KATASTROFAT NATYRORE DHE PLANIFIKIMI TERRITORIAL
Cikli i eseve të Gent Kapratës mbi
tërmetet dhe ndërtimin në Shqipëri përfaqëson një kritikë të gjithanshme dhe të
thellë ndaj mënyrës se si shteti shqiptar dhe shoqëria kanë menaxhuar, injoruar
ose keqpërdorur fatkeqësitë natyrore për qëllime afatshkurtra politike, duke
mbajtur gjallë një kulturë etatiste dhe populiste që bën të mundur rikthimin e
të njëjtave dështime strukturore. Duke filluar me analizën e përgjigjes pas një
tërmeti në vitin 2014, Kaprata evidenton dështimin e qeverisjes për të ofruar
siguri teknike për qytetarët, duke e kufizuar ndërhyrjen e saj në diskurse
mediatike boshe dhe ndihma emocionale, pa ofruar asnjë strukturë kontrolli të
qëndrueshëm të territorit dhe ndërtimit (Kaprata, 2014). Ai thekson se
ndërtimet pa leje, që përbëjnë një pjesë të madhe të stokut ndërtimor, janë
edhe më të rrezikshme për jetë njerëzore, sepse mungon çdo projekt konstruktiv
mbi të cilin mund të mbështetet siguria inxhinierike.
Në
analizat mbi përmbytjet (Kaprata, 2017a; 2017b), ai kritikon zhvendosjen e
diskursit publik nga ekspertiza drejt emocioneve të popullit dhe imazhit të
liderëve në çizme. Sipas autorit, ky populizëm i ngulitur në mendësinë e elitës
politike shqiptare e pengon shoqërinë të kalojë nga përballimi i pasojave në
parandalimin e tyre, nga reaktiviteti në planifikim. Populizmi paraqitet si
aleati më i madh i dështimit shtetëror, ndërsa masat e vetme që do të kishin
impakt të vërtetë – si investimi në infrastrukturën e largimit të ujërave, në
planifikimin e territorit dhe në kontrollin e ekuilibrave natyrorë – mbeten të
paprekura.
Kapaciteti
i munguar i shtetit për të menaxhuar rrezikun natyror lidhet drejtpërdrejt me
filozofinë e qeverisjes. Në artikullin polemizues “Dëmshpërblimet shtetërore
dhe sigurimi i detyrueshëm vijnë nga e njëjta mendësi majtiste” (Kaprata,
2017c), autori kundërshton idenë se zgjidhjet e problemeve kolektive mund të
delegohen tërësisht te shteti paternalist. Ai argumenton se sigurimi i
detyrueshëm për përmbytjet është një taksë e re që maskohet si instrument
mbrojtës, por në fakt zhvesh individin nga përgjegjësia dhe forcon strukturat e
centralizuara. Në këtë kontekst, autori mbështet filozofinë liberale dhe
libertariane të qeverisjes minimale, ku individi është i lirë dhe përgjegjës
për sigurinë e tij.
Tërmetet
e viteve 2019–2020 thellojnë më tej këtë analizë kritike. Në esenë “Tërmetet
dhe urbanistika” (Kaprata, 2019a), ai propozon dy mjete konkrete për uljen e
rrezikut: planifikimi kombëtar dhe planifikimi vendor. Në nivel kombëtar,
shpërndarja e popullsisë dhe lokalizimi i qendrave urbane duhet të bazohet mbi
hartat sizmike dhe kapacitetin mbrojtës të territorit; ndërsa në nivel vendor,
projektimi urban duhet të mbështetet mbi ekspertizën e inxhinierëve të
strukturës dhe sizmikës. Kritikë e drejtpërdrejtë drejtohet ndaj praktikës së
ndërtimit të planeve urbane nga një individ i vetëm, pa ndërveprim shkencor ose
ndërdisiplinor.
Në
analizën e tërmetit të shtatorit 2019, Kaprata pohon se ndërtesat e
sipërmarrjes private në 25 vitet e fundit nuk u rrëzuan, ndryshe nga perceptimi
i përhapur se sektori privat është fajtor për cilësinë e dobët të ndërtimit. Me
titullin provokues “Capitalism works” (Kaprata, 2019b), ai artikulon se ishte
pikërisht gara e lirë që ofroi produkte më të qëndrueshme dhe siguri
strukturore, ndërsa ishin institucionet shtetërore ato që dështuan të ofrojnë
qytete të jetueshme.
Në
artikujt “Të fillojmë të flasim për ringritjen” dhe “Ajo që na duhet është
ringritja, jo rindërtimi” (Kaprata, 2019c; 2019d), autori prezanton një
platformë konkrete me dy shtylla: emergjenca dhe reformimi i sistemit
ndërtimor. Propozohet: (1) prishja e menjëhershme e ndërtesave të rrezikshme;
(2) kthimi në projektin origjinal për ndërtesat me ndërhyrje; (3) ndalimi i
shtesave vertikale; dhe (4) vendosja e një moratoriumi ndërtimor 5–10 vjeçar
për banesa të reja. Kjo platformë shoqërohet me propozimin për një “marrëveshje
të re shoqërore” që ndan përgjegjësitë mes shtetit, sipërmarrjes dhe
qytetarëve.
Në
vijim, Kaprata shtyn për një reformë institucionale dhe kulturore që shkon
përtej rindërtimit fizik. Në artikullin “Ndërtimet që na rrezikojnë më shumë
nga tërmeti” (Kaprata, 2019f), ai argumenton se gjeneratat e ndërtimit në
Shqipëri duhet të kategorizohen sipas rrezikut dhe ndërhyrjet të bazohen në të
dhëna shkencore mbi vulnerabilitetin strukturor. Më tej, në “Po shkojmë drejt
një ringritje kulturore apo thellimit të etatizmit?” (Kaprata, 2019g),
denoncohet rikthimi i mentalitetit të qeverisjes së centralizuar si reagim ndaj
krizës. Ky kthim nxit mbivlerësimin e lejes ndërtimore dhe zhvlerësimin e
projektit të zbatimit, duke fuqizuar investitorin dhe burokratin në kurriz të
inxhinierit dhe teknikës.
Shkrimi
“A po bëhemi bashkëpunëtor në krimet ndaj fëmijëve tanë?” (Kaprata, 2020) ngre
nivelin e kritikës në sferën morale dhe ekzistenciale, duke e konsideruar
mosreagimin qytetar ndaj ndërtimeve të rrezikshme si një akt bashkëfajësie që
rrezikon jetën e fëmijëve. Në këtë pikë, autori arrin kulmin e thirrjes së tij
për emancipim: një shoqëri e lirë është një shoqëri më e përgjegjshme, dhe
vetëm përmes kësaj lirie ajo mund të ndërtojë të ardhmen.
Referenca
Kaprata, G. (2014, May 23). Çfarë kërkon
shoqëria nga shteti? Mapo.
Kaprata, G. (2017a, December 4). Dy fjalë për
përmbytjet derisa të përmbytemi prap! Mapo.
Kaprata, G. (2017b, December 18). Reagimi
ndaj përmbytjeve si një test civilizimi. Mapo.
Kaprata, G. (2017c, December 11). Dëmshpërblimet
shtetërore dhe sigurimi i detyrueshëm vijnë nga e njëjta mendësi majtiste!
Mapo.
Kaprata, G. (2019a, September 28). Tërmetet
dhe urbanistika. Liberale.
Kaprata, G. (2019b, October 19). Edhe tërmeti
na dëshmoi se ‘capitalism works’! Liberale.
Kaprata, G. (2019c, December 2). Të fillojmë
të flasim për ringritjen! Liberale.
Kaprata, G. (2019d, December 9). Ajo që na
duhet është ringritja, jo rindërtimi! Liberale.
Kaprata, G. (2019e, December 16). Ndërtimet
që na rrezikojnë më shumë nga tërmeti. Liberale.
Kaprata, G. (2019f, December 23). Po shkojmë
drejt një ringritje kulturore apo thellimit të etatizmit? Liberale.
Kaprata, G. (2020, July 16). A po bëhemi
bashkëpunëtor në krimet ndaj fëmijëve tanë? Liberale.
Termeti dhe ndertesa; cfare kerkon shoqeria nga
shteti? Mapo 23.05.2014
Sikurse për shumëçka, edhe për fenomenet natyrore, ne shqiptarët kujtohemi
të flasim vetëm pasi ato ndodhin. Bile, edhe për këto fenomene shprehia ‘çudia
më e madhe tri ditë zgjat’ përkufizon sjelljen shoqërore. Por fatkeqësisht,
edhe të administratës publike të sektorit specifik që paguhet çdo ditë të vitit
për të dhënë produkte vetëm një ditë. Atë të ditë kur ngjarja ndodh. Dhe
ngjarje të tilla nuk ndodhin shpesh. Pikërisht atë ditë autoriteti shtetëror,
ai që në fakt e kemi pranuar si të tillë (autoritet mbi individin) dhe e
financojmë, nuk gjendet gjëkundi tjetër veçse në media. Dhe në media, jo për të
sqaruar, ndihmuar, orientuar apo drejtuar veprimet konkrete të komuniteteve të
prekura nga fenomeni natyror për t’u përballur me faktin, por për të mohuar,
limituar e zvogëluar dëmet që dukuria natyrore ka sjellë me vete. Frazat
mediatike bajate që lëshojnë duket se janë standarde dhe të parapërgatitura më
parë si të ishin paragrafë të një manuali komunikimi publik të shkruar për
raste të tilla. Nëse ke nerva dhe i dëgjon, lehtësisht mund të identifikosh
katër linja kryesore. Së pari, se ngjarja nuk mund të parashikohej sepse mungon
logjistika, së dyti se e njëjta gjë ka ndodhur është kur opozita e radhës ishte
në pushtet, së treti se megjithë mungesat e mjeteve nga stafet e tyre është
bërë një punë e kolosale dhe së fundi se gjithçka që është bërë në ndihmë të
komuniteteve të prekura është frymëzuar nga impenjimi vetëmohues i ministrit të
linjës, qeverisë apo kryeministrit të radhës. Ky është ligjërimi politik çdo
herë kur qeverisjet përballen me disa detyrime bazike që kanë ndaj qytetarëve
me shpresën se ngjarja do harrohet shpejt.
Kështu ndodh në përmbytjet e shpeshta të këtyre viteve të fundit dhe
ekzaktësisht kështu ndodhi pas tërmetit të para disa ditëve në zonën qendrore
të Shqipërisë. Mirëpo, edhe për këtë rast ka disa çështje për të cilat mund të
flitet edhe jashtë ndikimit të qeverisjes. Ka disa pyetje që mund t’u japim
përgjigje edhe vetë, në mënyrën tonë, për të ndikuar më pas që qeveria t’u japë
kuptim dhe dimension ligjor dhe normativ këtyre përgjigjeve. Kështu, nëse
njohuritë shkencore sizmologjike të akumuluara deri më sot nga njerëzimi nuk na
mundësojnë të parashikojmë në kohë dhe të marrim masa për evakuime të
individëve apo komuniteteve nga zonat e rrezikut, nuk është kështu për
njohuritë e mbledhura në shkencat ndërtimore. Ato i kanë të gjitha mundësitë
teorike dhe praktike të na sigurojnë objekte ndërtimore që do e shpëtonin jetën
tonë nga një sulm i tillë natyror. Ky është shtegu që duhet laboruar për të
dhënë disa përgjigje jashtë manualit të ligjërimit populist që shoqëron rastet
e tilla. Nëse do të donim një përgjigje shteruese për pyetjen se sa të sigurta
janë këto ndërtesa në momentet e një tërmeti, mund të kishim dy përgjigje. Një
përgjigje në dimensionin e dijes shkencore dhe kjo realizohet pas një matjeje
empirike të çdo objekti më vete. Pra, të shkohet në çdo objekt ndërtimor e të
bëhen matje e mbi matjet të bëhen analiza dhe llogaritje teknike. Çka është e
mundshme edhe për teknicienët shqiptarë të fushës, por që ka kosto të
papërballueshme për një vend të varfër si Shqipëria. Ose një përgjigje në
dimensionin e dijes së opinionit, e cila nuk mund të jetë shteruese dhe
garantuese, por mund të na ndihmojë për të kuptuar disa gjëra që duhet
detyrimisht dhe me shpejtësi t’i ndryshojmë.
E thënë me një marzh të madh gabimi, sot në
Republikën e Shqipërisë ka 1 milion ndërtesa dhe njësi banimi. Stok ky që mund
ta klasifikojmë në dy grupe kryesore. Në të ndërtuara me lejen e autoriteteve
dhe të ndërtuara pa lejen e tyre. Kjo, sipas meje, bën edhe diferencën. Jo
sepse kalimi nëpër proceset e vlerësimit dhe filtrave qeverisë, në vetvete, na
siguron aftësi mbajtëse dhe qëndrueshmëri mekanike të objektit, porse ky fakt
na siguron se objekti ndërtimor është zhvilluar mbi një projekt konstruktiv të
nënshkruar nga një ekspert i fushës. Nga një inxhinier, që mban përgjegjësi
ligjore për atë që ka llogaritur dhe ka nënshkruar në projekt. Ndërkohë që
dyshoj se ndërtimet pa leje të jenë zhvilluar me projekt të plotë. Çka e
vështirëson një përgjigje pozitive për pyetjen nëse këto objekte në rast
tërmeti do t’ua kursenin jetën përdoruesve apo jo. Në këtë kontekst minimalist
por të domosdoshëm, shoqëria shqiptare i kërkon shtetit të saj një gjë po kaq
minimaliste dhe po kaq të domosdoshme. Të kontrollojë zhvillimet në territor.
Të mos lejojë ndërtime pa leje. Dhe pasi të bëjë këtë, apo ndoshta në të
njëjtën kohë me këtë, të hartojë e miratojë kushte teknike të projektimit dhe
zbatimit ndërtimor që të sigurojnë ndërtesa me qëndrueshmëri të mirë mekanike e
me siguri të lartë në përdorim. Kaq pak kërkon shoqëria nga shteti në mbrojtje
të jetës dhe shëndetit nga tërmetet apo dukuri të tjera natyrore. Të heqë dorë
nga ligjërimet populiste dhe thërrimet e ndihmave, pasi jeta, shëndeti dhe
prona e tyre është dëmtuar dhe të kryejë funksionet e saj bazike.
Dy fjalë për përmbytjet
derisa të përmbytemi prap! Mapo, 04. 12. 2017
Korrupsioni nuk është plaga më e rëndë e
shoqërisë shqiptare. Është populizmi, apo e spostuara e diskursit publik,
kryesisht e elitës drejtuese, nga thelbi i problematikës sipas ekspertizës te
ajo që masa kupton si cështje, dhe e arsyetimit mbi këtë thelb fals. Ndërtimi
mbi themele të gabura, as ka dhënë dhe as ka për të dhënë ndonjëherë zgjidhje,
dhe për këtë arsye ne gjendemi gjithmon të zhytur në të njëjtën kënetë. Pak a
shumë kështu ndodh, në Shqipëri, për cdo cështje që shqetëson shoqërinë, por në
këtë shkrim do fokusohemi te përmbytjet. Për to, diskursi publik ka laboruar
tezën populiste se detyra e shtetit dhe shtetarëve qënka t’ju qëndroj afër të
përmbyturve dhe ti ndihmoj në vet të parë, përgjatë kohës së përmbytjes.
Medemek, bashkëndarja e “fatit të keq” qënka njësia matëse e mënyrës
qeverisëse! Sa më shumë ditë pa gjumë të thuhet se ka ndejt ministri, sa më
shumë ushtarakë të jenë përfshirë në operacine, aq më e aftë dhe e mirë
qeverisja.
Lloji i cizmeve të përdorura në terren nga
Kryeministri, mënyra sesi ai drejton mbledhjet e komitetit të emergjencave,
grafikët apo tabelat që i shoqërojnë këto mbledhje, por edhe të tjera anekdoda
si këto, përcaktojnë edhe kuptimin e gjerë shoqëror mbi performancën positive
të qeverisë. Që në fakt duhet të ishte plotësisht e kundërta, sepse këto
populizma janë aleati më i mirë i sulmeve të motit, dhe përforcues progresiv i
dëmeve që ato sjellin. Sapo të kuptojmë këtë, ne duhet ta kalojmë targetin tonë
nga përballimi me sukses i dëmeve, te marrja e masave paraprake që këto dëme të
mos ndodhin apo të minimizohen. Zhvendosja e investimeve publike në qytete nga
projektet zbukuruese te projektet përmbajtësore për funksionimin e tyre si një
unitet fizik (infrastruktura sociale dhe inxhinierike), duhet të jetë hapi i
parë. Ky rast, kërkon investime të menjëhershme te rrjeti i largimit të
mbetjeve të lëngshme urbane dhe ujrave të shiut.
Bërë këtë pohim tautologjik, nuk është se kemi
dalë nga mjedisi populist përderisa kushdo qytetar mund ta vërej këtë difekt të
qyteteve tona. Megjithëse ky është një hap që duhet ndërmarrë, akoma nuk kemi
kaluar në hapsirën ku themelet e diskursit që zgjidh problemet janë domein i
ekspertizës. Këtu hyjnë në lojë urbanistët, sipas të cilëve nuk mund të kemi
një qytet që përballon sulme të tilla të natyrës nëse ai nuk është zhvilluar në
zbatim të një seti hirearkik planifikimesh vendore. Mirëpo kjo ka parakusht
planifikimin territorial kombëtar, i cili synon respektimin e ekulibrave
natyrore që kanë vendosur elementet e natyrës ndërmjet njëra- tjetrës, për
miliona vjet. Pra, nëse ndërtojmë hidrocentrale, nëse shfrytëzojmë lumenjtë apo
malet për materiale ndërtimore, duhet ta vlerësojmë më parë edhe cfarë
ndrushimesh do të pësojnë elementët e tjerë të natyrës, si pyjet e gjelberimi i
ulët, toka, nëntokësore dhe ujërat e saj, etj.
Pa u larguar nga planifikimi territorial
kombëtar, ka një element shumë të rëndësishëm të tij që duhet evidentuar edhe
për këtë temë. Element, që gjithashtu është “harruar” në këto kohë tranzicioni.
E kam fjalën për detyrën bazike që ka kjo shkencë për të projektuar
shpërndarjen e popullsisë nëpër qëndrat e banuara të vendit. I keni dëgjuar
shtetarët kur flasin “për planifikim” zhvillimesh të reja në qytetet që ata
drejtojnë ‘për t’ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve’ që vijnë në qytetet e
mëdha?! Kullat e Tiranës janë një shembull klasik i kësaj mënyre anti shkencore
të të vepruari. Prandaj shoqëria shqiptare duhet ti iki populizmit tjetër që
është i lidhur me këtë cështje, sipas të cilit, sa më shumë para’ tju japi
shteti të përmbyturve si dëmshpërblim aq më të realizuar e bën këtë qeverisje! Nga
qasja e dëmshpërblimit për dëmet e pësuara, ne duhet të kalojmë te largimi
i banorëve dhe aktiviteteve nga ato territore ku ka rrezik të përsëritur.
Niveli i lartë i populizmit nuk do e përtypi
lehtë këtë pohimin e fundit, jam i sigurt që disa nga ne do e konsiderojnë
herezi. Por mendojeni thjeshtë, sikurse bëni për cështjet në familjet
tuaja. A do i conit këpucët disa herë te këpucari, nëse kosto për meremetimin e
tyre do ishte më e madhe se cmimi i një pale të reja? Jam i sigurt se jo, sepse
qytetarët nuk janë aq budallenj dhe të papërgjegjshëm sa qeveria. Ajo i
dëmshpërblen të njëjtët të përmbytur për të disatën herë pa kuptuar që do ishte
më ekonomike t’ju ndërtonte një bllok të ri banimi në një territor të sigurtë.
Edhe për këtë arsye, ne duhet ti kthejmë sytë te rritja e përgjegjshmërisë
individuale e familjare nëpërmjet lirisë dhe zvogëlimi i rolit të shtetit në
jetën shoqërore. Vetëm papërgjegjshmëria individuale dhe familjare të marrë në
“mbrojtje” nga supershteti, mund ti kthej përgjigje shteruese pyetjes pse të
parët tanë ndërtonin në kodra, kurse ne ndërtojmë në brigjet e lumenjve?!
Dëmshpërblimet shtetërore dhe sigurimi i
detyrueshëm vijnë nga e njëjta mendësi majtiste! Mapo, 11. 12. 2017
I ulur në një restorant në Munih, në verën e
vitit 1932, Hitleri skicoi prototipin e Beetle për Volswagen (makina e
popullit). Në atë kohë vetëm elita shoqërore mund ti lejonin vetes një makinë,
ndërkohë që Hitleri propogandonte se i gjithë populli duhet të kishte një
makinë. Ai ja dha këtë skicë Jakob Werlin, shefit të Daimler-Benz, duke i
theksuar: ‘Merreni këtë dhe flisni me njerëz të cilët kuptojnë për të, më
shumë se unë. Por mos e lini pas dore. Unë dua të më raportohet sa më shpejtë
për detajet teknike të saj’. E solla këtë detaj për të kuptuar se kush
ishte marrdhënia, e pranuar nga të dyja palët mbi interesin reciprok, e
Hitlerit me bisnesin privat.
Mirëpo nga skica në produkt ishte një rrugë e
kushtueshme dhe Hitleri, tashmë lider i oligarkisë që drejtonte politikën dhe
ekonominë si një unitet të vetëm, ja kaloi kostot e “suksesit” të këtij
projekti popullit gjerman. Sikurse ndodh gjithmon në regjimet majtiste, ku e
“mira e popullit” kthehet në fatkeqësinë e tij, edhe për këtë projekt populli u
shtrëngua të pranonte shpikjen nacional-socialiste të ‘kursimit të detyruar’.
Qytetarët që porosisnin makinën duhet të paguanin për kartelat e kursimit nga 5
marka në javë derisa të arrihej kosto e saj, dhe të prisnin rreth 4 vjet për ta
marrë atë. Sigurisht që, shumica e “kursimtarëve” nuk e morën makinën që kishin
paguar.
Në fakt, dimensioni që ma solli në vëmendje
këtë situatë është impenjimi i gjerë i spektrit politik gjerman të para Luftës
së Dytë Botërore në pranimin e kësaj nisme hitleriane, kurse ngjarja aktuale që
e thërriti nga sirtari memoristik i leximeve të mia, është ‘sigurimi i
detyrueshëm për përbytjet’. Tezë kjo, e z. Rama dhe e mbështetur nga bisnesi
privat i sigurimeve, por cuditërisht, antilogjikisht dhe antipolitikisht edhe
nga eksponentë të ekonomisë dhe gazetarisë që njihen si përcues të zërit të opozitës.
Kjo më shqetëson sot, edhe sepse për ta fshehur këtë mbështetje ndaj nismës,
sillej argumenti se kjo ishte një qasje e djathtë për zgjidhjen e problemit të
përmbytjeve.
Apsolutisht një e pavërtetë që shoqërohet me
një spektër të gjerë të pavërtetash që po ju shiten shqiptarëve prej 25
vjetësh, dhe që kanë prodhuar këtë demokracinë dhe kapitalizmin që ‘gëzojmë
sot’! Hendeku parësor midis të majtës dhe të djathës nuk janë as niveli i
taksave dhe as qasja ndaj sipërmarrjes private, sikurse po na thuhet në këtë
rast por edhe në shumë raste të tjera në këto 25 vjet! Këto janë vetëm pasoja
të hendekut të parë dhe të vetëm midis dy kaheve politike, i cili është niveli
i respektimit të lirive ekonomike dhe politike të qytetarëve. Niveli i taksave
dhe qasja ndaj bisnesit është pasojë logjike e kësaj diference ideologjike
midis tyre.
Për të majtën individi është budalla që nuk e
kupton të mirën e tij, dhe se qeverisja duhet të mendoj në vend të tyre. Bile,
edhe ti mbroj nga vetja, ti edukoj, ti kulturoj, dhe këtë ta bëj edhe nëpërmjet
‘dhunës legjitime’ të shtetit. Kur e majta është nacional-socialiste, pra që e
koncepton bisnesin privat jo si armik por si element të qeverisjes dhe
instrument ‘për të arritur synimin e madh dhe final’, përfshin në diskursin dhe
veprimtarinë qeverisëse edhe vendimin se cfarë duhet dhe ku duhet ti blejnë
produktet dhe shërbimet qytetarët. Dhe, ky është rasti i ‘makinës së popullit’
në Gjermaninë e 1938-ës, dhe i ‘siguracionit të detyrueshëm’ në Shqipërinë e
2018-ës.
Ndërsa për të djathtën, qytetari është
koshient për liritë e tij ekonomike e politike, dhe i ushtron ato i përgjegjshë
për kornizën e Republikës. Fushëveprimtaria e qeverisë limitohet në ato nevoja
që shoqëria i ka të përbashkëta, duke mos cënuar hapsirat e vendimarrjes
individuale. Është kjo qasje që lejon mbajtjen e një shteti të vogël por
eficent, dhe si pasojë e këtij shkaku, taksat janë të ulta dhe sektorët
ekonomik privat në konkurencë të lirë lulëzojnë. Është liria ekonomike dhe
politike e individit që prodhon demokracinë dhe kapitalizmin. Prandaj,
‘Sigurimi i detyrueshëm’ është vecse një taksë e re për oligarkinë që sot është
një unitet, por kurrsesi zgjidhje e problemit.
Zgjidhjen duhet ta kërkojmë te përgjegjshmëria
individuale që vjen si pasojë e lirisë. Ti lejojmë qytetarët të rriten, ata nuk
janë fëmijët minoren të shtetit. Ata nuk janë as më budallenj dhe as më të
pashkolluar se të parët e tyre që nuk e kishin “mbrojtjen” e shtetit nga
fatkeqësitë natyrore, por janë më pak të përgjegjshëm sepse janë më pak të
lirë. Edhe sepse, populizmi 25 vjecar nuk i ka lejuar të njohin përparësitë e
kapitalizmit. ‘Sigurimi i detyrueshëm’ ka kuptim kur bëhet për dëmet ndaj të
tretëve, por kur bëhet për veten dhe përfshin të gjitha familjet shqiptare, ai
është shumë larg interesit publik dhe po aq korruptues sa demagogjia e
‘dëmshpërblimeve shtetërore’.
Reagimi ndaj përmbytjeve si një test
civilizimi. Mapo, 18. 12. 2017
Brockullat e elitës politike mbi përmbytjet,
këtë javë, i lanë vendin ca të tjerave për Prokurorin e Përgjithshëm të
Përkohshëm. Vlerësuar nga pikëpamja e interesit publik asgjë nuk ndryshon dhe
shoqëria shqiptare mbetet në udhëkryqin e zakonshëm, ku duhet të zgjedhi midis
të mos bërit asgjë për të pritur përmbytjen e radhës, apo nxjerrja e mësimeve
nga pësimet dhe të marri masa që “krimet natyrore” të mos na dëmtojnë kaq
shumë. Nuk e di cilën rrugë do të zgjedhi shoqëria shqiptare, por shpresoj
shumë të jetë kjo e dyta e cila starton me përcaktimin se kush janë fazat e
reagimit të shoqërive të civilizuara, dhe kush janë rrugët që duhen ndjekur për
suksesin e tyre.
Faza e parë ka të bëj me marrjen e masave
përpara se shkaktari të ndodhi. Kjo bëhet për cdo lloj sulmi natyror, përfshirë
tërmetet e zjarret, por në rastin e reshjeve është më e thjeshtë sepse ato mund
të parashikohen. Pra, nëse në rastin e tërmeteve dhe zjarreve mund të
parapërgatitemi vetëm duke përdorur teknika për zhvillime të planifikuara dhe
të projektura në përputhje me dijen shkencore, në rastin konkret mund të reagojmë
edhe brenda një sezoni. Na duhet thjeshtë të ndërgjegjësohemi që qeveria nuk
është Zoti, dhe ti kthehemi praktikave që kemi përdorur për largimin e ujrave
që nga koha e Skënderbeut (shembuj gjenden me lehtësi në fshatrat e Bregut).
Faza e dytë është përballja me sulmin natyror
përgjatë kohëzgjatjes së tij. Sa më mirë të jemi investuar në fazën e parë aq
më lehtë kalohet e dyta, edhe pse teknikat e përdoruara që nga mesjeta kanë
evoluar shumë. Sidoqoftë as në këtë fazë qeveria nuk është Zoti, por si entiteti
i vetëm i organizimit shoqëror ajo mban përgjegjësi për ato cështje që shoqëria
i ka të përbashkëta. Pas mbrojtjes prej sulmeve nga shoqëri të tjera (ushtri),
dhe nga individ të këqinj të shoqërisë tonë (polici), mbështjeta e civilëve nga
sulme të tilla është funksion bazik qeverisës. Kështu që, ajo duhet të
investohet seriozisht në ndërtimin e mekanizmave të mbrojtjes civile nga
fatkeqësitë.
Faza e tretë dhe e fundit është kthimi i
gjëndjes fizike të territoreve dhe zhvillimeve në të, në gjendjen e para sulmit
natyror. Nëse duam që jeta të vazhdoj edhe në këto territore dhe të vërtetojmë
që ne dominojmë, duhet të ndërmarrim veprime rikupreruese. Kjo na bën më
superior se të parët tanë të tre apo katër mijë viteve më parë, që në një sulm
të tillë largoheshin nga ato territore duke lënë mbrapa edhe humbjet që kishin
pësuar. Por ajo që do na projektonte si një shoqëri të aftë të planifikoj zhvillimet
e saj, të paktën sa 200-300 vjet më parë (Mangalem Berat), është arsyetimi mbi
logjikën minimale që po ndërtove në të njëjtën kuotë me lumin, përmbytesh.
Variantin tjetër, atë që e përdorim prej 25
vjetësh, atë të zëvendësimit të humbjeve dhe marrjes së disa masave për sulmet
natyrore në të ardhmen, duhet ta harrojmë. Është kjo mënyrë që, falë cektisë së
arsyetimit dhe ndryshimeve klimatike, na ka cuar nga përmbytja në përmbytjen më
të madhe. Ajo që do na projektonte si një civilizim bashkëkohor është trajtimi
i fazës së tretë si një aktivitet, së pari, planifikues. Ai duhet të jetë jo
vetëm i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, por mbi të gjitha, i zgjuar. Aq i
zgjuar sa të mos limitohet vetëm duke trajtuar këtë temë specifike, por duke e
konsideruar këtë temë si një nga elementët e shumtë të problematikave
territoriale.
Adresimi i dëmeve dhe disbalancave që kemi
pësuar nga: ndërtimtaria e fragmentarizuar në qëndrat e banuara; zhvillimet
paleje (për shkak të karakteristikave); popullimi dispropocional i territorit
kombëtar (imigracioni); emigracioni masiv; dhe ndryshimet klimatike, duhet të
jenë korniza e këtij lloj planifikimi. Ai jep perspektivat për zgjidhje të të
gjitha cështjeve urbane dhe territoriale, përfshirë edhe cështjen e
përmbytjeve. Sepse këto janë shkaktarët e vërtet, sikurse për shumcka, edhe për
përmbytjet. Pa përfshirë këto, nuk mund të kemi zgjidhje të qëndrueshme në
kohë, gjithëpërfshirëse në kontribute dhe përfitime, dhe të zgjuar në
rendimentin ekonomik.
Fal kësaj mënyre të të menduari, faza e
kthimit të territoreve në gjendjen fillestare (3) përfshin në
vetvete edhe fazën e marrjes së masave paraprake (1), dhe ajo që mbetet jashtë
është vetëm faza e përballjes me sulmin ndërsa ai është duke ndodhur. Sepse
investimet e zgjuara për kthimin në gjendjen para dëmtimeve orientiohen drejt
masave që minimizojnë efektet e sulmit. Kur kjo kthehet në sistem, është ai që
punon për shoqërinë dhe ne kemi mbërritur në pikën ku duhet të ishim 25
vjet më parë. Në pikën ku ndërtesat dhe aktivitetet njerëzore, sikurse shkenca
e zhvillimit territorial na mëson, lokalizohen vetëm në territore të
përshtatura më parë për zhvillim.
Tërmetet dhe urbanistika. Liberale, 28. 09.
2019
Një ngjarje e jashtëzakonshme ndodhi të shtunën
e fundit kur qytetarët e Tiranës, Durrësit dhe disa qyteteve të tjera u sulmuan
në formën dhe përmasën që nuk e kishin përjetuar kurrë. Një tërmet i fuqishëm,
hyri në jetët e tyre për pak sekonda, për të mbetur aty për një kohë të gjatë.
Tërmetet janë një dukuri natyrore, që pa më të
voglin dyshim askush nuk mund ti parashikoj kur dhe ku do të ndonin. As
shoqëritë që i janë dorëzuar shkencës prej 500 vjetësh nuk e kanë privilegjin që
të paralajmërohen. Për këtë nuk ka asnjë diskutim, dhe unë besoj se edhe për
shumë kohë, e ndoshta asnjëherë, humanët nuk do ta paranjohin rrezikun që po ju
afrohet prej tyre. Në këtë kuptim, ne shqiptarët nuk duhet të ndihemi sikur
jemi “prapa bote”!
Ne jemi thjeshtë të keqqeverisur, dhe kjo mund
të konstatohet kudo ku individi varet nga qeverisja. Për të mbetur të tërmeti;
ne mund ta konstatojmë faktin në mënyrën sesi institucionet shtetërore kryejnë
detyrat e tyre në fazën post-tërmet. Një fazë shumë e rëndësishme kjo, në
raport me faktin sesa kohë dhe sa thellë do mbetet tërmeti në jetët e individit
të shoqërisë. Këtu individit i duhet shteti! Sa më mirë të reagojnë ingranazhet
e shtetit, aq më shpejt individi i kthehet normalitetit, dhe e kundërta. Për
këtë qëllim në vendet e mirëqeverisura, institucionet e qeverisë zhvillojnë
protokolle reagimi, të cilat i ndjekin me përpikmëri kurse vendet e
keqqeverisura e nisin cdo herë nga fillimi. Njësoj sikur të mos ishin ndeshur
ndonjëherë me një fenomen të tillë, shoqëritë e keqqeverisura për një kohë të
gjatë, fillojnë e improvizojnë reagime spontane dhe të fragmentarizuara.
Më vjen keq që e them për kombin tim, por ne
shqiptarët e kemi toleruar veten ti përkasim grupit të dytë të shoqërive, pra
atyre të keqqeverisura. Edhe ky tërmet, sikurse shumë sulme të tjera të natyrës
në vitet e fundit, dëshmon se ne jemi një shoqëri që, fillojmë të ndërtojmë
tualetin kur na duhet ta përdorim. Mirëpo, nëse nisim ta ndërtojmë kur na duhet
ta përdorim, vetëm pas pak tullave të vendosura nuk do na duhet më, kështu që e
ndërpresim ndërtimin për të vijuar me rutinat tona derisa të ndjejmë se na
duhet përsëri ta përdorim; dhe kështu vijojmë në cikle vet-përsëritëse pa pasur
kurrë tualet.
I bindur se, jo ky shkrim modes i opinionit por
as dhjetëra manuale të sjelljes qytetare në demokraci, nuk mund ta
ndryshonin dot menjëherë këtë qasje kulturore të shoqërisë tonë; do të
preferoja të kaloja te një gjë që shoqëria jonë e ka utilizuar edhe më parë,
por që duket se dekadat e fundit ka vendosur ta injorojë. E kam fjalën për
zhvillimin ndërtimor të planifikuar më parë dhe vecanërisht; si mund të
shërbehemi nga dija shkencore e urbanistikës, në mënyrë që sulmi nga tërmetet
të na rrezikojë sa më pak jetën dhe shëndetin, por edhe mirëqënien pronësore.
Dy janë mjetet që mund të përdorim, kemi
përdorur më parë, dhe që duhet me urgjencë tju rikthehemi. Së parin kemi
planifikimin e nivelit kombëtar. Përvec planifikimeve territoriale të
infrastrukturave, si aeroporte, porte, rrjet kombëtar hekurrudhor apo rrugor
dhe të tjera si këto; një mirëqeverisje ka detyrë të angazhohet edhe me
planifikimin dhe shpërndarjen e balancuar dhe të duhur të popollsisë nëpër
territorin kombëtar. E thënë me fjalë më të thjeshta, e ka për detyrë të
kontrollojë dhe në këtë kuptim të përcaktorë vendosjen dhe shtrirjen e qëndrave
të banuara nëpër territorin kombëtar.
Ka shumë variabla që ndikojnë në një shpërndarje
të drejtë të popullsisë, por një nga më të rëndësishmet prej tyre është harta e
rajonalizimit të aktivitetit sizmik të vendit. Një zhvillim i paraprirë nga një
planifikim i tillë, pa dyshim që do ti ulte shumë rreziqet dhe dëmet nga një
sulm natyror si tërmeti. Në fakt, kjo vjen edhe për sulmet e tjera natyrore,
sikurse mund të jenë rreshjet e dendura, që gjithmon e më shumë po përmbysin
qëndrat tona të banuara. Mirëpo, qeveria jonë e rilindjes, jo për shtrirjen
territoriale të qëndrave të banuara që nuk i shkon mendja, që duhet pranuar që
nuk është një gjë kaq e lehtë; por as për planifikimin kombëtar të infrastrukturave
kombëtare nuk gjen dot kohë. A e keni dëgjuar Kryebashkiakun e Republikës kur
cdo javë prezanton nga një aeroport të ri që do të ndërtoj!
Së dyti është planifikimi i nivelit vendor.
Aspekti më i rëndësishëm i planifikimit vendor, që në fakt është arsyeja pse
hartohen plane urbane për qëndrat e banuara, është akomodimi në territor i
rritjes së qytetit. Thënë thjesht, dhënia përgjigje se ku do vendosen qytetarët
e rinj të qytetit, pra rritja natyrore (lindjet) dhe rritja mekanike (imigrimi)
i popullsisë. Ka dy mënyra për ta bërë këtë; ose nëpërmjet densifikimit të
zonave urbane të mëparshme, pra rritja e numrit të kateve të godinave; ose
nëpërmjet shtrijeve të reja urbane duke përshtatur për zhvillim të territoreve
në gjendje natyrore apo përdorime të tjera.
Cdo grup pune që duhet të ngrihet për të
drejtuar procesin e hartimit të Planit urban të qytetit duhet të përfshijë në
vetvete inxhinierë të specializuar për cështjet sizmike apo të mekanikës së
dherave dhe të orientohet nga hartat e mikrorajoneve të veprimtarisë sizmike
apo studime të tjera. Sepse vetëm nën asistencën e kësaj ekspertize dhe këtij
informacioni tekniko-shkencor, një grupi i punës mund të bëj propozimet më të
mira për qytetin, përfshirë ato në lidhje me minimizimin e dëmeve nga tërmeti,
përmbytjet etj. Mirëpo, c’të themi për Planet territoriale të qyteteve tona;
ato janë hatuar nga një njeri i vetëm, janë Plane individuale, Planet e
Boerëve.
Edhe tërmeti na dëshmoi se ‘capitalism works’!
Liberale, 19. 10. 2019
Ka vite tashmë që cudia më e madhe nuk zgjat tre
ditë, sikurse na pohon një shprehje popullore. Cuditë, tashmë janë të
përditshme, bile edhe disa në ditë, kështu që është e pamundur që një cudi,
sado e madhe të jetë ajo, të zgjasi më shumë se disa orë. Kjo sepse ato
mbivendosen për pak kohë, dhe zëvendësojnë njëra tjetrën me shpejtësinë me të
cilën shkaktohen. Por unë besoj edhe te një shkaktar tjetër, për këtë haresën e
përshpejtuar të shqiptarëve të sotëm, dhe kjo ka lidhje me ndotjen e ajrit.
Memorja e individëve të një komuniteti urban përkeqësohet në përpjestim të
drejtë me nivelin e ndotjes së ajrit në atë qendër urbane; ndërkohë që qytetet
e mëdha shqiptare, dhe vecanërisht Tirana, janë qytetet më të ndotur në rajon e
Europë.
Mirëpo sikurse cdo përjashtim që përforcon
rregullin, dicka mbeti më shumë se tre ditë në mendjen tonë kolektive. Ai ishte
tërmeti që preku Durrësin, Tiranën, Elbasanin dhe disa qytetet të tjera, vetëm
disa javë më parë. E folura për të vijoi disa ditë, dhe kjo është një gjë e
mirë; mirëpo, duket se nuk kuptuam asgjë në shërbim të të ardhmes, dhe kjo
është një gjë e keqe.
Dhe këtu vijmë te thelbi, te ajo që duhet të
kuptoj shoqëria nga tërmeti dhe leksioni që duhet ta ngulisim mirë në mendjen
tonë. Tërmeti i shtatorit, megjithëse ishte një nga më të fuqishmit që mbahen
mend nga shoqëria e sotme shqiptare, nuk vuri në dyshim qëndrueshmërinë
mekanike dhe sigurinë në përdorim të ndërtesave të zhvilluara nga sipërmarrja
private në 25 vitet e fundit. Në të kundërt të perceptimit të gjerë publik,
sipas të cilit do të mjaftonte një tërmet mesatar dhe këto ndërtesa do
shtriheshin përtokë, ato na dëshmuan edhe njëherë tjetër, se ‘capitalism
works’!
Vëzhguar në një perspektivë e vecantë teknike,
qytetet apo qëndrat e tjera të banuara janë një produkt fizik i bashkëpunimit
dhe bashkërendimit të aftësisë dhe kapaciteteve njerëzore apo financiare, midis
sektorit shtetëror dhe atij privat; në fushat e planifikimit territorial,
projektimit urban, projektimit arkitektonik, projektimit ndërtimor dhe
veprimeve konkrete në kryerjen e aktivitetit ndërtimor për implementimin e
këtyre planifikimeve dhe projektimeve, në territor.
Megjithëse si produkt i vetëm, detyrat dhe të
drejtat e secilit sektor në procesin e bërjes apo ribërjes së qyteteve janë
qartësisht të ndara dhe të përcaktuara . Nëse do të ndanim pozitivisht (një nga
një) të gjithë komponentët formues të këtij procësi dhe do ti gruponim ato
sipas asaj që ofron sipërmarrja e lirë private dhe asaj që ofron shteti, do të
dallojmë me lehtësi se institucionet shtetërore kanë dështuar ti ofrojnë
shoqërisë një jetesë të mirë urbane. Do ishte shpërdorim i fjalëve të
përshkruanim me detaje mungesat dhe disbalancat urbane të qëndrave tona të
banuara, sepse nuk është e nevojshme të jesh urbanist për ti perceptuar dhe
identifikuar ato. Dhe për cdo njërën prej tyre faji është i institucionet
shtetërore që kanë lejuar zhvillim të paplanifikuar dhe të fragmentarizuar
urban. Nga ana tjetër, sipërmarrja private ka triumfuar t’ju ofroj qytetarëve
siguri në përdorim të ndërtesave të përdorimeve të ndryshme. Dhe ishte tërmeti
i shtatorit, ai që i shkundi ndërtesat por nuk i rëzoi ato, që na e dëshmoi
këtë fakt të pakundështueshëm.
Sistemi jonë ligjor që rregullon cështjet e
ndërtimtarisë i lë pak apo aspak përgjegjësi sektorit privat në këtë fushë.
Supërlegjislacioni dhe institucionet e tejshtrira të shtetit në sektorin e
ndërtimin kontrollojnë cdo hapsirë. Sektori privat nuk ka të drejtë eksluzive
të vendosi, dhe në këtë kuptim të mbaj përgjegjësi, as për cmimet e shitjeve të
sipërfaqeve të ndërtimit dhe jo më për aspekte me dimension më publik, kurse
sektori publik takson publikun e gjerë për një sërë përgjegjësish që i ka
ngarkuar vetes. Produkti i këtij etatizmi të thellë është i qartë, qytetet
tona: janë në disporpocion me njëra-tjetrën; janë formëzuar në mungesë
hapsirash publike; janë në mungesë infrastrukturash sociale dhe inxhinierike;
janë të keq-ajrosura dhe të keq-djellëzuara (kontributi i sektorit publik); por
janë të formësuara nga ndërtesa me qëndrueshmëri të lartë mekanike dhe me siguri
të lartë në përdorim, për përdoruesit e tyre (kontributi i sektorit privat).
Prandaj, le të nxjerrim një mësim nga tërmeti,
ti japim më shumë hapsirë lirive politike dhe ekonomike të individit, sepse
sipërmarrja e lirë, gjithmon, është më e besueshme se etatizmi.
Të fillojme të flasim për ringritjen! Liberale,
02. 12. 2019
Tërmeti i 26 nëntorit vijon të na shkundi
mendjen dhe zemrat prej ditësh, dhe duket sikur nuk do të na i heqi më kthetrat
nga shpina, nëse ne nuk e braktisim më parë. Duhet ta braktisëm tërmetin
në të njëjtën mënyrë si lëshuam qeverinë të ikte me vetmine e paaftësisë dhe
papërgjegjshmërisë së saj. Sepse, në këto ditë të tmerrshme, ne nuk kemi më
qeverisje. Jemi vetëm, me familjet tona, me fqinjët tanë, me të afermit tanë,
me bashkëqytetarët tanë, me të njohur apo të panjohur ndër shqiptarë të gjithë
trojeve shqiptare, bile edhe me të huaj që po bëjnë punët e institucioneve
tona; por pa qeveri funksionale.
Shqiptarët e kuptuan se Shteti i tyre nuk është
asgjë më tepër se një ‘kasolle’ kashte që bie nga flladi më i lehtë i erës, në
një kohë kur prej 6 vjetësh ju ishte premtuar se po ndërtohej një ‘Shtet’ aq të
fuqishëm sa do tju përgjigjej, ashtu si nuk ju ishte përgjigjur asnjëherë
tjetër në 30 vjet! Kështu që e flakën qeverinë, sikurse bëhet me cdo vegël të
dëmtuar që nuk shërben dhe morrën në dorë fatin e tyre. Mes dhimbjes dhe
ankthit, ishte e mrekullueshme të dalloje një pafundësi individësh që vet-
fituan lirinë e brendshme nga gërdalla qeveri e Rilindjes, dhe me përgjeshmërinë
që ta siguron vetëm kjo lloj lirie morrën në dorë fatin e jetës së tyre, të të
afërmëve e fqinjëve dhe kujtdo tjetër që kishte nevojë për ndihmë.
Në këtë frymëzim të përgjithshëm lirie duhet të
shfaqemi të përgjegjshëm dhe të hapim një derë të madhe, e cila mund të na
drejtoj në një ngritje të re kulturore të shoqërisë. Dhe kur them ringritje nuk
bëhet fjalë vetëm për të dalë nga humnera ku na groposi tërmeti në bashkëpunim
me qeverinë inekzistente, por për një ringritje kulturore në lartësinë që duhet
por nuk e mbëritëm dot kurrë në 30 vite tranzitim nga një shoqëri e gënjeshtrës
në një shoqëri të së vërtetës. Kushdo ekspert, nga cdo fushë e mendimit teknik
e shkencor, mund dhe ka detyrim moral e patriotik ndaj popullit të tij të
propozojë rrugëdalje. Unë, shumë modestisht, i përulur ndaj kombit tim që më
shumë sesa nga tërmetet është dëmtuar nga qeveritë dhe orbitat
"intelektuale" në shërbim të tyre, po prezantoj bruto disa mendime
nga fusha e urbanistikës dhe zhvillimit territorial.
Ky do të jetë një proces i gjatë, me kosto të
mëdha jo vetëm ekonomike, dhe i ndarë në dy shtylla, të cilat duhet të fillojnë
të zbatohen të dyja menjëherë. Sot do fokusohemi te shtylla e parë, e cila
quhet ‘faza e emergjences’ dhe shërben për të dalë nga kjo gjëndje katastrofike
ku e kemi cuar veten në drejtimin e qeverive injorante të këtyre viteve. Ajo
duhet të përbehet nga katër projekte emergjente që nisin me shkatërrimin e
ndërtesave të pabanueshme apo me risk të madh, pastrimin e territorit nga
mbetjet e tyre dhe kthim e tij në hapsira të hapura dhe të gjelbërta. Kjo
kërkon verifikim në terren të qëndrueshmërisë mekanike të cdo ndërtese, c'ka
kërkon shumë kohë nëse nuk niset nga ato ndërtesa që dukshëm shfaqen të
dëmtuara.
Paralelisht me këtë projekt duhet të nisi ai për
kthimin e ndërtesave në gjendjen mekanike të projektuar, edhe në respektin e
riskut sizmi. Pra, balancimin e cdo diference që ndërtesa ka sot, e cila nuk
ishte përcaktuar në projekt. Kjo nis me mbylljen e plotë dhe të
menjëhershme të hapjeve të kateve të para që janë kthyer në dyqane. Tregtia e
shitjeve me pakicë tashme po koncentrohet në qëndrat tregtare, dhe këto dyqane
me carje nuk janë më as nevojë ekonomike. Prishja e menjëhershme e të gjitha
shtesave vertikale paleje në ndërtesa në ndërtesat me leje, është një projekt
komlementar me të parin. Asnjë kat shtesë mbi projektin që ka marrë leje nuk
duhet toleruar, përfshirë ngarkesa të tjera të vendosura në taracë. Sepse, në
një Republikë normale asnjë qytetar nuk mund të privilegjohet mbi një qytetar
tjetër. Asnjë familje që jeton në një pallat nuk i ka ndonjë borxh, aq më pak
jetën, familjeve të kateve të fundit që kanë shtuar sipërfaqet e banesës së
tyre duke shtuar kate.
Një moratorium të plotë për ndërtim banesash për
një periudhë 5-10 vjecare, në funksion të qyteteve, është domosdoshmëri. Që do
të thotë, të ndalohet ndërtimi i banesave të reja për 5 vjet në fshatra apo
qytete të vogla të vendit, dhe 10 vjet në qytetet e mëdha si Durrësi, Tirana,
Vlora, Fieri, Elbasani e të tjera. Kjo politikë nuk duhet konsideruar, sikurse
shpesh ndodh, si një dënim apo hakmarrje ndaj administratave lokale apo
sipërmarrjes së ndertimit, por si një qëndrim logjik, racional dhe i arsyetuar
politik. Shqiperia post komuniste ka rritur stokun e ndërtesave dhe banesa të
saj në këto vite tranzicioni me 1.1 milion njësi, ndërkohë që ka zvogëluar
popullsinë me 0.7 milion banor. Projeksione të Bankës Botërore përcaktojnë një
ulje të ndjeshme të popullsisë në të ardhmen. Në këtë konteks, shtimi i
volumeve të reja ndërtimore do të ishte, në rastin më të mirë një budallik, në
mos një krim. Lejedhenia duhet të kryhet vetëm për rikontruksion për të njëjtin
volum, rivitalizim dhe modernizim të ndërtesës ekzistuese.
Ajo që na duhet është ringritja, jo rindërtimi!
Liberale, 09. 12. 2019
Dëmet materiale të tërmetit të 26 nëndorit duket
se janë shumë më të mëdha sesa perceptoheshin ditët e para. Qindra ndërtesa e
banesa janë plotësisht të pabanueshme, pra ose janë shembur vet ose duhen
shembur nga autoritetet; dhe dhjetëra mijëra të tjera kanë domosdoshmëri
ndërhyrje të thella apo më të lehta rikonstruktuese. Nuk do të hyjmë në
raportime shifrash të detajuara dëmesh materiale, sepse duket se kjo është e
vetmja gjë që po bëjnë mirë autoritetet, nëse po e bëjnë saktë edhe këtë; por
do e trajtojmë problemin nga qasja makro. Ky është gabimi i parë që nuk duhet
të bëjmë, nuk duhet të fokusohemi të gjithë te shifrat për të lënë pas dore
gjënë më të rëndësishme, gjetjen e rrugëve strategjike dhe gjithëpërfshirëse
për daljen nga kjo situatë.
Ne duhet të dalim nga kurrthi i ‘legalizimit’,
pra gjetjes së mënyrave për të balancuar gabimet e kryera më parë duke bërë
gabime të reja; për të hyrë në rrugën e zgjidhjeve ‘të planifikuara’ më parë
duke përfshirë në analizë të gjithë variablat që ndikojnë në këto zgjidhje.
Sepse këtë duket se kemi bërë në këto vite, kemi legalizuar realitete të
krijuara nga paaftësia jonë për të planifikuar, projektuar dhe programuar,
megjithëse e kemi ditur se këto realitete do na conin në disa gjëndje edhe më
të këqia se ato që kemi legalizuar. Prandaj, thirrja e parë që duhet të bëjmë
sot, është gjetja e zgjidhjeve që na drejtojnë drejt synimit të qartë,
afatgjatë dhe gjithëpërfshirës për gjëndjen ku duhet të mbërijmë që vjen nga
planifikimi, projektimi dhe programimi.
Ajo që na propozon qeveria, që në fakt nuk është
as propozim për vlerësim por një vendim i marrë dhe që duhet zbatuar, është
ndërtimi i pesë lagjeve të reja në Durasanë (një në Durrës, një në Lac dhe tre
në Tiranë). Logjikë e thjeshtë; tërmeti na shkatëroj disa mijëra apartamente,
dhe përgjigjja jonë është të ndërtojmë disa mijëra (dhjetë mijë) apartamente të
reja dhe për këtë na duhen disa qindra milion euro; porse logjikë legalizuese.
Pra, shteti i madh dhe i plotfuqishëm ju përgjigjet menjëherë qytetarëve të tij
të dëmtuar nga tërmeti. Njësoj si me ndërtimtarinë paleje, ju ndërtuar pa leje,
ne shteti i madh dhe i plotëfuqishëm bëjmë një ligj dhe ju japim lejen e
legalizimit në dorë. Ju shtuat volume paleje në ndërtesat me leje, ne bëjmë një
ligj tjetër dhe gjithashtu ju bëjmë të ligjshëm. Shumë larg zgjidhjeve të
mbështetur në planifikimin që përfshin të gjitha burimet që kemi në dispozicion
dhe të gjithë aktorët që ndikuan në këtë gjendje.
Tërmeti nuk na pyet kur vjen, por mënyra sesi e
presim varet tërrësisht nga ne, prandaj, dëmet materiale nga tërmeti nuk erdhën
rastësisht. Ato janë të tilla përshkak të mënyrës sesi ne kemi lejuar
zhvillimin ndërtimor, dhe në këtë rezultat kemi kontribuar të gjithë. Kanë
kontribuar institucionet shtetërore me inekzistencën e tyre megjithëse
qytetarët i kanë financuar nëpërmjet buxhetit të shtetit, kanë kontribuar
kompanitë e ndërtimit me mungesë deontologjike, megjithëse blerësit i kanë
financuar nëpërmjet buxheteve familjare apo kredive të marra, por ka kontrubuar
edhe cdo qytetar që i ka finacuar këto institucione të sektorit publik dhe
privat, në mungesë të përgjegjshmërisë individuale dhe shoqërore për të
kontrolluar produktet e financimit të vet.
Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, kemi
dështuar, dhe hapi i parë është pikërisht pranimi i dështimit. Pranimi i
dështimit ka gjasa të mëdha të na drejtojë në një mentalitet të ndryshëm nga
ky, i cili na solli këtu ku jemi, por gjithashtu na jep edhe zgjidhjen e duhur,
të zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse që po kërkojmë në këtë moment
të vështirë.
Kjo zgjidhje nuk mund të na vij nga rindërtimi,
apo rritja e stokut të banesave në Durasanë, që na mban në të njëjtën logjikë
dhe na drejton në të njëjtën gjëndje finale; por nga ringritja ku duhet të
kontribuojmë të gjithë nën një marrveshje të re shoqërore për të zgjidhur
hallin e sotëm dhe për të projektuar ndërtimtarinë për të ardhmen. Shteti duhet
të pranojë se ka dështuar në detyrën e tij më bazike atë të planifikimit
territorial dhe të sigurimit se zhvillimi ndërtimor, që prej 27 vjetësh ka
përfshirë shumë aktorë privat, të përfundojë në një qytet të mirë jetueshëm dhe
të sigurtë për qytetarët. Industria e ndërtimit duhet të pranoj se ka dështuar
në dorëzimin e ndërtesave, në tërrësinë e tyre, plotësisht të sigurta dhe në
një raport të drejtë midis kërkesës dhe ofertës. Ndërsa ne qytetarët duhet të
pranojmë se kemi dështuar me përgjegjshmërinë individuale dhe shoqërore që
shoqëron individin në vendet e demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut të
lirë.
Marrveshja e re duhet të mbështetet në tre
shtylla sipas kontributorëve. Së pari, shteti duhet ti drejtohet stokur
ekzistues të banesave për të siguruar të gjithë apartamentet që i nevojiten; të
miratoj një moratorium ndërtimi afatgjatë dhe të ndërmarri një nisëm për
ndryshime legjislacioni në shumë aspekte që kanë lidhje me ndërtimtarinë. Së
dyti, kompanitë e ndërtimit duhet të ofrojnë të gjithë stokun e banesave që
kanë të pashitur me cmime preferenciale (të afërta me kostot që kanë pasur); të
ristrukturojnë kapacitetet njerëzore dhe logjistike dhe të zhvendosin vëmendjen
nga ndërtimi i banesave që janë me shumicë në ndërtimin e infrastrukturave
(sociale dhe inxhinierike) që mungojnë. Dhe së fundi, ne qytetarët duhet të
kuptojmë se në sistemin ku kemi zgjedhur të jetojmë nuk ka vetëm liri
individuale por edhe përgjeshmëri individuale, dhe në këtë kuptim, duhet të
mbajmë përgjegjësi për vendimet dhe veprimet tona të lira dhe individuale.
Sepse edhe në kohët kur qytetari nuk kishte asnjë liri dhe në këtë kuptim asnjë
përgjegjësi dhe shteti “siguronte” gjithëcka, tërmeti erdhi dhe solli dëme edhe
më të mëdha.
Ndërtesat që na rrezikojnë më shumë nga tërmeti.
Liberale, 16. 12. 2019
Tërmeti i shtatorit dhe më pas ai i nëntorit na
e bënë shumë të qartë kush ishin godinat që na rrezikojnë jetën, shëndetin dhe
ekonominë. Nëse më parë ne thjeshtë mund të bënim parashikime, tashmë mund të
themi me siguri se kush janë ‘gjeneratat’ e ndërtesave të cilat janë më të
rrezikuara se të tjerat. Mjafton të hartojmë statistikat se kush ndërtesa u
dëmtuan, se cfarë përqindje zënë ato në raport me gjeneratën e tyre, dhe në
fund ti rankojmë sipas përqindjes numerike që secila prej tyre zë në stokun e
përgjithshëm shqiptar të ndërtesave; dhe kështu dallojmë se kush janë ndërtesat
që na rrezikojnë më shumë jetën, shëndetin dhe ekonominë.
Kjo statistikë, për së pari, do na ndihmonte të
mbyllnim “debatin” se kush janë ndërtesa më të forta, ‘ndërtesat e xhaxhit’ apo
ndërtesat e kohës së tranzicionit. Diskursi i të indokrinuarve duket se po merr
valencë të lartë këto kohë, dhe fatkeqësisht edhe në lidhje me tërmetin. Këta
po synojnë që edhe tërmetin dhe pasojat e tij ta përdorin për të na “vërtetuar”
se regjimi totalitar ishte më i mirë, se sistemi demokratik në të cilin po
mundohemi të ndërtojmë ne. Megjithëse sot nuk e kemi një statistikë, e cila
mund të na orientojë edhe në një “debat” të tillë, një gjë është e sigurt dhe
mund t’ja themi nostalgjikëve që sot: ndërtesat e gjeneratës së “satrapit” Zog
nuk kanë përsuar asnjë kolapsim apo dëme që sjellin rrezik të shtuar për jetën,
shëndetin apo ekonominë.
Ndihma më e madhe që kjo statistikë mund të japë
është krijimi i një baze të dhënash mbi vulnerabilitetin, sipas gjeneratave, të
ndërtesave shqiptare ndaj goditjeve sizmike. Të shërbyer nga kjo bazë të
dhënash ne kemi mundësi të ndërtojmë një strategji konkrete mbi cfarë duhet të
bëjmë konkretisht, për të rritur kapacitetet tona adoptuese ndaj këtij fenomeni
që nuk është rastësor për vendin tonë. Tërmetet kanë ardhur në vendin tonë prej
mijëvjecarësh, do të vijnë përsëri dhe ne, nëse jemi një popull që mëson nga
gabimet e veta, nuk duhet të lejojmë që ata të na gjejnë aq të papërgattur
sikurse na gjetën ato të qershorit, shtatorit dhe nëntorit të këtij viti.
Derisa të kemi të dhëna shkencore mbi
vulnerabilitetin e ndërtesave, duke shpresuar se do ti kemi një ditë, le të
bejmë ca spekulime mbi këtë cështje, në gjuhën e opinionit teknik. Në fakt, nuk
do themi ndonjë gjë të re apo të ndryshme nga ato që janë thënë më parë, por ky
është rasti ku përsëritja është nëna e dijes dhe jo babai i mërzisë, përderisa
nuk na kanë shërbyer më parë.
Ndërtesat më të rrezikshme në Shqipërinë e sotme
janë ndërtesat e zhvilluara pa lejen e autoriteteve shtetërore. Kjo, jo sepse
atyre ju mungon një copë letër e dhënë nga politikanët e mbështetur te
burokratët në qeverisje, porse ndërtesat pa leje përgjithësisht janë zhvilluar
pa projekt zbatimi. Që do të thotë se ato janë ndërtuar mbështetur në
“inxhinier” popullor dhe në njohuritë profane të tyre, të cilat me propabilitet
teorik mund të jenë edhe më të forta se ndërtesat e zhvilluara me projekt,
porse asnjë teknik nuk mund të na e vërtetoj dhe të na siguroj për këtë, nëse
nuk bën më parë teste shkencore. Ndërsa ndërtesat e zhvilluara me leje të
autoriteteve, janë gjithësesi të shoqëruara me një projekt zbatimi, dhe kjo
prodhon të paktën një siguri minimale.
Në vend të dytë do të rreshtoja ndërtesat e
banimit të zhvilluara në regjimin socialist. Të ndërtuara në devizën politike
‘ndërtojmë shpejt dhe lirë’ apo ‘kombëtare nga forma dhe socialiste nga
përmbajtja’, kjo gjeneratë strukturash mbart në vetvete rreziqet që vijnë nga
mungesa e vlerës së jetës së qytetarit. Shumica dërmuese e tyre janë zhvilluar
me projekte të tipizuar në të gjithë vendin pa përfshirë ndikimin e truallit
specific mbi të cilën zhvillohej. Cilësia e materialeve të ndërtimit, në
kushtet e mungesës së shkëmbimeve tregtare me jashtë dhe përgjithësisht
mungesave të shumta në lëndë të parë, lë shumë për të dëshiruar; sikurse edhe
cilësia e punime të kryera me kontribut vullnetar apo nga njerëz të dënuar me
burg. Koha e gjatë e jetës së tyre dhe mungesa e mirëmbajtjes për dekata të
tëra, gjithashtu ndikojnë negativisht.
Dhe në vend të fundit, pra më pak të rrezikshmet
janë ndërtesat shumëfamijare të banimit, apo sikurse i quajmë pallatet. Kjo
gjeneratë, ka shpëtuar në përgjithësi nga kurthet e dy grupeve të mëparshme.
Ato, ndryshe nga ndërtesat paleje janë zhvilluar me një projekt zbatimi i cili
është hartuar nga një grup projektimi; dhe ndryshe nga ndërtesat socialiste
kanë pasur mundësinë të përdorin materiale me cilësi të lartë dhe të ndërtohen
nga inxhinierë dhe specialistë të ndërtimit. Sidoqoftë, edhe këto ndërtesa
mbajnë risqet e tyre, që më së shumti origjinalizojnë nga karakteri moral i diskutueshëm
i njerëzve të sektorit privat apo shtetëror të përfshirë në këtë
industri.
Po shkojmë drejt një ringritje kulturore apo
thellimit të etatizmit? Liberale, 23. 12. 2019
Ngjarje të jashtëzakonshme, si ajo e tërmetit të
nëntorit, shkundin shoqëritë nga përgjumja e rehatisë së ‘gjëndjes ekzistuese’.
‘Gjendjet ekzistuese’, sado të këqija qofshin ato, janë gjithmon më të lehta
për tu panuar nga shumica dërmuese e individëve të shoqërisë, sesa ndryshimi i
tyre. Ndryshimet kërkojnë përpjekje dhe punë, gjë që nuk është shumë e
pëlqyeshme nga individi që, sikurse do na thoshte Karl Poper, me dembelizmin
dhe parazitizmin që i karakterizon parapëlqejnë të gjejnë ato fakte që
vërtetojnë hipotezën e tyre. Që në këtë rast është ‘status quo’-ja, e cila edhe
për shoqëritë më dembele tronditet nga ngjarje të tilla të jashtëzakonshme!
Shoqëri të ndryshme reagojnë në mënyra të
ndryshme, në varësi të fazës së civilizimit në të cilin ndodhen, ndaj
ndryshimit të kërkuar. Nëse i referohemi Ogyst Kont, shoqëri të ‘etapës së
mitologjisë’ nuk kanë nevojë për fakte apo mendim shkencor sepse këto shoqëri
nuk kanë pyetje; kurse shoqëritë e ‘etapës së kërkimit shkencor’ shtrojnë
pyetje dhe presin përgjigje të arsyetura nga komuniteti i tyre shkencor. Në
raport me këtë, disa shoqëri i kthehen kulturalisht riteve e zakoneve për
respektim dhe adhurim të hyjnive që i kishin “harruar” përgjatë kohës, kurse
shoqëri të tjera ju japin kuptim politik në praktikë, përgjigjeve të
shkencëtarëve të tyre.
Në një udhëkryq të ngjashëm gjendet edhe
shoqëria shqiptare e tërmetuar në nëntor të këtij viti: a do ti dorëzohet
“mitologjisë” dhe do zhytet më thellë së etatizëm e punizëm; apo do ti
dorëzohet shkencës për të marrë një udhëtim të ri kulturor në demokracinë
liberale dhe sundimin e ligjit.
Mirëpo, shoqëria shqiptare është në një hall
edhe më të madh se ky, shkencëtarët e saj nuk po i japin dot përgjegje
shteruese. Gjithcka që ata na thonë konvegon në pikën se ‘shteti nuk ka
funksionuar’ në kontrollet që duhet të kryente dhe se ‘ndërtuesit ishin aq të
pangopur për fitime’ saqë i ndërtuan strukturat me mangësi sasiore dhe cilësore
të materialeve të ndërtimit. Shoqëruar me një nostalgji evidente për
mitologjinë e ndërtimeve ‘të kohës së xhaxhit’, ajo që shkencëtarët po na thonë
është se, shoqëria shqiptare duhet të kthehet në mënyrën e funksionimit
centralist të ekonomisë dhe institucioneve, sepse vetëm kështu mund të
shpëtojmë nga dëmet nga tërmeti.
Në realitet është plotësisht e kundërta; jo
vetëm se ndërtesat e kohës së xhaxhit u dëmtuan më shumë dhe më rëndë se ato të
tranzicionit; jo vetëm se punimet shkencore, që do na risnin kapacitetet
mbrojtëse ndaj tërmetit, edhe në atë kohë janë injoruar po aq sa sot; jo vetëm
se jeta, shëndeti dhe pasuria e individit vlen shumë më tepër sot se në atë
kohë; por edhe për një arsye plotësisht teknike që unë do tentoj ta prezantoj
në këtë shkrim të shkurtër të opinionit.
Ishte niveli i lartë i korrupsionit dhe
burrokracisë, si dy karakteristika bazike të qeverive të mëdha të kuptime
puniste dhe etatiste, që lartësuan konceptin ‘leje ndërtimi’ mbi konceptin
‘projekt zbatimi’, që sollën këto dëme katastrofike nga ky sulm i natyrës. Nëse
do bënim një profil të procesit dhe aktorëve të përfshirë në ndërtimin e një
ndërtese, në këto vite tranzicion, do dallojmë tre grupe: inxhinierët dhe
punonjësit e tjerë, të cilët kontribuojnë me projektin dhe zbatimin e tij;
investitorët, që sigurojnë paratë që investohen dhe lejet e kërkuara nga
qeveria; dhe politikanët e burokratët, të cilët i japin këto leje dhe kontrollojnë
se projekti është hartuar dhe zbatuar në përputhje me normativat, bile edhe i
miratojnë këto normativa shtetërore.
Mbivlerësimi i koncetit ‘leje ndërtimi’, i cili
duhet të ishte një procedurë e thjeshtë administrative porse u kthye në një
‘burokraci që kushtonte 20% të vlerës së ndërtesës’, prodhoi rritjen e vlerës
së investitorit që e siguronte këtë copë letër, dhe politikanëve dhe
burokratëve që kishin autoritetin për ta dhënë atë. Për konseguencë logjike,
‘projekti i zbatimit’ dhe aktorët që e prodhonin atë u c’vlerësuan deri në
pikën e mosqënies, sepse askujt nuk i duhej projekti, kur “lufta” e vërtetë
ishte të merrje lejen e ndërtimit! Marrdhënia e roleve të aktorëve dhe
kontributeve të tyre në procesin e zhvillimit pësuan tërmetin e tyre kulturor,
dhe rezultati u prezantua i qartë në sytë e të gjithëve kur godinat e kësaj
mendësie u takuan me tërmetin natyror.
Prandaj, në këtë moment të rëndësishëm, duhet të
kemi kujdes të madh të mos marrim rrugën që na vjen më shumë për shtat, ti
rikthehemi kulturës së vjetër, e të fuqizojmë politikanët dhe investitorët; por
të marrim rrugën e një ringritje të re kulturore, ku shkenca dhe teknika të
kenë rol deciziv. Sepse kultura e vjetër etatiste, na drejton në mbivlerësimin
e mëtejshëm të ‘lejes së ndërtimit’, dhe kjo nga ana e saj na drejton në një
shtet më të madh të populluar nga burokratë dhe politikanë më të pasur, por
kurrësesi në ndërtesa më të qëndrueshme nga tërmeti. Te ato, na drejtojnë
liritë politike e ekonomike, që rrisin përgjeshmëritë e individit (përfshirë
nivelin deontologjik të profesionistëve) dhe një rol i ri i shkencës, teknikës
dhe risive në jetët tona.
A po bëhemi bashkëpunëtor në
krimet ndaj fëmijëve tanë? Liberale, 16. 07. 2020
Pas tërmetit të nëndorit të vitit të kaluar
shoqëria shqiptare po përjeton një përshtjellim të fortë mendor. Ajo gjendet
nën stresin më të madh që është gjendur ndonjëherë, edhe për atë që po ndodh me
sulmin nga koronaviruasi që po pushton botën. Si tërmetet edhe viruset nuk janë
një situatë e re për shoqëritë njerëzore, dhe ajo që e bën të pakrahasueshme me
të kaluarën nuk është vetëm fakti se ato sulmuan sëbashku. Është e kuptueshme
se situata do të ishte shumë më e lehtë nëse do të sulmoheshim vetëm nga koronavirusi
sikurse pjesa tjetër e botës, apo vetëm nga tërmeti, por nuk është ky shkaku
real i kësaj shkundje të thellë mendore.
Tmerri lidhet me dy faktorë,
të tjerë, shumë të rëndësishëm lokal dhe kulturor. Së pari na u dha prova se
Shteti, që ne i kemi dhënë kaq shumë besim e nënshtrim, është një kasolle
kashte që nuk ka asnjë vlerë në kohën kur qytetari ka më shumë nevojë për të;
dhe së dyti se besimi dhe nënshtrimi që i kemi rezervuar Shtetit gjithë këto
vite na ka bërë të papërgjeshmëm për detyrimet tona ndaj vetes, familjes dhe
akoma më tepër ndaj fëmijëve tanë.
Për ‘leksionin’ e parë kemi
folur pafund dhe flitet në çdo hapsirë private e publike. Nga mëngjesi deri në
darkë, kudo, ne kritikojmë, akuzojmë, anatemojmë Shtetin dhe veprime apo
mosveprime të tij. Gabojmë në të folur, duke e barazuar makinerinë e madhe të
institucioneve dhe agjensive të Shtetit me Kryeministrin apo Kryeopozitarin,
por gjithësesi nuk i kemi lënë gjë mangut paaftësisë të tij (Shtetit) për të
vepruar në dy situatat tragjike ku jemi përfshirë së fundmi.
Ajo për të cilën nuk flasim,
është ‘leksioni’ i dytë që duhet të kishim marrë dhe që është e vetmja rrugë e
mbetur për një shoqëri me Shtet inekzistent dhe të paaftë. Nëse kemi “kuptuar”
që Shteti që kemi ndërtuar dhe financojmë me para dhe me liritë e kufizuara, de
fakto nuk ekziston, atherë e vemja gjë që na mbetet është të marrim në dorë
fatet tona. Sepse të dyja sulmet, por veçanërisht ai nga tërmeti, nuk na
rrezikon ‘cilësinë e jetësës’, por vet ekzistencën e saj.
Tërmeti në vetvete nuk të
vret, bile ai as nuk e ka këtë “synim”. Tërmeti thjeshtë lëviz tokën ku janë
vendosur ndërtesat dhe banesat tona, qëndrueshmërinë mekanike dhe ‘fortësinë’ e
të cilave e kemi vendosur ne. Pra, jemi ne, nëpërmjet nivelit shkencor e teknik
në ndërtimtari dhe burokratik e administrativ në qeverisje që kemi përdorur kur
kemi ndërtuar, që vrasim apo rrezikojmë jetën tonë dhe veçanërisht të fëmijëve
tanë.
Se kush ishte niveli niveli
shkencor, teknik, burokratik e menaxherial që kemi përdorur- apo akoma më sakt
kanë përdorur ata që janë përgjegjës juridik për ndërtimtarinë në Shqipëri, por
që ne kemi toleruar duke pranuar këtë Shtet- e verifikuam nga tërmeti i
nëndorit të vitit të kaluar. Nuk kam ndërmed të harrxhoj rreshta të këtij
shkrimi modest të opinionit për të folur për këtë, sepse kam folur vet më parë,
por edhe shumë njerëz më të zgjuar e më të lexuar se unë.
Ajo që dua të nënvizoj sot
është: tmerri i pafund që po ndjej nga papërgjeshmëria e çdo prindi shqiptar
për jetën e fëmijëve të tyre, në këtë periudhë pas-tërmet. Dhe kur them
papërgjeshmëria e prindit për jetën e fëmijës, nuk e kam fjalën për
papërgjeshmëri ‘për ti ndërtuar një jetë më të mirë, më të shëndetshme apo më
të begatë’! Jo e kam fjalën për papërgjeshmërinë tonë për të siguruar vazhdimësinë
e jetës së tyre; për të siguruar mos ndërprerjen e jetës së tyre.
Sepse ne prindërit nuk mund
të fshihemi te mosegzistenca e Shtetit dhe institucioneve të saj, për të
justifikuar paaftësinë tonë për të kryer detyrën e parë që na ka ngarkuar Krijuesi-
qoftë ai Zoti, Universi apo Rastësia - mbrojtjen e jetës dhe vijimit të
ekzistencës humane në Tokë! Detyrë kjo që na është ngarkuar ditën kur pranuam
të bëhemi prindër dhe do të na shkarkohet ditën kur fëmijët tanë të ‘bëhen të
lirë’ si ne; të bëhen të rritur sa për të mbajtur përgjegjësi për jetën e tyre.
Arsyen që më shtyu ti shkruaj
këto rreshta është një ngjarje, nga ato që ndodhin shpesh nëpër këtë qytetin
tonë fizikisht të kithët e kulturalisht të çoroditur. Që këto ditët e fundit më
ka ndodhur mua, por që mbetem i bindur që ju ka ndodhur apo do ju ndodhi edhe
ju. Ky tipi që ka ndërtuar katin e 12-të paleje - dhe që Shteti i
plotfuqishëm për të dëmtuar qytetarin por inekzistent për ta mbrojtur atë, po
ja legalizon - po ndërton një kat tjetër mbi të parin. Vetëm pak muaj nga ai
tërmet i tmerrshëm dhe kur murret kërcasin akoma nga goditja e pësuar, askush
nga prindërit e pallatit tim nuk reagon kundër peshave të reja me të cilat ai
po ngarkohet!
Krijuesi qoftë me ne, sepse
Shteti është kundër nesh dhe pro tyre. Ne e kuptuam këtë, ndërsa ata që nuk e
kanë kuptuar kush është Shteti që kanë toleruar të zmadhohet aq sa të na
përlajë jo vetëm pronat por edhe jetët, e merritojnë atë. Por nëse nuk reagojmë
në mbrojtje të jetës së fëmijëve tanë, që jeta e tyre të mos shuhet në
gërmadhat e ndërtesës së shkatëruar nga mbipesha e vet, ne nuk jemi gjë tjetër
veçse bashkëpunëtor në krimet ndaj jetës së fëmijëve tanë. Mos pasja e Shtetit
na kthen në ‘kafshë jo politike’ sikurse do të na quante një burrë i mençur,
por mos mbrojtja e fëmijëve na bëm më keq se ‘kafshët e ulta’ sikurse do të na
quante një burrë po aq i mënçur.
Comments
Post a Comment