknike. Dhe është e mbetet obligim i administratës publike që këto teza teknike që zbërthejnë këtë qëndrim politik, ti përkthejnë masa, programe dhe projekte konkrete.
PSE DHE SI TË MBAJMË KËTË RAPORT DEMOGRAFIK FSHAT – QYTET! Mapo, 19. 02. 2018
Një komb i varfër, sikurse edhe një familje e varfër, jeton keq, jeton varfërisht. Kjo bën kuptim dhe ka shpjegim logjik për një periudhe kohore të caktuar ku për shkaqe rastësore ky komb ka zgjedhur rrugën e gabuar në udhëtimin e tij. Këmbëngulja 45 vjecare e shqiptarëve në sistemin politik monist dhe të ekonomisë së centralizuar është një shembull i shkëlqyer për ta shpjeguar këtë pohim. Ai bën kuptim, edhe kur ky komb është në rrugën e duhur por bën zgjedhjet e gabuara. Referuar këtij tranzicionit tonë të tejgjatë, mund të kisha marrë shembuj pafund për ta argumentuar këtë pohim të dytë. Mirëpo, nuk ka as kuptim dhe as shpjegim, kur një komb mbetet me vetëdije në rrugën e gabuar, apo përzgjedh për të disatën herë modelin dëmtues. Një nga gabimet fatale të tranzicionit shqiptar është modeli i zhvillimit urbano-territorial që kemi ndërtuar, konsoliduar dhe me këmbëngulje fataliste duam ta konservojmë edhe për të ardhmen.
Temën e modelit të gabuar të shpërndarjes së koncentruar të popullsisë në zonën qëndrore dhe bregdetare të Atdheut e kemi trajtuar disa herë edhe më parë, por sot do fokusohemi te një nga elementët formues të këtij modeli dëmtues. Sot, do flasim për raportin demografik midis dy tipologjive klasike të qëndrave të banimit dhe jetesës: fshatit dhe qytetit. Do ta bëjmë këtë, jo vetëm se ky raport është komponent kritik për formësimin e këtij modeli, por edhe se është pika potenciale e kthesës për ndërtimin e një modeli të ri territorial. Qëndrimi mbarëkombëtar politik për një rishpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar është parakushti që do ta drejtonte shoqërinë bashkëkohore shqiptare drejt një modeli të ri urban, social, territorial, politik e ekonomik dhe do të hapte rrugën e daljes nga ky tranzicion ciklik e vetpërsëritës që na mban në varfëri e të sunduar nga një grusht njerëzish dhe interesave të tyre të privilegjuara.
Lëvizjet demografike nga fshati në qytet, pas 27 vjetësh, kanë prodhuar një realitet të përmbysur të raportit demografik fshat-qytet. Nga 69-31% në favor të fshatit që ishte në 1991, ky raport u konstatua 49-51% në censusin e 2011-ës. Edhe ky jo i saktë, sepse shumë familje të migruara në qytet mbeten, për neglizhencë apo lehtësi të tjera, të regjistruara në fshat. Pas 27 vjetësh tranzicion raporti i popullsisë fshat-qytet mbetet i vetmi element zhvillimi që mund të krahasohet me atë të vendeve të zhvilluara perëndimore. Mirëpo, as kjo nuk është një gjë e mirë. Fakti që bota e qytetëruar ka një nivel të lartë urbanizimi nuk do të thotë se kjo është një gjë e mirë në vetvete. Jo cdo gjë në perëndim është një sukses, krizat e përsëritura tregojnë që edhe ai dështon. Megjithatë ky nuk hyn te gabimet e tij, sepse perëndimi përjetoi një revolucion në bujqësi që pararendi një revolucion industrial, që e kërkoi si domosdoshmëri rritjen mekanike të qytetit.
Ishin, mekanizimi i bujqësisë që c’mobilizoi krah pune në fshat dhe risitë teknologjike në industri që i tërhoqi këto krah pune në qytet, arsyet që qytetet perëndimore u përballën me një imigracion të krahasueshëm. Ndërkohë që rritja fizike e qyteteve vinte në përgjigje të nevojave të të punësuarve rishtas në industri për ndërtesa banimi apo të aktiviteteve të tjera njerëzore. Në këtë kuptim, për perëndimin imigracioni nuk ishte një zgjedhje, por një produkt i evoluimit të shoqërisë si pasojë e zhvillimit. Gjë që nuk mund ta themi për Shqipërinë e të papunëve. Në Atdheun tonë, toka bujqësore e ndarë sipas parimit ‘i takon atij që e punon’ është tradhëtuar, nga ai që duhet ta punonte, për të shkuar në qytet në kërkim të një punë në shtet! Edhe ato prodhime që toka e punuar jep, nuk arrijnë dot me volum të plotë në treg. Por edhe ato që e arrijnë, mbeten në treg në një fashë kohore minimale, ndërkohë që ai ka një kërkesë lineare gjatë gjithë vitit.
Deri këtu kemi folur vetëm për punët parësore të ekonomive fshatare që ne i kemi injoruar prej vitesh. Po nëse flasim për ekonomi me produkte që arrijnë tregun gjatë gjithë vitit; apo që këto produkte parësore i kanë lëndë të parë; apo për të tjera që nëpërmjet tyre mund të sigurojnë klientelë për veten dhe kërkesë të shtuar e të sigurt ndaj prodhuesve të këtyre produkteve, bëhen shumë hapsira prodhimi e punësimi të lëna në zbrazëtirë! Sidoqoftë, le t’ja lëmë ekonomistëve të folurin për këto tema ekonomike. Ne, në këtë opinion modest, na mjaftojnë këto pak rreshta për të kuptuar se shoqëria shqiptare duhet ti dorëzohet evoluimit të natyrshëm drejt zhvillimit, dhe jo kapërcimeve mekanike. Mirëqënien dhe prosperitetin duhet ta kërkojmë tek ajo që ne jemi dhe te ajo që ne kemi. Shpërndarja e popullsisë në balancë me burimet natyrore mund të na i siguroj këto, ndërsa gjetja e instrumentave për të ruajtur këtë nivel urbanizimi është hapi i parë drejt tyre.
RISHPËRNDARJE TË POPULLSISË NË TERRITOR NGA QASJA VENDORE! Mapo, 09. 03. 2018
Jo shumë kohë më parë u gjenda në një debat televiziv mbi Kullat e Tiranës me numrin dy të Bashkisë, z. Mazniku. Dy ishin bindjet që mu ngulitën: përball tij ishte e pamundur të shtjelloje ndonjë tezë apo argument; dhe se administrata e bashkisë nuk kishte njohuritë bazike mbi cfarë është, dhe për cfarë shërben planifikimi territorial. E ngatëronin me legalizimin e trendit rastësor të lëvizjes demografike. Edhe lejimin e ndërtimit të Kullave e justifikonin si përgjigje ndaj ardhjes së banorëve të rinj (rritjes mekanike të popullsisë). Totalisht në të kundërt, detyra e parë e kësaj shkence të aplikuar është të përcaktojë kapacitin (popullsinë) mbajtës të territorit vendor në studim, dhe të gjejë mënyrat (politikat publike) që ky kapacitet të respektohet. Mbajtja e një balance në shpërndarjen e popullsisë nëpër territorin kombëtar, në fakt, është një detyrë primare e qeverisë qëndrore, porse edhe qeverisja vendore mund të bëj shumë për këtë synim kombëtar.
Gjë për të cilën modestisht do të flasim në këtë shkrim të opinionit, nisur nga qëndrimi i domosdoshëm politik që, asnjë njësi vendore qeverisëse të mos i lejoj vetes të vendimarri për zhvillim (të japi leje ndërtimi) pa miratuar më parë një set hirearkik instrumentash planifikimi. Si për shumëcka në cështjet urbane, edhe për këtë synim është bazik pasja e këtij seti dokumentesh politike dhe teknike që mundësojnë njohjen e gjëndjes ekzistuese urbane, synimin se si duam ta bëjmë qytetin dhe rrugët që duhet të ndjekim për të shkuar atje ku duam të mbërrijmë. Në të kundërt, edhe në civilizimet shumë më të avancuara, qyteti kthehet në arenë kaosi ku gjithmon fitojnë gladiatorët më të përgatitur. Interesat speciale të individëve të fuqishëm dhe vendimarrja qeverisëse e korruptuar për ti preferuar ato, përvec dëmeve të tjera urbane, shërbëjnë për ti evoluar qytetet shqiptare në dy tipologji diametrikisht të kundërta, hiperqytete dhe miniqytete!
Armatosja e qeverisjes vendore me politika, plane dhe rregullore të zhvillimit territorial shërben jo vetëm për të triumfuar mbi këtë dukuri shumë të dëmshme kombëtare, por edhe për të fituar betejën ekonomike. Sepse planifikimi i zhvillimit territorial shërben edhe për të orientuar (tërhequr) paratë private drejt ekonomive të duhura dhe që punësojnë. Të shoqëruar me politika të taksimit vendor të ndërmarra nga administrat lokale sipas specifikës së njësisë vendore, planifikimi orientues shërben për ta bërë qytetin e vogël më të lakmueshëm. Është e kuptueshme se investimi në një qytet të vogël: ku burimet natyrore janë të pazhvilluara; planet territoriale të orientojnë drejt mundësive; dhe sistemi i taksimit të favorizon, është shumë më i preferuar për investitorët, por edhe hap vende të reja pune. Janë vendet e reja të punës, më tej, që tërheqin banorë të rinj, dhe janë banorët e rinj dhe kontributi i tyre që e fusin qytetin në një cikël ribërjeje.
Nga ana tjetër, planifikimi territorial i mbështetur mbi kapacitete tavane mbajtëse urbane dhe i shoqëruar nga politika të rrepta taksimi vendor e bëjnë qytetin e madh më të papëlqyer nga qytetarët për të jetuar. Nëse i shtojmë këtu shumë dukuri dhe vecori negative urbane dhe sociale që karakterizojnë qytetet e mëdha, si; mbitrafiku dhe ndotja që e shoqëron atë; kostot dhe cmimet e larta të banesave, arsimit, shëndetsisë dhe mallrave e shërbimeve; vështirësi arritje dhe konkurencë e lartë në punësim, qytetet e mëdha kthehen shpejt në të keqjetueshme për banorët ekzistues dhe synime fatale për banorët aspirant. Si rrjedhim, liria dhe racionaliteti njerëzor i pandikuar nga spekullimi i elitës (politike dhe ekonomike) prodhon individë dhe familje të përgjegjshme, të cilat largohen nga qytetet e mëdha në kërkim të jetës më të mirë në qytetet e vogla, atje ku cilësia e jetës urbane është më e shëndetshme dhe punësimi arrihet më lehtë.
Administratat lokale mund të kontribuojnë shumë në rishpërndarjen e popullsisë edhe në aspektet e menaxhimit urban. Procedura lokale të diferencuara midis njësive vendore, për aktivitetin e pajisjes me një leje ndërtimi mund të shërbejnë për inkurajimin apo disinkurajimin e investimeve në ndërtimin e banesave të reja. Më tej, vet dëmet urbane që kanë pësuar qytetet nga koncentrimi i popullsisë nëpër qëndrat e mëdha urbane mund të përdoren për të kundërtën. Shumë banesa në qytetet e vogla sot gjenden të braktisura nga pronarët që kanë imigruar dhe me incentivat e duhura mund të rifuten në treg me cmime shumë të ulta, duke u kthyer në tërheqëse për banorë të rinj në qytetet e vogla. Shumë potenciale lokale ekzistojnë, por si fillim na duhen administrata lokale që kuptojnë cfarë armësh të fuqishme kanë në dorë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të vet! Sepse që të bien këmbanat për së pari duhet që qyteteti të ketë këmbana, nëse jo, nuk bien!
DISA SHTYLLA KOMBËTARE PËR NJË RISHPËRNDARJE TË BALANCUAR DEMOGRAFIKE. Mapo, 09. 04. 2018
Përvec ndërtimit të ndonjë dogane të re brenda territorit Shtetëror, qeveria jonë qëndrore ka pesë vjet që nuk kryen asnjë funksion të nivelit kombëtar të qeverisjes territoriale. Kryeministri është vet-konvertuar në një Kryebashkiak të Republikës dhe udhëheq vendin nëpërmjet disa drejtorëve qëndror (ministra) dhe disa të tjerëve lokalë (kryebashkiakë). Ndërkohë vendi i është nështruar braktisjes totale nga shtetasit që shkojnë në perëndim; territoret periferike po shpopullohen me shpejtësi nga qytetarët që vijnë të jetojnë në Durasanë; dhe shoqëria shqiptare po pëson plakjen më të shpejtë, edhe se në kohëra luftrash të përgjakshme, si pasojë e nivelit të ulët të lindjeve.
Kjo është Shqipëria e sotme, që edhe pas 25 vjetësh nuk po arrin dot të krijojë modele politike, ekonomike, sociale e kulturore që ta drejtojnë drejt një mirëqënie minimale për shtetasit e saj. Modele pa të cilat nuk mund të ëndërojmë asgjë ndryshe nga ajo që kemi, por edhe të pamundura të zhvillohen nëse nuk e nisim me një model të ri të zhvillimit territorial të Atdheut. Mirëpo, pakkush nga elita intelektuale e vendit dhe askush nga mbajtësit e pushtetit politik në vend, po e kupton këtë gjë. Qeveria jonë qëndrore spostohet nga qëndrat e qyteteve në ato të fshatrave, pa e kuptuar sesa shumë ka në dorë për ta ndryshuar këtë realitet që po vret të sotmen dhe të ardhmen.
Në këtë shkrim modest të opinionit do flasim për cfarë mund të bënte një qeveri e përgjegjshme kombëtare për të penguar shtrirjen e këtyre tre metastazave që po mbysin kombin e po shkretojnë atdheun. Një qeveri e tillë duhet ta niste me një qëndrim të qartë e të fortë politik për një rishpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar. Plane, programe, projekte dhe normativa të përgjithshme, ndërsektoriale dhe sektoriale kombëtare duhet ta materializonin këtë qëndrim politik gjithëpërfshirës. Instrumentat kombëtarë territorial duhet të detajoheshin deri në përcaktimin e një fashe numerike të popullsisë së detyruar për cdo njësi të qeverisjes vendore.
Pas kësaj kornize të qartë të politikave kombëtare, detyruese dhe/ose orientuese për njësitë e qeverisjes vendore, një qeverisje e përgjegjshme kombëtare duhet të ndërmerrte procese të forta decentralizimi të funksioneve qeverisëse. Në mënyrë të vecantë decentralizim fiskal, i cili ti mundësonte administrative lokale të ndërmerrnin procese gjithëpërfshirëse të ringritjes politike, ekonomike, sociale e kulturore të qytetit. Do ishte kjo qasje decentralizuese që do krijonte parakushtin që njësitë e qeverisjes vendore, mbështetur në specifikat gjeografike dhe kulturore të tyre, të hynin në konkurencë me njëra-tjetrës për të tërhequr sa më shumë bisnese dhe qytetarë.
Një qeverisje qëndrore e përgjegjshme ndaj përgjegjësive qeverisëse që ka marrë përsipër duhet ti jepte një theks të vecantë rrjetit të transportit kombëtar. Mungesa e një rrjeti rrugor që lejonte transit të shpejtë e të sigurtë ishte një nga arsyet bazike pse banorët e zonave të thella dhe periferike të Atdheut imigruan në zonat qëndrore dhe perëndimore të tij, në fillim të viteve ’90-të. Të izoluar në vendbanimet e tyre si pasojë e mungesës së akseve kombëtare, banorët e zonave të thella ishin shumë të justifikuar ti braktisnin vendbanimet e të parëve. Mirëpo, pas pothuaj 30-të vjetësh është plotësisht e pakuptueshme që këta qytetarë përplasen me të njëjtat barriera.
Një arsye po kaq themelore që stimuloi imigracionin në fillim vitet ’90-të, si produkt i prishjes së balancave të vendosura nga regjimi i mëparshëm që kishte rënë, ishte edhe mungesa e ofrimit të dy shërbimeve themelore publike, sic janë shëndetësia dhe arsimi. Të cliruar nga shtrëngimi shumë mjek dhe arsimtar të “hedhur” në zonat e thella u larguan drejt vendlindjeve të tyre. Pas tre dekadash, një qeveri e përgjegjshme qëndrore në koherencë me mekanizmat e tregut të lirë duhet të gjej mënyrat ta rimbushi këtë zbrazëtirë. Jo vetëm eksperiencat e vendeve perëndimore, por edhe praktikat shqiptare të kohës së mbretërisë mund të na orientojnë drejt një ekuilibri të ri.
Një qeveri e përgjegjshme mund të bëjë shumë për balancimin e popullsisë nëpër territorin kombëtar edhe nëpërmjet orientimit të investimeve private. Kapitalet e lira kanë vetëm tre nevoja themelore për tu investuar: lëndë të para; tregje dhe burimet njerëzore. Në një vend si Shqipëria ku ekonomia prodhuese është akoma në faza foshnjore, lëndët e para dhe tregjet për prodhimet vendase nuk mungojnë. Ndërsa, burimet njerëzore janë nyja lidhëse midis investimit dhe mungesës së vendeve të punës që detyron braktisje vendbanimesh. Asgjë nuk mungon, përvecse një qeverisje qëndrore e përgjegjshme që i përkushtohet atyre detyrave për të cilat është votuar.
ËSHTË DURASANA AJO QË PRODHON KËTË MODEL
UNIVERSITAR! Mapo, 10. 01. 2019
Protesta e studentëve të universiteteve publike është
legjitime sepse cdo grup interesi ka të drejtë të protestojë për gjëra që nuk i
vlerëson si të drejta. Ajo është edhe racionale, sepse kërkesat e saj
origjinalizojnë nga një gjendje jo normale e universiteteve publike. Është
ekzaktësisht sic thonë studentët, tarifat janë të larta për mundësitë e tyre
dhe të krahasueshme me ato europiane. Mirëpo, nga ana tjetër, edhe të ardhurat
e familjeve shqiptare nuk arrijnë të përballojnë me lehtësi kostot e jetesës, dhe
nuk janë të krahasueshme me ato në vendet perëndimore. Asnjë prej aspekteve
jetësore të qytetarit shqiptar nuk është e krahasueshme me ato të qytetarit
europian.
Prandaj, të paktën në kërkesat e prezantuara deri
tani, protesta e studentëve nuk është e drejtë. Do të ishte e drejtë, nëse
familja shqiptare do të jetonte si cdo familje europiane. Do ishte e tillë,
gjithashtu, nëse kërkesat e tyre do të ishin pjesë përbërëse të një seti të gjerë
kërkesash qytetare drejtuar sistemit politik shqiptar. Mirëpo, fakti dëshmon të
kundërtën! As jetesa studentore nuk është më e vështirë se jetesa e familjeve
shqiptare, dhe as kërkesat e tyre nuk janë zgjeruar me qëndrime politike që adresojnë
problematikat e gjera shoqërore. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, rruga që kanë
zgjedhur studentët për të zgjidhur hallet e tyre është edhe e pamoralshme.
Ata kërkojnë që investimin e tyre personal, për tu
specializuar në kurse universitare dhe pasuniversitare, me synim rritjen e
konkurueshmërisë individuale në tregun e lirë, ta realizojnë nëpërmjet varfërimit
të mëtejshëm të familjeve të tjera shqiptare! Mirëpo, ky interpretim, sikurse edhe
adresimi që sipas meje vjen vetëm nëpërmjet largimit të duarve të qeverisë nga
ky sektor, mbetet një qasje në minorancë për kuptimin dominues shoqëror. Ai që
na bashkon është fakti i gjithëpranuar se cilësia akademike e universiteteve
shqiptare lë shumë për të dëshiruar. Për këtë cështje, cdo fushë e veprimtarisë
intelektuale duhet të japi propozimet e veta për përmirësim.
Modestisht, këtë, do të tentojmë të bëjmë në këtë
shkrim të opinionit, vëzhguar nga fusha e zhvillimeve territoriale. Por që ta
bëjmë këtë, për së pari, duhet të dakortësojmë se masivizimi që dëmton cilësinë
nuk vjen si një aspiratë idealiste e rinisë shqiptare për të grumbulluar dije,
por si një nevojë pragmatike për të zotëruar diploma e tituj shkencorë. Kështu
ka qënë që në regjimin socialist, kur një i ri me diplomë universitare automatikisht
fillonte një punë me pagesë rreth 800 lekë në muaj, martohej me një person
gjithashtu të diplomuar; dhe sëbashku nisnin jetën si një familje me të ardhura
katër herë më të larta se një familje që nuk kishin diploma universitare.
Ky ishte konteksi formues për qasjen e shoqërisë
shqiptare ndaj arsimit të lartë në sistemin e ri. Megjithëse shumëcka duhet të
ndryshonte në të gjitha aspektet jetësore, qasja e shqiptarëve ndaj arsimit të
lartë shfaqet i njëjtë. Teorikisht, në sistemin e demokracisë liberale dhe
ekonomisë së tregut të lirë, që ne pretendojmë që po ndërtojmë, diploma nuk
duhet të ishte një determinues suksesi. Një sipërmarrës mund të ishte edhe pa
diplomë, dhe të njëjtën kohë të bënte më shumë sukses se një mjek, jurist apo
inxhinier. Kështu që, diploma si një dëshmi aftësie të supozuar, të c’vlerësohej;
kurse njohurive reale e të vlefshme në tregun e lirë, tju lartësohej dobishmëria.
Mirëpo, koha na fakton se kjo nuk ka ndodhur, ndërsa
është detyra jonë të gjejmë arsyet! Dhe arsyeja, vëzhguar nga fusha e
zhvillimeve territoriale, është Durasana. Është modeli i koncentrimit të
popullsisë në zonën qëndrore të Atdheut dhe braktisja e shpopullimi i
territoreve kufitare e periferike të tij. Sepse është ky model territorial që
kemi toleruar, dhe që na detyron: një model ekonomik, ku qytetari i suksesshëm
është ai që konsumon më shumë, jo ai që rrezikon, punëson dhe prodhon më shumë;
dhe një model social e politik, ku qytetari i suksesshëm është i punësuari në
shtet apo i favorizuari nga tenderat e PPP-të e partisë në pushtet.
Një qytetari të tillë, nuk i shërbejnë dijet për të
konkuruar drejt suksesit, atij i mjafton diploma universitare për të gjetur
punë te punëdhënësi më i madh i vendit: Shteti i gjithëpushtetshëm dhe i kudo
shtrirë. Prandaj, e vetjma rrugë është dhe do mbetet për shumë kohë,
rishpërndarja e balancuar e popullsisë nëpër territorin kombëtar. Vetëm një
model i tillë territorial mund të na sigurojë: një model ekonomik të orientuar
nga sipërmarrja, punësimi dhe prodhimi, që kërkon vlerësimin e guximit,
përgjegjshmërisë dhe kreativitetit që lind prej dijes; dhe një model social dhe
politik që c’vlerëson mbajtësit e kartonave të diplomave dhe titujve të pa
mbështetur në dije.
Përditë e më shumë, në media, po flitet për fenomenin
shqiptar bashkëkohor të largimit masiv të shqiptarëve nga Shqipëria. Gjë e mirë
kjo, sepse pranimi se je prekur prej një sëmundje, është hapi i parë dhe i
domosdoshëm që të shërohesh; por edhe gjë e keqe, sepse të kujtohesh për
shëndetin vetëm pasi e ke humbur, është një sjellje sa e vjetëruar aq edhe kushtueshme.
Për shëndetin duhet të kujdesemi në vazhdimësi. Investimin në shëndet duhet ta
bëjmë me moton ‘ta ruajmë atë, dhe jo ta rifitojmë’! Për këtë synim bota e
qytetëruar ka zhvilluar teori dhe praktika, një pjesë e të cilave kanë mbërritur
edhe në këtë ishullin e prapambetur në të cilin ne jetojmë; djeta të ushqimit
të shëndetshëm, aktivitete fizike dhe alternime të tyre, po e konservojnë
shëndetin e individit modern duke minimizuar prekjen e tij prej sëmundjeve. E
njëjta logjikë vlen edhe për shëndetin e territorit, për higjenën e mjedisit jetësor
e urban dhe konservimin e natyrës.
Në fakt kjo logjikë vlen për cdo aktivitet njerëzor,
por në shkrimin e sotëm vjen në shpjegim të fenomenit të braktisjes së atdheut
nga kombi. Elita politike, gjithashtu, e ka pranuar këtë sëmundje, por si
gjithmonë po e trajton sipas interesit të ditës; ose si një normalitet ose si
një produkt të keqqeverisjes momentale. Cka është një gabim po kaq madh. Sepse,
pas 25 vjetësh në procese liberalizuese në Shqipëri, normalitet duhet të ishte
fenomeni i kundërt; qytetarë të huaj duhet të vinin në Shqipëri për tu
përfshirë në zhvillimin e shpejtë të një vendi të sapo shkëputur nga kthetrat e
socializmit. Po kaq e pavërtetë është edhe teza se braktisja e Shqipërisë është
një fenomen i kushtëzuar vetëm nga qeverisja aktuale, sepse humbja e shpresës së
shoqërisë nga një qeveri sjell rebelimin ndaj asaj qeverie, dhe jo braktisjen e
atdheut. Kombi e braktis atdheun vetëm kur humb shpresën afatgjatë te cdo
komponet ekonomik, social e politik i atdheut!
Dështuam të ‘ruajmë’ kombin brenda atdheut, sepse
dështuam të ndërtonim modelet e duhura patriotike, ekonomike dhe
social-politike në një Shqipëri që lejon dhe stimulon begatinë e kombasve brenda
shtrirjes së vet territoriale! Këtë dështim duhet ta kthejmë në një arsye më
shumë për të mos dështuar edhe me ‘rikthimin’ e kombit brenda atdheut përpara
se atdheu të vdes nga mungesa e kombit. Dhe ky sukses i dëshiruar nis vetëm nga
diagnostikimi i saktë i shkaktarit të sëmundjes. Prandaj, ne duhet të kuptojmë
e pranojmë se shkaktari i braktisjes së Shqipërisë nga shqiptarët është
Durasana! Është modeli territorial i braktisjes së territoreve periferike dhe
kufitare, dhe i koncetrimit të kombit në rripin bregdetar dhe qendrën e
atdheut. Sepse, ishte dështimi i gjetjes së mundësive më të mira për jetëse në
Durasanë, pas braktisjes së mundësive në territoret e origjinës së tyre, që i
detyron shqiptarët të braktisin edhe atdheun!
Shqiptarët nuk largohen nga Shqipëria përshkak të
ndonjë patologjie kulturore kombëtare ‘për të braktisur atdheun’. Arsyet janë
shumë të thjeshta por bazike, ata largohen për përshkak të gjendjes ekonomike
të sotme dhe asaj në perspektivë. Të dyja të lidhura ngushtësisht me modelin
ekonomik dhe modelin social-politik të vendit. Është modeli ekonomik i konsumit
që i konverton shqiptarët në qënie konsumatore por pa i dhënë asnjë mundësi të
fitojnë të ardhura për shpenzime. Kurse modeli social-politik i partito-kracisë
së kryetaro-partive i përjashton edhe nga mundësia për të kontribuuar në
ndryshimin për të ardhmen e këtij modeli ekonomik përjashtues. Të përjashtuar
nga modeli ekonomik i sotëm dhe i atij në perspektive, shqiptarëve ju ngelet të
largohen nga vendi me shpresën se ekonomitë prodhuese të vendeve ku shkojnë do
ti përfshijnë brenda vetes, jo vetëm si konsumatorë të prodhimit por edhe si
përfitues të vlerave të shtuara.
Terapia për këtë tumor vdekje prurës për atdheun, që
lëngon në mungesë të kombit, nuk mund të jetë as injorimi i një ‘normaliteti’
sikurse na propozon qeveria; dhe as vetëm zëvendësimi i kësaj qeverie me një
tjetër sikurse na premton opozita! Ky tumor nuk shërohet as me barnat më të
shtrenjta e më të forta në botë, sepse nuk është thjeshtë një sëmundje që duhet
shëruar; por një keqfunksionim në shkallë të gjerë i cdo qelize të trupit të
atdheut. Terapia e vetme për të është rishpërndarja e balancuar e popullsisë
nëpër territorin kombëtar, është bërja bashkë e burimeve natyrore, burimeve
financiare dhe burimeve njerëzore! Vetëm një model i tillë i zhvillimit
territorial mund të na drejtojë në; zhvillimin e një modeli ekonomik prodhues
dhe një modeli politik demokratik, që e përfshijnë qytetarin brenda vetes si një
aksioner, pa e trajtuar atë si një konsumator të kapur peng nga “fati”, dhe për
të ndarë me të të gjitha kostot dhe përfitimet!
EKONOMINË BUJQËSORE E VRAU RILINDJA DHE DURASANA!
Liberale, 18. 11. 2019
Panairi i librave, një nga eventet më të
rëndësishme kulturore në vend, u sfumua sivjet nga një tjetër panair.
Propaganda shtetërore përdori paratë e shqiptarëve për tju mbushur mendjen
shqiptarëve se edhe në Shqipëri ‘toka punohet’! Ajo organizoi panairin e
prodhimeve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, agropërpunimit dhe agroturizmit;
në të njëjtët ditë kur edhe shtëpitë botuese, sikurse cdo vit, organizojnë
panairin e librit. Në fakt, qeveria nuk ka ndonjë inat me librin, ose së paku, unë
nuk kam asnjë provë objective që ta mbështesi këtë “tezë”. Problemi i kësaj
qeverie ka qënë, mbetet dhe përforcohet në kohë, te qasja e saj populiste, demagogjike,
fasadiste dhe centraliste se ‘është duke bërë shtet’ që e përkthyer nga kuptimi
i saj mund të formulohet ‘asgjë individuale nuk ka vlerë jashtë organizimit
shtetëror’. Nga ky frymëzim duket se origjinalizon edhe kjo përplasje e
rastësishme midis një eventi të organizuar nga nisma e sipërmarrjes private dhe
një eventi të organizuar nga shteti që kontrollon gjithcka.
Dhe këtu vijmë edhe te thelbi i këtij
shkrimi të shkurtër opinion; pse i duhet një panair i tillë Tiranës Urbane dhe
pse duhet të jetë i organizuar nga makineria e shtetit! Këtë të dytën, le të
themi se e argumentuam me karakteristikat e Shtetit të Madh të kësaj qeverisje,
kurse për të parën do na duhet të thellohemi pak më shumë. Sepse, edhe më skeptikët ndër ne e kuptojnë se
në trojet shqiptare toka nuk ka filluar të punohet dy vitet e fundit të
qeverisjes rilindase, bile as vetëm në shtatë vitet që Shqipëria qeveriset nga
rilindja. Nëse i referohemi teoricienëve të urbanistikës që mbështesin tezën e ‘dominancës
së bujqësisë’ për mënyrën sesi njerëzit e parë krijuan vendbanimet e para të
përhershme, toka është punuar mijëra vjet më parë, përfshirë edhe trojet e
banuara nga shqiptarët. Mirëpo, megjithëse shqiptarët e punojnë tokën prej kaq
shekujsh, duket se vitet e fundit prodhimet bujqësore nuk po mbërijnë dot në
tavolinat e tyre.
Për ti rënë shkurt, dickaje për të cilën
mund të flitet me ditë, fajin që në tavolinat shqiptare nuk po mbërijnë
prodhimet shqiptare e ka fajin edhe modeli territorial, që vecanërisht kjo
qeveri po e stimulon, Durasana. Ne për këtë model, dhe vecanërisht për dëmet e
tij në shumë aspektet të jetës kemi folur dhe do të vijojmë të flasim sepse
është ky model që po dëmton edhe gjithë modelet e saj patriotike, ekonomike, sociale dhe
politike. Ky model ka të bëjë me koncentrimin e popullsisë në Tiranë, Durrës
dhe qytetet e ultësirës Perëndimore, duke shpopulluar territore të tjera
periferike apo kufitare të Atdheut; dhe pa rregulluar këtë model, është e kotë
të synojmë balanca të reja patriotike, ekonomike dhe politike. Ky model i
mbrapshtë i shpërndarjes së popullsisë nëpër territor vepron në dy mënyra për të
distancuar prodhimin nga konsumi: së pari, duke krijuar distancë midis
territoreve ku prodhohet nga territoret ku konsumohet; dhe së dyti, duke stimuluar
përdorimin e tokës për zhvillime ndërtimore në territoret ku konsumohet.
Grumbullimi i popullsisë në Durasanë, që
tashmë e ka kaluar 60% të popullsisë kombëtare, nga njëra anë dhe lokalizimi i
territoreve ku zhvillohet bujqësia, blegtoria në territoret e tjera të vendit,
bën që konsumatorët më numerikë dhe shumica e prodhimeve të jenë aq larg njëri
tjetrit saqë të kenë nevojë për shumë transport dhe shumë ndërmjetës ‘për tu
takuar’! Të dyja këto janë kosto që i shtohen cmimit me të cilin produktet mbërijnë
te konsumatori, dhe në këtë kuptim bëhen vështirësisht dhe me kosto të lartë
për tu konsumuar. Shikoni protestat e fermerëve të qarkut Fier në ditët e
fundit, por edhe ato të Korcës apo Kukësit në kohë të tjera, sepse në Shqipëri
nuk ka vetëm panaire por edhe protesta. Produktet e tyre shiten për “5 pare”
atje ku prodhohen, por bëhen të “sa frëngu pulën” kur mbërijnë në tavolinat e
konsumatorëve. Sigurisht që për këtë kanë ndikuar edhe taksat e Shtetit i Madh
e të plotfuqishëm që bën shfaqje teatrale panairesh me paratë e taksapaguesve,
për ti mbushur mëndjen shqitarëve të ‘blejnë shqip’.
Durasana dëmton ekonominë bujqësore dhe
blegtorale edhe për shkak të prioritizimit të përdorimit të tokës për zhvillim
ndërtimor. Nuk ka nevojë për argumenta të gjata, sepse është e kuptueshme për
këdo se familjet e zonave periferike të super qyteteve Tiranë Durrës dhe
Elbasan fitojnë më shumë dhe menjëherë duke e ‘dhënë tokën’ për ndërtime sesa
po ta punojnë atë. Grumbullimi i popullsisë në këtë rajon, vijon të stimuloj imigracionin,
dhe në këtë kuptim të prodhoj nevojë të vazhdueshme për ndërtesa e troje të
reja ndërtimore. Sigurisht, edhe për këtë ka “ndihmuar” Bashkia Tiranë me politikat e saj urbane që e
stimulojnë këtë fenomen. Por edhe duke i kthyer ‘tregjet fshatare’ ku duhet të
shesin pikërisht bujqrit e periferive të qytetit, në ‘tregje industriale’ ku
shiten me cmime të disafishuara produktet e zonave të tjera apo produkete të
importit. Për tu përmendur është edhe “ndihma” e Policisë Bashkiake që areston
dhe sekuestron prodhimet bujqësore të cdo bujku lokal, i cili guxon ta thyej
këtë regjim shitjes me pakicë të produkteve bujqësore, duke nxjerrë ndonjë
produkt të tij në trotuaret e qytetit.
MODELI
I KONCENTRUAR I POPULLSISË DUHET BRAKTISUR EDHE PËR SHKAK TË NGROHJEN GLOBALE!
Liberale, 25, 11. 2019
Ka
vetëm një gjë të pandryshueshme në këtë botë, dhe ai është vet ndryshimi. Cdo
gjë tjetër, përfshirë klimën, është në ndryshim të vazhdueshëm. Ajo ka
ndryshuar që kur Toka është formuar 4.6 miliard vjetë më parë, dhe do të vijoj
ta bëj. Në 2 mijevjecarët e fundit ne kemi përjetuar; ‘Periudhën e Nxehtë
Romake’, e cila ishte më e nxehtë se sot; periudhën e ftohtë të ‘Epokës së
Errët’; e ndjekur nga ‘Mesjeta e Nxehtë’, në të cilën ishte të paktën kaq
nxehtë sa sot; më vonë ‘Epokën e Vogël të Ftohtë’; dhe prej 300 vitesh jemi nën
ngrohje globale. Në 400 mijë vitet e fundit kanë ndodhur 4 periudha akullizimi,
të ndërprera nga periudha shkrirjeje akulli. Sot jemi në Epokën e Akullnajave,
e cila ka filluar 2.5 milion vjet më parë, dhe prandaj ka kaq shumë akull në
Pole, në një kohë kur 30 milion vjet më parë akulli nuk ekzistonte fare në
Tokë.
Bërë këtë
sintezë informacioni historik mbi motin është e kuptueshme për këdo se
ndryshimet e klimës nuk mund ti sjelli qënia njerëzore. Do ishte përtej cdo
logjike, të arsyetoje se ‘Periudha e Nxehtë Romake’apo ‘Mesjeta e Nxehtë’ erdhi
si pasojë e aktivitetit industrial të shoqërive njerëzore. Prandaj, ne kemi
shumë pak në dorë për të bërë në lidhje më ngrohjen globale, ose të paktën nuk është
Marveshja e Parisit rruga e duhur për ne. Ajo që ne mund të bëjmë, është ajo që
z. Bill Gates që së bashku me 28 investitorë të tjerë nga më të pasurit e
dhjetë vendeve të botës po bëjnë, nëpërmjet ‘Breakthrought Coalition’ dhe
financimit të tij me 7 miliard dollar nga paratë e tyre për kërkim zhvillim të
energjive të gjelbërta. Por ka edhe gjëra më pak të kushtueshme që mund të bëhen,
sikurse është edhe përzgjedhja e modelit territorial të vendit.
Modeli territorial
që kemi lejuar dhe promovuar këto 25 vjet është i dëmshëm edhe në lidhje me
reagimin tonë ndaj ngrohjes globale, sepse koncentrimi i popullsisë në Durasanë
dhe Ultësirën Perëndimore rrit vulnerabilitetin e Shqipërisë ndaj ndryshimeve
klimatike. Ndërsa është e qartë si në rezet e diellit se humanët e sotëm nuk mund
të ndryshojnë mijëra variablat që ndikojnë në punët e rezeve të diellit; është
po kaq e qartë se humanët mund të bëjnë shumë për të ulur vulnerabilitetin e
një vendi ndaj ndryshimeve klimatike. Ne mund të bëjmë shumë për të rritur
kapacitetet adoptuese të vendit tonë, ndaj tyre. Dhe këtë mund ta bëjmë,
edhe nëpërmjet modelit territorial të shpërndarjes së popullsisë në mënyrë të
balancuar nëpër territorin kombëtar.
Këmbëngulja
në koncentrimin e popullsisë në territoret bregdetare të Ultësirës Perëndimore,
‘në vendin e 300-të ditëve me diell’, është një qasje shumë dëmtuese. Nuk duhet
ndonjë njohuri e madhe në fushën e planifikimit strategjik territorial për të
kuptuar se territoret më vulnerabël ndaj ndryshimeve klimatike janë territoret
ku temperaturat ndihen më të larta se pjesa tjetër e vendit, dhe zona bregdetare e Shqipërisë në
të gjitha manualet e klimës, shfaqet e tillë. Një aspekt tjetër që e përforcon
dobësinë ndaj ngrohjes globale në rajonet bregdetare është ekonomia e këtyre
zonave. Ato kanë ekonomi kryesore turizmin veror, dhe kjo është një aspekt
dëmtues për këto territore. Niveli i lartë i emigracionit, i cili përfshin të
rinjtë dhe grupmoshat e afta për punë, gjithashtu është një kontribues i madh
në rritjen e vulnerabilitetit ndaj ndryshimeve klimatike, sepse fëmijët dhe
moshat e treta janë shumë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta.
Një nga
produktet më të theksuara të modelit territorial të koncentrimit të popullsisë
është se ai ka lejuar formësimin e vetëm dy tipologjive të qëndrave të banuara.
Sot Shqipëria territoriale është e përbërë: ose nga qytete të mëdha, të mbi
populluara, të tejshtrira dhe me densitet të lartë banimi; ose nga qyteza
(përfshirë fshatra) të vogla, të nënpopulluara, të limituara në shtrirje dhe me
densitet shumë të ulët banimi. Nëse i referohemi literaturës teknike europiane
do të shohim se këto lloj qëndrash të banuara shfaqin karakteristikat kryesore,
të cilat e mbajnë në nivele shumë të ulta kapacitetin e një vendi për tu
përballur me impaktin shumë negativ të ndryshimeve klimatike. Në këtë pikë vlen
për tu përmendur edhe ndikimi i gjendjes së stokut të banesës (ndërtesës në
përgjithësi), i cili është shumë më i madh në numër në lidhje me nevojat, por
në gjendje shumë të vjetëruar ose pa termoizolim dhe që konsumojnë shumë
energji për klimatizim.
Prandaj, nëse duam të bëjmë
dicka vërtet të vlefshme për të përballuar ngrohjen glabale, së pari duhet të
harrojmë anekdodat me autobusa me bateri. Shqipërisë i nevojitet një
rishpërndarje e popullsisë nëpër territor, nëpërmjet një lëvizje të kundërt nga
ajo aktuale, nga zonat fushore e bregdetare drejt zonave malore. Në rivers me gjëndjen ekzistuese, asaj i duhet
një ekuilibrimin demografik dhe të shtrirjes për qytetet e saj, të cilat duhet të jenë të njëtratshme dhe kompakte.
NISMA
E PADAGOGËVE ‘MOS E BRAKTISNI SHQIPËRINË’ ËSHTË ARSYE PSE TË RINJTË IKIN!
Liberale, 17. 02. 2019
Në një nga televizionet e mia të preferuara, që
sigurisht nuk është një televizion kombëtar, mora përgjigjen që prisja prej
vitesh. Disa pedagogë të Universitetit të Tiranës, kanë marrë inisiativën që
t’ju mbushin mëndjen studentëve, në fakt gjithë rinisë, që të mos e braktisin
Shqipërinë. Dhe këtë kanë vendosur ta bëjnë duke i bindur studentët të mos ikin
nga vendi i tyre, ose të ikin vetëm për studime dhe pastaj të kthehen për të
kontribuuar me njohuritë e tyre për vendin e tyre!
Prej një dekade tashmë, shqetësimi im teknik mbetet
se do vij një ditë kur Shqipëria do të humbi popullsinë në atë masë sa të
konsidehet e shpopulluar. Shumë opinione kam shkruar me këtë temë, që duket se
nuk shqetësonin njeri, deri para pak muajsh kur kjo temë u bë popullore për opinionin
shqiptar. Një nga cështjet e shumta që e shoqërorin këtë shqetësim profesional ishte
pyetja: mirë politikanët që merren me punët e tyre, po pedagogët nuk kanë asgjë
për të bërë, apo të paktën për të thënë, për këtë tumor që po gryen kockat e
Atdheut!? Dhe ja, më së fundi, e mora përgjigjen nga kjo nismë e propogandës kolektiviste
të pedagogëve të Universitetit publik.
Sepse e tillë është kjo nismë e atyre që duhet të
ishin elita e shoqërisë shqiptare, dhe jo vetëm elita akademike, por edhe
politike e vendit. Pedagogët e Universitetit publik, po rreken t’ju mbushnin
mëndjen të rinjve se Shqipëria do të bëhet po aq të prosperuar sa vendet ku
duan të ikin. Ata, me një theks të fortë “patriotik”, synonin të mobilizonin
rininë shqiptare drejt “idealit” për të mos braktisur vendin, shumë ngjashëm me
30 vite më parë për ideale të të njëjtit format.
Po, Shqipëria po braktiset, dhe kjo është një
tragjedi për vendin. Porse ky nuk është një aksident i rastësishëm dhe
momental, por një koseguencë e logjikshme edhe e mënyrës se si elita akademike,
përfshirë dhe vecanërisht pedagogët, kanë bërë punën e tyre. Patriotizmi nuk
mund të jetë propogandë, ai nuk mund të zhvillohet me aksione apo me nisma.
Patriotizmi nuk do as sakrifica, ai kërkon që cdo individ, cdo ditë, të bëjë
punën e tij me moral dhe me përgjeshmëri.
Patriotizmi elitar, ai lloj patriotizmi që shfaqet
nga elita e kombit, përfshirë dhe në mënyrë të vecantën nga pedagogët, ka
lidhje më së pari me detyrat akademike që ata kryejnë. Dhe nuk po flas këtu,
vetëm për faktin sesi e kanë katandisur procesin akademik nëpër universitetet
ku punojnë. Sepse këtë duhet ta dijnë edhe ata vet, përderisa i bëjnë thirrje
të rinjve të ikin vetëm për studime jashtë dhe të kthehen për të kontribuuar në
vendin e tyre! Edhe ata vet e dijnë sesi i kanë katandisur universitetet, ku nuk
shkohet për dije por vetëm për të marrë një diplomë, që ju duhet për të filluar
punë në “ndërmarrjet” e punëmarrësit më të madh e të vetëm në vend, Shtetit!
E kam fjalën, më shumë, për kontributin e tyre në
punët e Atdheut, sepse Atdheu nuk u bë i pajetueshëm këtë vitin e fundit.
Perspektiva e të rinjve në Shqipëri nuk u mbyll këtë vit, por pak nga pak, në
25 vitet e fundit, që pas reformave liberalizuese të qeverisë Meksi. Ku ishin
pedagogët këto vite, kur ndërmerreshin reforma dhe liheshin në mes nga
qeveritë, apo akoma më keq, në këto shtatë vitet e fundit ku Shqipëria i është
nënshtruar kundërreformave të rilindjes!
Këtë duhet të kishin bërë pedagogët e
universiteteve, të kishin kontribuar me dijet e tyre në pëshpejtimin e
reformave liberalizuese dhe modernizuese të vendit të tyre. Të kishin përdorur
njohuritë e tyre për të penguar kundërreformat e rilindjes, që të paktën atdheu
të mos ishte kthyer mbrapsht, si në vitin 1992. Në këtë mënyrë atdheu do të
ecte më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe modernizimit dhe të rinjtë të kishin
arsye logjike për të mos ikur, dhe jo për qasje mobilizuese.
Por pedagogët janë akoma në kohë, të paktën për të
mbajtur këta të rinj e student që ju kanë mbetur. Së pari, ti kthejnë
auditioret në qëndra të vërteta dije, që përfshijnë vetëm ata studentë që vijnë
në universitet për dije dhe jo për diplomë. Dhe së dyti, c’ka është edhe më e
rëndësishmja, ti marrin ato leksionet që kanë lektuar deri tani e ti hedhin në
plera, dhe të nxjerrin tezat e tyre të masterave dhe të doktoratuarve që kanë
mbrojtur. Ti kthejnë cështjet që ato trajtojnë në debate të hapura dhe t’ju
tregojnë studentëve të tyre, se ka mënyra të tjera, shkencore dhe teknike, sesi
mund të bëhen punët e Shqipërisë. Sepse dija shkencore e shpërndarë nga
pedagogët është thirrje më e mirë sesa propaganda mobilizuese e ‘të vërtetave
që janë të tilla përshkak të atij që i thotë’!
Comments
Post a Comment