PRONESIA MBI TOKEN

PSE VAZHDOJMË TË KËMBËNGULIM NË GABIM? Mapo, 12.12.2013

Pas premtimit për legalizime falas të Qeverisjes së re një nisëm tjetër po kaq e keqe në fushën e pronësisë së tokës dhe zhvillimit të saj, po përfshin opinionin publik. Kjo nisëm ka lidhje me një lloj të caktuar toke dhe një lloj të caktuar të përdorimit të saj. Bëhet fjalë për tokën bujqësore. Ministri i Bujqësisë vlerëson si një hap të mirë në reformimin e ekonomisë bujqësore, shpërndarjen e ‘certifikatave të pronësisë’ në përfitim të familjeve që e kanë sipas ligjit 7501. Ministri argumenton se me shpërndarjen e ‘tapive’ dhe me vendosjen e një takse mbi tokën bujqësore mund të ndërtohet një treg i saj. E thënë thjesht, mund të shitet dhe blihet dhe si rezultat të eliminohet parcelizimi i tejskashëm i tokës bujqësore dhe gjithë efektet negative që e shoqërojnë këtë. Në fakt, kjo nuk është një ide e re. Nuk është as një synim i gabuar në vetvete. Logjika është e thjeshtë, përsa kohë tokës bujqësore i vendoset një taksë atherë ajo kthehet në një barrë për familjet që e poseidojnë dhe nuk e punojnë. Gjë që ndodh rëndomt në Shqipëri. Statistikat flasin për rreth 50 mijë hektar tokë bujqësore që nuk punohet. Në rastin e vendosjes së një takse, familjet që nuk i përdorin nuk do mendoheshin dy herë. Ata ose do ti rentabilizonin duke i punuar për të përfituar më shumë se taksa, ose do ti nxirnin në treg për ti shitur. Dhe në këtë rast do ndihmonte shumë poseidimi “përtej cdo dyshimi”. Pra, ‘titulli’ i pronësisë mbi atë pronë. Kështu, në pamje të parë është një politikë e mirë dhe që premton produkt pozitiv për ekonominë bujqësore.
Por duket se nuk është kaq e thjeshtë në realitet. Në realitet këto prona kanë pronar dhe pronarët e kanë nga një ‘tapi’. Cka do të thotë se qeverisja për të realizuar këtë projekt duhet të rishpronësojë pronarët e vërtetë. Ata që i kanë fituar këto prona në tregun e lirë të para vitit 1945 apo i kanë trashëguar brez pas brezi. Sepse realisht ata janë pronarët. Duke nisur nga Kushtetuta e vazhduar me një set të plotë ligjor, që e dakortësojnë dhe detyrojnë këtë. Nuk është kaq e thjeshtë edhe për një arsye tjetër. Ligji 7501 nuk është zbatuar në të gjitha njësitë vendore me përdorim kryesor bujqësor të tokës. Zonat dhe njësitë kulturalisht tradicionale nuk e kanë zbatuar këtë ligj dhe shpërndarjen e tokës e kanë bërë në ‘kufinjtë e vjetër’. Pra, cdo pronar i para 1945 ka marrë tokën e tij. Diferenca midis dy standarteve diametrikisht të kundërta vet-shpjegojnë pamoralin e nismës së parë qeverisëse të kthyer në ligj në 1991. Si i pari i një serie ligjesh që nuk kanë lidhje me konteksin kulturor të shqiptarëve dhe vecanërisht me të drejtat e patjetërsueshme njerëzore, ky ligj dështoi të implementohej plotësisht. Ndërsa për 23 vjet pronarët u quajtën ‘ish-pronarë’ dhe u zvaritën zyrave të shtetit për të plotësuar dokumente pafund. Gjë kjo që vërtet i lodhi, i varfëroi, i futi në kontradita e konflikte, por, bëri edhe dicka tjetër shumë më të rëndësishme. I mbajti me shpresë se një ditë ‘haka do kthehej te i zoti’. Kurse nisma e re qeverisëse u’a mbyll njëherë e mirë këtë derë shprese. Që duhet thënë se është një shpresë për një grup të gjerë popullsie.
Dhe jo vetëm për ta, por për gjithë shqiptarët që e kanë kuptuar se nuk mund të ndërtosh kapitalizmin dhe demokracinë duke nisur nga mohimi i të drejtës bazike njerëzore. Të drejtës për të gëzuar pronën. Ndërkohë që vet nisma mbështetet në një shkelje tjetër të drejtash. Të drejtat mbi pronat publike. Të drejtën e publikut për të gëzuar pronësinë e përbashkët e për të përfituar nga kjo. Sepse dy mënyrat që janë përcaktuar, tashmë prej vitesh, për të kompensuar pronarët janë ose në tokë publike ose me financat publike. Të dyja në dëm të publikut shqiptar, që duhet thënë se nuk ka lidhje në mënyrë të drejtpërdrejtë me gjënë. Porse, qeverisësit e tyre të djeshëm dhe akoma më shumë të sotëm, i njohin vetes të drejta dhe kompetenca që nuk ja ka deleguar njeri. Kështu që kjo nismë e re qeverisëse nuk është gjë tjetër vecse një arrnim mbi një arrnim të mëparshëm. Vecse, një këmbëngulje në gabim.



NJË KUPTIM ANAKRONIK MBI TË DREJTAT PRIVATE TË PRONËSISË MBI TRUALLIN. Mapo, 27.03.2014

Ishte shokuese të dëgjoje një zyrtar të lartë të qeverisjes qëndrore, për cështjet e zhvillimeve në territor, të deklaronte se planifikimi urban bëhet vetëm nga qeveria dhe sa më larg dhe fshetas qytetarëve të interesuar. E thënë në një debat, në një televizion kombëtar, shprehja ishte e një niveli të tillë bombastik nga ato që të vënë të mendohesh mbi botkuptimet bazike të shoqërisë. A mundet një qeverisje në një organizim demokratik të shoqërisë të përjashtojë nga vendimmarrja individët dhe komunitetet e interesuara dhe të prekura?! Mirëpo, zyrtari këmbëngulte të argumentonte se planifikimi urban duhet të bëhej larg njerëzve, prona e të cilave prekeshin nga zhvillimi i planifikuar, në mënyrë që planifikuesit/zyrtarët të mos shtrëngoheshin nga interesat private të tyre!!! Zyrtari insistonte se kjo ishte rruga e vetme. Por jo shqiptarët, të cilët në marrveshjen themelore mes tyre (kushtetutë) kanë sanksionuar se ‘sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronësinë private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike’. Ata kanë dakortësuar gjithashtu, se në Republikën e tyre ‘e drejta e pronës private është e garantuar’. Kushtetuta thotë kështu. Për të mos renditur një set të tërë ligjor dhe nënligjor apo vendime gjykatash kombëtare apo ndërkombëtare që përcaktojnë se të drejtat e pronësisë janë të pacënueshme. Janë të drejta që lindin me pronën dhe kalohen/transferohen bashkë me të. Ato mund të ndahen dhe të negociohen në treg, por në cdo rast me vullnet të lirë të zotëruesit të tyre dhe larg shtrëngimit nga shteti.
E thënë thjeshtë e qartë, cdo individ që poseidon një pronë gëzon të gjitha të drejtat që lindin prej saj. Ai ka të drejtë (kontekstualizuar), në pronën e tij të ndërtojë gradacelën më të lartë që teknologjitë ndërtimore mund t’i lejojnë. Apo të hapi gropën më të thellë të mundshme. Mundësisht deri në qëndrën e sferës tokë. Kush mund ta pengojë? Askush, nëse biem dakort që të gjithë individët lindin dhe janë të barabartë ndërmjet tyre? Sepse askush, në një shoqëri të individëve të barabartë, nuk ka të drejtën të kufizoj të drejtat e një individi tjetër. Ndryshon puna për shoqërinë, si një e tërë. Ajo mund ti kufizoj të drejtat e individit. Por edhe ajo ‘vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve (individë)’, sikurse thotë Kushtetuta e Republikës.
  Në një vend demokratik, ‘liritë e një individi mbarojnë atje ku fillojnë liritë e një individi tjetër’. Dhe në një shoqëri të tillë për të siguruar barazi individët mblidhen dhe vendosin për kushtëzimet që do ti vendosin vetes. Këto kushtëzime i quajnë ligje dhe pasi i kanë vendosur me vullnet të lirë, i respektojnë të gjithë. Kështu duhet të ndodhi edhe me ligjin e zhvillimeve në territor, që e quajmë plan. Individët i vendosin kufizime të drejtave të zhvillimit të pronësive të tyre, me synimin e ndërtimit të një tërësie (qyteti) funksionale, sa më mirë jetueshëm dhe të gjithë propocinalisht të barabartë në përfitim. Ky është plani. Një ‘marrveshje’, mes qytetarësh në liri. Kjo mund të arrihet në forma dhe procedura të ndryshme, por në asnjë rast nuk mund të përjashtohen qytetarët.
  Kuptimi i gabuar i zyrtarit, që duhet thënë se nuk është i vetmuar, trashëgohet nga një kohë që ne shpresonim ta kishim lënë pas. Por që duket se na ndjek akoma dhe është bazamenti nga ku origjinalizojnë kuptimet tona të sotme mbi shumë cështje. Vecanërisht ato të lidhura me pronat, të drejtat e zhvillimit të tyre dhe planet urbane. Nga një kohë kur mbretëronte paradigma se ‘shteti duhet të kontrollojë cdo aspekt të jetës dhe zyrtarët ishin “kalorësit” e vetëm të të mirës publike të komunitetit, ndërsa e mira dhe interesi privat nuk ekzistonte. Në këto mënyra të të menduari, ishte e kuptueshme që ‘planin urban’e bënte vetëm shteti dhe “kalorësit” e tij, por jo në kohët moderne që po jetojmë. Në to, kuptime të tilla janë vecse anakronike dhe të trashëguara nga një kohë pa kthim.



DY REFORMAT E  BANESAVE DHE GJËNDJA E QYTETEVE SHQIPTARE. Mapo, 07.05.2014


Qytetet shqiptare, për nga mënyra e zhvillimit të tyre dhe produkti konkret i kësaj mënyre, janë ndër qytetet më të keq jetueshme që unë njoh. Sikur ky perceptim të kufizohej vetëm te unë ky nuk do ishte ndonjë problem apo cështje në diskutim. Por, niveli i lartë i kritikës dhe përfshirja e gjerë e opinionit publik, është i tillë që të bën të besosh, se nëse ka një gjë për të cilën shqiptarët bien dakort është gjëndja e papranueshme e qëndrave të banuara shqiptare. Arsyet që cuan në një realitet të tillë i përkasin një spektri shumë të gjërë. Ato fillojnë nga zhvillimi i paplanifikuar i qyteteve tona, te fragmentarizimi i zhvillimit. Nga administrimi i keq i zhvillimit ndërtimor te atomizimi i interesave të komuniteteve. Nga vendimarrjet preferenciale të administratave, te dëshira e madhe për tu pasuruar brenda natës. Një listë të gjatë arsyesh mund të krijonim në këtë rast, për shumicën e të cilave është folur shpesh dhe gjatë. Por, nëse e observon më thellë problematikën e gjëndjes ekzistuese dhe shkaqet që cuan te kjo pasojë do të gjesh se ka dy argumente që duket se askush nuk i prek.
  Dy reformat liberale të pronësimit të banesave të implementuar dhe në implementim e sipër nga qeverisjet Shqiptare të viteteve të tranzicionit. E kam fjalën për reformën e privatizimit të stokut socialist/të përbashkët të banesave, e bërë me një ligj të viti 1992, dhe reformën e legalizimit të ndërtimeve informale që ka filluar me një ligj në vitin 2004 dhe vazhdon. Ndërsa pritet që Kuvendi i Shqipërisë të miratoj një ligj tjetër këtë muaj. Nga reforma e parë përfituan rreth180 mijë familje shqiptare që banonin me qira simbolike në banesa shtetërore. Ndërsa nga reforma e dytë numri i familjeve përfituese ka ndryshuar në kohë sepse edhe vet reforma (ligji) ka evoluar duke përfshirë cdo herë ndërtimet e bëra gjatë episodit kohor midis dy ndryshimeve. Sidoqoftë, mendohet se ky numër shkon deri në 300 mijë familje. Ky, në fakt, është ndryshimi i dy reformave. Ndërsa për të parën u përcaktua një qëndrim politik i cili u përkthye në ligj që u implementua me shpejtësi brënda një mandati, në të dytën qëndrimi politik ndryshon me mazhorancat dhe përfshin cdo herë e më shumë përfitues. Mirëpo, ndërsa të dy reformat kanë dallueshmeri, ato kanë edhe ngjashmëri. Të dyja kanë të përbashkët një kuptim primitiv. Një kuptim që bota perëndimore e ka lënë pas 150 vjet më parë. Kuptimin sipas të cilit struktura (objekti ndërtimor) e zhvilluar mbi një truall të caktuar është e pandashme nga trualli konkret mbi të cilën është ndërtuar. Bota perëndimore, e cila e njeh dhe e vlerëson prej shekujsh shenjtërinë e pronësisë private mbi tokën, i ka dhënë përgjigje të zgjuara dhe të moralshme ndarjes së vlerës së tokës nga zhvillimi potencial i saj. Po kështu, edhe konceptit të pronësive kolektive mbi të njëjtën pasuri të paluatshme që ka formën e një agregati me një shumllojshmëri komponentësh. Aplikimet janë të shumta. Të njëjtat shëmbuj mund të kishim ndjekur edhe ne. Në vend që të rishpronësonim pronarët e ligjshëm të trojeve ku këto ndërtesa ishin ndërtuar, duke i përjashtuar nga zhvillimi potencial i ardhshëm, duhet t’i përfshinim ata në bashkëpronësinë e një titulli të përbashkët pronësie. Përfitimet nga ky kuptim i moralshëm do të ishin të disafishta.
Për së pari, do t’i kursenim shoqërisë shqiptare një përshtjellim të madh social të krijuar nga procese burokratike pafund për njohjen, kompensimin fizik apo monetar të këtyre pronësive. Procese dhe kosto që duket se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Për më tepër, pronarët do ta merrnin në mënyrë të drejtpërdrejt pronën e tyre dhe do të përfitonin nga të drejtat e zhvillimit të kësaj prone në momentin kur kjo pronë të rizhvillohej. Por më e rëndësishmja, të paktën në konteksin e këtij shkrimi, është se do kishim një shkak më pak për gjëndjen e pajetueshme të qyteteve tona. Përjashtimi nga bashkëpronësia në zhvillimet ndërtimore ekzistuese dhe përfitimet potenciale nga zhvillimi i së ardhmes, drejtoi pronarët në aktivitete ndërtimore në pjesët e “lira” të pronësisë së tyre. Të cilat, nëse në dimensionin e pronësisë ishin troje të pazhvilluara me potencial të lartë zhvillimi, në dimensonin urbanistik ishin hapsira të hapura dhe sociale në shërbim të njësive të banimit dhe pjesë e pandashme e tyre. Hapsira që i mbanin këto njësi banimi në të jetueshme dhe pjesë të një qyteti me dimension human e social.




DEBATI I DJATHTË NIS NGA PRONËSIA MBI TOKËN. Mapo, 29. 10. 2015

Prej muash tashmë është krijuar perceptimi publik se në Pd-ë ka dy linja, që kundështojnë njëra tjetrën. Grupi i të rinjve, që përmbledh hyrjet e reja dhe drejtohet nga z. Basha, dhe grupi i të vjetërve që përfshin qëndrimtarët dhe udhëhiqet nga z. Berisha. Në fakt, që në këtë përshkrim teoria është konfuze në vetvete, por, sidoqoftë vazhdojmë. Grupi i të rinjve supozohet se ka drejtuar aksionin dy vjecar opozitar dhe vlerësohet si e paaftë të krijojë një opozitarizëm të fortë, si ai që vite më parë ka arritur të ndërtojë grupi i të vjetërve. Diferenca identifikohet te niveli i zërit me të cilin bëhen akuzat ndaj qeverisjes dhe niveli i dorheqjeve të kërkuara në fund të tyre. Këtu gjendet edhe disniveli i opozitarizmit midis dy grupeve, sipas perceptimit të cilit po i referohemi në këtë shkrim. Ndërsa, vet kundështia nga brenda, shprehet me akuza të grupit të të rinjve për korrupsion në qeverisje dhe imoralitet në jetët personale të individëve të grupit të të vjetërve.
  Nëse akuzat për korrupsion më shumë lihen për tu nënkuptuar, cështjet e moralit individual shprehen shumë qartë dhe shkojnë shumë larg. Shkojnë deri te moraliteti i grave apo partnereve të dyta të individëve specific të grupit të të vjetërve. Duket se këto janë dy shtyllat e funksionimit politik të PD-së së sotme dhe Kryetari Basha është shumë i kënaqur me to. Ai, ndihet i realizuar me ‘modelin e ri të opozitarizmit’ që ka krijuar dhe me ‘frymën e re të debatit të brendshëm’, që ka hapur dhe mendon ta mbështesë në të ardhmen, duke e zgjeruar më tej. Mirëpo, zgjedhjet e qershorit të fundit tregojnë se shqiptarëve nuk u mjafton ky opozitarizëm. Sepse shqiptarëve të 25 vjetëve në tranzicion, nuk mund ti mjaftojë e njëjta opozitë por e bërë nga njerëz të rinj. Ekzaktësisht sikurse opozita Berisha e para 2005 dhe opozita Rama e pas 2005, opozita e re Basha kërkon të vi në pushtet sepse pozita qënka e korruptuar! Jo o drejtues të opozitës, kjo nuk mjafton!
Nëse flisni me nënkuptime për individë të korruptuar të qeverisjes Berisha, a jeni të gatshëm ti dorëzoni ata dhe provat që e provojnë këtë, në prokurori? Vetëm në një skenar të tillë akuzat që keni për qeverisjen Rama do të fillojnë të zënë vend në besimin e publikut. Por edhe kjo nuk është e mjaftueshme. Sepse, edhe nëse shqiptarët do ju besojnë se ju do keni marrdhënie të re me vendimarrjen preferenciale (korrupsionin), atyre do ju duhen edhe qasjet premtuese qeverisëse të të nesërmes. Qasje, që vërtet origjinalizohen nga debatet e brendshëm partiake, porse në asnjë rast nuk mund të kenë për tematikë ndershmërinë e grave apo partnereve tuaja, të para apo të dyta! Tematika e këtyre debateve duhet të vij nga shqetësimet bazike qytetare. Dilni në terren dhe dëgjojini ato. Gjithcka origjinalizon nga lëmshi i pronësisë mbi tokën, në qytet e në fshat! Një lëmsh që vazhdon e ngatërrohet prej 25 vjetësh nga socialistë e demokratë sa herë janë në pushtet.
  Hapeni debatin me ligjin 7501 për tokën bujqësore. A mundet që pas 25 vjetësh të vazhdohet me një rregullim të tillë? Ta lëmë Kushtetutën, me të cilën bie në kundështim të hapur, por a është më koherent ky ligj pasi rreth gjysma e përfituesve prej tij janë sot në qytet apo në emigracion? A është normale sot, që taksapaguesit e mjeruar shqiptar të paguajnë dy herë për shpronësimin e një toke për investime publike? Një herë për pronarin legjitim, dhe një herë tjetër për atë që i është dhuruar sipas ligjit 7501! Për më tepër, a bën moral që dikush që e ka përfituar këtë tokë për zhvillim bujqësor dhe vetëm për këtë “arsye”, të përfitoj para’ nga përdorime të tjera!? Vazhdoni me ligjin 7652 për privatizimin e stokut të banesave, që gjithashtu bie në kundështi me Kushtetutën! A është e domosdoshme që taksapaguesit shqiptar paguajnë shpronësimin e tokës urbane që privatizuesit e rreth 230 mijë banesave të kenë në bashkëpronësi edhe truallin e ndërtesës!?
Cfarë ndodh nëse toka i kthehet pronarit dhe pronësitë e apartamenteve nuk përfshijnë edhe truallin? Më e pakta e sigurtë ndërtesa nuk bie, por gjithashtu shoqëria shpëton nga një përshtjellim i panevojshëm moral. Shkoni më tej, te ligji 9482 për legalizimet! Dhe nëse nuk gjeni pyetje, përgjigjuni pyetjes publike se cfarë lidhje ka legalizimi i një objekti të ndërtuar pa leje me shtetëzimin e trojeve nga pronari legjitim dhe privatizimi në favor të ndërtuesve paleje? Pse u dashka që shoqëria shqiptare të paguajë diferencën e faturave të shtetëzimit dhe riprivatizimit? Dhe mbi të gjitha, pse u dashka që taksapaguesit mjeran shqiptar të mbajnë me rroga, zyra e shpenzime të tjera ca mijëra burokratë në institucione të krijuara vetëm për këto cështje?! Hapeni këtë debat, dhe do të shihni se qytetarët kanë tjetër perspektivë mbi cështjet. Atherë po që do merritonit votën e tyre, sepse debatet mbi pronësinë e tokës janë debatet bazike të djathta!




CFARË DUHET TË KUPTOJMË NGA PROTESTA E BANORËVE TË ZONËS ASTIRIT! Mapo, 14. 11. 2018

Për të disatën ditë, banorët që preket nga rizhvillimi e zgjerimi i unazës së re, po protestojnë në mbojtje të interesave të tyre. Ngjarje shumë e mirë, kjo, në lidhje me angazhimin qytetar në cështjet urbane, dhe në këtë kuptim, edhe në shërbim të demokracisë së aplikuar në proceset vendimarrëse. Vendi ynë e ka domosdoshmëri një frymë të tillë qytetare, pavarësisht se edhe ata vet e kanë formatuar protestën duke kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve të tjerë që kanë nevojë të përdorin atë infrastrukturë. Po kaq i rëndësishëm, gjithashtu, në kuptim të demokracisë së aplikuar është edhe përfshirja e deputetëve të opozitës në këtë konflikt qytetar. Të strukur në foltoren e selisë dhe studjot televizive, e vetmja punë që kanë bërë është akuzimi i antarëve të qeverisë për krime monstruoze; dhe zhvendosja e tyre nga statika e pozimit para kameras te dinamika e kundështisë qytetare, në një protestë antiqeveritare është një zhvillim shumë pozitiv.    
Sidoqoftë, kjo është një vendimarrje që i takon opozitës, ndërsa ajo që na takon ne është pyetja; a mjafton një rotacion politik midis kësaj qeverisje me një qeveri të opozitës, që cështja të zgjidhet? Sepse, rotacioni në vetvete mund të jetë thelbësor për opozitën, kurse për qytetarët e prekur nga ky projekt thelbi qëndron te ndryshimi i shkaqeve që prodhojnë pasojën, për të cilën ata ndihen të rrezikuar dhe sulmuar në të drejtën e tyre kushtetuese të pronësisë! Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje, na duhet të kuptojmë se kush janë arsyet që i kanë nxjerrë këta njerëz në rrugë; dhe si mund të ndryshojnë shkaqet që kanë prodhuar këto arsye. Ajo që po ndodh është shumë e thjeshtë; qeveria kërkon të përmirësojë një aks shumë të rëndësishëm të infrastrukturës rrugore dhe kjo është një gjë e mirë për qytetin. Në këtë pikë, të dyja palët e përfshira në konflikt dakortësojnë, sepse edhe vet banorët që preken nga ky projekt nuk janë kundër këtij zhvillimi.
Ajo për të cilën komuniteti lokal është ngritur në protestë nuk ka lidhje me projektin në vetvete, ka lidhje me atë që projekti sjell si konseguencë. Që projekti të zhvillohet duhet që ndërtesat e tyre të prishen menjëherë dhe ata të dalin në rrugë të madhe pa asnjë mbështetje ose me shumë pak para’ si dëmshpërmblim për dëmin që po pësojnë nga zhvillimi. Këtu vijmë te absurdi i cështjes, tradicional në Shqipëri, që krijon këtë konflikt. Nëse ndjekim mediat tradicionale apo sociale, si të vetmet mundësi që kemi për tu informuar dhe kuptuar realitetin, pjesa dërmuese e shoqërisë shqiptare është dakort që qeveria të dëmshpërblej familjet e dëmtuara nga ky zhvillim, në masën e dëmit që ju është shkaktuar atyre. Dhe ky është absurdi që duhet zgjidhur: taksapaguesi shqiptar, i vetmi pronar i buxhetit të shtetit, jep; kurse qeveria, menaxhuesja e parave publike, nuk pranon të dorëzoje paratë që pronari pranon se i detyrohet një pjese të vet!
Rrotacioni politik në pushtet mund të sjelli shumë gjëra të mira, jo vetëm për opozitën, por edhe për individin, familjet dhe shoqërinë shqiptare. Ai, përshembull, mund të ndryshojë qasjen e institucioneve dhe agjensive qeverisëse, që kanë lidhje me lejimin, kontrollin dhe disiplinimin e punimeve në ndërtim, në mënyrë që ato të kryejnë më me përgjegjshmëri funksionet dhe detyrat e tyre ligjore. Dhe në këtë kuptim, mundet, që institucionet dhe agjensitë e një qeverisje të opozitës së sotme, të kontrollonin më mirë territorin për ndërtime paleje apo shtesa paleje në ndërtime të mëparshme; dhe kjo do ndikonte shumë në uljen e kostove për shpronësime. Ato, gjithashtu, mund të shtrinin në një kohë më të gjatë komunikimet dhe negocimet me familjet që po dëmtohen nga ky zhvillim; dhe kjo do të ndikonte pozitivisht në proces. Por kurrësesi nuk mund të presim që rrotacioni politik në vetvete mund ta adresojë absurdin për të cilin po flasim.
Sepse rrënjët e këtij absurdi lidhen me atë që gjendet midis qeverisë dhe popullit; legjislacionin. Nëse duam ta zgjidhim këtë cështje, dhe shumë të tjera të ngjashme që do vijnë në vazhdim, duhet të ndërhyjmë në të paktën dy legjislacione. Së pari, në legjislacionin që rregullon cështjen e shpronsimeve, në mënyrë që cdo qytetar i dëmtuar nga zhvillimi të dëmshpërblehet në masën e plotë të dëmit që ka pësuar. Dhe së dyti, në legjislacionin e legalizimeve, në mënyrë që jo vetëm të mos ketë trajim të ndryshëm për qytetarë që kanë shkelur të njëjtin ligj, dhe që ky proces i tejzgjatur të përfundoj sa më shpejt, por mbi të gjitha që gjithë palët e përfshira në këtë zhvillim të paligjshëm por të amnistuar, të përfitojnë në mënyrë propocionale me kontribunin në të. Kjo është rruga e vetme, që bujaria e taksapaguesve të shpërblehet me mirëqeverisje dhe kohesion shoqëror, gjë që qeveria aktuale nuk mund ta bëj dot më, kurse opozita mundet, nëse do dhe di.

Comments

Popular posts from this blog

+ NDIKIMI I NDRYSHIMEVE KLIMATIKE

BAZIKE MBI ZHVILLIMET NE TERRITOR

QYTETI