QEVERISJA DHE URBANISTIKA


Ky cikël artikujsh, i publikuar në gazetën Liberale gjatë vitit 2019, përbën një kritikë të thelluar dhe koherente ndaj rolit të shtetit shqiptar në degradimin dhe deformimin e qyteteve gjatë periudhës post-komuniste. Në kundërshtim me diskursin mbizotërues sipas të cilit qytetet u shkatërruan nga mungesa e shtetit apo nga forcat e tregut, autori argumenton se ishin pikërisht ndërhyrjet selektive, arbitrare dhe klienteliste të një “shteti të madh” që e shndërruan territorin urban në një hapësirë të paqeverisshme, të paorganizuar dhe të padrejtë.

Në artikullin kryesor, “Qytetet shqiptare i shkatërroi shteti i madh” (Kaprata, 2019a), shteti përkufizohet si aktori që, në vend që të garantojë të drejtat bazë dhe të rregullojë mekanizmat e tregut, ka uzurpuar të gjithë procesin e zhvillimit territorial: ka shpërfillur planifikimin, ka dhënë leje ndërtimi pa kritere, ka legalizuar informalitetin dhe ka shpërndarë pronësinë mbi baza klienteliste. Ndryshe nga modeli liberal i shtetit ligjor dhe rregullator, “shteti i madh” shqiptar ka përqafuar një model etatist dhe paternalist që ka favorizuar zgjerimin e burokracisë dhe kontrollin vertikal në vend të rregullit nga poshtë-lart.

Në “Shteti i madh nuk na jep por na merr të drejtën e zhvillimit” (Kaprata, 2019b), theksohet se legalizimet dhe lejet e ndërtimit nuk janë mekanizma të rendit, por instrumente arbitrare që ndajnë privilegje, jo të drejta. Një shtet që u mohon pronarëve të ligjshëm të drejtën për të zhvilluar pronën e tyre në emër të “interesit publik”, por ua jep këtë të drejtë individëve të lidhur me pushtetin, nuk është shtet zhvillimi, por shtet klientelizmi. Ky shtet nuk e ndalon informalitetin, por e riciklon atë nën petkun e ligjshmërisë.

Artikulli “Të djathtët nuk mendojnë se për të bërë rend duhet më shumë shtet” (Kaprata, 2019c) vendos qartësisht vijën ndarëse mes qasjes etatiste dhe asaj liberale: të parët mendojnë se rendi imponohet nga qeveria; të dytët se rendi buron nga institucionet, ligji dhe respektimi i pronës. Për autorin, zgjidhja e krizës urbane nuk qëndron në rritjen e rolit të shtetit, por në kufizimin e tij, në rivendosjen e pronësisë reale, në depolitizimin e lejeve dhe në kthimin e projektit urbanistik në akt teknik dhe jo në çështje qeveritare.

Në “Shteti i madh është problemi, jo zgjidhja” (Kaprata, 2019d), nënvizohet se ndërhyrja e tepërt shtetërore në ndarjen e territorit, në planifikim dhe në zhvillim nuk ka sjellë rend apo barazi, por ka prodhuar kaos dhe padrejtësi: ndërtimet janë lejuar aty ku nuk duhej dhe janë ndaluar aty ku duhej; qyteti është zhvilluar jo sipas nevojës, por sipas lidhjes me pushtetin; komunitetet janë ndarë, jo bashkuar. Ky artikull përbën një kritikë të qartë të pseudo-politikave “të mëdha”, të cilat vetëm sa i kanë përkeqësuar gjendjen urbane dhe kanë shmangur zgjidhjet e qëndrueshme.

Më tej, në “Shteti i madh e koncepton qytetin si një sërë lejesh ndërtimi” (Kaprata, 2019e), autori nxjerr në pah rrënjën e krizës: legalizimi i informalitetit nëpërmjet vendimmarrjes qendrore mbi lejet, pa asnjë logjikë planifikuese. Ndërhyrjet e shtetit kanë krijuar qytete të formësuara jo nga projekti, por nga vendimi i një zyrtari. Plani nuk ekziston më si dokument zhvillimor, por si pengesë që kapërcehet përmes autorizimit klientelist. Në vend që të hartojë plane dhe t’u kërkojë qytetarëve që të sillen sipas tyre, shteti i madh ka legalizuar sjelljen e qytetarëve dhe ka shpërfillur planet.

Përballë kësaj situate, cikli propozon një alternativë të qartë: kthimin te qeverisja e kufizuar, ndarja e kompetencave teknike nga ato politike, garantimi i të drejtës së zhvillimit mbi pronën private, dhe një reformim rrënjësor i sistemit të planifikimit territorial mbi baza liberale. Shteti duhet të garantojë procesin dhe jo të shpërndajë privilegje. Leja duhet të jetë automatike nëse plotësohen kriteret teknike, ndërsa plani duhet të jetë kusht paraprak për çdo zhvillim. Kjo qasje synon të vendosë rregull përmes ligjit, jo përmes vullnetit qeveritar.

Në përfundim, cikli i artikujve paraqet një kontribut origjinal në debatin mbi zhvillimin urban dhe qeverisjen e territorit në Shqipëri, duke hedhur poshtë mitin e “shtetit të domosdoshëm” dhe duke propozuar një model liberal të planifikimit si rrugë për të dalë nga kriza.


Kaprata, G. (2019a, November 11). Qytetet shqiptare i shkatërroi shteti i madh. Liberale.
Kaprata, G. (2019b, November 12). Shteti i madh nuk na jep por na merr të drejtën e zhvillimit. Liberale.
Kaprata, G. (2019c, November 13). Të djathtët nuk mendojnë se për të bërë rend duhet më shumë shtet. Liberale.
Kaprata, G. (2019d, November 14). Shteti i madh është problemi, jo zgjidhja. Liberale.
Kaprata, G. (2019e, November 15). Shteti i madh e koncepton qytetin si një sërë lejesh ndërtimi. Liberale.

 (qeveri e madhe vs. qeveri e limituar)

Qytetet shqiptare i shkatëroi shteti i madh! Liberale, 22. 04. 2019

 

 

Thelbi i ndryshimit midis të majtës dhe të djathës është vlera që secila prej tyre i jep  njeriut! Për të djathtët njeriu është synimi i gjithckaje, kurse për të majtët thelbi është shoqëria. Nga këtu nis edhe diferenca midis tyre, e cila derivon te vlerësimi i secilës për madhësinë dhe rolin e qeverisë.

Të majtët besojnë se shteti duhet të ketë kontroll të plotë mbi edukimin e cdo fëmije, kujdesin shëndetsor, bile edhe mbi sesi sipërmarësit duhet të drejtojnë bisneset e tyre. Me pak fjalë, për të majtët nuk duhet të ketë forcë tjetër që të konkuroj me qeverinë. Kurse të djathtët besojnë se roli i qeverisë duhet të limitohet në kufinjtë e nevojës së përbashkët, sic janë; mbrojtja nga armiqtë e jashtëm; mbrojtja nga djemtë e këqinj të vendit; mbrojtja e zbatimit të kontratave; dhe si kufiri i fundit për të ndihmuar qytetarët në nevojë të cilët nuk kanë arritur dot të sigurojnë ndihmë nga: familja e tyre, të afërmit; komuniteti, rrethi shoqëror dhe institucionet religjoze apo sekulare. Nëse do ta përcaktonim me një fjali të vetme, të majtët janë për një qeveri të madhe, kurse të djathtët janë për një qeveri të vogël.

Unë besoj se një qeveri e vogël është një qasje e mirë, përvec shumëckaje, edhe në fushën e zhvillimit territorial dhe urban. Për të kuptuar këtë, për së pari duhet të kuptojmë se roli i institucioneve qeverisëse është i pashmangshëm në cështjet urbane. Urbanistikë do të thotë kompromis e të gjithë grupeve të interesit të përfshira apo të ndikuara nga planifikimi apo vendimarrjet për zhvillimin, dhe në këtë kuptim, roli prej organizuesi dhe moderatori i institucioneve të qeverisë në proceset e kuvendimit të këtyre grupeve dhe interesave, është i rëndësishëm.

Këtu, midis të majtës dhe të djathtës, nuk ka diferencë në qëndrim politik. Ndryshimi qëndron te cështja se kush është ekzaktësisht roli i qeverisjeve (qëndrore e vendore) në procesin e bërjes apo ribërjes së qëndrave të banuara.

Për të kuptuar këtë, ne do ta hedhim vështrimin te mënyra sesi janë zhvilluar qytetet shqiptare në 25 vitet e fundit, dhe kush ka qenë roli i qeverive në këtë produkt. Për së pari, duhet të pranojmë se qytetet shqiptare, vecanërisht ato më të mëdhatë, gjenden në një kaos të madh urban, dhe ofrojnë një cilësi shumë të keqe të jetës urbane për qytetarët e tyre. Edhe për këtë, jam i sigurt që dakortësojmë të gjithë. Ajo që do përpiqem të faktoj unë, është se ishte qeveria e madhe që e shkaktoi këtë; dhe jo mungesa e Shtetit, sepse ky i dyti është shpjegimi që po na jepet prej vitesh nga majtistët.

Thelbi i gjithë shpjegimit të tyre qëndron te teza se, pas rrënies së socializmit, në mungesë të shtetit që vendos rregulla dhe shtrëngon zbatimin e tyre; qytetarët u turrën për tu pasuruar duke ndërtuar pa kriter dhe dëmtuar qytetin. Tezë shumë e dëmshme kjo, sepse po e morëm për të mirëqënë do na drejtoj në dëme më të mëdha se këto që kemi shkaktuar.

Në fakt kjo ka ndodhur në këto 20 vitet e fundit, sepse duke besuar këtë hipotezë ne kemi krijuar ligjislacion, i cili ka fuqizuar rolin e qeverisjes në bërjen e qytetit, por dukshëm nuk ka rregulluar qytetin. Shqipërinë territoriale dhe urbane nuk e ka shkatërruar mungesa e shtetit por në të kundërt shteti i madh, shteti i tejshtrirë që ka mbledhur gjithmon e më shumë kompetenca për veten, që më pas i ka ushtruar në mënyrë preferenciale në varësi të marrdhënieve që zyrtarët vendimarrës kishin me interesat që kishte përballë.

Fushëveprimtaria e qeverisë shprehet me shtrirjen e saj horizontale në aktivitetin ekonomik, social, kulturor të shoqërisë. Sa më e shtritë të jetë qeverisja në funksionet e saj, aq më e madhe është ajo, aq më shumë kushton për taksapaguesit, dhe aq më shumë dëme bën. Në kuptimin praktik, madhësia e një qeverie matet me numrin e institucioneve që ka në varësi dhe paratë publike që shpenzon në rroga zyrtarësh apo shpenzime të tjera.

Si pa dashje, socialistët e ngatërojnë horizontalitetin e shtrirjes së qeverisë (shtrirjen e kontrollit dhe ndërhyrjes e saj) me dimensionin vertikal të saj (efikasitetin). Dhe arsyetimi i tyre është, se duke qënë se qyteti është dëmtuar, do të thotë se kemi qeveri të dobët, kështu që zgjidhja është ta zmadhojmë qeverinë.




 

Qytetet nuk u dëmtuan nga pronësia private, por nga qeveria e madhe! Liberale, 29. 04. 2019

 

Një nga shkaqet, sipas majtistëve që mbrojnë tezën se ‘qytetet në tranzicion u shkatërruan për mungesë të shtetit’,  ishte pronësia private mbi tokën urbane. Pra, nëse toka urbane nuk do ishte kthyer pronarit legjitim por do mbetej në pronësi të shtetit, atherë do ruhej fizionomia e qytetit ashtu sic e kishim trashëguar nga sistemi socialist.

Në pamje të parë, kjo tezë bën kuptim. Nëse, njësive të formuara urbane nuk do i shtoheshin godina të reja, në shumë aspekte urbanistike, si raporti i sipërfaqes së ndërtuar me ato të hapura e të gjelbëruara, densiteti i banorëve në territor dhe intensiteti i ndërtimit; por edhe në aspekte mjedisore, estetike, vizuale, të ajrosjes, të djellëzimit; qyteti do ishte shumë më mirë i jetueshëm sipas këtij skenari.

Mirëpo, a do mund të konsideroj tranzicion nga një regjim socialist ku pronësia është tërrësisht shtetërore, në një sistem të ekonomisë së tregut të lire; nëse shteti do të vijonte të ruante monopolin e pronësisë mbi tokën urbane!? E drejta për të poseiduar dhe përfituar nga pronësia private është një e drejtë bazike e individit, dhe përbën thelbin e sistemit të demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut të lirë.

Sidoqoftë, argumentet e mia për këtë shkrim të shkurtër opinioni, do fokusohen vetëm në shkencën e urbanistikës, dhe i pari prej tyre është se toka urbane asnjëherë nuk ju kthye pronarit. Ajo në masën dërmuese kaloi në pronësi të privatizuesve të banesave të stokut shtetëror.

Në dhjetor 1992, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 7652 ‘për privatizimin e banesave shtetërore’, nëpërmjet të cilit privatizoi rreth 230 mijë apartamente! Një reformë liberalizuese, kjo, në vrazhdën e tranzicionit nga një ekonomi e planifikimit të centralizuar shtetëror, ku shteti kishte pronësinë apsolute mbi tokën dhe dominancën mbi pronësinë e banesës; në një ekonomi të tregut të lirë ku pronësia private kishte të njëjtën vlerë kushtetuese sikurse pronësia shtetërore. Së bashku me apartamentin në të cilin jetonin familjet shqiptare fituan edhe pronësinë, në formën e bashkëpronësisë me komunitetin e familjeve që banonin në të njëjtin pallat, mbi tokën që kjo ndërtesë ishte zhvilluar. Ndërkohë që pronarëve të tokës, ju premtua se do kompensoheshin me para’ nga buxheti i shtetit dhe këtë po bën sikur po bën prej 25 vjetësh.

Pra, ishte shteti i madh dhe jo pronësia private mbi tokën; që së pari zgjeroi kufinjtë e fushëveprimit të vet në shpinën e të drejtës bazike të individit, të taksapaguesit të sotëm dhe të nesërm dhe sikurse do ta shohim në vijim edhe të shkencës së urbanistikës; dhe së dyti krijoi parakushtin për dëmtimin e qytetit. Sepse toka urbane, vërtetë nuk ju kthye në tërrësinë e vet, porse një numër minimal i parcelave në hapsirat e hapura midis pallateve që formojnë njësinë e banimit, përgjatë viteve të tranzicionit ju kthyen te pronarët legjitim. Dhe një pjesë e pronarëve, me ndihmën e industrisë së ndërtimit arritën të përfitojnë një leje ndërtimi, për këto pronësi të kthyera në parcela ndërtimore.

Pa as më të voglin dyshim, këto ndërtime të reja dëmtuan rëndë njësitë urbane, dhe në këtë kuptim, gjithë qytetin si një i tërrë. Porse edhe këtë dëm e solli qeveria e madhe që i njohu vetes të drejtën të japi leje ndërtimi, në kundështim të plotë me shkencën e urbanistikës, për të cilën këto njësi banimi ishin të mbyllura për zhvillim të ri ndërtimor.

Deri tani kemi folur vetëm  për shtrirjet e përcaktuara nga vija kufizuese e ndërtimeve të e para viteve ’90-të, por qytetet shqiptare të sotme nuk janë më të njëjta si cerek shekulli më parë, dhe shtrirjet e reja shfaqin probleme edhe më të rënda se njësitë e vjetra (Komuna e Parisit, Qesaraka, Farka, Kamza në Tiranë; të ashtu quajturat zona turistike në qytetet bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, dhe shumë të tjera nëpër Shqipëri). Këto nuk janë ribërje urbane nëpërmjet zhvillimit të pronësisë private të tokës urbane brenda njësive ekzistuese të banimit, por zhvillime tërrësisht të reja dhe autonome!

Pa më të voglin dyshim këto leje ndërtimi, si ato në qëndrat ekzistuese urbane edhe ato në shtrirje të reja urbane, u dhanë nga shteti i madh duke preferuar interesat e disa shtetasve mbi shtetasit e tjerët, për trafik influencash, bile edhe për mitmarrje, sepse qeveritë e mëdha kanë edhe një karakteristikë tjetër; sa më e madhe të jetë qeveria, aq më i madh është edhe korrupsioni që e shoqëron atë.

Një qeveri që mbështetet tregun e lirë, nuk do të vepronte kështu. Ajo do të kryente vetëm dy detyra: do privantizonte stokun shtetëror të banesës, dhe do kthente titujt e pronësive te pronari legjitim, ndërsa do lejonte që shkëmbimi vullnetar në tregun e lirë të rregullonte pjesën tjetër.

 

 

 


 

Ishte qeveria e madhe që pengoi hartimin e planeve territoriale dhe urbane! Liberale, 06. 05. 2019

 

 

Qytetet e mëdha shqiptare calojnë fort në elementin fizik të tyre, dhe kjo është lehtësisht e dallueshme për të gjithë. Përtej bindjeve politike shumica dërmuese e shqiptarëve e pranojnë këtë fakt lehtësisht të konstatueshëm në përditshmëri. Ata jetojnë gjithmonë e më keq përshkak të qëndrave të tyre urbane, dhe kjo nuk është një gjë e lokalizuar, e përkohëshme apo e rastësishme. Për këtë pasojë të papranueshme, ka, jo vetëm shkaktar politik, por edhe arsye teknike.

Mirëpo, nëse nuk e solli pronësia private mbi tokën urbane, cfarë e solli këtë shpërfytyrim të qyteteve shqiptare në tranzicion? Përgjigjet teknike do ishin të shumta, por në këtë shkrim të shkurtër të opinionit, do të fokusohemi te planifikimi territorial dhe urban. Ishte zhvillimi i pa-paraprirë nga planifikimi i mëparshëm që prodhoi këtë dëmtim të dimensionit urban dhe territorial të Shqipërisë në tranzicion. Qeverisjet (qëndrore dhe vendore) nuk arritën të sigurojnë produkte planifikimi, sipas nivelit të tyre dhe në përputhje me funksioneve të veta qeverisëse. E thënë thjeshtë, Shqipërisë së zhvillimit të shpejtë ekonomik, politik, social, kulturor, demografik, dhe në këtë kuptim edhe ndërtimor, si pasojë e shkëputjes nga thonjtë e socializmit të planifikimit qëndror; i munguan për 25 vjet planet territoriale dhe urbane, që do ta orientonin drejt zhvillimit të zgjuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm këtë zhvillim të shpejtë.

Për të testuar vërtetësinë e këtij pohimi mjafton të dijmë se i fundit Plan i Përgjithshëm Territorial (Plan Rregullues) i Kryeqytetit  është miratuar nga qeveria socialiste e z. Adil Carcani në 1990-të dhe është shfuqizuar 20 vjet më pas, për arsye të vlefshmërisë kohore të tij! Përtej shfaqjeve propogandistike të partive dhe kryebashkiakëve, as sot e kësaj dite Tirana nuk ka një Plan Territorial të Përgjithsëm prej vërteti. Që do të thotë se, nuk ka një Plan që ti paraprijë një zhvillimi gjithëpërfshirës, të zgjuar dhe qëndrueshëm të saj. Situatë e ngjashme, për planifikimin e përgjithshëm territorial, është për të gjitha qytetet kryesore shqiptare, për të mos folur për studimet pjesore; apo planet Kombëtare të qeversisë qëndrore për infrastrukturat kombëtare!

Mirëpo, ka edhe një të vërtetë tjetër po kaq të vlefshme sa e para, mungesa e Planeve nuk erdhi si konseguencë e mungesës së institucioneve qeverisëse apo të parave publike. Dhjetëra miliona euro e dollarë të taksapaguesve shqiptar, europian apo amerikan janë shpenzuar: në mbajtje institucionesh e agjensish shtetërore me detyra dhe funksione specifike për ti bërë këto plane; në tendera e konkurse kombëtare apo ndërkombëtare me synim hartimin e këtyre planeve! Në 20 vitet e fundit kemi tre plane të financuara për Tiranën; Plani Rama, Plani Basha dhe së fundi Plani Veliaj. Të pakta janë qytetet të cilat kanë përfituar financim vetëm për hartimin e një Plani territorial, më të shumta se këto, janë qytetet që kanë më shumë se dy herë financime për plane. Për hapsirën Tiranë-Durrës janë bërë dy herë shpenzime publike me synim hartimin e studimeve territoriale e hapsinore. Zonave turistike bregdetare, nga Velipoja e Shkodrës te Ksamili i Sarandës ju është financuar nga një deri në tre herë Masterplani. Zona VIP turstike, nga gjiri i Vlorës në kepin e Stillos, ka thithur tre herë financime nga institucionet ndërkombëtare.

Mund të listoja edhe të tjera, por edhe me kaq është e qartë se institucionet kanë ekzistuar dhe shpenzimet publike nuk kanë munguar, dhe në këtë kuptim, dështimi në planifikim nuk ka ardhur nga mungesa e shtetit, por nga qeveria e madhe. E cila i lejon vetes të mbajë institucione inekzistente dhe të shpërdorojë paratë publike të shqiptarëve dhe bujarinë e ndërkombëtarëve, pa asnjë produkt të vlefshëm. Në të kundërt, ajo që i lipsej Shqipërisë, ishte një kulturë shumë e ndryshme. Asaj i duhej një sistem legjislativ në përputhje me parimet europiane të qeverisë së mirë urbane, dhe një kaskadë procesesh kuvenduese e demokratike planifikimi. Asaj i nevojitej një ligj që ndan në mënyrë të qartë funksionet e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit territorial, midis niveleve të qeverisjes; një ligj që detyron hartimin e hirerkisë së planeve përpara se të lejohet zhvillimi; një ligj që mundëson koordinimin dhe bashkërendimin e instrumentave të planifikimit vendor, rajonal dhe kombëtar; një ligj që detyron procese kuvenduese e gjithëpërfshirëse të grupeve të interesit përgjatë hartimit dhe miratimit të këtyre instrumentave.

Këto mund ti bëj vetëm një qeverisje e djathtë, e cila pozicionohet diametrikisht në të kundërt me një qeverisje të madhe, sepse vetëm ajo respekton të drejtat themelore të individit, nuk shpërdoron taksat e qytetarëve dhe nuk i lejon vetes të shtrij ndërhyrjen e kontrollin e saj përtej nevojës së përbashkët të individëve në shoqëri. Kurse një qeverisje e madhe, një qeverisje socialiste, nuk ka kohë as për këto ‘brockullat individualiste të fokusuara te të drejtat e individit’ dhe as të presi shkencën e teknikën të bëj punën e saj, sepse nxiton të ndërtojë ‘parajsën socialiste’ nëpërmjet ‘edukimit të shoqërisë dhe transformimit fondamental dhe vendit’!

 

 

 

Dëmi i qeverisë së madhe nëpërmjet lejedhënies ndërtimore! Liberale, 14. 05. 2019

 

Debati më bazik midis të majtës dhe të djathtës, nga ku origjinalizon gjithcka politike, është debati mbi madhësinë dhe rolin e qeverisë. Të majtët i frigohen sipërmarrjes private dhe duan ta fusin atë në kontrollin e qeverisë, kurse të djathtët i frigohen qeverisë së madhe dhe synojnë minimizimin e fushëveprimtarisë së saj. Nuk do thosha ndonjë gjë të re, nëse do pranoja që unë i frigohem qeverisë së madhe. Sepse, unë mendoj se sa më e madhe të jetë qeveria, aq më pak bëjnë njerëzit për të afërmit dhe bashkëqytetarët e tyre. Pse të ndihmosh dikë në nevojë, kur qeveria paguhet për ta bërë në vendin tënd! Dhe kjo shkatërron karakterin moral të shoqërisë, sepse kujdesi për të tjerët është një nga vlerat më bazike të moralit individual në shoqëri. Një gjë tjetër që zvanitet nën një qeveri të madhe, akoma më e rëndësishme për mua, është liria. Është e kuptueshme: sa më e madhe qeveria aq më shumë legjislacion, dhe sa më shumë legjislacion aq më pak liri individuale. Për të mos u zgjatur, nën një qeveri të madhe cdo gjë e mirë zvogëlohet.

Në fakt, ka dicka që rritjet me zmadhimin e qeverisë, dhe ai është korrupsioni! Sa më e madhe të jetë qeveria, aq më shumë pushtet dhe para’ publike kanë qeveritarët. Dhe sa më shumë pushtet për vendimarrje e para’ publike kanë në duar qeveritarët, aq më e madhe është mundësia ta shpërdorojnë atë pushtet dhe ato para’, edhe nëse ata do ishin ëngjëj të zbritur nga qielli! Në mbrojtje të tezës se ‘ishte shteti i madh, burokracia shtrënguse dhe e korruptuar, që sollën këtë realitet të papranueshëm në qytetet tona’, në këtë shkrim të shkurtër të opinionit do sjell një argument të ri, që ka lidhje me procesin e marrjes së një leje ndërtimi në bashkitë e vendit.

Të gjithë kemi dëgjuar për Raportin e përvitshëm ‘Doing Bisness’ të Bankës Botërore, i cili vlerëson 10 aspekte të të bërit bisnes (një nga të cilat janë lejet e ndërtimit) në 189 vende të botës. Për ata pak që nuk kanë dëgjuar për të, ky është një dokument shumë i rëndësishëm për ekonomitë e vendeve në zhvillim, që kanë domosdoshmëri investimet e huaja, sikurse është Shqipëria. Sipërmarësit serioz nuk krijojnë interes për të investuar paratë dhe njohuritë e tyre në një vend të caktuar pa e studiuar këtë Raport. Nëse konsultohemi me të, Shqipëria gjëndet përherë në vendet e fundit, dhe përgjithësisht për shkak të vështirësive dhe kostove të larta që i duhet të përballojë një individ apo një sipërmarrës për tu pajisur nga autoritet që ngarkon ligji me një leje ndërtimi. Diku kam lexuar se në fillim të viteve 2000-ë duheshin 380 ditë për tu pajisur me një leje të tillë në Bashkinë Tiranë, ndërsa sot lejet e ndërtimit i jep Kryeministri i vendit!

Përvec dëmeve ekonomike që do ishte më mirë ti dëshmonte një ekonomist, ky standart tregon edhe se nuk ishte mungesa e rregullave apo lehtësia e pajisjes me një leje ndërtimi që solli bumin shkatërimtar të ndërtimit që dëmtoi qytetet tona. Është shumë e qartë për këdo që i beson shifrave dhe pranon arsyetimin mbi logjikën e thjeshtë, se nuk ka qënë mungesa e qeverisë. Plotësisht në të kundërt, ishte dhe mbetet burokracia sfilitëse dhe  kostot e mëdha financiare në procesin e pajisjes me një leje ndërtimi, që prodhuan vendimarrje korruptive. Dhe ishte vendimarrja korruptive - si karakteristikë e qeverisë së madhe e të centyralizuar socialiste - që e prodhuan këtë realitet të papranueshëm dhe plotësisht të pajetueshëm në qytetet tona.

Një qeveri e limituar libertariane nuk do ti kishte njohur vetes kaq shumë shpërdorime të parave publike në rroga e shpenzime të tjera burokratësh, me këtë kosto të madhe në dimensionin territorial dhe urban të vendit. Ajo do e kthente lejen e ndërtimit në një procedurë të thjeshtë administrative, ku autoriteti i ngarkuar nga ligji me këtë detyrë, brenda një kohe minimale, tju kthente përgjigje kërkuesve nëse kërkesa e tyre për zhvillimin e pronësisë miratohej, miratohej me kushte apo nuk miratohej fare. Një veprim shumë i thjeshtë, ky, nëse kërkesa qytetare vlerësohej vetëm në raport me projektet urbane dhe planifikimet territoriale të miratuara më parë.

Mirëpo që kjo të funksiononte, për së pari do na duheshin Planet, për të cilat kemi folur herë të tjera, dhe nuk i kemi megjithëse i kemi paguar nga dy a tre herë. Dhe për të ardhur në thelb, qeveria e madhe nuk ka interes ti bëj këto plane, sepse atherë do ishte shumë e qartë për cdo qytetar, pronar, apo sipërmarrës se cfarë ndërtohet në pronën e tyre. Nëse kjo do ishte e qartë për këdo, atherë ku do qëndronte forca e zyrtarit të qeverisë? Cfarë ndihme, në shkëmbim të zarfit me para’, do ofronin zyrtarët e qeverisë? E njëjta situatë edhe me lejet e ndërtimit, nëse atyre ju bie vlera sa një procedurë e thjeshtë administrative, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë bie edhe fuqia e zyrtarit apo politikanit i cili ka pushtetin e mbinatyrshëm të të japi një leje ndërtimi.





 

Pozicionimi i keq i qeverisë së madhe ndaj procesit të legalizimeve! Liberale, 24. 05. 2019

 

Procesi i legalizimeve të ndërtesave informale është një nga proceset më të rëndësishme urbane me të cilat përballen qytetet shqiptare në 20 vitet e fundit. Për këtë reformë qeveritë Shqiptare kanë importuar modelin ‘De Soto’, të cilin e quajmë kështu në respekt të autorit të saj. De Soto është një ekonomist Peruan, autori i ‘Misteri i kapitalit’ dhe ‘Rruga tjetër”, që trajtoi cështjen e vendbanimeve informale në Peru dhe prodhoi një set idesh për këtë cështje. Institucionet ndërkombëtare të Konsesusit të Ëashingtonit, si Banka Botërore dhe FMN, i shpërndanë këto ide në shumë vënde të botës, nga Amerika Latine deri në Europën Lindore, përfshirë Shqipërinë. 

De Soto argumentonte se në botë gjenden 9.3 trilion $ në kapitale të vdekura, sepse ato nuk janë të formalizuara. Sipas tij nëse këto kapitale legalizoheshin atherë ato mund të njihen nga tregu dhe poseiduesit e tyre mund të kreditoheshin për bisnes duke i përdorur këto si kolateral. Mirëpo, ajo cfarë prodhoi kjo filozofi në realitetin shqiptar është krejtësisht e kundërta. Jo vetëm që poseiduesit e ndërtesave nuk po përfitojnë nga investimet e tyre të paligjshme, por akoma edhe sot pas 12 vjetësh nuk po i formalizojnë dot ato. Sot ndërtimet informale janë 1.7 herë fishuar, nga 230 mijë që e nisën këtë process në 2006 kur ligji i legalizimeve u miratua, në rreth 400 mijë sot që po flasim. Për rreth 12 vjet kemi legalizuar vetëm 100 mijë nga këto 400 mijë ndërtesa, ndërkohë që shteti ka shpenzuar dhjetëra miliona euro nga paratë publike për këtë proces. 

Dy janë arsyet e këtij dështimi spektakolar, dhe të dyja janë të lidhura mes tyre e të drejtojnë te etatizmi. Së pari është se qeveritë e mëdha në këto vite i kanë njohur vetes të drejtën të shtrihen atje ku nuk ka qenë detyrë e tyre dhe me lehtësi mund të veprojë tregu i lirë. Procesit të legalizimit të ndërtesës (të formalizimit: cka duhet të ishte detyra e vetme e saj) qeveria i ka bashkëngjitu një proces shpronësimi të pronarëve legjitim të tokës mbi të cilat janë zhvilluar ndërtesat informale (me cmim tregu) dhe privatizimin e saj në favor të pronarëve të ndërtesave informale (me cmim të preferuar)! Pra, qeveritë e këtyre 25 viteve kanë kryer dy veprime që janë jashtë nevojës së përbashkët të individëve në shoqëri: së pari, kanë cënuar të drejtën e pronarit legjitim të tokës së zënë nga ndërtimet informale të gëzojnë titullin e pronësisë dhe përfitime nga prona e tyre legjitime; dhe së dyti kanë shpenzuar paratë e taksapaguesit shqiptar, për të mbuluar diferencën midis kostos reale të shpronësimit me koston që përballon familja privatizuese.

Arsyeja e dytë, po kaq etatiste sa e para, është se procesi i legalizimeve të ndërtimeve paleje është tejzgjatur përtej cdo limiti logjik. Që nga viti 2004 (kur u hartua ligji i parë) askush nga kahet politike nuk e ka trajtuar formalizimin e ndërtesave informale, si problem për tu zgjidhur në mënyrë të shpejtë dhe përfundimtare. Të dyja palët e përdorën për të përfituar elektoralisht, duke e zvarritur në kohë dhe hapsitë. Ndërsa vitet kalonin, ata thjesht zgjeronin fushën e veprimit të ligjit të kësaj reforme: duke e shtyrë afatin kohor të veprimit të tij (përfshirë edhe ndërtesa të ndërtuara pas afatit të përcaktuar nga ligji bazë); duke ulur kostot e procesit legalizues për familjet përfituese (deri në falas, sikurse premtimi rilindas); dhe duke shfuqizuar kushtëzimet përjashtuese ligjore nga procesi i legalizimit, për ndërtesat informale. Po si mund të zgjidhet cështja e formalizimit, në mënyrë që qëndrat urbane të vjetra dhe të reja ti kthehen përfundimisht zhvillimit të planifikuar, dhe zgjidhja të jetë e moralshme, e drejtë dhe me kosto minimale? 

Zgjidhja e drejtë dhe e moralshme vjen vetëm nga qasja libertariane, e një qeverie të limituar që i njeh dhe i respekton kufizimet e veta përballë të drejtave dhe lirive të individit; dhe ajo mbështetet në dy shtylla. Legalizim i ndërtesës; njohja formale që ky volum ndërtimor ekziston dhe i njihet si pronë ndërtuesit apo ndërtuesve të paligjshëm. Kthimi i truallit ndërtimor te pronari legjitim; duke e lejuar atë të përfitoj nga shitblerja e saj apo nga rizhvillimi i saj në një moment të dytë. Kjo zgjidhje e moralshme dhe e drejtë, është gjithashtu me kosto minimale publike, sepse paratë e taksave të shoqërisë shqiptare nuk do shkojnë për mbajtje institucionesh burokratike shtetërore apo për të shpronësuar disa pronarë dhe për të pronësuar disa të tjerë.

 



Comments

Popular posts from this blog

+ NDIKIMI I NDRYSHIMEVE KLIMATIKE

BAZIKE MBI ZHVILLIMET NE TERRITOR

QYTETI