PERFSHIRJA QYTETARE
DEMOKRACIA E DREJTPERDREJT NË PLANIFIKIMIN TERRITORIAL. Mapo, 30.08.2012
Një ndër debatet bashkohore më interesante dhe më të rëndësishëm të shkencave politike është debati mbi ‘demokracinë përfaqësuese v. demokracinë e drejtpërdrejt’. Pa hyrë në thellësi/saktësi të përkufizimit, mund të thuhet se demokracia e përfaqësuar është mënyra sipas së cilës populli shprehet për cështjet politike në vend, nëpërmjet përfaqësuesve, kurse, demokracia e drejtpërdrejt është mënyra e drejtpërdrejt (pa ndërmjetës) e ushtrimit të kësaj të drejte/detyre qytetare. Sigurisht, shumica e politogëve mendojnë se, demokracia e drejtëpërdrejtë është ‘demokracia e vërtetë’, por, pamundësia fizike për të grumbulluar gjithë komunitetin/votuesit në një shesh, për t’ju dhënë mundësi të gjithëve për të folur, dhe pas diskutimeve pa limite për të arritur në një vendimmarrje të vetme mbështetur në shumëllojshmërinë e pafundme të mendimit, etj. etj., janë arsyet pse demokracia përfaqësuese është vlerësuar si forma më e mirë e mundshme- të paktën në konteksin e sotëm- e aplikimit të demokracisë. Megjithatë, kërkues të ndryshëm trajtojnë mundësi konkrete të aplikimit të demokracisë së drejtpërdrejtë në komponentë të mënyrës tonë –jo vetëm perëndimore- të të jetuarit , një nga të cilat është përfshirja dhe angazhimi qytetar në planifikim. Për konseguencë, gjerësisht në botë kanë evoluar aplikime për përfshirjen qytetare në planifikimin hapsinor. Qasje interaktive dhe bashkëpunuese apo të planifikimit pjesmarrës janë prezantuar në Shtetet e Bashkuara, Itali, Mbretëri e Bashkuar, Belgjikë, vendet Skandinave, biles edhe në Brazil e Kinë. Në Hollandë, disa tentativa janë bërë që nga vitet 1960-t për të përfshirë qytetarët, që në fillesë, në procesin e zhvillimit hapsinor. Synimi i këtyre praktikave është bashkëveprimi ndërmjet agjensive qeveritare, sipërmarrësve dhe organizatave civile, si një qasje multi aktorëshe në planifikim.
Së fundmi, ideja e qytetarisë aktive i është shtuar kësaj qasje. Ajo përfshin, në disa domene të kërkimit hapsinor, planifikimit, shfrytëzimit dhe menaxhimit, duke zgjedhur pjesmarrjen aktive të qytetarëve dhe ndarjen e përgjegjësive për mjedisin hapsinor ndërmjet qeverisjes publike dhe komuniteteve qytetare. Pavarësisht kriticizmit ndaj planifikimit interaktiv, në ekspansion vitet e fundit, katër argumente pro përfshirjes qytetare në planifikim, duket se janë shumë kokëfortë dhe të paanashkalueshëm. Argumenti i parë është social. Është e pritshme që përfshirja qytetare do të kontribuajë fuqishëm në koherencën sociale, të një shoqërie të fragmentarizuar dhe të sekularizuar, si shoqëria shqiptare e pas vitit 1990-të. Për shembull, në politikat për lagjet e privuara (me mungesa) në qytete, mungesa e kohesionit social, integrimit të rezidentëve të rinj dhe diversiteti kulturor shihen si formues të pengesave madhore për rigjenerim. Në këtë konteks, pjesmarrja dhe përfshirja qytetare mund të përdoret si një instrument për të përmirësuar kushtet sociale në dy mënyra. E para është përmes fuqizimit të komuniteteve . Nëpërmjet pjesmarrjes, qytetarët mësojnë të artikulojnë më mirë nevojat, dëshirat si dhe këndvështrimet e tyre, aftësi kjo gjithashtu e nevojshme në karierën dhe marrdhëniet e tyre sociale. Përvec kësaj, shoqëruar me financime të pjesmarrjes, qytetaria aktive stimulon kohesion social dhe integrim të minoriteteve në shoqëri. Këto minoritete do të gjejnë shqetësimet e tyre të integruara në propozimet e reja (planet, programet dhe projektet) në rastin kur gjatë planifikimit pjesmarrës ata i kanë artikuluar këto shqetësime. Në kuptim të përfshirjes në takime - për këtë tematikë- do të krijohen rrjete të reja sociale me interesa të përbashkëta. Dhe, sigurisht, që do të rritet besimi ndërmjet rezidentëve dhe do të zhvillohet një përgjegjshmëri e re për kushtet sociale në lagjet e tyre. Sipas argumentit të dytë, supozohet se përfshirja e qytetarëve stimulon një llogaridhënie të re për kondicionet hapsinore/mjedisore të zonave/lagjeve. Është e pritshme se qytetarë të përfshirë dhe aktiv do të kontribuojnë në përmirësimin e kualitetit hapsinor në mjediset tyre të punës dhe të jetesës. Pjesmarrja mund të ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të mirë, sepse mund të rrisi nivelin e marrdhënies së banorëve me mjedisin e tyre, por edhe sepse mund të përforcojë një sens përkatësie dhe komunitare të qytetarëve. Ajo mund të rrisi ‘ngulitjen’ e ndërhyrjeve hapsinore në komunitetin lokal dhe kështu që të përmirësojë suportin dhe angazhimin në planifikimin e ndërhyrjeve të tilla. Në këtë kuptim, edhe gjatë përdorimit të përdishëm të kësaj hapsire/mjedisi të përbashkët, qytetarët e përfshirë do të jenë më të ndjeshëm.
Argumenti i tretë, mbështet pritshmërinë se pjesmarrja dhe përfshirja qytetare jo vetëm gjeneron kursim në terma afatshkurtër (kohesioni social dhe angazhimi mund të shkurtojnë procedurat e planifikimit dhe në këtë kuptim edhe kostot e tij financiare), por edhe të rrisi qëndrueshmërinë ekonomike në terma afatgjatë. Mirë-funksionimi i shoqërisë civile (në terma të inisiativës vullnetare) në shërbim të shtetit dhe ekonomisë, angazhimi i dretpërdrejtë i qytetarëve në procesin planifikues ka si kuptim të parë njohjen e nevojave, mundësive dhe produkteve të kërkuara/synuara. Në kuptim të njohjes së tyre, angazhimi social gjeneron një diversitet inisiativash dhe vetpunësimi dhe gadishmërinë për të investuar në komunitetin lokal. Në terma evolutiv, disa ekonomistë argumentojnë se, rrjete të tilla mund të përforcojnë relacinet ndërmjet varieteteve ekonomike dhe për konseguencë të përforcojnë elasticitetin e ekonomisë për të ndryshuar rrethanat (gjëdjen ekzistuese). Për më tepër, pjesmarrja dhe angazhimi qytetar mund të përmirësojë lidhjen e këtyre rrjeteve me mirëqënien publike dhe për shembull të përmirësojë shkallën e punësimit në lagjet e privuara, apo të territoreve dhe mjediseve të përbashkëta dhe publike. Dhe së fundi ka gjithashtu edhe një argument politik. Qeveritë synojnë të transformojnë mirqënien e shtetit në një mirëqënie që është më e përputhshme me kërkesat dhe nevojat qytetare. Ato, gjithashtu, kërkojnë të mbështesin rritjen e bazamentit social në vet-motivim, inisiativa qytetare dhe punë vullnetare. Kjo është pjesë e debatit të gjerë në gepin e perceptuar ndërmjet qeverisjes dhe qytetarëve. Pjesmarrja mund të ndihmojë në mbushjen e këtij gepi, sepse ajo sjell qeverisjen dhe qytetarët sëbashku në diskutimin e cështjeve prioritare. Për këtë arsye ajo përforcon suportin qytetar për politikat publike. Sepse prioritetet qytetare mund të arrihen më mirë me politika, politikat duhet të jenë më të fokusuara, komunikimi ndërmjet qeverisjes dhe qytetarëve mund të përmirësojë dhe, e fundit por jo nga rëndësija, pjesmarrja mund ti japi qytetarëve një pritshmëri më reale për veprimet qeverisëse. Kjo sjell përtëritje politike dhe strategji për të përmirësuar legjimitetin demokratik dhe kapacitetin e politikave publike për zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e kualitetit të ndërveprimit ndërmjet qeverisjes dhe qytetarëve dhe zgjerimin e mbështetjes, dhe për konsenguencë përshpejtimin e procesit të politikave. Kështu, pjesmarrja qytetare si teori por edhe si praktikë është mbështetur nga një shtrirje e gjerë argumentash të fushave ekonomike, sociale dhe politike, sikurse edhe në domeinin hapsinor. Administratat dhe agjensitë qeveritare, thjeshtësisht, nuk mund të veprojnë më vete, akoma më gjatë.
MBI DY NGJARJE MJEDISORE. Mapo, 26.11.2013
15 Nëntori do mbahet mend për shumë arsye. Për një grup specific, kjo ngjarje do të mbahet mend si dita kur planifikimi territorial në Shqipëri kaloi në një nivel më të lartë. Në planifikimin gjithëpërfshirës. Ky term përkufizon statusin e sotëm të planifikimit të territorit në të gjitha vendet demokratike të botës, dhe nënkupton atë “paradigëm” të planifikimit territorial sipas të cilës planifikimi territorial nuk është gjë tjetër vecse një dakortësi politike e palëve të interesuara për një cështje me dimension territorial, dhe më tej, “protokollimi në letër” gjeografikisht i kësaj marrveshje. Këtë të parën bënë shqiptarët. Dakortësuan mbi një cështje me dimension territorial. Por jo vetëm kaq. Shqiptarët u angazhuan në nivelin më të lartë që koha njeh. Në nivelin e vet-organizimit. Ata në mënyrë të pavarur vendimmorrën. Dhe, vendimin e tyre ja shpallën Kryeministrit përpara Kryeministrisë. Ata nuk pritën që burokratët më të lartë të shtetit të vendosnin mbi një cështje që i takonte të gjithëve. Nuk pritën që t’i përcaktonin axhendën e takimeve, kush do pjesmerrte në to, apo ti seleksiononin “dijen” që ju duhej për vendimmarrjen e tyre. Nuk pritën dhe vendimmorrën.
Kjo ndodhi në 15 nëntor. Palët e interesuara, që në këtë rast ishte shumica e shqiptarëve, morën pjesë në formulimin e një qëndrimi politik mbi një cështje konkrete të rëndësisë së vecantë kombëtare. Dhe sikurse të gjithë e dimë, shqiptarët vendosën që ti thoshin JO, në territorin e tyre, asgjësimit të lëndeve kimike të armëve Siriane. Ky ishte vendimi politik i shqiptarëve. Dhe për një vendim negativ nuk mund të hartosh plane gjeografike. Këtu mbyllet edhe cështja e planifikimit të territorit në lidhje me këtë vendimmarrje politike popullore mbi territorin. Të nesërmen, pa u konsumuar mirë shija e kësaj fitoreje demokracie, Ministri i Punës, Cështjeve Sociale dhe Rinisë ftoi gjithë shqiptarët në nismën e tij “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”. Duket se qeverisja e re nuk e ka kuptuar që nuk ka për detyrë të “edukojë masat”! Detyra e saj është të financojnë e mbështesi procese planifikuese që nga ato të nivelit kombëtar deri te ato vendore. Procese që prodhojnë instrumenta planifikimi, të cilat u japin përgjigje të qëndrueshme dhe afatgjatë edhe problematikave të mjedisit. Procese gjithëpërfshirëse që përforcojnë te komuniteti ndjesinë e përkatësisë mbi këto mjedise. Sepse vetëm nëpërmjet planifikimit territorial mund të përballesh me cështjet mjedisore. Dhe kur, ky planifikim është gjithëpërfshirës, at’herë ai ndihmon edhe në rritjen e marrdhënies së qytetarit me mjedisin.
Ndoshta, përshkak të ngjashmërive kjo thirrje më kujton të djelën në mëngjes kur babai kthehej nga orvatja disa orëshe për të blerë qumësht dhe i thoshte nënës që duhet të dilnin për të pastruar oborrin e pallatit. Kujtesë kjo, që më jep një ndjesi ankthi, të provuar më parë. Sigurisht, në atë kohë, nisma nuk origjinalizohej nga ministri, por agjitatori i pallatit. C’ka e fut qeverisjen e re në një dimension tjetër. Tashmë nuk është vetëm një cështje propogande apo centralizimi. Tashmë cështja është propogande e centralizuar. C’ka është një problem i madh! Sidoqoftë, nuk është ky problemi më i madh i nismës ministrore. Problemi më i madh i kësaj nisme është se na kthen në të njëjtin stat sikurse ishim para 15 nëntorit. At’herë kur përfshirja qytetare apo të palëve të interesuara në planifikim apo vendimmarrje ishin një “shaka e organizuar”. Dhe ky kthim mbrapa është, një gjë e keqe. Akoma më keq kur ministri shpallës nuk është as ministri që ka kompetencë cështjet e mjedisit. E iniciuar nga ministri i rinisë, nisma duket si një politikë që kërkon të ‘krijojë njeriun e ri socialist’ dhe jo të pastrojë mjedisin. Kështu, në kundështi me 15 nëntorin, 22 nëntori do të mbahet mend si dita kur planifikimi i territorit dhe dimensioni i tij demokratik u kthye mbrapsht. U kthye “në normalitet”.
VETORGANIZIMI NË CËSHTJET URBANE DHE DEMAGOGJIA MAJTISTE. Mapo, 07. 08. 2017
(Një rast shqiptar dhe një praktikë perëndimore)
Një ngjarje e bukur me dimension urban nuk e la pa tërhequr vëmendjen time profesionale. Një qytetar i përgjegjshëm dhe zonja e tij kishin dalë nga korniza e përmirësimit të cilësisë familjare të jetesës nëpërmjet investimit te apartamenti privat, për të kaluar te përmirësimi i jetesës duke investuar te bashkëpronësia! Ata kishin përdorur një sasi parash të familjes për të përmirësuar hapsirat e përbashkëta të pronësisë në ndërtesën e banimit ku jetonin. Nga pikëpamja urbanistike, kjo është një fitore e madhe. Së pari, nga dimensioni i nevojës së ndërtesave të banimit - si element të njësisë urbane - është shumë positive që qytetarët kuptojnë se banesa e tyre sado e modernizuar nuk ka vlerë e lokalizuar në një ndërtesë në mjerim. Së dyti, nga dimensioni i jetesës urbane në komunitete - qytetari si element i grupit në bashkëpronësi - është akoma më positive që qytetarët e kuptojnë se mirëqënia familjare nuk ka vlerë në varfërinë e komunitetit.
Megjithëse nga pikëpamja urbane ishte një fitore e madhe, kjo ngjarje nga pikëpamja e lirisë së medias dhe vërtetësisë së informimit publik ishte një dështim total. Media e kastës arriti që edhe këtë praktikë të mirë urbane, që duhet ‘paketuar’ dhe shpërndarë në gjithë territoret e komunitetet urbane, ta konvertojë në një farsë në shërbim të propogandës majtiste. Kushdo që njeh shkencat e komunikimit publik e dalloi lehtësisht, nga kronika e njëjtë e mediatuar, se theksi u hoq nga kontributi real në cështjet urbane, për tu vendosur te informacioni propogandistik se qytetari ishte i persekutuar dhe paratë i kishte përfituar nga një vendim specific i Kryeministrit Rama. Me një fjalë, duhet t’ja dimë për nder z. Rama dhe socializmit, më shumë se qytetarit që doli jashtë skemave burokratike majtiste për të dhënë një shembull konkret të djathë ku ndihma e ‘atij që ka’ mund të shkoj te ‘ai që nuk ka’ pa filtrat e institucioneve burokratike të shtetit!
Sidoqoftë, le ti ikim propogandës dhe demagogjisë për tu kthyer te ajo që ka synim të shpërndajë ky shkrim: domosdoshmërinë e përfshirjes qytetare në planifikim dhe vendimarrje për cështjet urbane. Një proces racional dhe demokratizues, ky, që bëhet akoma më i domosdoshëm në qeverisjen e centralizuar kombëtare Rama dhe qeverisjen përjashtuese lokale Veliaj, edhe pse dekada larg praktikave të mira që na vijnë nga vëndet perëndimore dhe jo vetëm. Për këtë mënyrë menazhimi urban, i cili ka një histori të gjatë në Hollandë dhe në këtë moment po bën bujë në vendet si Brazili dhe Kina, ne kemi folur më parë dhe do flasim në vazhdim. Në kuptimin teorik, kjo tendencë demokratizuese për planifikim pjesmarrës dhe bashkë-punues bazohet në teorinë e Jugen Habermas të ‘veprimit komunikues’ dhe kërkesës së tij për t’u rifokusuar në jetën e përditshme, përtej regjimeve burokratike të institucioneve qeverisëse.
Por sot do fokusohemi praktikisht te një formë specifike e saj, që përputhet me karakteristikat e projektit shqiptar për të cilin po flasim. Për financimin e projekteve të vet-organizimit, apo e thënë ndryshe mbështetjen e inisiativave ‘qytetare’ nga buxhetet qeverisëse. Sepse këtë duhet të bëjë qeverisja vendore e Tiranës dhe jo të shpërndajë dekorata populiste. Ajo duhet ti stimulojë që të lindin, ti identifikojë që ekzistojnë, ti prioritizojë sipas impaktit komunitar, ti kornizojë në terma normativë e teknikë, dhe ti financojë sipas mundësive konkrete të saj! Për këtë ka nevojë ‘qyteti shqiptar’ dhe për këtë po flasim sot! Për një shpjegim sa më gjithëkuptues do marim një shëmbull të mirë që na vjen nga Holanda e viteve 1970, ku një zhvillues projektesh ndërtoi një lagje prej 500 njësish banimi rreth 12 blloqesh në Leusden, një fshat i vogël afër Amersfoort.
Comments
Post a Comment